Ja pse zoti Faulkner merr Çmimin Nobel për Letërsinë – Gustaf Hellström – anëtar i Akademisë Suedeze (1950)

in Letërsi by

Gustaf Hellström

William Faulkner është më së pari një shkrimtar krahinor, andaj dhe duke i qenë i tillë, hera herës i ndërmend lexuesit suedez dy prej romancierëve tanë më të rëndësishëm, Selma Lagerlöf-in and Hjalmar Bergman-in. Värmland-i i Folknerit është pjesa veriore e shtetit të Misisipit dhe Vadköping-i i tij quhet Xheferson. Paralelizmi mes tij dhe dy bashkëkombasve tanë mund të shtjellohet dhe të thellohet më tej, por koha tash nuk na lejon shmangie të atilla.  Ndryshimi, më i madhi ndryshim, mes tyre ka të bëjë me faktin se skena folkneriane është shumë më e terrtë dhe e përgjakshme se ajo në të cilën jetonin kavalierët e Lagerlöf-it dhe personazhet e jashtmendshme të Bergmanit.

Folkneri është shkrimtari i madh epik i shteteve jugore me të gjithë traditën e tyre: një e kaluar e lavdishme e krijuar prej punës së skllevërve zezakë, luftës civile dhe disfatës që rrënoi bazat e nevojshme ekonomike për strukturën e atëhershme sociale; një zemërim i dhimbshëm dhe i mbartur gjatë; dhe, më së mbrami, një e ardhme industriale dhe tregtare mekanizimi dhe standartizimi i jetës së të cilës janë të çuditshme dhe armiqësore për banorin e Jugut i cili  duke pasur vullnet ka mundur të përshtatet me këtë pak e nga pak.

Romanet e Folknerit janë një përshkrim i vazhdueshëm dhe shumëndriçues i këtij procesi të dhimbshëm, të cilin ai e njeh katërcipërisht dhe e ndjen së thelli, duke qenë se vjen prej një familje e cila qe e detyruar të kapërdij frutat hidhërake të disfatës me bërthamën e tyre të kalbur: varfërimin, rënien, zvetënimin në format e tij të shumëllojshme.

E kanë quajtur reaksionar. Por edhe nëse ky term deri diku është i përligjur, ai ekulilibrohet prej ndjenjës së fajit e cila bëhet gjithnjë e më e qartë në punishten e errët ku punon pa u lodhur asnjëherë. Çmimi i paguar për një mjedis fisnik, kalorësiak, kurajon, dhe shumë shpesh ekstremizmin e pafund ishte shnjerëzimi. Thënë shkurt, dilema e Folknerit mund të shprehet kësisoj: ai ndjen keqardhje dhe, si shkrimtar hiperbolizon një mënyrë të jetuari të cilën ai vetë, me sensin e tij të drejtësisë dhe humanizmit, kurrë nuk do të mundej ta pranonte. Kjo është ajo çka e bën lokalizmin e tij universal. Katër vjet lufte të përgjakshme sollën ndryshime në strukturën sociale, për të cilat europianëve, përveç rusëve, iu desh një shekull e gjysmë.

Pikërisht përkundër një tradite lufte dhe dhune shkrimtari pesëdhjetë e dy vjeçar vendos romanet më të rëndësishme. Gjyshi i tij kishte post të rëndësishëm gjatë Luftës Civile. Ai vetë u rrit në një mjedis të ngjizur prej bëmave të luftës bashkë me hidhërimin dhe varfërinë që vinte prej disfatës që nuk u pranua asnjëhërë. Kur qe njëzetë vjeç hyri në Forcat Ajrore Mbretërore, u përplas dy herë, dhe u kthye në shtëpi jo si hero ushtarak por si një i ri i dëmtuar fizikisht dhe psikologjikisht me një të ardhme të dyshimtë, duke u përballur për disa vite me një jetë në zgrip. U bashkua me luftën ngase, sikurse e shpreh “alter egoja” e tij në një nga romanet, “njeriu nuk duhet ta humbas mundësin e të qenit në një luftë”. Por pas kohës së rinisë kur njeriu është i etur për ndjesinë dhe betejën ngadalë u formua një burrë neveria e të cilit për dhunën shprehet gjithnjë e më me pasion dhe mund të përmblidhet shumë mirë prej porosisë së pestë: “ Nuk duhet me vra”.

