Testament-Rozafa Shpuza

in Letërsi/Tharm by

Testament-Rozafa Shpuza

 

Pa asnji mëdyshje,
i la trashëgim shpirtit
vijat që gërdhishta me gozhdë mbi mur
sa herë mata shtatin n’prag përvjetorësh.
Paketën e gjysmueme t’duhanit, bashkë me çakmakun
që don fërkue disa herë derisa t’kallet.
Bllokun e poezive që shkrova
ndër autobusët e çoroditun nga tallavaja e altoparlantëve
t’vumë kithtas me valvitjen e perdeve.
Inicialet e ish-të dashtunve
t’stivuem si teshat që s’u bjen ma rasti me u veshë.
Sirtarin e ndërresave
me dy-tri palë mbathje t’reja në qoshe
që i ruajta për takimet e pamujtuna.
Ato këpucët me gomë të trashë e lidhëse t’bame ny
që mbatha në rrugtimet e mia t’pacake.
Tana netët pa gjumë kur prita agun,
cullak apo e pshtjellun me jorganin e pajës.
Fjalëkalimet virtuale t’sajume me emna e data
t’shenjueme trishtas ndër kalendarë t’kahershëm.

Shpirtit i la trashëgim edhe arkivën e imazheve
të gdhenduna ndër retina,
prejse s’mbërrita me i fiksue n’aparatin fotografik,
t’varun si parku në derën e shpisë me luleborë…

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top