N j ë s h i[1]- Woody Allen

in Letërsi by

Woody Allen

Isha i ulur në zyrë dhe pastroja revolverin tim kalibër tridhjetetetë, ndërsa pyesja veten se kush e kishte radhën. Profesioni i detektivit privat më shkon shumë dhe, edhe pse herë-herë ndonjë maskara m’i përshesh nofullat me krik, aroma e ëmbël e kartëmonedhave jeshile më bind se ia vlen barra qiranë. Sa për femrat e hatashme, mjafton të pranoj se tashmë ato më janë shndërruar në një shprehi luksoze, që e rendis vetëm pas frymëmarrjes. Kjo ishte edhe arsyeja për të cilën, kur dera e zyrës u hap kanat më kanat për të lënë të kalonte Heather Sumën, një bjonde flokëgjatë që hyri brenda me hapa të mëdhenj duke me shpjeguar se ishte modele nudosh dhe se i nevojitej ndihma ime, gjendrat e pështymës nisën të më punonin mbi normën. Kishte veshur një minifund dhe një golf ngjitur pas trupit nga i cili ravijëzohej një seri e atillë parabolash që do t’i kishte dhënë infarktin edhe buallit tibetan.

“Ç’mund të bëj për ty, zogëz?”

“Dua që të më gjeni dikë.”

“Ndonjë të zhdukur? Je interesuar në rajon?”

“Nuk është saktësisht i zhdukur, Zoti Lupowitz.”

“Më thuaj Kaiser, shpirte. Pa hë, kush qenka personi?”

“Zoti.”

“Zoti?”

“Dora vetë, Zoti, Krijuesi i Gjithëpushtetshëm, Fillesa dhe Pikënisja e Gjithçkaje, i Kudondodhuri. Gjemani.”

“Përse?”

“Mos fusni hundët në punët e mia, Kaiser. Ju paguaj që ta gjeni dhe vetëm kaq.”

“Keq më vjen, shpirte, po flet me personin e gabuar.”

“Oh, përse?”

“Nëse nuk e njoh siç duhet faktin…” thashë, dhe dhashë shenja se po ngrihesha.

“OK, OK,” tha ajo duke kafshuar buzën. Tërhoqi për lart zharetierën, tërësisht në favorin tim, por mirëpo hëpërhë unë s’rashë në grep.

“Zbraze thesin si burrat, shpirte.”

“Ç’është e drejta unë nuk jam modele nudosh.”

“Si, nuk jeni?”

“Aspak. Nuk jam Heather Suma. Quhem Claire Rosenzweig, studente e filozofisë, historisë së mendimit oksidental dhe e historisë tjetër, sipas Vasarit. Në janar kam provimin për sistemet fetare të Oksidentit. Të gjithë djemtë e tjerë të kursit kanë për ta nxjerrë veten me esè dhe shkrime të tipit spekulativ, por unë mëtoj dijen. Profesori Grebanier tha se ai që nxjerr në dritë diçka të sigurt mund ta konsiderojë veten të diplomuar si vdekja. Im atë më ka taksur një Mercedes nëse ia arrij të marr të gjitha pikët e mundshme.”

Hapa një paketë Lucky Strike dhe një tjetër paketë çamçakëz dhe mora një produkt nga secila. Interesant. Përpara meje qëndronte një snobe të vogël, me koeficient të lartë inteligjence dhe me një trup të cilin do të kisha dashur t’ia njihja nga shumë afër.

“Ç’pamje ka Zoti?”

“Nuk e kam parë kurrë.”

“ Atëherë nga e dini që ekziston?”

“Kjo është puna juaj-zbulojeni.”

“Pa shih, pa shih. Pra s’dini ç’pamje ka? Nga të filloj me hetimet?”

“Më vjen keq, druhem se ai është kudo. Në ajër, nëpër lule, tek ju, tek unë dhe brenda kësaj karrigeje.”

“Oho!”- vajza ish panteiste. Ngulita faktin mirë në kujtesë dhe thashë se do ta merrja përsipër rastin e saj për njëqind dollarë ditën, plus shpenzimet e darkave në çift. Ajo buzëqeshi dhe ra dakord. Zbritëm me ashensor që të dy. Jashtë po errësohej. Ndoshta Zoti ekzistonte, ndoshta jo, por atje jashtë nëpër qytet vërtitej një lukuni individësh që do të përpiqeshin të më pengonin për të zbuluar objektin e kërkimit tim.

