KUJTIMET E SHMEDIT-Woody Allen

in Letërsi by

Woody Allen

Fluksi me sa duket i pashtershëm i letërsisë mbi Rajhun III  vazhdon me ritëm të plotë me botimin e afërt të Kujtimeve të Fridrih Shmedit. Shmed, berberi më i famshëm i Gjermanisë në kohën e luftës, shërbeu në funksionin e floktarit të Hitlerit dhe të shumë funksionarëve të tjerë të lartë të qeverisë, duke përfshirë edhe oficerët eprorë në Shtatmadhorinë gjermane. Procesi i Nyrenbergut nxorri në pah faktin se Shmed ishte jo vetëm njeriu gjithnjë i pranishëm në vendin dhe kohën e duhur, por edhe personi i cili  ruante një lloj “kujtese globale”. Për këtë arsye[i] ai u konsiderua si i vetmi njeri i kualifikuar për realizimin e kësaj vepre të mprehtë mbi Gjermaninë e vërtetë naziste.

Po sjellim këtu disa pjesë të shkurtra të shkëputura prej saj:

Në pranverë të vitit 1940 një Mercedes i stërmadh u ndal përpara floktores sime në Kënigshtrase 127 dhe hyri Hitleri. “Vetëm një prerje të lehtë” tha ai, “dhe mos m’i shkurto shumë baluket”. I shpjegova se i duhej të bënte pakëz durim për arsye se Fon Ribentropi kishte mbërritur i pari. Hitleri tha se e kishte me ngut dhe i kërkoi Fon Ribentropit mirësinë të shërbehej pas tij, por ky i fundit i bëri të ditur se hyrja jashtë radhe do të përbënte një precedent që të shihej me sy të keq nga Ministria e Jashtme. Atëherë Hitleri mori në dorë telefonin dhe Fon Ribentropi u transferua urgjentisht në Korpusin e Afrikës, gjë që i hapi udhë Fyhrerit të qethej atypëraty. Rivalitetet e këtij lloji tashmë qenë shndërruar në ndodhi të përditshme. Njëherë Gëringu urdhëroi ndaljen e Hajdrihut nga ana e policisë me pretekstin e një inspektimi të rremë, duke arritur në këtë mënyrë të zinte poltronin e vendosur pranë dritares. Gëringu ishte një njeri i pacipë; i pëlqente të qethej ulur në kalin prej druri të porositur enkas për fëmijët. Ndodhi të  tilla e vinin komandën e lartë naziste para një pozite të vështirë, por në raste të tilla ajo i kishte duart e lidhura. Një ditë Hesi pati dëshirë ta vinte në provë duke i shpallur në mënyrë sfiduese: “Sot po ulem unë në kalin tuaj, zoti Feldmarshall.” “Në asnjë mënyrë, e kam zënë unë,” qe përgjigjia e thatë e Gëringut. “Kam marrë urdhra të qarta nga Fyhreri: më lejohet shprehimisht të ulem në kalë për të prerë flokët.” Por Hesi atypëraty shpalosi një letër të Hitlerit e cila shprehej mjaft qartë mbi çështjen. Gëringu u zverdh nga zemërimi dhe tha se nuk do t’ia falte kurrë dhe se në të ardhmen flokët do t’ia priste e shoqja me hanxhar në shtëpinë e tij.

Kur dëgjoi këto fjalë Hitleri nuk e mbajti dot gazin, por Gëringu e kishte me gjithë mend, dhe me siguri do t’i kishte arritur qëllimet e veta nëse Ministria e Luftës nuk do t’ia kishte hedhur poshtë kërkesën zyrtare për një palë gërshërë berberi.

Më kanë pyetur nëse isha i vetëdijshëm lidhur me ndërlikimet morale që më sillte puna që bëja. Siç dëshmova edhe në gjyqin e Nyrenbergut, nuk isha në dijeni se Hitleri ishte nazist, pasi përgjatë viteve kisha krijuar bindjen se ai punonte për kompaninë e telefonave. Kur më në fund e zbulova se ç’bishë ishte, nuk mund të kthehesha pas, duke qenë se tashmë kisha blerë mobiljet me këste. Njëherë, në prag të përfundimit të luftës, më shkoi ndërmend të zhdukja peshqirin e Fyhrerit, në mënyrë që këtij të fundit t’i shkonin nëpër kurriz ca maja flokësh të prerë, por në momentet e fundit guximi më braktisi.

