Këtu bëhen audicionet për “Liqenin e Mjelmave”?
Ngjarja ka ndodhur në muajin shkurt të 1969-s, në veri të Bostonit, në Kembrixh. Nuk e shkrova menjëherë, pasi qëllimi im i parë qe ta harroja, për të mos lajthitur. Sot, më 1972-shin, mendoj që, nëse e shkruaj, të tjerët do ta lexojnë si një tregim dhe, pas kaq vitesh, ndoshta i tillë do të jetë edhe për mua.
E di se, për aq kohë sa zgjati, qe diçka e tmerrshme dhe akoma më shumë gjatë netëve të pagjuma që pasuan. Kjo nuk do të thotë se ky rrëfim mund të tronditë edhe një të tretë.
Duhet të qe aty rreth orës dhjetë të mëngjesit. Unë isha mbështetur në një stol, përballë lumit Çarls. Nja pesëqind metra në të djathtën time ishte një ndërtesë e lartë, emrin e së cilës nuk e mora vesh kurrë. Uji i hirtë mbartte, si një qerre, copa të mëdha akulli. Në mënyrë të pashmangshme, lumi më bëri të mendoja për kohën. Imazhi mijëvjeçar i Heraklitit. Kisha fjetur mirë; leksioni që kisha dhënë pasditen e mëparshme kishte arritur, besoj, të tërhiqte vëmendjen e studentëve. Përreth nuk kishte këmbë njeriu.
Befas, pata ndjesinë (që sipas psikologëve i përket gjendjes së lodhjes) se e kisha jetuar edhe më parë atë moment. Në skajin tjetër të stolit, qe ulur dikush. Unë do të kisha dëshiruar të isha vetëm, por nuk desha të ngrihesha menjëherë, për të mos u treguar i pasjellshëm. Tjetri kishte filluar të fishkëllente. Në këtë çast nisi edhe i pari i anktheve të shumta të atij mëngjesi. Melodia që fishkëllente, që mundohej të fishkëllente (gjithmonë kam stonuar), ishte e stilit kriojo* të “Gërmadha” e Elias Regulesit. Ai stil më çoi sërish tek një oborr, që tani s’është më, dhe tek kujtimi i Alvaro Melian Lafinurit, që ka vdekur para shumë vitesh. Më pas behën fjalët. Ishin ato të dhjetëvargëshit të parë. Zëri nuk ishte ai i Alvaros, por kërkonte t’i ngjasonte. E njoha gjithë llahtar.
Iu afrova dhe i thashë:
– Zotëri, ju jeni uruguaian apo argjentinas?
– Argjentinas, por që prej katërmbëdhjetës jetoj në Gjenevë, – qe përgjigja.
Pas një heshtjeje të gjatë, e pyeta:
– Në numrin shtatëmbëdhjetë të rrugës Malanju, përballë kishës ruse?
M’u përgjigj se po.
– Atëherë, – i thashë për rrjedhojë – ju quheni Horhe Luis Borhes. Edhe unë jam Horhe Luis Borhes. Jemi në vitin 1969, në qytetin e Kembrixhit.
– Jo! – m’u përgjigj me zërin tim disi të largët.
Pas një copë here, këmbënguli:
– Unë jam këtu, në Gjenevë, në një stol, disa hapa larg Rodanit. Vërtet është e çuditshme se ngjasojmë me njëri-tjetrin, por ju jeni shumë më i vjetër, me kokën e thinjur.
Unë iu përgjigja:
– Mund të ta vërtetoj se nuk gënjej. Do të të them gjëra që nuk do mund t’i dinte një i panjohur. Në shtëpi është një mate* argjendi me një mbështetëse, gdhendur me gjarpërinj, që e ka sjellë nga Peruja stërgjyshi ynë. Gjithashtu është një enë argjendi, që varet te kaptelli i shalës. Në raftin e dhomës tënde ka dy rreshta librash. Tre vëllimet e “Një mijë e një netëve” të Leinit me gdhendje metalike dhe shënime me shkronja të vogla midis kapitujve, fjalori latin i Kuiçeratit, “Germania” e Tasitit në latinisht dhe në versionin e Gordonit, një “Don Kishot” i shtëpisë botuese Garnier, “Tabelat e Gjakut” të Rivera Indartes, me dedikim nga autori, “Sartor Resartus” i Karlailit, një biografi e Amielit dhe, fshehur pas të tjerëve, një libër mbi zakonet seksuale të popujve ballkanas, i veshur me letër. Nuk e kam harruar as atë perëndimin, në një kat të parë në sheshin Duburg.
– Dufur, – më korrigjoi.
– Epo mirë, Dufur. Mjaftojnë të gjitha këto?
– Jo, – u përgjigj. – Këto prova nuk vërtetojnë asgjë. Nëse unë jam duke ju ëndërruar, është normale që t’i dini ato që di dhe unë. Katalogu juaj i rregullt është krejt i kotë.
Kundërshtimi ishte i drejtë. Iu përgjigja:
– Nëse ky mëngjes dhe ky takim janë ëndërr, secili prej nesh duhet të mendojë se ëndërruesi është ai vetë. Ndoshta reshtim së ëndërruari, ndoshta jo. Ndërkohë, detyra jonë e qartë është ta pranojmë ëndrrën, ashtu siç kemi pranuar universin, siç kemi pranuar të na kenë ngjizur, të shohim me sy dhe të marrim frymë.
– E nëse ëndrra vazhdon? – tha, gjithë ankth.
Për ta qetësuar atë dhe veten, shtira një kthjelltësi që sigurisht nuk e ndieja. I thashë:
– Ëndrra ime ka shtatëdhjetë vjet që zgjat. Tekefundit, gjatë kujtimeve, nuk ka njeri që të mos takohet me vetveten. Kjo po na ndodh këtë çast, vetëm se jemi dy. Nuk do të dish diçka për të shkuarën time: e ardhmja që të pret?
Pohoi pa fjalë. Unë vazhdova, disi i përhumbur:
– Nëna është shëndosh e mirë në shtëpinë e saj në kryqëzimin e rrugëve Çarkas dhe Maipu, në Buenos Aires, por babai vdiq rreth tridhjetë vite më parë. Vdiq nga zemra. I dha fund një paralizë; dora e majtë e vendosur mbi të djathtën dukej si dora e një fëmije mbi dorën e një gjiganti. Vdiq me padurim për të vdekur, por pa asnjë ankim. Në të njëjtën shtëpi kishte vdekur edhe gjyshja jonë. Disa ditë para fundit, na thirri të gjithë e na tha: “Unë jam thjesht një grua shumë plakë, që po vdes shumë ngadalë. Askush të mos brengoset për diçka kaq të zakonshme dhe normale”. Nora, motra jote, është martuar dhe ka dy fëmijë. Meqë ra fjala, si janë nga shtëpia?
– Mirë. Babai si gjithmonë me shakatë e tij kundër fesë. Mbrëmë tha se Jezusi ka qenë si gauçot, që s’duan të marrin përgjegjësi, prandaj predikonte me parabola.
Hezitoi dhe më tha:
– Po ju?
