Albert Camus-William Faulkner

in Letërsi by

 

William Faulkner

Camus ka thënë se funksioni i vërtetë i njeriut, të lindur në një botë absurde, është të jetojë, të jetë i vetëdijshëm për jetën, revoltën dhe lirinë e tij. Ai ka thënë se nëse vdekja është zgjidhja e vetme për dilemën njerëzore, atëherë jemi në rrugën e gabuar. Rruga e duhur është ajo që të çon drejt jetës, drejt dritës së diellit. Njeriu nuk mund të vuaj pafundësisht nga i ftohti.

Kësisoj ai u revoltua. Nuk pranoi të vuante nga i ftohti i pafund. Nuk pranoi të ndiqte një rrugë që të çonte drejt vdekjes. Rruga që ndoqi ishte e vetmja e mundshme që nuk mund ta shpinte vetëm drejt vdekjes. Rruga që ai ndoqi e çoi drejt dritës së diellit, duke qenë plot përkushtim për të krijuar prej fuqisë tonë të brishtë dhe lëndës tonë të absurdit, diçka që nuk kishte ekzistuar në jetë para se ta bënim ne.

Ai tha: “Nuk më pëlqen të besoj se vdekja hap derën e një jete tjetër. Për mua, është një derë që mbyllet.” Dhe u përpoq ta besonte këtë.  Por nuk ia arriti. Duke iu kundërvënë vetes, ashtu si të gjithë artistët, e kaloi atë jetë duke kërkuar veten dhe duke kërkuar për veten përgjigje të cilat vetëm Zoti i di. Dhe në vitin kur u bë laureat i Nobelit, i dërgova një telegram: “On salut l’âme qui constatment se cherche et se demande”[1] po pse nuk hoqi dorë nëse nuk donte të besonte në Zot?

Mu në çastin kur goditi pemën, ai ishte akoma duke kërkuar dhe duke shtruar pyetje për veten, por nuk besoj se në atë çast të përndritur i gjeti ato. Nuk besoj se duhet të gjenden. Unë besoj se ato janë përgjigje të cilat vetëm duhet të kërkohen, vazhdimisht, gjithmonë, nga një pjesëtar i brishtë i absurditetit njerëzor. Nga njëri, megjithëse të tillë ka mjaft, por gjithmonë nga dikush, diku, qoftë edhe një mjafton.

Njerëzit do të thonë se “Ai ishte tepër i ri, nuk pati kohë t’i shkonte në fund rrugëtimit të vet.” Por nuk ka rëndësi “sa gjatë” jeton, nuk ka rëndësi “sa shumë” jeton, ka rëndësi thjesht “çfarë” jete bën. Kur dera u mbyll për të, ai kishte shkruar tashmë në këtë anë të saj atë që çdo artist e bart përgjatë jetës, të njëjtën parandjenjë dhe urrejtje ndaj vdekjes, duke shkruar: unë isha këtu. Këtë po bënte, dhe ndoshta në atë sekondë përndritëse, ai tashmë e dinte se ia kishte dalë mbanë. Çfarë tjetër mund të donte më shumë?

—-

Botuar në frëngjisht në Nouvelle Revue Française, Mars 1960 dhenë anglisht në Translatic Review, 1961.

Përktheu: Granit Zela

[1] Frëngjisht- Përshëndetjet e mia për shpirtin që  gjithmonë në kërkim ngre pyetje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top