Në anën tjetër, janë gjëra të cilat njeriu gjithmonë duhet ti tregojë vetes se nuk mund të durohen: “Disa gjëra”, thotë një prej personazheve të tij të romaneve të fundit, “njeriu duhet gjithmonë të mos duroj padrejtësinë dhe zemërimin, çnderimin dhe turpin. Jo për lavde dhe para – porse duhet të mos pranojë t’i duroj ato.” Dikush mund të pyes se si këto dy maksima mund të pajtohen ose se si Folkneri vetë e sheh pajtimin mes tyre në një kohë të mungesës ndërkombëtare të ligjit. Është një pyetje së cilës nuk i jep përgjigje.

Fakti është se, si shkrimtar, Folkneri nuk është edhe aq i interesuar në zgjidhjen e problemeve se sa është i tunduar nga përhumbja pas komenteve sociologjike në lidhje me ndryshimet e befasishme të pozicionit ekonomik të shteteve jugore. Disfata dhe pasojat e disfatës janë thjesht trualli prej kah merr jetë epika e tij. Ai nuk magjepset nga njeriut si bashkësi por nga njeriu në bashkësi, prej individit si një unitet i fundmë në vetvete, çuditërisht i pandikuar prej rrethanave të jashtme. Tragjeditë e këtij individi nuk kanë asgjë të përbashkët me tragjedinë: ata udhëhiqen drejt fundit prej pasionesh të shkaktuara nga trashëgimia, traditat, dhe mjedisi, pasione që shprehen ose me anë të një shpërthimi të beftë ose nëpërmjet një çlirimi të ngadaltë prej mbase kufizimeve të hershme të brezave.

Pothuajse me çdo vepër të re Folkneri depërton më thellë në psikën njerëzore, në madhështinë e njeriut dhe forcës së vetëflijimit, lakmisë për pushtet, grykësisë, varfërisë shpirtërore, mendjengushtësisë, pandjeshmërisë burleske, zemërimit, terrorit, dhe mbrapshtanive zvetënuese.

Si një psikolog depërtues ai është mjeshtër i pakrahasueshëm ndërmjet të gjithë romancierëve Britanikë dhe Amerikanë të gjallë. Asnjëri prej kolegëve të vet nuk zotëron forcën e tij fantastike imagjinative dhe aftësinë e tij për të krijuar personazhe. Personazhet e tij nënjerëzor dhe mbinjerëzor, komikë ose tragjikë në një mënyrë makabër, lindin prej mendjes së tij me një vërtetshmëri realiteti që pak njerëz të njëmendtë ta japin- as edhe ata më të afërtit për   personazhe që na japin këtë, dhe gjallojnë në një mjedis ku kundërmimi i bimëve subtropikale, parfumet e grave, djersa e zezakëve, bashkë me erën e kuajve dhe mushkave depërtojnë shpejt e shpejt madje edhe në një verandë të ngrohtë dhe të rehatshme skandinave.

Si një piktor peisazhesh ai zotëron nuhatjen e brendshme të gjahtarit që e njeh truallin ku gjuan, saktësinë e topografit, ndjeshmërinë e impresionistëve. Për më tepër – krah për krah me Xhojsin (Joyce) dhe ndoshta më shumë se ai, Folkneri është eksperimentuesi i më i madh ndër romancierët e shekullit të njëzetë. Rrallë ndodh që dy romane të tij të jenë të ngjashme nga struktura.

Duket sikur nëpërmjet ripërtëritjes së tij të paprajshme donte të arrinte frymëmarrjen e hapësirshme të cilën bota e tij e kufizuar në gjeografi dhe tema, nuk mund të ja jepte. E njëjta dëshirë për të eksperimentuar shquhet në zotërimin, e pakrahasueshëm ndër romancierët Britanikë dhe Amerikanë, të pasurisë së gjuhës angleze, pasuri që rrjedh prej elementëve të saj të ndryshëm dhe ndyshimeve të kohëpaskohshme në stil- ç’prej shpirtit Elizabetian gjer te fjalori i kufizuar porse shprehës i zezakëve  të shteteve jugore.