– Nuk e di shifrën e librave që do të shkruash, por di se janë tepër. Do të shkruash poezi që do të të falin një kënaqësi të pandashme me askënd dhe tregime të llojit fantastik. Do të japësh mësim si babai yt dhe si shumë të tjerë të gjakut tonë.
M’u bë qejfi që nuk më pyeti për dështimin apo suksesin e librave. Ndryshova tonin dhe vazhdova:
– Për sa i përket historisë… Pati një luftë tjetër, pothuaj mes të njëjtëve kundërshtarë. Franca nuk vonoi të kapitullonte; Anglia dhe Amerika luftuan kundër një diktatori gjerman, që quhej Hitler, beteja ciklike e Vaterlosë. Buenos Airesi, rreth njëmijë e nëntëqind e dyzet e gjashtës, ngjizi një tjetër diktator Rosas, mjaft të ngjashëm me të afërmin tonë. Në pesëdhjetë e pesën, provinca e Kordobës na shpëtoi, ashtu siç e kishte bërë më parë Entre Riosi. Tani, punët shkojnë keq. Rusia po bëhet zot i planetit; Amerika, e bllokuar nga besëtytnia e demokracisë, nuk po vendos të jetë një perandori. Çdo ditë e më shumë, vendi ynë po bëhet më provincial. Më provincial dhe më mendjemadh, sikur të jetë symbyllur. Nuk do të më çudiste që mësimi i latinishtes të zëvendësohej me gjuhën guarani.
Vërejta se gati nuk po më kushtonte vëmendje. Frika thelbësore e diçkaje të pamundur e megjithatë të vërtetë, e kishte mpirë. Unë, që s’kam qenë kurrë prind, ndjeva për atë djalosh të gjorë, më të afërt se një bir të mishit tim, një valë dashurie. Pashë se midis duarve po shtrëngonte një libër. E pyeta çfarë ishte.
– “Të mallkuarit” apo, siç besoj, “Djajtë” e Fjodor Dostojevskit, – m’u përgjigj me njëfarë kotësie.
– Pothuajse e kam harruar. Si është?
Pa e përfunduar mirë, ndjeva se ajo pyetje qe një blasfemi.
– Mjeshtri rus, – siguroi – ka depërtuar më shumë se askush tjetër në labirintet e shpirtit sllav.
Ajo përpjekje retorike m’u duk një provë se ishte qetësuar.
E pyeta se çfarë librash të tjerë të mjeshtrit kishte lexuar.
Numëroi dy-tre, mes tyre “Sozia”.
E pyeta nëse arrinte t’i dallonte mirë personazhet gjatë leximit, si në rastin e Xhozef Konradit dhe nëse mendonte të lexonte veprën e plotë.
– Në të vërtetë jo, – m’u përgjigj me njëfarë habie.
E pyeta se çfarë po shkruante dhe më tha se po përgatiste një libër me vargje që do të titullohej “Himnet e përskuqura”. Kishte menduar gjithashtu, “Ritmet e përskuqura”.
– Pse jo? – i thashë. – Mund të lësh mbresa të mira. Vargun e kaltër të Ruben Darios dhe këngën e hirtë të Verlenit.
Pa ma vënë veshin, më sqaroi se libri i tij do t’i këndonte vëllazërisë së gjithë njerëzimit. Poeti i kohës sonë s’mund t’ia kthejë shpinën epokës së vet.
U mendova dhe e pyeta nëse me gjithë mend ndihej vëlla i gjithë njerëzve. Për shembull, i të gjithë sipërmarrësve me salltanete të përmortshme, i të gjithë postierëve, i të gjithë palombarëve, i të gjithë atyre që jetojnë në trotuaret me numra çift, i të gjithë të ngjirurve, e të tjerë. Më tha se libri i tij i referohej masës së gjerë së të shtypurve dhe të përbuzurve.
– Masa jote e të shtypurve dhe të përbuzurve, – iu përgjigja – nuk është gjë tjetër veçse një idealizim. Në qoftë se ekziston dikush, ata janë vetëm individët. “Njeriu i së djeshmes nuk është njeriu i të sotshmes”, ka thënë një grek. Ne të dy, ulur në këtë stol të Gjenevës apo të Kembrixhit, ndoshta jemi prova.
Përveçse në faqet e rrepta të Historisë, ngjarjet e paharrueshme nuk pranojnë fraza të paharrueshme. Një njeri në pragun e vdekjes, dëshiron të kujtojë një gravurë të këqyrur vagëllimthi në fëmijëri; ushtarët që janë gati të hyjnë në betejë, flasin për baltën ose për rreshterin. Rrethana jonë ishte e veçantë dhe, sinqerisht, nuk ishim të përgatitur. Biseduam, në mënyrë të pashmangshme, për letërsinë; druhem se s’thashë gjë tjetër përveç asaj që u them gazetarëve. Alter egoja ime besonte në krijimin apo zbulimin e metaforave të reja; unë, në ato që u përkasin përqasjeve intime dhe të dallueshme, të cilat imagjinata jonë tani i ka pranuar. Plakja e njerëzve dhe perëndimi, ëndrrat dhe jeta, rrjedha e kohës dhe e ujit. Ia paraqita këtë mendim, të cilin vite më vonë do ta paraqisja në një libër.
Pothuajse nuk më dëgjonte. Papritur tha:
– Nëse ju keni qenë unë, si është e mundur që paskeni harruar takimin tuaj me një zotëri të moshuar, i cili në vitin 1918 ju tha se edhe ai po ashtu quhej Borhes?
Nuk më kishte shkuar mendja tek kjo pengesë. Iu përgjigja pa bindje:
– Ndoshta ngjarja ka qenë kaq e pabesueshme, saqë jam munduar ta harroj.
Me druajtje guxoi të pyeste:
– Si e keni kujtesën?
Kuptova se për një djalosh që s’i ka mbushur të njëzetat, një burrë mbi të shtatëdhjetat, është gati një i vdekur. Iu përgjigja:
– Zakonisht i ngjason harresës, por vazhdon t’i gjejë ende gjërat që i lypen. Studioj anglosaksonishten dhe nuk jam i fundit i klasës.
Biseda jonë kishte zgjatur tepër për të qenë biseda e një ëndrre.
Sakaq, më erdhi një ide e vetëtimtë.
– Unë mund të ta vërtetoj menjëherë, – i thashë – që nuk je duke ëndërruar me mua. Dëgjoje mirë këtë varg, që s’e ke lexuar kurrë, mesa mbaj mend unë.
Ngadalësisht recitova vargun e famshëm:
“L’hydre – univers tordant son corps écaillé d’astres.”
Ndjeva shtangien e tij gati të frikësuar. E përsëriti me zë të ulët, duke shijuar shkëlqimin e çdo fjale.
– E vërtetë, – belbëzoi. – Unë kurrë nuk do të shkruaj dot një varg të tillë.
Hygoja na kishte bashkuar.
Tani më kujtohet se më parë ai kishte përsëritur me zjarr atë pjesë të shkurtër, ku Uollt Uitmani përkujton një mbrëmje të përbashkët buzë detit, ku qe vërtet i lumtur.
– Nëse Uitmani e ka shkruar, – shqyrtova – është sepse e dëshironte dhe jo se ka ndodhur. Poezia fiton, kur shohim që është shprehia e një dëshire të zjarrtë, jo historia e një fakti.