Ndalesën e parë e bëra te Rabini Itzhak Wiseman, autoriteti fetar i zonës që më kishte borxh një nder, duke qenë se i pata zbuluar personin që ia lyente kapelen me mish derri. Kur nisa t’i flas, vërejta se diçka s’shkonte, sepse ai dukej i trembur. Qe trembur vërtet.

“Padyshim që ai-që-ti-e-di-se-kush ekziston, por mua s’më lejohet as emrin t’ia shqiptoj, se ndryshe Ai më përcëllon me rrufe, sadoqë kurrë nuk do arrij të marr vesh përse i duhet të tërbohet kaq shumë kur dikush i flet me emër.”

“E ke parë ndonjëherë?”

“Unë? Po tallesh? Unë jam i larë nëse arrij të shikoj nipërit e mi.”

“Atëherë nga e di ti që Ai ekziston?”

“Si nga e di? Ç’dreq pyetjeje është kjo? Si mendon se arrita të shtij në dorë një kostum si ky për katërmbëdhjetë dollarë të qelbur nëse s’ka zot në qiell? Preke, ndieje kualitetin, shih ç’gabardinë, si guxon të kesh qoftë edhe një pikë dyshimi?”

“Nuk keni asnjë argument tjetër përveç kostumit?”

“Po Dhjata e Vjetër ç’na qenka atëherë? Kakërdhi? Si kujton se do t’i nxirrte hebrenjtë Moisiu nga Egjipti? Me ndihmë nga Mandrake? Besomë, Deti i Kuq s’ndahet më dysh me rrahëse vezësh. Duhet forcë, jo llafe.”

“Qenka tip i regjur, hë?”

“I regjur sa s’ka. Mirë do të qe sikur tërë sukseset që ka patur ta kishin bërë ca më të ftillueshëm.”

“Nga i di ti këto punë?”

“Unë i përkas popullit të zgjedhur. Ai na trajton me pekule, ndryshe nga të gjithë popujt e tjerë, fakt të cilin do të dëshiroja ta sqaroja ndonjëherë me Të.”

“Sa e paguat që t’ju zgjidhte ju?”

“Lëre e mos e nga.”

Këto ishin faktet. Për ca kohë, hebrenjtë i pat mbrojtur Zoti. Mafia e kompanive të sigurisë funksionon pikërisht në këtë mënyrë: përkundrejt një çmimi dikush kujdeset për ty. Dhe me sa munda të kuptoj nga dëshmia e Rabinit Wiseman, mbrojtja kishte kushtuar shtrenjt. Mora një taksi dhe u nisa për tek salla e bilardos së Danny, në Avenjunë e Dhjetë. Pronari ishte një burrec i squllët për të cilin nuk ushqeja asnjë iluzion.

“Këtu është Chicago Phil?”

“Kush e kërkon?”

E kapa për jake duke i pickuar njëkohësisht një copë nga lëkura e qafës.

“Pa hë njëherë, mor qelbanik?”

“Është në kthinën e pasme,” gulçoi duke ndryshuar mënyrën e të sjellurit.

Chicago Phil: fallsifikues, pistoletë me qira në tregun e lirë të punës, i parë me sy të keq nga arkëtarët e bankave dhe ateist i përbetuar.

“Ky personi që kërkon ti nuk ka ekzistuar kurrë, Kaiser. Ai është opiumi i popujve. Një falsifikim i përmasave të mëdha. Askush nuk është Njëshi. Ka vetëm një sindikatë, për më tepër siçiliane. Është shumëkombëshe, askush nuk njihet si president në fuqi me përjashtim të Papës.”

“Më ço te Papa.”

“Gjë që bëhet,” më tha, duke më shkelur syrin.

“Çfarë të kujton emri Claire Rosenzweig?”

“Asgjë.”

“Heather Suma?”

“Pa dale pak… Një moment. Është ajo femra oksigjenè me atë gjoksin që aman o zot nga Radcliffe.”

“Radcliffe? Ajo më tha nga Vassar.”