Njëherë tjetër, kur ndodheshim në Berchtesgaden, Hitleri m’u drejtua me pyetjen: “Si do të dukesha me baseta?” Speri nisi të zbardhte dhëmbët dhe Hitleri u ofendua. “E kam seriozisht, zoti Sper”, nëpërdhëmbi, “jam i mendimit se një palë baseta do të më rrinin mirë.”

Menjëherë Gëringu, ky bufon i paturp, i doli krah me klithjen: “Fyhreri me baseta, ç’ide e shkëlqyer!” Sper nuk ra në kurth-në fakt ai ishte i vetmi njeri i cili ruante integritet të mjaftueshëm për t’i thënë haptazi Fyhrerit se kishte ardhur koha për të shkuar tek floktari. “Bien shumë në sy,” shqiptoi së fundi ai, “sipas mendimit tim, basetat do t’i kishin hije një personi si Çërçilli.” Nga zemërimi Hitlerit desh iu mor fryma. Mos Çërçilli kishte ndërmend të lëshonte baseta – deshi të dinte – dhe, në rast se po, kur, dhe në çfarë gjatësie? U thirr në raport Himleri, i cili atëherë me sa dukej qe shefi i Shërbimeve Sekrete, dhe iu dha urdhri që hetimet të niseshin urgjentisht. Gëringut i kishte ardhur në majë të hundës sjellja e Sperit, të cilit iu drejtua me fjalët: “Pse i kërkoni andrallat me qiri? Nëse Atij i pëlqejnë basetat, le ti mbajë!” Sper, i cili më të shumtën e kohës sillej me takt deri në tepri, i ulëriti Gëringut se qe një hipokrit i pashoq dhe “një farë çorbe fasulesh e mbështjellë në uniformën gjermane.” Gëringu iu betua se do të hakmerrej, dhe kohë më pas nisi të qarkullonte thashethemi se kishte urdhëruar roje speciale SS që ti shkëmbenin shtratin e Sperit me një shtrat tjetër portativ.

Himleri mbërriti tërësisht i çoroditur. Zilja e telefonit dhe urdhri për t’u paraqitur menjëherë në Berchtesgaden e kishin zënë në mes të një seance kërcimi tip-tap; paniku në të cilin gjendej kishte të bënte me dyshimin se e kishin thirrur në raport lidhur me mosardhjen në destinacion të një dërgese prej disa mijëra kapelesh të sezonit të fundit të cilat i ishin premtuar para disa kohësh Romelit për ofensivën dimërore. (Himleri nuk ishte mësuar ta ftonin për drekë në Berchtesgaden ngaqë ishte dritëshkurtër dhe Hitleri nuk e honepste dot kur e shihte sesi e mbante pirunin pranë fytyrës dhe e zhgërryente ushqimin mbi të dyja faqet). Himleri po bëhej gati të përballej me një situatë tragjike, pasi Hitleri në telefon i kishte thënë “tapë” gjë që e bënte vetëm kur ishte jashtëzakonisht i irrituar. Me ta parë, Hitleri iu vërsul me fjalët: “Kur do të lërë baseta Çërçilli?”

Himleri ngriu në vend.

“Atëherë?”

Himlerit iu desh të konfirmonte se qarkullonin zëra lidhur me një histori basetash që kishin të bënin me Çërçillin, por burimet nuk ishin zyrtare. Përsa i përket numrit dhe gjatësisë së basetave ai u shpreh se me sa dukej bëhej fjalë për dy baseta të mesme, por në mungesë të të dhënave të sigurta askush nuk guxonte të njoftonte hapur lidhur me këtë. Hitleri nisi të bërtiste dhe të përplaste grushtin mbi tavolinë (ky ishte një triumf i Gëringut ndaj Sperit) dhe shpalosi një hartë gjeografike për të treguar sesi synonte t’i ndërpriste Anglisë furnizimet me peceta të ngrohta. Bllokimi i Dardaneleve nga ana e admiralit Dënic do të mund të ndërpriste mundësinë e dërgesave me peshqirë drejt gadishullit britanik ku miliona fytyra anglezësh zgjateshin në pritje të ankthshme. Sidoqoftë, pyetja thelbësore mbetej e njëjta: A do ta mundte Hitleri Çërçillin në garën e basetave?

