Stacioni qendror i trenave-Günter Kunert

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Konformizëm deri në ngordhje: Gjermania në Raihun e Tretë

Günter Kunert

Në një mëngjes me diell një dikush ndesh brenda banesës së vet në një shkresë zyrtare: ajo ndodhet mbi tavolinë pranë filxhanit. Sesi kishte mbërritur deri aty, është e paqartë. Pa e hapur mirë akoma, ajo e befason lexuesin me një thirrje:

Ju duhet të paraqiteni, e urdhëron fletëthirrja zyrtare në një letër të zhubrosur e ngjyrë gri, në 5 nëntor të vitit në vazhdim, në orën tetë të mëngjesit në tualetin e burrave në stacionin qendror të trenave për t’u ekzekutuar. Për ju është parashikuar kabina 18. Nëse nuk e zbatoni këtë thirrje, ndaj jush mund të urdhërohet një ndëshkim me anë të një vendimi administrativ. Rekomandohet veshje e lehtë, për të garantuar një procedurë pa probleme.

Pak më vonë personi në fjalë shfaqet i ligështuar tek shokët e vet. Pijet dhe sanduiçin i refuzon, përkundrazi kërkon urgjentisht këshilla, por korr vetëm tundje serioze dhe plot kuptim të kokës. Mungon një udhëzim vendimtar, një ofertë për ta ndihmuar. Me siguri ata marrin frymë thellë fshehurazi, kur prapa personit, i gjallë vetëm edhe për një kohë të kufizuar, mbyllet përsëri dera dhe e pyesin veten, mos kishte qenë e ekzagjeruar, që ia kishin hapur atë atij. A ia kishte vlejtur vallë, kush e di sa i ngarkuar emocionalisht është një njeri, prej të cilit në të ardhmen priten kaq pak gjëra.

Ai vetë shkon tek një avokat, ku i propozohet të bëjë një kërkesë me shkrim, por ta respektojë me çdo kusht datën (5 nëntorin), që të shmangë raprezaljet. Sidoqoftë fjalët tualet i burrave dhe stacion qendror i trenave tingëllojnë plotësisht të pranueshme dhe të arsyeshme. Njeriu i përfytyron mjaft gjëra shumë më të këqija, sesa ato janë faktikisht. Hinrichtung? = ekzekutim? Ndoshta një gabim shtypi. Në realitet fjala ka qenë për “Einrichtung” = “përshtatje, adaptim, rregullim” E pse jo? Plotësisht e mendueshme i duket avokatit, që prej klientit të tij fringo të ri, kërkohet që të përshtatet (adaptohet). Prit. Dhe mirëbeso! Robi duhet të ketë mirëbesim! Mirëbesimi është gjëja më e rëndësishme.

Në shtëpi, personi i urdhëruar që të vejë tek tualeti i burrave, rrokulliset i pagjumë mbi çarçafët e lagur plotësisht nga djersa. I pushtuar nga zilia përvëluese mban vesh zukatjen e shkujdesur të një mize. Ajo jeton! Ajo nuk ka halle! E çfarë di ajo për stacionin qendror të trenave?! Po dhe vetë robi s’di asgjë për stacionin… Në mes të natës i bie ziles tek dera e fqinjit. Përmes syrit magjik e shikon një sy i zgurdulluar, për pak kohë, pa ndjenja, derisa personi që po i bie ziles kapitullon dhe e heq gishtin nga butoni i saj.

Fiks në orën tetë të mëngjesit hyn në 5 nëntor në stacionin qendror të trenave duke u dridhur nga të ftohtit, me një këmishë sporti me krahë të shkurtëra dhe një palë pantallona prej liri, më e lehta nga veshjet që zotëronte. Aty-këtu gogësin një hamall i pazënë me punë. Dyshemeja po fshihet me fshesë dhe spërkatet pa pushim me një lëng.

Përmes zbrazëtisë vezulluese të tualetit të burrave kumbojnë hapat e tij të vetmuar: kabinën 18 e zbulon menjëherë. Fut një monedhë tek brava e derës, e cila kërcen përpjetë dhe hyn brenda. E virgjër i vetëtin siguria, se nuk do të ndodhë asgjë. Kurrgjë fare! Duan vetëm ta përshtasin, ta adaptojnë, asgjë tjetër! E gjitha do të kalojë pas pak dhe ai mund të kthehet prapë në shtëpi. Mirëbesim! Mirëbesim! E përfshiu një gjendje shpirtërore euforike, e fikson duke buzëqeshur bravën e derës dhe ulet.

Një çerek ore më vonë vijnë dy pastrues të tualeteve, hapin me një çelës kopil kabinën 18 dhe e nxjerrin kufomën e veshur lehtë, për ta shpënë në thellësitë me tulla të kuqe të stacionit qendror të trenave, për të cilin kushdo e dinte se aty as kishte ardhur dhe as kishte ikur ndonjëherë ndonjë tren, megjithëse shpesh mbi çatinë e tij plluskonte tymi gjoja i lokomotivave.

 

Përktheu nga gjermanishtja: Gaqo Karakashi                                                           

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top