Më nguli sytë.
– Ju nuk e njihni, – thirri. – Uitmani është i paaftë të gënjejë!
Gjysmë shekulli nuk shkon kot. Në bisedën tonë, midis dy njerëzve me letërsi të tjetërllojshme dhe shije të ndryshme, kuptova se nuk mund të merreshim vesh. Ishim tepër të ndryshëm dhe tepër të ngjashëm. Nuk mund ta gënjenim njëri-tjetrin dhe kjo e bënte të vështirë dialogun tonë. Secili prej të dyve ishte imitimi karikaturesk i tjetrit. Situata ishte mjaft jonormale për të duruar kohë të gjatë. Këshillat apo diskutimet ishin të kota, sepse fati i tij i pashmangshëm qe të ishte ky që jam.
Befas, m’u kujtua një fantazi e Kolerixhit. Dikush ëndërron se përshkon parajsën dhe si provë i japin një lule. Kur zgjohet, lulja është përkrah.
Më erdhi ndërmend një mjet i ngjashëm.
– Dëgjo, – i thashë – ke pará me vete?
– Po, – m’u përgjigj. – Kam nja njëzet franga. Sot kam ftuar për darkë Simon Jiçlinskin tek Krokodili.
– Thuaji Simonit se do të ushtrojë mjekësinë në Karuzh dhe se do të bëjë shumë mirë… tani, më jep një nga monedhat e tua.
Nxori tre monedha argjendi dhe ca qindarka të vogla. Pa e kuptuar, më zgjati një nga të parat.
Unë i zgjata një nga ato kartëmonedhat e çrregullta amerikane që kanë vlerë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, por të njëjtën madhësi. E shqyrtoi ethshëm.
– S’është e mundur! – bërtiti. – Ka datën një mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e katër.
(Muaj më vonë dikush më tha se kartëmonedhat nuk kanë datë.)
– Gjithçka është një mrekulli, – arriti të thoshte – dhe mrekullia shtin frikë. Ata që qenë dëshmitarë të ringjalljes së Lazarit duhet të kenë mbetur të llahtarisur.
Nuk kemi ndryshuar aspak, mendova. Gjithmonë referencat letrare.
E bëri copa kartëmonedhën dhe i futi monedhat në xhep.
Unë zgjodha ta flakja në lumë timen. Harku i stemës së argjendtë duke u tretur në lumin e argjendtë, do t’i kishte dhënë historisë sime një imazh të gjallë, por fati nuk e deshi.
U përgjigja se e mbinatyrshmja, nëse ndodh dy herë, resht së qeni e tmerrshme. I propozova të takoheshim të nesërmen, në të njëjtin stol, që është njëherazi në dy kohë dhe në dy vende.
Pranoi menjëherë dhe, pa e këqyrur orën, më tha se i qe bërë vonë. Të dy gënjenim dhe secili e dinte që bashkëbiseduesi i tij po gënjente. I thashë se do vinin të më merrnin.
– T’ju marrin? – pyeti.
– Po. Kur të arrish moshën time do ta kesh humbur pothuajse krejtësisht shikimin. Do të shohësh vetëm ngjyrë të verdhëlleme, hije dhe drita. Por mos u shqetëso. Verbëria graduale nuk është diçka tragjike. Është si një perëndim i ngadaltë vere.
U përshëndetëm pa u takuar. Të nesërmen nuk shkova. As tjetri s’do të ketë shkuar.
E kam vrarë mendjen thellë për atë takim, që s’ia kam rrëfyer askujt. Besoj se e kam gjetur çelësin. Takimi qe i vërtetë, por tjetri bisedoi me mua në ëndërr dhe, për këtë, ka mundur të më harrojë; unë bisedova me të në realitet dhe më torturon ende ai kujtim.
Tjetri më ëndërroi, por nuk më ëndërroi me saktësi. Tani e kam të qartë: ëndërroi datën e pamundur të dollarit.
___________
*kriojo (criollo) – amerikanizëm që u përdor qysh nga epoka e kolonializmit për të emëruar ata që lindnin në atë kontinent, që do të thotë vendali, por me një origjinë europiane, për t’i dalluar nga indigjenët vendas. Pra kriojo ishte një banor i lindur në Amerikë me prindër europian (zakonisht spanjollë).
*mate – një lloj bime që gjendet kryesisht në Argjentinë dhe Uruguai, gjethet e së cilës thahen e shkërmoqen, pastaj hidhen në një kupëz të bërë me kungull të vogël ose edhe me material tjetër. Kupëza mbushet me ujë të ngrohtë, duke formuar një lloj çaji që gjerbet me një pipth. Në vendet që përmendëm kjo pije quhet mate dhe është aq tradicionale sa nuk i mungon asnjë shtëpie. Këtu, domethënë në rastin e përdorur, bëhet fjalë për takëmet me të cilat pihet ky lloj çaji, domethënë mateja.
Përktheu: Erion Karabolli
Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.
Përgjigjia e radhës erdhi nga Elona Çuliq. Ndryshe nga të tjerët, ajo iu përgjigj kësaj pyetjeje me një poezi.
Vijon më poshtë.
Pse shkruaj?-Elona Çuliq
Pse shkruaj?
Me shkru don me thanë me lindë prej vedit
një rranjë për me e mbjellë qiellit.
Për dikend asht dëshirë për me iu afrue
ma shumë Krijuesit,
të Dashtunit,
dashunisë,
pafajnisë,
fminisë
kujtimeve të vyeme që kaurdisen kujtesës
si një vete që nuk na besohet që ka jetue kohna dhe emocione
që ndoshta ia kemi harrue vibrimin që shkaktojnë në qenie.
Me shkru asht me ndërtue vedin
e me lindë prej shkronjash botë
që ndërtohen me ditë e rrënohen më natë
si shenjë e dobësisë njerëzore
që kërkon një sakrificë n’emën të sublimes
që vedi me ndejtë në kambë dhe drejtë.
Me shkru don me thanë me stisë stinët, njerëzit
dhe me jetue n’udhkryq motesh.
Me shkru asht ego dhe frikë
zotim dhe zotnim
çlirim dhe hakmarrje.
Asht një formë me e lanë vedin me rrjedhë nëpërmjet imagjinatës
së jetës që gëlon në ne.
Ne nuk shkruajmë të vërtetën gjith’.
Ne shkruajmë të vërtetën si e mbajmë mend.
Ne shkruajmë të vërtetën si e kemi përjetu dhe pësu.
Ne shkruajmë të vërtetën që kishim dashtë me ndodhë.
E kur shkruajmë për të vërteta që kanë ndodhë,
atëherë ajo asht veçse e vërteta në dorën e forcës së kujtesës.
Por ne nuk kena kujtesë të mirë.
Prandaj ç’ka shkruajmë ma shumë asht e aktit të të kujtuemit.
Me shkru asht si me shkrepë një foto
në të njëjtin vend,
në të njëjtën orë,
ta zëmë për 3 vjet radhazi.
Asnjëherë nuk kena me pasë të njëjtën foto.
Asnjëherë nuk kena me nzanë të njëjtin realitet.
Asnjëherë nuk kena me mujtë me nzanë të njëjtën gjendje të natyrës,
të pemës, qiellit, apo ndoj stoli a rruge
që asht brena kumtit të kohës në çastin e shkrepjes.
