Viva Vargas!-Woody Allen

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Shënime të shkëputura nga ditari i një revolucionari

  Woody Allen

3 Qershor: Rroftë Vargas! Sot morëm arratinë nëpër kodra. Të neveritur dhe të fyer nga shfrytëzimi nën të cilin lëngon vendi ynë i vogël për shkak të regjimit të korruptuar të Arrojos, dërguam Hulion në pallatin presidencial së bashku me listën me kërkesat dhe ankesat tona, të gjitha menduara mirë dhe mëse të arsyeshme. Për shkak të vëllimit të madh të punëve, Arrojo nuk pati mundësi ta priste personalisht të dërguarin tonë rebel, kështu që iu desh t’ia ngarkonte detyrën ministrit të brendshëm, nga i cili na u dha premtimi se peticioni ynë do të shqyrtohej me kujdesin e duhur. Por, si fillim, Arroyo pati dëshirë të shihte për sa kohë Hulio do të arrinte të ruante buzëqeshjen me kokën e zhytur në llavën e shkrirë.

Më në fund, pas disa incidenteve të këtij lloji, vendosëm të marrim në dorë situatën nën udhëheqjen e frymëzuar të Emilio Molina Vargas. Nëse kjo është tradhti, shpallëm në të katër anët, atëherë rrofshin tradhtitë, dhe sa më shumë, aq më mirë. Për fat të keq ndodhesha në vaskën e banjës kur më informuan se policia synonte të më varte në litar në rastin më të parë. Ndërsa, siç mund të merret me mend, kërceja i alarmuar nga vaska, shkela mbi sapun dhe u përmbysa në shkallët që nxirrnin mbi korridor, ndërsa përpiqesha papushim të frenoja rënien me dhëmbët e parmë të cilët u derdhën mbi shkallë si një grusht me Orbits nga Wrigley.  Sadoqë lakuriq dhe i lënduar, shpirti i mbijetesës më shtyu të veproj rrufeshëm, dhe, duke hovur mbi shalën e hamshorit tim El Diablo, lëshova pallmën e revolucionit. Kali u ngrit kas, rrëshqita nga shala dhe hëngra dhè edhe një herë, duke pësuar edhe një frakturë të pjesshme të ijeve. Nuk mbaroi me kaq; m’u kujtua makina e daktilografimit; duke mos dashur në asnjë mënyrë të braktis këtë armë të rëndësishme politike – dhe provë kundra meje në duart e policisë, bëra prapakthehu për ta marrë me vete.

Kur vjen e keqja, hapi derën – shumë shpejt zbulova se makineria peshonte më tepër se ç’dukej, dhe për ta lëvizur nga vendi, një vinç mund të hynte në punë më tepër sesa një morr pesëdhjetë kilësh siç isha unë. Në çastin kur mbërriti policia, dora më kishte ngecur në mekanizmin rotativ i cili më shtypte mbi pëllëmbë paragrafët e veprës së Marksit. Mos më pyesni sesi arrita të çlirohem prej tij dhe të hidhem nga dritarja. Falë Zotit arrita t’i fshihem policisë dhe të hyj ndër rradhët e rebelëve.