Himleri njoftoi se Çërçilli ishte nisur nga pozita më të favorshme dhe se ishte e pamundur të arrihej. Gëringu, ky lajkatar i pandreqshëm, shprehu bindjen se ndoshta Fyhreri do të mund t’i rriste më shpejt basetat, por vetëm nëse arrihej bashkërenditja e të gjithë fuqisë gjermanike në një përpjekje të vetme kolektive. Në mbledhjen e rastit në Shtabin e Përgjithshëm, Marshalli Fon Rundshted u shpreh se ideja për rritjen e njëkohshme të basetave në dy fronte të ndryshme ishte e gabuar, dhe hodhi mendimin se të gjitha energjitë duhet të përqëndroheshin në një basetë të vetme të fuqishme. Hitleri nga ana e tij shpalli se do të mund të ishte i suksesshëm mbi të dyja faqet. Romeli ndante të njëjtin mendim me von Rundshtedin: “S’ka mundësi që t’iu dalin të dyja njëlloj, Fyhreri im,” tha ai, “nëse i nxirrni me zor.”

Hitleri kishte nisur të humbte durimin dhe të nëpërdhëmbte se kjo ishte një çështje thjesht midis tij dhe berberit. Sper premtoi trefishimin e prodhimit të pastës së rrojës për vjeshtën e ardhshme, gjë që zgjoi entuziazmin e Hitlerit. Në vijim të dimrit të vitit 1942 me nisjen e kundërofensivës së  Ushtrisë së Kuqe, Operacioni Baseta nisi të haste pengesat e para domethënëse. Edhe vetë Hitlerin nisi ta linte kurajoja dhe t’i lindte dyshimi se së shpejti Çërçilli do të merrte një pamje magjepëse, ndërsa atij nuk do t’i mbetej në dorë gjë tjetër përveçse një “fytyre të rëndomtë.” Jo shumë kohë pas kësaj mbërriti lajmi se Çërçilli e kishte braktisur planin e basetave në pamundësi të mbulimit të kostos tepër të lartë të zbatimit. Edhe një herë Fyhreri kish patur të drejtë.

Pas zbarkimit të aleatëve, flokët e Hitlerit i përfshiu zbokthi. Kjo ndodhi pjesërisht për shkak të suksesit të trupave aleate dhe pjesërisht nga këshillat e Gëbelsit, i cili i rekomandoi t’i lante flokët përditë. Me ta marrë vesh këtë, gjenerali Guderian u kthye menjëherë në Berlin nga fronti i lindjes për t’i komunikuar Fyrerit se nuk duhej të përdorte shampon më shumë se tre herë në javë: kjo taktikë ishte përdorur me sukses të plotë nga Shtabi i Përgjithshëm gjatë dy luftërave të mëparshme. Hitleri edhe kësaj here nuk ia vuri veshin mendimit të gjeneralëve të tij dhe vazhdoi t’i lante përditë. Bormani ndihmonte Hitlerin në operacionet e shpëlarjes, dhe vihej re gjithmonë pranë tij me krehër në dorë. Në këtë mënyrë Hitleri nisi të binte gjithnjë e më tepër nën ndikimin e Bormanit, gjë që mund të ilustrohet me faktin se përpara se të shihej në pasqyrë, i urdhëronte gjithmonë këtij të fundit të shihej i pari në të. Në momentin kur pesha e përqëndruar e ushtrive aleate u rëndoi mbi frontin lindor, gjendja e flokëve të Hitlerit u bë e mjerueshme. Tashmë me flokë të thatë dhe të ngritur si iriq, ai mendonte i mllefosur me orë të tëra se do ti qethte siç i kishte hije kur Gjermania të fitonte luftën, ndoshta duke i dhënë një lustër edhe këpucëve. Tani e kam të qartë se ai asnjëherë nuk kishte ndërmend t’i shndërronte këto ide në realitet.

Një ditë Hesi përvetësoi shishen e locionit Vitalis të Fyrerit dhe fluturoi për në Angli. Komanda e lartë gjermane u indinjua, pasi ishte e mendimit se Hesi synonte t’ia dorëzonte atë Aleatëve në shkëmbim të amnistisë. Me të marrë vesh lajmin, edhe Hitleri e humbi durimin, duke qenë se sapo kishte dalë nga dushi dhe po bëhej gati të krihte flokët. (Më vonë Hesi sqaroi në Nyremberg se në të vërtetë synonte t’i ofronte Çërçillit një terapi për lëkurën e kokës në formën e një kontributi për t’i dhënë fund luftës. Ai madje kishte arritur të bindte Çërçillin të përkulej mbi lavaman për t’i bërë një provë në çastin kur e arrestuan).