Pse?
Sepse transformimi asht ajo çka na mban gjallë.
Sepse rritja
vdekja dhe ripërtëritja
asht ajo çka na bën me shkru
e nëse ne nuk e kuptojmë këtë
atëherë kena refuzu me vdekë
e me pa botët e krijueme për ne.
USA, Korrik, 2021
Pavarësisht nëse është Austen-i apo Atwood-i, Brontetë apo Fitueset e Çmimit Booker, të dhënat tregojnë se burrat hezitojnë t’i lexojnë autoret gra – dhe kjo sjell ndërlikime në botën reale.
MA Sieghart
Përktheu: Arlinda Guma
Rreshti në krye të kësaj pjese lexon MA Sieghart, jo Mary Ann. Pse? Sepse me të vërtetë dua që edhe burrat ta lexojnë. Autoret gra ndër shekuj, nga Motrat Bronte te George Eliot-i e deri te JK Rowling, janë ndier të detyruara ta maskojnë gjininë e tyre për të bindur djemtë dhe burrat që ata t’i lexojnë librat e tyre. Por tani? A është me të vërtetë ende e nevojshme? Përgjigjia e trishtë është që po.
Për librin tim “The Authority Gap“, i cili analizon pse gratë ende merren më pak seriozisht se burrat, unë kërkova në Nielsen Book Research për të gjetur saktësisht se kush po lexonte çfarë. Doja të dija nëse autoret gra jo vetëm konsiderohen thjesht me më pak autoritet se burrat, por nëse në radhë të parë ato lexoheshin nga burrat Dhe rezultatet konfirmuan dyshimin tim se burrat nuk kishin mundësi proporcionale qoftë të hapnin madje një libër nga një grua.
Për 10 autoret kryesore gra më të shitura (që përfshijnë Jane Austen dhe Margaret Atwood, si dhe Danielle Steel dhe Jojo Moyes), vetëm 19% e lexuesve të tyre janë burra dhe 81%, gra. Por për 10 autorët kryesorë burra më të shitur (që përfshijnë Charles Dickens-in dhe JRR Tolkien-in, si dhe Lee Child-in dhe Stephen King-un), ndarja është shumë më e barabartë: 55% burra dhe 45% gra.
Me fjalë të tjera, gratë janë të prirura të lexojnë libra nga burrat, por shumë më pak burra janë të prirur të lexojnë libra nga gratë. Edhe autorja grua në top dhjetëshen që kishte lexueshmërinë më të madhe mashkullore – shkrimtarja thriller LJ Ross – përdor inicialet e saj, kështu që është e mundur që djemtë të kenë menduar se ajo ishte një prej tyre. Çfarë na tregon kjo rreth faktit sesa ngurrojnë burrat për t’u dhënë autoritet të barabartë – intelektual, artistik, kulturor – si grave si burrave?
Margaret Atwood, një shkrimtare që duhet të jetë në raftet e librave të kujtdo që i pëlqen fiction-i letrar, ka një lexueshmëri që është e përbërë vetëm në 21% nga meshkuj. Fituesit e çmimeve të tjerë Booker: Julian Barnes dhe Yann Martel kanë gati dy herë më shumë (39% dhe 40%). Nuk duket që gratë të jenë më pak të mira për të shkruar fiction letrar. Të pesë romanet letrarë më të shitur në vitin 2017 ishin nga gratë dhe nëntë nga 10 më të mirët. Dhe jo se burrat nuk pëlqejnë të lexojnë libra nga gratë kur i shfletojnë; në fakt, ata pak i preferojnë ato. Vlerësimi mesatar që burrat u japin librave të shkruar nga gratë në Goodreads është 3.9 nga 5; për librat nga burrat, është 3.8.
Duke iu kthyer letërsisë nonficton, e cila lexohet nga burrat pak më shumë sesa nga gratë, modeli është i ngjashëm, megjithëse jo aq i habitshëm. Burrat ende lexojnë autorët e gjinisë së tyre shumë më shumë sesa autoret gra, por mospërputhja nuk është aq e madhe, sepse gratë priren të bëjnë të njëjtën gjë në favor të autoreve gra. Por ka ende një ndryshim. Gratë kanë 65% më shumë gjasa sesa burrat të lexojnë një libër nonfiction nga gjinia tjetër. E gjithë kjo tregon që burrat, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, nuk u japin autoreve gra po aq autoritet sa atyre të gjinisë tyre. Ose ata bëjnë supozimin dembel se librat e grave nuk janë për ta, pa i provuar për të parë nëse kjo është e vërtetë.
Pse ka rëndësi kjo? Si fillim, ngushton përvojat e burrave në botë. “Unë e di këtë prej shumë kohësh, që burrat thjesht nuk janë të interesuar ta lexojnë letërsinë tonë,” më tha romancierja fituese e Çmimit Booker, Bernardine Evaristo në një intervistë për librin “The Authority Gap“. “Letërsia jonë është një nga mënyrat me të cilat ne hulumtojmë narrativën, eksplorojmë idetë tona, zhvillojmë intelektin tonë, imagjinatën tonë.”
Nëse shkruajmë histori të grave, do të flasim për përvojat e grave. Ne flasim edhe për përvojat mashkullore nga këndvështrimi i grave. Dhe kështu, nëse ata nuk janë të interesuar për këtë, unë mendoj se kjo është shumë dëmtuese dhe jashtëzakonisht shqetësuese.”
Nëse burrat nuk lexojnë libra nga dhe për gratë, ata do të dështojnë ta kuptojnë psikikën tonë dhe përvojën tonë të të jetuarit. Ata do të vazhdojnë ta shohin botën përmes një lenteje pothuajse tërësisht mashkullore, me përvojën mashkullore si të paracaktuar. Dhe ky fokus i ngushtë do të ndikojë në marrëdhëniet tona me ta, si kolegë, si miq dhe si partnerë. Por gjithashtu varfëron edhe shkrimtaret gra, vepra e të cilave shihet si një klishe mainstream nëse konsumohet kryesisht nga gra të tjera. Ato do të fitojnë më pak respekt, më pak status dhe më pak pará.
Novelistja Kamila Shamsie ka qenë në një numër panelesh të jurive për çmime dhe ka dëshmuar saktësisht këtë asimetri. “Gratë në juri nominojnë libra të shkruar nga burra dhe nga gra,” më tha ajo. “Dhe burrat në juri kryesisht nominojnë libra të shkruar nga burra.”
Dolly Alderton është një shkrimtare mjaft e suksesshme, kujtimet e së cilës në librin “Gjithçka Di për Dashurinë” fituan Çmimin Kombëtar të Librit për vitin 2018 për autobiografinë më të mirë. Megjithatë, në Britani, të paktën, nuk kishte pothuajse asnjë interes për të nga burrat. Gazetarët që dërgoheshin për ta intervistuar ishin gjithmonë gra dhe ishte, siç më tha ajo, “marketuar dhe perceptuar si diçka tepër klishe nga gjinia ime. Megjithatë, një përvojë femërore nuk është një përvojë klishe; është një interes i përbashkët universal”.