4 Qershor: Ç’paqe këtu, midis kodrave, nën yjet! Ja më në fund një grusht burrash që luftojnë për kauzën e përbashkët. Megjithëse ia arriti të më mobilizonte aktivisht në efektivin sulmues, Vargas qe i mendimit se aftësitë e mia luftarake do të shpaloseshin më së miri në rolin e kuzhinierit të brigadës. Në kohë lufte, kjo përgjegjësi nuk është e lehtë për t’u marrë përsipër, por ja që dikush duhet t’i vërë gjoksin, dhe, e parë hollë-hollë, gjella ime e parë u kurorëzua me sukses. Është e vërtetë se jo të gjithë burrat lëpijnë gishtat për iguanën e pjekur, por në këto kushte pretendimet do të ishin të tepërta, dhe, me përjashtim të një pakice të papërfillshme të bashkëluftëtarëve me paragjykime ndaj reptilëve, darka përfundoi pa ndonjë incident. Sot pata rastin të dëgjoj Vargas, qëndrimi i të cilit m’u duk optimist. Ai mendon se nga mesi i dhjetorit do të pushtojmë kryeqytetin. Nga ana tjetër, vëllai i tij, Luigji, i cili ka një natyrë introspektive, është i mendimit se vdekja jonë nga uria është thjesht çështje kohe. Strategjia ushtarake dhe qëndrimi politik që duhet mbajtur gjatë dhe pas fushatës janë dy mollë sherri për vëllezërit Vargas; është vërtet e vështirë të merret me mend se vetëm një javë më parë të dy liderët kryengritës punonin si këpucëfshirës në hotel Hilton.

10 Qershor: Dita na kaloi me stërvitje. Vërej ndryshime që ma bëjnë zemrën mal; rebelët e rreckosur janë shndërruar në një ushtri të vërtetë profesionistësh. Sot në mëngjes Hernandesi dhe unë u ushtruam me hedhjen e thikave nga ato që presin kallamsheqerin. Mësova se gjakun e kam të grupit zero; për këtë i detyrohem zellit të tepërt të bashkëluftëtarit tim. Pritja është bërë e padurueshme. Arturo ka një kitarë por di të luajë vetëm këngën “Cielito lindo”, dhe, edhe pse në fillim ushtarëve u pëlqente ta dëgjonin, tani po ia kërkojnë gjithnjë e më rrallë. U përpoqa ta gatuaj iguanën sipas një recete të re, dhe jam i mendimit se pata sukses, megjithëse më ranë në sy disa nga ushtarët që mbllaçiteshin me të gjithë fuqinë dhe e hidhnin kokën pas për të arritur të gëlltitnin. Sot dëgjova përsëri Vargas-in. Diskutonte me të vëllanë planet e veprimit pas pushtimit të kryeqytetit. Pyes veten se çfarë funksioni do të më japë në ngarkim pas fitores së revolucionit. Kam besim se krenaria dhe besnikëria ime, e cila është e krahasueshme me atë të një qeni, do të shpërblehet siç duhet.

1 Korrik: Sot njësia jonë speciale kreu një sulm rrufe mbi fshatin më të afërm në kërkim të ushqimit, duke shfrytëzuar rastin për të eksperimentuar disa nga taktikat e ushtruara më parë. Pjesa më e madhe e rebelëve i kreu me sukses detyrat luftarake, dhe, megjithëse njësiti ynë gueril u asgjësua tërësisht, Vargas është i mendimit se korrëm një fitore morale. Ata që nuk morën pjesë në sulmin-rrufe qëndruan në fushim, ndërsa Arturo ekzekutonte “Cielito Lindo”. Me moral jemi mirë, megjithë mungesat në armatim dhe furnizime, ndërsa koha kalon ngadalë. Fatmirësisht, temperatura prej 40 gradësh na e largon mendimet nga fushata. Ora jonë do të vijë.

10 Korrik: Dita e sotme kaloi këndshëm, megjithëse ramë në një pritë të ngritur nga njerëzit e Arroyos ku u masakruam thuajse të gjithë. Kjo gjëmë na ndodhi pjesërisht për fajin tim, për arsye se tregova padashur pozicionin e forcave tona kur me zell të ethshëm nisa ti lutem zotit për shkak të një merimange tropikale që më kishte hyrë në pantallona. Për disa çaste nuk ia arrita të hiqja qafe merimangën, kështuqë m’u desh të hidhem në mënyrë të paorganizuar në një liqen dhe të pllaquritesha aty për rreth dyzetepesë minuta. Pak më vonë, ushtarët e Arroyos hapën zjarr.

