SALMAN RUSHDIE: “Mallkimi i një jete interesante”.

in Letërsi by

Emri: Ahmed Salman Rushdie
Lindur : 19 Qershor, 1947
Vendlindja: Mumbai, Maharashtra, India
Profesioni: Shkrimtar

Zoti Rushdie, a keni një pikëpamje optimiste për botën?

Jo. (Qesh) Me një fjalë! Mendoj se është shumë e vështirë të jesh shkrimtar në këtë pikë të historisë së botës dhe të jesh optimist. Megjithatë errësira e bën më të mirë komedinë.

Çfarë ju motivon për të shkruar?

Nuk kam asgjë tjetër për të bërë! Gjithmonë kam dashur të shkruaj. I vetmi plan tjetër që kam pasur në jetë është të bëhesha aktor. Kjo nuk funksionoi! Gjithmonë kam menduar se nëse do të kishte një film të Midnight’s Children, roli që do të doja të luaja do të ishte fallxhori. Mendova, duke qenë se unë bëra plot-in e romanit, nëse filmi do të realizohej ndonjëherë, unë duhej të luaja fallxhorin.

Hëm, tani filmi është realizuar. A ishit ju në të?

Regjisori më punësoi, por unë dhashë dorëheqjen sepse gjëja e fundit që ti do që të ndodhë në atë skenë është që publiku të mendojë: “Mos është Salman Rushdie ai?” (Qesh) Thjesht do largonte vëmendjen nga atje ku ajo duhej të ishte. Megjithatë ne e premë skenën në fund.

Sa keq.

Por keqardhja ime më e madhe për një rol që nuk mundja të luaja ishte kur kompania e Will Ferrell-it m’u avit për të luajtur një rol në atë që atëherë quhej “Film i patitulluar i Will Ferrell Nascar-it”, i cili u bë më pas “Netët e Talladega-s”.

Çfarë lloj roli do të kishte luajtur Salman Rushdie në “Netët e Talledega-s”?

Ata kishin këtë ide, vetëm një sekuencë në të cilën tre njerëz shumë, shumë të pangjashëm, shfaqeshin si shoferë të NASCAR-it. Dhe unë mendoj se ata iu afruan Julian Schnabel-it, Lou Reed-it dhe mua. (Qesh) Dhe ne të gjithë duhej të kishim veshur uniformat dhe helmetat, duke ecur me lëvizje të ngadaltë me mjegullën e nxehtësisë. Kjo do të kishte qenë fantastike, por ne të gjithë nuk mundëm ta bënim. Unë isha në një turne librash, Lou ishte në një turne muzikor, Julian-i po bënte diçka tjetër dhe në fund ata thjesht e hodhën poshtë idenë dhe kjo nuk ndodhi. Do të kisha dashur ta bëja.

Kohët e fundit ju keni publikuar një autobiografi rreth përvojës suaj të të jetuarit i fshehur për 10 vjet pasi botimi i Vargjeve Satanike bëri që Ayatollah Khomeini të lëshonte një fetva që kërkonte vdekjen tuaj. A u ndjetë mirë që më në fund e larguat këtë gjë nga kraharori?

Po. Kam pritur shumë për ta thënë sepse doja të arrija një pikë ku të isha mjaftueshëm larg materialit sa të mund ta shkruaja në mënyrë objektive. Nuk doja që të ishte një lloj turbullimi emocional. Nuk doja që të ishte si një episod i Oprah-s. Kështu që prita 23 vjet që kur filloi. Gjithashtu doja të shkruaja jo vetëm për vitet e fetva-s, por edhe për jetën time të mëparshme. Sinqerisht, nuk e kisha menduar kurrë se do të shkruaja një autobiografi.

Pse jo?

Kur njerëzit më pyesnin më parë, unë thosha: “Nuk jam i interesuar. Pse duhet të shkruaj një autobiografi?” Nuk jam i interesuar të shkruaj për veten time. Arsyeja pse u bëra shkrimtar ishte të shkruaja për njerëzit e tjerë.

Nuk jeni një person dhe aq nostalgjik?

Jo. Për fat të keq unë thjesht fitova mallkimin e një jete interesante.

A do të ishit një shkrimtar ndryshe sot nëse nuk do të ishit kërcënuar?

Jo. Nëse nuk do të dinit asgjë për jetën time – nëse nuk do të kishit lexuar kurrë një gjë të vetme për jetën time dhe gjithçka që do të kishit do të ishin librat – dhe ju thjesht do t’i lexonit librat, nuk ka diçka të çuditshme që ndodh në vitin 1989. Unë nuk mendoj se ju do të shihnit se ka patur një këputje kolosale në jetën e këtij shkrimtari në atë kohë dhe se librat pas kësaj janë krejtësisht të ndryshëm. Mendoj se librat kanë vazhdimësinë e tyre dhe bëjnë rrugëtimin e tyre.

A e keni ende të nevojshme ta ruani veten?

Jo, jo në të vërtetë. Në fakt kanë kaluar 10 vjet e gjysmë që nga hera e fundit kur ka patur ndonjë kërkesë për të qenë i kujdesshëm për ndonjë gjë. Është një kohë e gjatë. Unë kam jetuar në New York dhe Londër për 10 vitet e fundit dhe bëj një jetë krejtësisht të hapur.

Dëgjova se gjatë realizimit të Midnight’s Children filmimet ishin të fshehta dhe ishin nën një emër tjetër. A ishte kjo nga frika e protestave të radikalëve myslimanë?

Jo. Çfarë ndodh kur je duke filmuar në Indi – jo vetëm në Indi, por dhe në Azinë jugore – nëse ka një libër ose projekt për të cilin mediat janë shumë të interesuara, ato ia behin aty në një numër të madh njerëzish. Një vështirësi e vërtetë. Pra, arsyeja e vënies së një titulli të rremë dhe e gjithë ajo ishte sepse ne nuk donim vëmendje. Është mjaft e vështirë ta bësh filmin edhe pa i patur të gjithë këta njerëz që vërtiten rreth e qark, duke këmbëngulur për akses dhe intervista dhe për këtë dhe atë.

A jeni shumë i famshëm në Indi?

(Qesh) Po, pak. Nuk është sikur të jesh Madonna, nuk është sikur të jesh U2. Nuk është ajo lloj fame. Mund të eci normalisht. Në fund të fundit, pjesa më e madhe e jetës së një shkrimtari kalon në një gjendje shumë private, në vetmi duke u përpjekur të bëjë punën e tij.

Përktheu: Arlinda Guma

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top