E megjithatë, kur ajo shkoi në një turne publicitar në Danimarkë, rezultoi krejt ndryshe. Ajo i tha gazetarit që ishte dërguar për ta intervistuar se ai ishte i pari burrë që po e intervistonte. “Ai nuk mund të besonte sesa e çuditshme ishte kjo. Ai ishte rreth të njëzetave dhe tha se ai dhe miqtë e tij lexonin kujtime ose fiction nga gratë po aq sa dhe nga burrat.” Gjërat mund të jenë ndryshe. Dhe është një problem shumë i lehtë për t’u rregulluar nga burrat. Gjithë çfarë duhet të bëjnë është të kërkojnë në mënyrë aktive libra nga autoret gra.
Në qoftë se burrat janë skeptikë nëse gratë do të shkruajnë për tema që u interesojnë atyre, ata mund të gjykojnë Pat Barker-in në luftën e parë botërore ose Hilary Mantel-in në makinacionet e gjykatës së Henry-t të VIII. Sapo të mësohen, ata madje mund të zbulojnë se këto shndërrohen në histori njerëzore më tepër se në tipin klishe të gruas – dhe se i shijojnë ato.
Burrat mund të fitojnë një hapësirë të madhe nga zgjerimi i mendjes dhe i shijeve së tyre. Vetëm për shkak se një libër është shkruar nga një grua ose se ka të bëjë me gratë, nuk do të thotë se nuk ka asgjë për t’u ofruar atyre. U hap sytë sesi është të jetosh si grua në botë, është hapi i parë për të mësuar ndjeshmërinë. Dhe mund të ndihmojë për të çarë flluskën në të cilën kanë jetuar pa dashje shumë burra, duke bërë që të buitin mendime dhe njohuri të reja. A nuk është kjo arsyeja pse na duhet arti?
Marrë nga: The Guardian
Përkthimi: © Arlinda Guma
Izmir-Tinka Kurti
Quhem Izmir
Jam fëmija imagjinar i nënës sime
emrin e mora prej një romi
dashnor i saj
kur ishin gjashtë vjeç,
nëna më tha se poezia është pështjellim fjalësh
babai më dha sallatat e ngrohta të hamburgerëve
të globalizmit
mërzinë e mësova vetë
dhe iu thashë
vuajtja s’është, pos përpëlitja e lindjes së poezisë
mendova gabim
pasthirrmat janë fjalët e vetme të vërteta
e frazat e shkruara mes luftrash
marrin vlerë pa të drejtë
lufta është e përditshmja
me zotat e ndërgjegjes
quhem Izmir
dhe emri është një shpagim i historisë njerëzore
nëna ime humbi shumë kohë në redaktimin
e letrës së vetëvrasjes
s’e vrau as poezinë
jetoi me mallkimin që e refuzoi romin sepse ishte i zi
të dy do të ishin vrarë rrugës
sikur të kishte pirë ujë nga duart e tij
nën një mal me gështenja
ose do të bënin kurora me ujë ujëvare
dhe kurrë nuk do t’ia mësynin parajsës
quhem Izmir,
s’ka rëndësi sa vjeç
para meje ishte një Izmir tjetër
me alamet sy
me mimikë shumë të gjallë
mirësinë e mori me vete në fatin rom
quhem Izmir
nëna ime nuk bëri asnjë hap
për të flakur tutje asnjë emocion
nga dashuria për Izmirin
lotët i ngacmon me pamje të lajmeve ndërkombëtare
quhem Izmir,
jam pendesa e nënës sime
quhem Izmir
nuk më pëlqen Z-ja në emrin tim
nuk ka zonja e zotërinj në qenien time
nuk ka emocione të drunjta
ka përçmim për ata që iu frikuan fundit
ka veç kujtime si inçizime të turbullta
quhem Izmir
jam zemërgjerësia e babait tim
magjepsja e grave me sytë e zi
jam një poezi e mjegullt
rivale e festivaleve
ma gjasë jam analfabet
por di që poezia është një vdekje e vogël
vargu i saj i fundit
është çasti pasorgazmik
nuk jam purgator
jam hapësira në mes dy të dashuruarve
SHTËPI NË PEMË- JORGOS PREVEDHURAKIS
Prapa kodrave nuk ka jetë
prapa kodrave
është vetëm shajnia e saj,
veli, manteli, shamia
diçka që e merr era, gjithsesi,
ka greva dhe pamflete akademike
për rolin e grevëthyesve në shoqërinë moderniste,
tortura të klasifikuara, zoologji, piano me bisht
dhe një keqkuptim masiv
që kundërmon si faqja e foshnjës
rreth së cilës mblidhemi të gjithë,
ka v e p r i m t a r i dhe ujë me vitamina,
kureshtje trupëzuar me macet e ngordhura,
kontribute vjetore dhe ushtrime për kofshët,
kirurgji prostetike – pendesa, jahte piktoreske,
natyrë hyjnore si tablo
prapa kodrës ndodhet nisma e re e bashkisë
azot me përmbajtje silikoni, depozita metani, gjurmë kromi në ushqim,
“mos u shqetëso”, ka matës të veçantë për gjithçka,
dëmtueshmëri me gjithë tentakulat e saj – a b r a z i o n,
ka frikëra si “fëmija ka të nxehtë” ka termometër me zhivë
ka “këto janë të besueshme, jo elektroniket”,
“komentoni lirshëm” dhe “më mirë mos themi gjë”,
36 orë më këmbë dhe 754 shkallare
(me gjithë dukuritë
nuk ka karrige për çdonjërin prej nesh
as ashensor që na nxë të gjithëve)
një gjë është e vërtetë:
prapa kodrave ka shumë urrejtje
urrejtje e trashë
si pambuku në skenën e Krishtlindjes,
mëhallat përballë që vezullojnë në mjegull
brenda cingos së përvëluar nga blasfemitë e qashtra,
ka discourses, shumë discourses
për çdo blegërimë dhe nga një discourse, palestra nëntokësore
shenja të gardhuara – fara misri për klloçkat
ka – mirë e gjete – h i d h ë r i m e
(hidhërime sa s’t’i kanë parë sytë
hidhërime – si jeta që e ndeze nga ana e filtrit,
vite të athëta, protokolle terapie, ka
“s’po të mbaj, se ngutesh”
hidhërime për të gjitha shijet)
marshe mortore dhe violina të akorduara mirë
taksë zero, rendimente të larta në X,
zverqet e përparimit në çengelet e tyre,
kushërinj të largët që të mendojnë teksa mallkojnë dhe skuqin patate,
ka një darë ortodokse që të lidh mendjen me zinxhirë
kurse lista e çmimeve ta pluhurzon,
dhe një minoritet i heshtur që pret një prokurë të thjeshtë
që “të zgjidhë çështjen e vet”,
je dhe ti që kontrollon pijen dhe pija që, natyrisht, të kontrollon ty,
prapa kodrave nuk ka jetë
ka të panjohura si të thëna mijëra herë,
sharra hekuri institucionale, torno dhe trepanë të galvanizuar,
komisione të së vërtetës, ceremoni miqësimi, “Diga pa dhimbje”, amnisti ndërkombëtare