U kundërpërgjigjëm trimërisht; por duhet pranuar se sulmi i befasishëm shkaktoi një farë çorganizimi ndër radhët tona, kështuqë gjatë dhjetë minutave të para na u desh të shtinim kundra njëri-tjetrit. Vargas shmangu për fije të perit një katastrofë kur një bombë dore i ra mes këmbëve. Më urdhëroi që t’i hidhesha përsipër dhe ta mbuloja me trup, i vetëdijshëm se qe i domosdoshëm për ardhmërinë e luftës tonë; zbatova urdhrin. Për hir të një rastësie fatlume bomba nuk shpërtheu, dhe munda të shpëtoj pa pasoja, nëse nuk llogaritim një traumë të lehtë nervore, si edhe pamundësinë e të fjeturit natën pa patur dikë që të më mbajë prej dore.

15 Korrik: Morali i burrave është i lartë, duke lënë mënjanë disa incidente të parëndësishme. I pari u shkaktua nga Hose-Miguel, i cili kishte përvetësuar disa raketa tokë-tokë duke i shkëmbyer gabimisht me raketa tokë-ajër, kështu që, gjatë përpjekjes për të rrëzuar disa aeroplanë gjuajtës të Arroyos, hodhi në erë të gjitha mjetet tona të motorizuara. Kur Hose-Miguel u përpoq të na bindte që të mos ta merrnim  seriozisht këtë ndodhi, Hoze u nervozua së tepërmi dhe të dy nisën të rriheshin. Më vonë ata u pajtuan dhe dezertuan që të dy. Dezertimet mund të kishin qenë me pasoja të rënda për efektivin, por në ato çaste optimizmi dhe solidariteti, ky fenomen arriti të prekë vetëm tre burra në katër. Sa për mua, i qëndrova besnik kauzës duke vazhduar të përkujdesem për kuzhinën, edhe pse ushtarët tanë duket sikur nuk janë në gjendje të kuptojnë vështirësitë që paraqiten në këtë fushë. Ç’është e drejta më kërcënuan me vdekje në rast se nuk u ofroja alternativë tjetër përveç iguanës. Ndodh që ushtarët më të regjur të sillen si fëmijë, por me gjithë zemër shpresoj se një ditë prej ditësh do t’i befasoj me diçka të papritur. Ndërkaq fushojmë në vende sekrete dhe presim. Vargas ecën sa para-prapa në tendën e vet ndërsa Arturo ulet dhe luan “Cielito Lindo”.

1 Gusht: Megjithë sukseset për të cilat duhet të krenohemi, në fushimin tonë rebel vërehet një atmosferë e tendosur. Vogëlsi, të dukshme vetëm nën sytë e një vëzhguesi të kujdesshëm, reflektojnë shenja të një pakënaqësie ende në embrion. Ka patur disa raste therjesh me thikë midis bashkëluftëtarëve dhe diskutimet janë shpeshtuar së tepërmi. Një përpjekje tjetër për të shtënë në dorë një depo municioni për t’u riarmatosur dështoi për shkak të fishekzjarreve paralajmërues të Jorges të cilat iu ndezën para kohe nëpër xhepa. Njësitë tona u tërhoqën menjëherë, me përjashtim të Jorges, i cili u zu rob pasi ishte përplasur me një dyzinë ndërtesash si topi në flipper.

Atë natë, në çastin kur po shërbeja iguanën e pjekur për darkë, shpërtheu rebelimi. Disa nga burrat më gozhduan në vend, ndërsa Ramoni më rrihte me shkop. Arrita të shpëtoj për mrekulli në sajë të një stuhie elektrike në të cilën humbën jetën tre nga tanët. Në kulmin e dëshpërimit, Arturo nisi të luajë melodinë “Cielito Lindo”, gjë që i shtyu disa armiq të muzikës ta zvarritnin pas një shkëmbi, ku e detyruan të hante kitarën.