Në muajt e fundit të vitit 1944 Gëringu kishte lënë t’i rriteshin një palë mustaqe të guximshme, gjë që i dha shkas thashethemeve sipas të cilave ai ia kishte vënë syrin postit e Hitlerit. Me ta dëgjuar këtë Fyhreri sa s’plasi nga marazi dhe vuri ulërimën duke e quajtur Gëringun tradhëtar: “Midis gjithë krerëve të Rajhut duhet të ketë një mustaqe të  vetme, dhe kjo jam unë!” Gëringu u mbrojt duke vërejtur se ndoshta prania e dy palë mustaqeve do të mund t’i kishte ngjallur shpresa më të mëdha popullit gjermanik përsa i përket ecurisë së luftës që po shkonte si mos më keq, por Hitleri nuk ishte i këtij mendimi. Më pas, në Janar të vitit 1945 plasi komploti për rruajtjen e mustaqeve të Hitlerit në gjumë e sipër, me synim shpalljen e Dënicit si udhëheqës në vend të tij, por gjithçka dështoi për shkak të fon Shtaufenbergut i cili gaboi në errësirën e dhomës së gjumit të Fyrerit, duke arritur t’i priste këtij të fundit vetëm disa nga qerpikët e sipërm. U shpall gjendja e jashtëzakonshme, dhe në derën e dyqanit tim u dha menjëherë Gëbelsi:“I bënë atentat mustaqeve të Fyrerit, por arritëm ta shmangnim,” më tha duke u dredhur si purtekë. Gëbelsi organizoi sakaq vajtjen time në radiostacion prej nga iu drejtova popullit gjermanik me vendosmëri të pashoqe: “Fyreri është shëndoshë e mirë,” thashë për të qetësuar gjakrat, “mustaqet e tij shpëtuan. E përsëris, Fyreri i ka ende mustaqet. Komploti i thurur për t’ia lënë në dorë dështoi.”

Kur lufta po i afrohej fundit më transferuan në bunkerin e Hitlerit. Armatat aleate po shtërngonin rrethimin përqark Berlinit dhe tashmë Fyreri kish nisur të kuptonte se në rast të një depërtimi rus atij do t’i duhej të qethej toç, por, nëse amerikanët do të arrinin të parët, do të mund ta hidhte lumin me një prerje të lehtë. Menjëherë plasi grindja. Në mes të rrëmujës Bormani më kërkoi t’i rruaja mjekrën dhe m’u desh t’i premtoja se do t’i vihesha intensivisht studimit për zgjidhjen e kësaj detyre të re. Ndërkaq përqendrimi i Hitlerit po tretej si kripa në ujë sëbashku me gjendjen e tij të mirë shpirtërore. Ai hodhi idenë e ndarjes së flokëve me vijë nga njëri vesh tek tjetri, pastaj nisi të llomotiste se shpikja e makinës elektrike të rrojës do të mund të përmbyste fatin e luftës në favor të Gjermanisë. “Atëherë do të ishim në gjendje të rruheshim brenda pak sekondash, apo jo Shmed?” më thoshte. Gjithnjë e më tepër ai ra në vorbullën e projekteve gjithmonë e më të çmendura, dhe nisi deklaronte se do të vinte dita kur ai jo vetëm do të qethej në mënyrë të thjeshtë, por do t’i priste flokët me model. I munduar si gjithnjë nga ideja fikse lidhur me gjatësinë e tyre ai u betua se përfundimisht do të urdhëronte ta qethnin alà Pompadur – një nga ato modelet gjiganteske të flokëve që do të hidhte botën në këmbët e tij por që do të kërkonte kujdeset e vazhdueshme të të paktën një grenadieri për mirëmbajtjen. Në çastin vendimtar shtërnguam duart, dhe për herë të fundit i ndreqa pakëz flokët. Më dhuroi një fening për bakshish sëbashku me fjalët: “Me gjithë qejf do të të kisha dhënë ca më tepër, por që kur Aleatët pushtuan Europën gjendem pak si hollë.”

Përktheu:“Ivan Katastrofov”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që
Go to Top