– edhe nga këto ka – ajo çka kundrohet me qepallat e skleposura
në një aerodrom të pafundmë, të verdhë – p o r t o f o l e m i n i s t r a s h,
drita të paepura hoteli, dezinfektim, valëzim të platinit,
një perde e hapur që të recitojë Gogun[1] me maskarë të zezë në sy
çdo shkërdhatë emëruar nga lart,
atje ka, gjithashtu, edhe zbrazëti, me gjithë ata që ulërijnë më kot në të,
shkretëtirë dhe mjegull, brohorima, lajka,
rrëqethje të befta në tempujt e ithit,
klaustrofobi dhe “tani ç’do të bëjmë?” “thirre zjarrfikësen”,
rrotullime të rregullta, dobishmërinë tënde të skajshme, specializim,
gjysmëkuvende në darka smirëzinjsh, vaj tartufi dhe vaj hashashi,
ka shumë vetë që flasin me buzë të shtrënguara
brenda një uturime të huazuar;
je dhe ti që përsëritesh, përsëritesh, përsëritesh————-
ka shumë nga ata që koleksionojnë monedha të rralla;
po edhe më shumë nga ata që pesë grosh u bën
o k a
prapa kodrave nuk ka jetë
është vetëm idhulli i saj
hija, pasqyrimi, jehona
diçka – në fund të fundit – mbetur peng
ndaj dëshirave të greminës dhe të pasqyrës,
ka skena për të qara
dhe një pjatë ushqim që hahet bashkë me pjatën
dhe ata që hanë mishrat e tyre për çdo thërrime që tepron,
malin Ararat dhe katër doracakë që shpjegojnë si t’i ngjitesh,
miqësi dhe një depozitë vigane përqafimesh
si dhe një thikë e gatshme për shpinën e gjithkujt,
thikë gustoze, lëbyrëse,
“gjej diçka më të goditur—për thikat kanë shkruar shumë”,
janë dukuritë që, siç thuhet, mashtrojnë
dhe “çfarë nuk është ar… nuk na bën, zotëri… nuk na bën punë”
ka – mirë të shkoi mendja – që shqiptohen shumë, me zemër të lehtë,
të rinj që rriten në shoqëri, rrotull familjeve të ngrohta,
nën një gijotinë————-
——-jetë familjare batanije për një abis,
gësterrë prerë hollë, iniciativa bamirëse
ka “pasuria e të varfërve”, dhe “kënaqësitë e thjeshta të përditshme”;
dhe “ç’do të ishim, pa këto?” dhe [duke rënkuar-në kor] “asgjë s’do të kishim qenë,
sigurisht” – je ti që vuan në heshtje – ti që vuan mbytazi, ti që
dikush të bindi se gjithmonë ke për të vuajtur-hordhi pelegrinësh drejt luginës së
Kanaanit me kuponë uljesh çmimi, përgënjeshtrimi (me-ose-pa-lot)-kuti të zeza-
“të shijshme”-“plot tigani”;
je edhe ti që më kujton vetëm kur je i lumtur
edhe ti që vetëm më mban larg
thonjtë e kafshuar të pritjes-sa e paduruar turp de-të presësh,
je dhe ti që u katandise ta tejkaloje pak detyrën
dhe ende rri hundë e buzë,
jam dhe unë që dalëngadalë u mësova, dalëngadalë u mësova, dalëngadalë…
prapa kodrave
nuk ka jetë
është fantazma, profili, portreti i saj,
dhe – që ta mbyllim –
i ngjan.
Jorgos Prevedhurakis (Γιώργος Πρεβεδουράκης) ka lindur në Athinë më 1977, ku edhe banon. Është autor i katër përmbledhjeve me poezi: Στιγμιόγραφο (2011), Κλέφτικο (2013), Οδός Ρόδων (2018), Χαρτάκια (2019). Ka përkthyer dhe përgatitur dy antologji të poetit gjerman Hans Magnus Enzensberger: History of Clouds and Other Poems (2016) dhe Defense of the Wolves and Other Poems (2019).
Shkëputur nga: Antologji e Poezisë Bashkëkohore Greke, përzgjedhur dhe përkthyer nga Sokol Çunga, Shtëpia botuese BERK, Tiranë, 2021, fq. 323-331.
[1]KaterinaGogu (1940 – 1993), aktore, poete dhe aktiviste, e njohur për personalitetin pa kompromis dhe poezitë jokonvencionale.
Lutja-Georgios Kordis
E dënuan. I dhanë dënimin më të tmerrshëm
që mund t’u shkonte ndër mend.
E futën në një qeli katrore,
të bardhë dhe të zbrazët.
Si fillim e pati shumë të vështirë,
më pas e përqendroi shikimin
tek cepat dhe këndet e mureve,
ku nisi të shquante largësitë,
mungesat dhe pranitë,
dhe kjo e qetësoi.
Kur e kuptuan,
e zhvendosën në një qeli të bardhë
në trajtë sfere,
pa asnjë cep apo kënd në mure.
Ai hoqi rrobat
dhe me to caktoi kufij,
krijoi sërish largësi dhe përmasa.
Më pas ia hoqën rrobat,
e lanë të zhveshur
në qelinë e bardhë në trajtë sfere.
Gjakosi dorën
dhe me gjakun e vet
krijoi sërish një botë me kufij
dhe jetonte në atë botë të kufizuar.
Ata, të dëshpëruar, i fikën dritat,
që të mos shihte,
që të mos kish mundësi të sajonte këso gjërat.
Atëherë, në atë errësirë të plotë,
i mbeti vetëm lutja
dhe prania e atyre që dashuronte
e mbushi me gëzim.
Dhe në atë vetmi të plotë,
qenë të shumtë ata që dashuronte.
Perktheu: Stefan Zhupa
Szymborska e kishte zakon të mos vendoste pikë në fund të vargjeve dhe asistenti i saj gjithmonë ia korrigjonte poezitë duke ia shtuar ato. “Libri i saj i fundit përmban shumë pika nga të miat. Ky ishte kontributi im për poezinë polake”, thotë ai me një autoironi të këndshme. Shpesh ata e kishin zakon të bënin humor me njëri-tjetrin se ndonjë ditë ai mund të botonte një libër me përmbledhje të pikave të tij më të zgjedhura.

Sa herë që përkthej një poezi të poetes polake Wislawa Szymborska, them me vete: “Kjo është poezia e saj më e mirë!” Por nuk kalon pak kohë, gjej një tjetër poezi të saj dhe serish përsëris: “Kjo është poezia e saj më e mirë!”
E kështu, ndërsa zhytem herë pas here në përkthimet e poezive të saj, është bërë një varg i gjatë e i bukur me “poezitë e saj më të mira”.
Në të vërtetë të gjitha poezitë e saj janë të përkora, kjo poete gjithmonë ka ditur t’i ruajë lartësitë.
Por, si e arrinte ajo këtë përsosmëri?
Wislawa Szymborska ka shkruar gjithsej 350 poezi gjatë gjithë jetës së saj. Ndokujt do t’i duken pak për një jetë të tërë. Por ajo botonte një libër të ri një herë në 6 apo në 7 vjet. (Përfytyroni tani poetët shqiptarë që shkruajnë poezi përditë, ndonjëherë edhe dy-tre në ditë. E çfarë i kanë ata 350 poezi? Aq do t’i shkruanin vetëm për një vit.)