Situata u përmirësua në mënyrë të ndjeshme kur përfaqësuesi diplomatik i Vargas, pas dështimeve të përseritura, mundi të lidhë një marrëveshje të dobishme me CIA-n, sipas të cilës, në shkëmbim të besnikërisë tonë të përjetshme ndaj politikës së saj, pala amerikane zotohej të na furnizonte me pesëdhjetë pula të pjekura në javë.

Tashmë Vargas është i mendimit se parashikimi i tij përsa i përket pushtimit të kryeqytetit në Dhjetor të këtij viti qe i nxituar; ndoshta fitorja përfundimtare do të marrë më tepër kohë. Ajo që më çudit tek ai është se ka braktisur hartat dhe skemat ushtarake për t’iu kushtuar studimit të astrologjisë dhe të të brendshmeve të zogjve.

12 Gusht: Gjendja po merr për keq. Fatkeqësi mbi fatkeqësi; këpurdhat që kisha mbledhur me kaq përkushtim për të pasuruar dietën e ushtrisë, dolën të helmëta. Megjithëse i shkaktuan shumicës së burrave thjesht ethe dhe të dridhura, reagimi i disave qe i tepërt dhe i pajustifikueshëm. Për më keq, CIA rishqyrtoi mundësitë tona për të kurorëzuar revolucionin me sukses, gjë që rezultoi në një takim me Arroyon për një mëngjes pune dhe pajtimi në hotel WolfeMiami Beach. Kjo ngjarje për të ardhur keq, së bashku me dhënien e 24 gjuajtësave reaktivë për qeverinë në fuqi u interpretua nga Vargas-i si politikë e pabesë ndaj palës tonë.

Moralin e kemi si gjithmonë të lartë, dhe, megjithëse përqindja e dezertimeve është në rritje, ajo mbetet e kufizuar, pasi largohen vetëm burrat që janë ende të mbahen në këmbë. Vetë Vargas-i duket se ka humbur humorin e zakonshëm dhe ka nisur të koleksionojë bileta tramvaji. Tashmë ka nisur të mendojë se jeta nën regjimin e Arroyos nuk ishte edhe aq e pakëndshme, dhe ka ngritur pyetjen nëse do të ishte më mirë të shpërndante burrat e mbetur gjallë duke braktisur idetë revolucionare për të formuar një trupë baleti rumba. Në të njejtën kohë, shirat e furishme shkaktuan rrëshqitje të dherave të cilat morën me vete vëllezërit Huarez në gjumë e sipër. Dërguam një përfaqësues tek Arroyo, me një listë të rishqyrtuar të kërkesave tona, ku kishim hequr pjesën që fliste për dorëzimin e tij pa kushte, duke e zëvendësuar me recetën e një gjelle lokale që kishte marrë çmimin e parë në panairin e vitit të mëparshëm. Pasojat vështirë se merren me mend.

15 Gusht: Pushtuam kryeqytetin! Ja përshkrim i hollësive të pabesueshme të ngjarjes: Pas një mbledhjeje të gjatë, burrat e hodhën çështjen në votim të fshehtë ku u vendos unanimisht t’i mbështesnim shpresat tona të fundit në një mision vetëvrasës, duke qenë të mendimit se befasia qe elementi i vetëm me të cilin do të mund t’i kundërviheshim epërsisë së Arroyos. Marshimi i gjatë nëpër xhungël drejt pallatit presidencial, uria dhe lodhja na e dobësuan deri diku vetëbesimin, dhe, pak përpara mbërritjes vendosëm të ndryshonim taktikë dhe të merrnim në konsideratë mundësinë e zëvendësimit të saj me anë të ndonjë gjesti diplomatik, siç do të ishte përshembull lëpirja e këmbëve të diktatorit. Kështu ndodhi që iu dorëzuam rojeve të pallatit të cilat na drejtuan grykat e armëve dhe na shoqëruan tek Arroyo. Diktatori pranoi si rrethanë lehtësuese faktin që iu dorëzuam vullnetarisht dhe po mendonte t’i nxirrte zorrët Vargasit, ndërsa ne të tjerët shpëtuam paq pasi u dënuam vetëm me pushkatim. Pas rishqyrtimit të situatës nën dritën e rrethanave të reja, në radhët tona shpërtheu paniku, kështu që nisëm t’ua japim këmbëve nga të katër anët nën zjarrin e rojeve presidenciale.