“Të ka gënjyer. Ajo është mësuese nga Radcliffe dhe ka bashkëjetuar për ca kohë me një filozof.”

“Panteist?”

“Jo, empirist logjik, më duket. Një surrat i ndyrë që nuk pranonte Hegel dhe çfarëdolloj metodologjie dialektike.”

“Aha, sëra e tyre.”

“Pikërisht. Ishte baterist në një trio jazz, pastaj i hyri pozitivizmit logjik. Gjatë kohës së lirë zbavitej me filozofinë pragmatiste. Herën e fundit që dëgjova për të më thanë se kishte vjedhur një thes me pare për të ndjekur një kurs mbi Schopenhauer-in në Universitetin e Kolumbias. Mafia do të kishte dashur ta gjente, apo të shtinte në dorë njërin nga librat e tij për ta hedhur në treg.”

“Të falemnderit Phil.”

“Të lutem, Kaiser. Atje lart nuk ka njeri, nuk ka gjë prej gjëje. Nuk do të mundja kurrë të bëja ndyrësitë që bëj nëse në shpirt, qoftë edhe për një minutë, do të ndieja praninë autentike të Njëshit. Universi është rigorozisht fenomenologjik. Asgjë nuk është e përjetshme. Gjithçka përmblidhet në një mungesë kuptimi.”

“Kush do ta fitojë lojën nesër?”

“Santa Baby.”

Mora një birrë në O’Rourke ndërsa risillja ndërmend ngjarjet e ditës. Më kot. Nuk arrija t’i bija në fije. Sokrati kishte vrarë veten, të paktën kështu thuhej për të. Krishtin e vranë. Nietzsche doli nga fiqiri. Nëse në qiell jeton dikush, është e qartë si drita se Ai nuk do që kjo të merret vesh. Përse më gënjeu Claire Rosenzweig lidhur me Vassar-in? Të kish patur të drejtë Kartezi? Vallë Universi është dualist? Apo jo? Mos ndoshta postulati kantian mbi ekzistencën e Zotit në planin moral qe thjesht një gafë?

Në mbrëmje darkova me Claire. Dhjetë minuta më vonë kisha paguar llogarinë dhe gjendesha në shtrat me të. O djema, mbajeni për vete Të Menduarit Oksidental nëse ju pëlqen. Sa për këtë vajzë, ajo u ushtrua vendçe në atë lloj gjimnastike që do t’i kishte dhënë çmimin e parë në olimpiadat e Tia Juana. Pas kësaj ajo u preh pranë meje me flokët e gjatë të shprishur mbi jastëk. Trupat tanë lakuriq qenë ende të rraskapitur. Unë piva një cigare me vështrimin e ngulur në tavan.

“Claire, po sikur Kierkegaard të ketë patur të drejtë?”

“Në ç’kuptim?”

“Nëse nuk mund të dimë asgjë, besimi është gjithçka që mbetet.”

“Absurditet.”

“Mos u bëj kaq racionaliste.”

“Mos ki merak, nuk bëhem”. Ajo ndezi një cigare. “Mjaft që të mos priremi nga ontologjia. Vetëm ontologjik mos u bëj, këtë nuk do të mund ta duroja dot.”

Qe shqetësuar. U përkula mbi të dhe i dhashë një të puthur. Zilja e telefonit ra dhe ajo ngriti receptorin.

“Është për ty.”

Zëri nga ana tjetër e telit qe i rreshterit Reed nga Grupi i Gatshëm.

“Je ende në kërkim të Zotit?”

“Ëhë.”

“Një qenie të Gjithëfuqishme, një Njësh, Krijuesin e Universit, Parimin Fillestar të Gjithçkaje?”

“Pikërisht atë.”

“Një person që i përgjigjet këtij përshkrimi sapo u soll në morg. Do bëje mirë të dukeshe këndej.”

Ishte Ai, qe e vërtetë, dhe nga mënyrën sesi qe katandisur dukej se ishte punë profesionistësh.

“E sollën të vdekur.”

“Ku  e gjetët?”

“Në një magazinë në Delaney Street.”

“Po gjurmët?”

“Këtu kanë gisht ekzistencialistët. Jam i sigurt njëqind për qind.”