Një poezi, për të cilën nuk ishte e sigurt, poetja e mbante gjatë në sirtar, me muaj të tërë, ndoshta edhe me vite. Një poezie të vetme ajo i shkruante me dhjetëra versione dhe me kalimin e kohës zgjidhte më të mirin. Në të vërtetë skrupuloziteti i punës së saj është lehtësisht i dallueshëm; vargjet janë të skalitura, të dendura me mendim, fuqishëm fshikulluese, thellësisht ironike.
E midis shumë poezive të saj të përsosura, dua të ndalem te njëra që e kam mjaft për zemër: “Kampi i urisë në Jaslo”, sepse më ka tronditur aq shumë kur e kam lexuar për herë të parë dhe kur më pas fillova ta përktheja.
Teknika e ndërtimit të kësaj poezie është e jashtëzakonshme. Poezia hapet me një dialog (midis dy historianësh ndoshta, apo midis një historiani dhe një gazetari) mbi atë që ka ndodhur në një ish-kamp të burgosurisht në Jaslo, në jug të Polonisë. Lindur në vitin 1923, Wislawa Szymborska u bë dëshmitare e tmerreve të nazizmit. Ajo ishte vetëm 16 vjeç kur Gjermania naziste pushtoi Poloninë në vitin 1939. Në poezinë “Kampi i urisë në Jaslo” folësit apo zhvilluesit e dialogut, e studiojnë ngjarjen thjesht si një pjesë mekanike të profesionit të tyre, si një punë rutinë, pa kurrfarë emocioni. Ata janë aq të ftohtë dhe teknikë në përshkrimin e asaj që ka ndodhur në atë kamp përqendrimi, saqë lexuesi dalëngadalë fillon të ndiejë indinjatë ndaj dialogut të tyre. Me një teknicitet inxhinierik, historianët flasin për numrin e rrumbullakosur të viktimave, se ku ato prehen, etj, dhe pikërisht këtu qëndron edhe çelesi i suksesit të kësaj poezie. Sepse sa më i ftohtë, shpërfillës dhe i largët bëhet përshkrimi i kësaj ngjarjeje prej tyre, aq më shumë rritet empatia tek lexuesi.
“Shkruaj, nuk e di, historia i numëron skeletet e saj në numra të rrumbullakosur.”
Qysh në këto vargje të para, poetja fshikullon historinë dhe përgjithësimet e saj të pandjeshme:
“Është një livadh i madh, sa bar për secilin?”
Cinizmi këtu është në shkallën më të lartë, dhe ai e ka një qëllim; ta bëjë lexuesin të reagojë.
“Dhe livadhi është i heshtur si një dëshmitar i rremë”
Poetja rebelohet ndaj gjithçkaje, edhe ndaj qetësisë së natyrës… Si mundet të jetë aq i qetë ky livadh që mban në barkun e tij aq kobe?
Duket sikur poezitë e Wislawa Szymborska-s nuk përshkohen nga ndjenja dhe emocione, por, ashtu siç mund të vërehet edhe në këtë poezi, poetja shfrytëzon me sukses kontrastin midis dialogut të ftohtë të historianëve dhe ngjarjes tejet të dhimbshme, për të na zbuluar një humanizëm të thellë e një empati të madhe, të cilën ajo nuk e bërtet, por e maskon hijshëm.
Aty pranë, një pyll i drunjtë për t’u përtypur dhe me ujë nën lëvore –
çdo ditë një racion të plotë të pamjes derisa të verbohesh. Sipër, një zog
Poetja kërkon dëshpërimisht elemente të ndryshëm në natyrë, sikur të dojë të ndryshojë finalen e historisë dhe t’i ushqejë të burgosurit me ç’të mundet…
Natën, hëna e drapërt shkëlqente në qiell
dhe korrte grurë për bukën e tyre.
Duart vinin duke u zhvendosur prej ikonave të nxira,
gota boshe në gishtat e tyre.
Në një hell teli me gjemba,
një burrë rrotullohej.
Këto vargje kanë një bukuri të frikshme. Gjithçka në këtë sfond është ngjyrosur me një atmosferê psikedelike.
Ata këndonin me gojët plot me dhé.
“Një këngë të bukur sesi lufta godet
drejt e në zemër.”
Dhe makabriteti i dy vargjeve të parafundit, që janë edhe pika më e lartë dhe më kulminante e tragjedisë, shuhet papritur nga dialogu i ftohtë, përmbyllës, i historianëve:
Shkruaj: Sa qetësi.” “Po.”
I jam kthyer e rikthyer shumë herë kësaj poezie… dhe të gjitha herët më ka tronditur, por edhe mahnitur prej teknikës së lartë. Një teknikë të tillë, të jashtëzakonshme e të ngjashme kam vërejtur edhe te poezia tjetër e saj “Vietnam“, edhe në atë poezi Szymborska shfrytëzon kontrastin për të ngjallur empatinë e lexuesit. Të dyja janë poezi të mëdha, ashtu sìç është i madh i gjithë arti i saj.
Do ta quaja poezi mendimi pooezinë e Wislawa Szymborska-s. Gjatë përkthimit të poezive të saj nuk kam dashur t’i zbukuroj fjalët që ajo zgjedh, sepse poetja nuk i përket kategorisë së poetëve që krijojnë poezi me tingullin apo ritmin. Ritmi i Szymborska-s është vetë pesha e mendimit. E kam hasur poezinë e saj të përkthyer nga përkthyes që e zbukurojnë panevojshmërisht vargun e saj, që përpiqen ta ëmbëltojnë mendimin e saj të rëndë dhe kjo më duket tërësisht e gabuar. Një guxim i pavend që vjen nga mosnjohja dhe nga mosthellimi në studimin e poezive të saj. Stili i kësaj poeteje është i rëndë plumb, ai nuk mund të zbukurohet, përndryshe nuk do lexonim Szymborska-n, por një version të shëmtuar të saj. Për të mos përmendur faktin që të tjerë përkthyes shtojnë dhe diçka nga vetja, të cilën ajo nuk e ka thënë kurrë. Për shembull, versione tërësisht jokorrekte të poezive të saj kam gjetur në gjuhën italiane, i kam krahasuar me ato në gjuhën angleze dhe më ka rezultuar se versionet anglisht janë shumë më të mira dhe më besnike ndaj origjinalit.
Poezia e Wislawa Szymborska-s qendërzohet nga fabula, ajo flet per diçka te prekshme; një ngjarje e ndodhur më parë apo që është duke ndodhur. Ajo nuk bën lojëra fjalësh që në fund nuk të lënë gjë në mendje. Fabulat e poezive të saj të mbeten në mendje gjatë, ato janë të punuara si nga një artizan me përvojë. Çdo gjë gatuhet me një masë elegante në poezinë e saj.
Szymborska të fton të shohësh me vëmendje të veçantë; sende, dukuri dhe ngjarje, që në jetën e përditshme ti nuk u kushton kurrë interes dhe pastaj kur sheh se me to ajo ndërton poezi të mrekullueshme, sikur të zgjerohet shikimi për t’i parë edhe ti në atë imtësi dhe denduri njëherazi që i sheh edhe ajo. Poezia e Wislawa Szymborska-s ka një stil lojcak brenda një inteligjence të rrallë dhe peshës së madhe të fjalës. Shënjestra e vargjeve të saj është e përllogaritur me saktësi snajpereje (nëse do të përdorja një metaforë të saj nga poezia “Urrejtja”.) Edhe kur flet për gjërat më të errëta e më të dhimbshme, ajo të lë gjithmonë një buzëqeshje në cepin e buzës.