Vargas-i dhe unë u ngjitëm rrëmbimthi në katin e dytë, dhe, ndërsa kërkonim një vend ku të humbnim gjurmët, hymë me thyerje në dhomën e gjumit të Znj. Arroyo, duke e zënë befasisht gjatë një çasti pasioni të jashtëligjshëm me vëllanë e Arroyos. Të gjithë mbetëm keq, pastaj vëllai i Arroyos nxorri revolverin dhe shtiu. Pa dijeninë e tij, e shtëna u interpretua si sinjal për sulm nga një grup mercenarësh të paguar nga CIA për të ndihmuar Arroyon të likuidonte rebelimin tonë, në shkëmbim të koncesionit të përjetshëm për shitjen me shumicë të lëngjeve të portokallit në favor të palës amerikane. Edhe mercenarët kishin patur vështirësi të kuptonin objektivin e misionit me të cilin ishin ngarkuar për shkak të politikave të paqarta të Shteteve të Bashkuara gjatë javës së fundit; pikërisht kjo i shtyu të mësynin padashje pallatin presidencial. Arroyo dhe bashkëpunëtorët e tij dyshuan menjëherë se CIA po luante me dy porta; sakaq nisi konflikti i armatosur. Në të njëjtën kohë dështoi edhe një komplot maoist për vrasjen e Arroyos, për arsye se bomba, e fshehur në një sanduiç me proshutë, shpërtheu para kohe duke hedhur në erë krahun e djathtë të presidencës, së bashku me gruan dhe vëllain e vogël të Arroyos.

Me një valixhe të mbushur me çeqe bankarë zviceranë, Arroyo ia doli të dilte nga dera e pasme për t’u nisur rrëmbimthi me një avion të vogël që e mbante gati për çdo rast. Piloti e ngriti aeroplanin mes një rrebeshi predhash dhe plumbash, por, duke humbur kontrollin e gjendjes, aktivizoi komandën e gabuar duke e kthyer aeroplanin në manovër vertikale. Disa çaste më vonë, ai u rrëzua mbi fushimin e ushtrisë mercenare, duke sakatuar shumicën e efektivit të saj i cili u detyrua të dorëzohej.

Ndërsa ndodhte e gjithë kjo, komandanti ynë Vargas vinte në zbatim taktikën e pritjes vigjilente e cila realizohej duke qëndruar i mbledhur dhe i palëvizshëm përballë oxhakut me pamjen e një statuje mogani venecian. Duke qenë se ky pozicion e kishte mpirë, ai iu afrua në majë të gishtave zyrave qendrore ku edhe mori pushtetin, akt që e ndërpreu vetëm kur hapi frigoriferin e presidencës për të marrë një sanduiç me pashtet mëlçie.

Kremtimi i fitores zgjati një natë të tërë, natë në të cilën na u desh të dehemi të gjithë në shenjë gëzimi dhe hareje. Pas kësaj fola me Vargas-in lidhur me përgjegjësinë e rëndë të udhëheqjes së kombit. Megjithëse Vargas qe i mendimit se zgjedhjet e lira janë një moment thelbësor në ndërtimin e demokracisë, më tha se preferonte të priste momentin kur edukata politike e popullit të piqej deri në një nivel të mjaftueshëm për shpalljen e plebishitit.

Që nga ky moment, Vargas formoi një qeveri të bazuar mbi monarkinë me të drejtë hyjnore dhe shpërbleu besnikërinë time ndaj tij duke më lejuar t’i provoja ushqimin përpara se t’i shërbehej. Përveç kësaj, më emëroi në postin e revizorit të përgjithshëm i tualeteve.

Përktheu:“Ivan Katastrofov”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që
Go to Top