Askush deri sot që prej Mereditit (Meredith) – mbase veçan Xhojsit – arriti me sukses të strukturonte fjali aq të pafundme dhe shmë shprehëse. Në të njëjtën kohë, pak prej shkrimtarëve të kohës së rij mund ta rivalizojnë në mundësinë e dhënies e një zinxhiri ngjarjesh në një seri fjalish të shkurtra, ndërkohë që secila prej tyre është posi një goditje çekiçi që e shpie gozhdën gjer në fund të dërrasës duke e mbërthyer fort që të mos mund të lëviz më.

Zotërimi i përsosur i tij i burimeve të gjuhës mund – dhe shpesh ndodh- që e  çon në një grumbull fjalësh dhe shoqërizimesh që vënë në provë durimin e lexuesit me një histori emocionuese ose të ndërlikuar. Por kjo mbushulli nuk ka të bëjë me lajlelulet letrare. Poashtu nuk ka të bëj me faktin se do të nxjerr në pah zhdërvjelltësinë e pafund të imagjinatës së tij; në gjithë pasurinë e tyre, çdo cilësi e re, çdo shoqërizim i ri është përdorur me qëllimim për të t’u thelluar në realitetin që forca e tij imagjiantive krijon.

Shpesh Folkneri është përshkruar si determinist. Ai vetë sidoqoftë, nuk ka deklaruar ndonjëherë  të mbrojë ndonjë filozofi të caktuar jete. Me pak fjalë pikëpamja e tij për jetën mund të përmblidhet në fjalët e thëna prej atij vetë: se gjithçka (ndofta?) s’ka kurrfarë kuptimi. Nëse nuk do të ishte këtu, Ai ose Ata që krijuan gjithçka do t’i kishin bërë gjërat tjetërndryshe. Po sidoqotë duhet të ketë ndofarë kuptimi, ngase njeriu vazhdon të luftoj, dhe duhet të luftoj deri sa, një ditë, merr fund gjithçka.

Por Folkneri ka një bindje, ose thënë më mirë ka shpresë: se çtë gjithë shpejt a vonë marrin dënimin që meritojnë dhe se vetëflijimi jo vetëm që të jep lumturi por i shtohet numrit të pafund të veprave të mira të njerëzimit.  Kjo është një shpresë, pjesa e dytë e së cilës na ndërmend bindjen e patundur të shprehur prej poetit Suedez Viktor Rydberg gjatë recitimit të kantatës së paraqitur në Jubilenë e Dhënies së Titujve në Apsala (Uppsala) në 1877-të.

Zoti Folkner – emri i shtetit jugor ku je lindur dhe rritur është bërë i njohur tash sa kohë për ne suedezët, falë dy miqëve tuaj më të ngushtë dhe të dashur Tom Sojerit he Hakëlberfinit. Mark Tueini e vendosi lumin e Misisipit në hartën letrare. Pesëdhjetë vjetë më vonë ju filluat një seri romanesh të cilët u mbështetën në shtetin e Misisipit duke krijuar një nga vendet historike të letërsisë botërore të shekullit të njëzetë; romane të cilat me format e tyre të shumëllojshme, me depërtimin më të thellë psikologjik brenda botës së brendshme të njeriut, me personazhe madhështorë- si të mirë edhe të këqij- zënë një vend të pashoq në letërsinë moderne amerikane dhe britanike.

Zoti Folkner është privilegj për mua të kem nderin të ju ftoj të pranoni prej duarve të Madhërisë së Tij Mbretit Çmimin Nobel për Letërsinë që ju është akorduar prej Akademisë Suedeze.

Ligjërata e paraqitjes prej Gustaf Hellström-it, anëtar i akademisë suedeze, më 10 dhjetor 1950-të me motivacionin “Për ndihmesën e tij të gjithëmbarshme dhe të pashoqe artistike në romanin Amerikan”.

Përktheu: Granit Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Guximi- Jack Kerouac

Guximi- Jack Kerouac   I. Guximi është një virtyt interesant. I vetmi

AG-Arthur Rimbaud

AG-Arthur Rimbaud Përqafova agun e verës. Ende s’lëvrinte gjë në ballinën e
Go to Top