Pas nderimit me Çmimin Nobel, poetja u tërhoq edhe më shumë në botën e saj, ajo kurrë nuk kishte pëlqyer të jepte intervista. E dëshmon këtë edhe një poezi e saj me titull “Shtëpia e një njeriu të madh“, ku ajo rrëfen nëpërmjet atij maskimit të hijshëm tipik që u bën emocioneve, sesi “dhunohet” intimiteti i këtij njeriu, sesi “dhunohen” ditarët e tij kur u ekspozohen vizitorëve të panjohur. Poetja jetonte në një apartament të tipit sovjetik në Krakow, gati në anonimitet, por gjithçka ndryshoi pasi fitoi Çmimin Nobel. Ashtu, në përulësinë e saj, Szymborska u trondit shumë nga ajo ngjarje që i prishi rutinën e këndshme të jetës, saqë për vite të tërë pas kësaj nuk shkroi dot më poezi. Ajo u nderua me Çmimin Nobel në vitin 1996 dhe për katër vjet muk mundi të shkruante. Për fat të mirë ajo iu rikthye poezisë në vitin 2000. Ajo punësoi një asistent, vetëm për pak kohë, disa javë pasi u nderua me Çmimin Nobel dhe ai përfundoi duke e bërë atë punë për 15 vjet. Ai rrëfen sesi Symborska i kërkoi t’i jepte përshtypjet për poezitë që ajo shkruante. “Nëse do t’i kritikosh do më lëndosh“, i tha ajo, “por nëse do më lavdërosh nuk do të të besoj”. Szymborska e kishte zakon të mos vendoste pikë në fund të vargjeve dhe asistenti i saj gjithmonë ia korrigjonte poezitë duke ia shtuar ato. “Libri i saj i fundit përmban shumë pika nga të miat. Ky ishte kontributi im për poezinë polake”, thotë ai me një autoironi të këndshme. Shpesh ata e kishin zakon të bënin humor me njëri-tjetrin se ndonjë ditë ai mund të botonte një libër me përmbledhje të pikave të tij më të zgjedhura.
Szymborska, ashtu si të gjithë njerëzit e mençur që e çmojnë privatsy-në, është shprehur se promovimet e librave të saj kanë qenë një torturë e madhe për të dhe se gjithçka që njerëzit duan të dinë rreth saj ajo e ka thënë në poezi. Madje një herë që pranoi të bëjë një shfaqje publike, ajo mblodhi një numër aq të madh njerëzish, që edhe një pop star do ta kishte zili.
Wislawa Szymborska është poetja e preferuar e regjisorit Woody Allen, madje nuk është çudi që ai duhet të jetë ndikuar nga letërsia e saj për filmat e tij. Mëse e kuptueshme. Të dy ata kanë përdorur një lloj humori të zi për të fshikulluar botën. Woody Allen ka thënë në një dokumentar për të të vitit 2010, të titulluar: “Ndonjëherë jeta është e durueshme”, se: “Ajo është në gjendje të kapë pakuptimësinë dhe trishtimin e jetës, por ende të mbetet disi pozitive”.
Unë do të thosha se ajo ka një shikim universal mbi botën dhe njerëzit dhe ky nuk është një këndvështrim gjinor. Është sikur ta ketë parë botën nga një planet tjetër, një shikim si nga një krijesë jashtëgjinore.
Akademikët e Çmimit Nobel kanë thënë për të: “Për poezinë që me saktësi ironike lejon që konteksti historik dhe biologjik të dalë në dritë në fragmente të realitetit njerëzor” dhe: “Ajo përdori imazhet e përditshme për të reflektuar të vërtetën e madhe në poezitë e saj – një qepë, një mace – për subjekte të mëdha të jetës si dashuria, vdekja, koha që kalon”.
Po kjo Akademi e ka cilësuar poeten si Mozartin e poezisë, por edhe me pak furi prej Bethoveni.
Ndërsa një gazetë italiane e ka quajtur atë “Greta Garboja e poezisë”.
E për mua, admiruesen e poezisë së saj, ajo mbetet poetja më e fuqishme që ka patur civilizimi botëror. Dhe më vjen mirë që e gjithë kjo fuqi, botës i erdhi prej një gruaje.
©Arlinda Guma
19 Korrik, 2021
Poezinë “Kampi i Urisë në Jaslo” e gjeni këtu:
Arlinda Guma është autore e katër romaneve: Bulevardi i Yjeve (2014), Terma humanitarë si fjala bombardim (2016), Bob Legjenda (2021) dhe Marksi ka humbur kujtesën (2025).
Letërsia e saj është botuar në disa revista letrare ndërkombëtare, përfshirë revistat amerikane Words Without Borders dhe Poets & Writers, në revistën greke Teflon, etj.
Poezitë e saj janë përfshirë në antologji letrare ndërkombëtare dhe janë interpretuar nga aktorë të huaj në shumë vende të botës.
Që prej vitit 2018, ajo është themeluese dhe drejtuese e revistës kulturore defekt-teknik.com, e cila ruhet në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kritika e përshkruan si një autore të guximshme dhe jokonformiste, “që shkruan me grusht.”
Poezi nga Elona Çuliq
asnjë rrugë nuk të çon në Romë,
tana rrugët të çojnë vetëm një vend;
në djall,
në ferr,
në varr,
edhe në parajsë,por ne nuk qëlluam prej atyne,
kështu që me nge i fillojmë ditët,
pa pyetje e pikëpyetje,
vetëm tabula rasa
me u mbushë me zbrazëtinë e së përditshmes,jetojmë si zogj mbërthyem nga duert e marrëzisë njerëzore,
pandemia asht e mira e mundshme;
jo krizë,
jo veçim,
jo izolim,por
rikthim
i vetes në vete,
si një matrioshkë ma e madhe që ka humbë
të voglën e saj,
rikthim në guackën tonë,
jo për me u mbyllë,
por me kuptue që tash kena mjetet me e zbërthye,
me dalë jashta saj
e me jetu me veten;
pa marre,
pa brenga,
pa stisje,por n’qetì,
njëjti si fija e barit n’fushën e gjanë,
n’krahënorin e andrrave tona.USA
Maj, 2021
Yehuda Amichaï – Koha
26
Ky kopsht me rrëfimin tënd brenda.
“I rrënuar nga dashuria”, më the
dhe një mori gjërash të tjera që i kam harruar. Më kujtohen
gjethet tashmë të nxira, sipër,
dhe fjalët, poshtë, ende në dritë.Diku një dritare ku ai që e hap
nuk është i njëjti që e mbyll.Dhe numri i një porte shtëpie
në zemrën time i skalitur, si shenja
mbi kalë
me hekur të nxehtë.“I rrënuar nga dashuria” – të fundmit
zëra tanimë janë bërë
ushqim për zogjtë dhe kafshët e vogla të natës.
Përktheu: Leda Kushova