“Ç’ne kaq i sigurt?”

“Vrasësi qe diletant. S’ka ndjekur asnjë rregull. Ka vepruar thjesht nën veprimin e shtysës së çastit.”

“Krim për motive të dobëta?”

“Bravo, Kaiser. Dhe dije se ti je ndër të dyshuarit, Kaiser.”

“Ç’ne unë?”

“Në shtab e njohim të gjithë qëndrimin tënd ndaj zotit Jaspers.”

“Kjo nuk më shndërron në vrasës.”

“Në të dyshuar po ama.”

Me të dalë në rrugë i mbusha mushkëritë me ajër dhe u përpoqa të kthjell mendjen. Mora taksinë për në Newark, ku zbrita, dhe u drejtova më këmbë për tek restoranti italian Giordino.

Atje, në një tryezë të fshehtë, më priste Shenjtëria e Tij Papa, dora vetë. Rrinte ulur në shoqërinë e dy personave që i kisha hasur shpeshherë nëpër qelitë e hetimit të policisë kriminale.

“Ulu,” më tha duke ngritur sytë nga pjata me makarona. Më zgjati dorën e stolisur me unazë. I fala buzëqeshjen time më të gjerë, por nuk ia putha. E pashë që u sikletos dhe m’u bë qejfi. Një me zero për mua.

“Bujrum”

“Jo, Santy, të falemnderit.”

“S’po merr asgjë? Një sallatë të paktën?”

“Sapo hëngra drekë.”

“Si të kesh qejf, vetëm mos harro se këtu shërbehet një garniturë a là Roquefort që të lësh mendjen. Në Vatikan nga këto gjëra nuk marrin vesh.”

“Po hyj drejt e në temë, Papush. Kërkoj Zotin.”

“Ke gjetur njeriun e duhur.”

“Pra ekziston?” Pyetja i shkuli gazit të pranishmit. Ai që kisha më afër tha: “Kjo ishte ç’ishte! I mençuri i dynjasë do të dijë nëse Ai ekziston.”

U rehatova në karrige duke i rënduar me tërë shputën mbi gishtat e këmbës: “Më falni.” Po i dilte tym nga veshët.

“Ekziston që ç’ke me të, por unë jam i vetmi që kam gojë të flas. Fjala ime në vesh të Perëndisë.”

“Kush je ti që bën ligjin or mik?”

“Ligjin e bëj me kaftanin e kuq.”

“Me këtë që ke veshur?”

“Mos e përbuz. Çdo mëngjes zgjohem, vesh kaftanin e kuq dhe befas më duket vetja Papë. Kaftani s’bën shaka. Si do të dukesha ty me pantallona dhe xhaketë sportive?”

“Atëherë nuk paska Zot. Ma paskan hedhur.”

“Këtë s’e di. Fundja ç’punë të prish? Paratë janë gjithçka.”

“Po sikur pastrimi kimik të mos jua kthente me kohë kaftanin e kuq, a do të ishit edhe ju njeri si gjithë të tjerët?”

“Ne s’merremi me pastrime kimike çfarëdo, o djalkë. Për hir të sigurisë ia vlen gjithnjë të harxhosh pesë pare më tepër.”

“Emri Claire Rosenzweig ju kujton diçka?”

“E njoh, posi, profesoresha e fizikës në Northwestern.”

“Thatë fizikë? Ju falemnderit.”

“Për çfarë?”

“Për përgjigjen, Papush.” Zura një taksi fluturimthi dhe mora drejtimin e urës George Washington; në rrugë e sipër kalova nga zyra për të shfletuar ca dosje. Ndërsa i afrohesha apartamentit të Claire i rendita mirë e mirë copëzat e mozaikut; për herë të parë ato u përputhën. Kur mbërrita tek ajo e pashë të veshur me një këmishë të stërhollë nate. Dukej se diç e shqetësonte.

“Zoti ka vdekur,” më tha. “Policia më bastisi shtëpinë. U ranë këmbët pas teje. Thonë se je ekzistencialist.”

“Shpirte, e ke vrarë ti!”

“Çfarë? Po tallesh, Kaiser.”

“Ti e vrave!”

“T’u thaftë goja!”

