HËNA-Haime Sabines
Hëna mund të pihet me lugë
ose çdo dy orë si një kapsulë.
Bën mirë si gjumësjellës e për t’u qetësuar
dhe po ashtu i shëron
ata që me filozofi janë helmuar.
Një copë hëne në xhep
është hajmali më e mbarë se këmba e një lepuri:
vlen për të gjetur atë që dashuron,
për të larguar mjekët e klinikat
dhe për të qenë i pasur pa e ditur tjetri.
Të vegjëlve si ëmbëlsirë mund t’u jepet
kur s’i zë gjumi i qetë,
dhe ca pika hëne në sytë e të moshuarve
ndihmojnë për një vdekje shpirtlehtë.
Poshtë jastëkut tënd
një gjethe të butë hëne vendos
dhe do të shohësh atë që dëshiron të shikosh.
Me vete mbaj gjithmonë një ampulë me ajër hëne
nëse mbytesh të duhet,
dhe çelësin e hënës jepua
atyre të burgosur e të zhgënjyer.
Për të dënuarit me vdekje
dhe për të dënuarit me jetë
me doza të përpikta e të matura
s’ka ilaç më të mirë se sa hëna vetë.
Përktheu: Erion Karabolli
Haime Sabines (1926 – 1999) – poet dhe politikan meksikan me origjinë libaneze, konsiderohet si një ndër poetët e mëdhenj meksikanë të shekullit XX. I ati i ushqeu shijen dhe dashurinë për letërsinë. Braktisi fakultetin e mjekësisë për t’iu kushtuar tërësisht poezisë.
Hapat e para në poezi i hodhi qysh kur ishte student në mjekësi me poezitë “Introspeksion”, “Nënës sime”, “Ndiej se po të humbas” dhe “Pranveror”, të publikuara në revistën Studenti. Më 1949 hyn në Fakultetin e Filozofisë dhe të Letrave, në Universitetin Kombëtar Autonom të Meksikës. Aty botoi edhe poemën e parë të tij “Horal”. Librin e parë poetik, “Shenja” e botoi në 1952. Një vit më vonë boton librin e dytë “Adami dhe Eva”, ku veç poezisë ka edhe prozë poetike.
Haime Sabines ka botuar trembëdhjetë vëllime me poezi dhe është nderuar me nëntë çmime të ndryshme për krijimtarinë e tij poetike.