“E ke vrarë ti. As Heather Suma, as Claire Rosenzweig, por doktori i  shkencave Ellen Shepherd.”

“Nga e more vesh si quhem?”

“Ti jep fizikë në Northwestern. Je shefja më e re që ka pasur ndonjëherë katedra. Gjatë suaresë së mesdimrit të ra në kokë për një muzikant xhezi të zhytur kokë e këmbë në filozofi. Qe burrë i martuar, por as kjo nuk mundi të të ndalë. Një dyzinë netësh të fjetura sëbashku; për ty kjo ishte dashuria vetë. Por hesapet nuk të dolën, sepse diçka qëndronte mes jush: Zoti. Ç’është e drejta, shpirte, ai beson ose do të besojë, ndërsa ti, me atë truçkën tënde të shpifur shkencore do të arrish saktësinë absolute.”

“Jo, Kaiser, të betohem që jo.”

“Ja pra përse u shtire si studente filozofie, ish mënyra e mirë për t’i hapur rrugë vetes. Sokratin e hoqe qafe mjaft shpejt, mirëpo atypëraty futi hundët Dekarti; t’u desh të përdorje Spinozën për të likuiduar Dekartin, por kur e pe që Kant-i nuk qe dakord e hoqe qafe edhe atë.”

“Ti po spekulon.”

“Lajbnicin e bëre copë-copë, por kjo s’të mjaftoi, e dije se nëse askush nuk do t’i besonte Paskalit do të të duhej t’i thoshe jetës lamtumirë, ja përse e vrave. Këtu bëre edhe gabimin tënd të parë; iu hape Martin Buberit. Vetëm se ai ishte një copë dordolec, o zemër, ai i besonte Zotit. Ja përse t’u desh ta likuidoje edhe Atë.”

“Kaiser, ti s’je në vete!”

“Nuk je në vete vetë. U shtire si panteiste sa për të puqur pipëzat me Njëshin, nëse ekzistonte, -dhe ekzistonte që çke me të. Ai erdhi me ty në festën tek Shelby, dhe mu pas shpinës së Jason ti e vrave.”

“Kush dreqin janë Shelby dhe Jason?”

“Ç’rëndësi ka?  Fundja vetë jeta është një absurd.”

“Kaiser,” më tha ajo e pushtuar nga një drithmë e beftë, “do më denoncosh?”

“Patjetër, shpirte. Gjaku i Njëshit lahet me gjak.”

“Oh, Kaiser, mund t’ia mbathim që të dy, unë dhe ti të vetëm! Ta hedhim pas shpine filozofinë, të jetojmë në paqe… t’i futemi semantikës!”

“Më vjen keq shpirte, zaret janë hedhur.”

Ajo qe mbuluar me lotë dhe këmisha e natës i rrëshqiste poshtë e më poshtë; befas e pashë veten përballë një Venusi lakuriq, trupi i të cilës dukej se thoshte: merrmë, jam e jotja. Njëra dorë e Venusit më shprishte flokët, por tjetra më drejtonte një kalibër dyzetepesë pas qafës. E shtëna nga kalibri im tridhjetetetë ushtoi përpara se ajo të mund të shkelte këmbëzën. Arma i ra nga duart, ndërsa ajo më shihte e pataksur në dritë të syrit.

“Edhe këtë ma bëre, Kaiser?”

Ishte duke u shuar në duart e mia, ndaj m’u desh të nxitohem: “E dashur, shprehja e universit si ide komplekse në vetvete, meqenëse i kundërvihet qenies jashtë apo brenda thelbit të pastër të vetes si Vetvetja, është domosdoshmërisht Hiçi, ose Asgjëja, me një fjalë Mungesa në lidhje me çfarëdolloj forme abstrakte të ekzistencës apo të të qenurit apo të Qenies ekzistuese në përjetësi, të çliruar nga ligjet e fizikës apo dinamikës, apo sistemeve që kanë të bëjnë me antilëndën, ose me mungesën e esencës objektive apo të një alibie subjektive.”

Sado të vështirë ta ketë pasur them se mundi ta kuptonte, teksa jepte shpirt.

Përktheu: “Ivan Katastrofov” 

—–

[1] Në origjinal “Mr. Big”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që
Go to Top