Letër për Fernando Savater-in/Emil Cioran

in Letërsi by

Emil Cioran

Paris, më 10 Dhjetor, 1976

I dashur mik!

Në nëntor, gjatë vizitës në Paris, ju më kërkuat të bashkëpunoj për një volum, si homazh ndaj Borges-it. Reagimi im i parë ishte negativ; i dyti… po ashtu. E përse u dashkan bërë kremtime, kur këtë e bëjnë universitetet? Mbi të ka rënë fatkeqësia e të qenit i famshëm. Meritonte më shumë. Meritonte të mbetej në hije, në padukshmëri, të ishte jopopullor  dhe i pavënëreshëm. Kështu do të ishte vetvetja. Shugurimi është ndëshkimi më i keq për një shkrimtar – për një shkrimtar në përgjithësi, dhe për një shkrimtar të rangut të tij, në veçanti. Sapo fillojnë ta citojnë të gjithë, ju s’keni si ta citoni më, sepse, nëse e bëni, do të keni ndjesinë se thjesht po “rrisni” masën e admiruesve, apo armiqve të tij. Ata që kërkojnë me çdo çmim t’i japin ç’i takon, në realitet nuk bëjnë gjë tjetër veçse përshpejtojnë rënien e tij. Po ndaloj, sepse nëse do të vazhdoja me këtë stil, do vinte puna ta mëshiroja për fatin e tij. Megjithatë, kemi të gjitha arsyet të supozojmë se ai kështu do të bënte edhe vetë.

Më duket se jua kam thënë dhe herë tjetër që, nëse më interesonte aq shumë Borgesi, kjo vinte sepse përfaqësonte një specie njerëzore në zhdukje: ai mishëronte paradoksin e njeriut sedentar pa një atdhe intelektual, aventurierin e zyrës që shëtiste shpenguar përmes qytetërimesh dhe letërsish të shumta,  monstrën e madhërishme dhe të dënuar. Në Evropë mund të citojmë si shembull të ngjashëm Rudolf Kassner-in, mik i Rilke-s, i cili, në fillim të këtij shekulli, botoi një vepër të klasit të lartë rreth poezisë angleze (pasi e lexova atë gjatë periudhës të luftës së fundit vendosa të mësoj anglisht… ) dhe që ka folur me mprehtësi të admirueshme për Sterne-in, Gogol-in, Kierkegaard-in, si pë Maghrebin, si për Indinë. Dihet se thellësia dhe dituria nuk shkojnë me njëra-tjetrën; por ai kishte arritur t’i bashkonte; ishte një mendje universal, së cilës nuk i mungonte veçse hiri dhe ngashnjimi. Bash këtu shfaqet superioriteti i Borges-it, ngashënjyes i pashoq, që, qoftë edhe prej arsyetimit më të thatë, ka arritur të nxjerrë një hiçagjëzë vocërrake, qiellane, një tufë dantellash. Sepse tek ai gjithçka është transformuar përmes lojës, përmes një vallëzimi gjetjesh verbuese dhe sofizmash të lezetshme.

Mua s’më kanë tërhequr asnjëherë mendjet e mbyllura brenda një kulture të vetme. Të mos hedhësh rrënjë dikund, të mos i përkasësh asnjë bashkësie – e tillë ka qenë dhe e tillë është deviza ime. Duke kundruar horizonte të tjerë, kam kërkuar gjithmonë të di atë që ndodh gjetiu. Ballkani s’mund të më ofronte asgjë në moshën njëzet vjeçare. Kjo është drama, por edhe përparësia, e të qenurit i lindur në një hapësirë “kulturore” të vogël. Perëndia ime është bërë “e huaja”. Prej këtej vjen edhe etja për t’u endur mbi letërsi dhe filozofi të tjera, për t’i përpirë ato me lakmi të sëmurë. Çfarë ndodh në Europën lindore, doemos që duhet të ndodhë edhe në vendet e Amerikës latine, dhe unë kam vërejtur që përfaqësuesit e saj janë shumë herë më të informuar, më të kulturuar se perëndimorët, provincialë të pashëruar. As në Francë, as në Angli, nuk shihja dikënd që të kishte një kuriozitet të krahasueshëm me atë të Borges-it, kuriozitet i shtyrë gjer në mani, gjer në ves; them “ves”, sepse, në fushën e artit dhe meditimit, gjithçka që nuk shndërrohet në një dalldi paksa perverse, është sipërfaqësore, pra ireale.

Kur isha student më interesonte të merresha me dishepujt e Schopenhauer-it. Midis tyre ishte një farë Philipp Mainländer, që më tërhiqte më shumë. Autor i Filozofia e Lehtësimit , në sytë e mi ai kishte atë shkëlqim që ia jepte vetëvrasja. Mikloja veten që, për këtë filozof plotësisht të harruar, isha i vetmi që interesohesha. Po s’kisha ndonjë meritë kushedi çfarë, sepse ishin studimet ato që më çuan në mënyrë të paevitueshme drejt tij. Çfarë suprizë për mua kur, shumë kohë më vonë, lexova një tekst të Borges-it që e nxirrte pikërisht nga harresa. Nëse ua citoj këtë shembull, kjo ndodh sepse, duke u nisur nga ky çast, fillova të mendoj më seriozisht se më parë për gjendjen e Borges-it: mos vallë ky paracaktim për t’u rrasur pas universialitetit, ky detyrim për ta ushtruar mendjen në të gjitha drejtimet,  bëhej për të shpëtuar nga asfiksia argjentinase? Ishte hiçi amerikano-jugor që i bënte shkrimtarët e gjithë kontinentit më të hapur, më të gjallë dhe më të ndryshëm nga ç’janë në Europën perëndimore, të paralizuar nga tradita dhe të paaftë të dalin nga skleroza dinjitoze.

Meqënëse doni të dini se çfarë pëlqej më shumë tek Borges-i, do të përgjigjesha pa ngurruar: është lehtësia e zotërimit të fushave krejt të ndryshme, aftësia e tij për të folur me të njëjtën mendjemprehtësi si për Kthimin e përjetshëm edhe për Tangon. Qysh prej çastit që ai vetë është qendër e gjithçkaje, atëherë gjithçka është e vlefshme. Kurioziteti universal është shenjë e vitalitetit veç kur mbart shenjën absolute të një uni, një uni ku zë fill dhe sos çdo gjë: sovraniteti i arbitrares, fillimi dhe fundi që mund të interpretohen sipas kritereve më arbitrare. Po ku është realiteti tek e gjitha kjo? Uni, – shaka e madhërishme… Loja e Borges-it na kujton ironinë romantike, eksplorimin metafizik të iluzionit, xhonglimin me të Pakufishmen. Sot, Friedrich Schlegel i ka vënë shpatullat Patagonisë…

Akoma edhe një herë: mund të të vijë keq që një buzëqeshje enciklopedike dhe një vision kaq i rafinuar ngjallnin admirimin e përgjithshëm, me të gjitha gjërat që kjo nënkupton… Por mbi të gjitha, Borgesi mundi të bëhej simboli i një njerëzimi pa dogma dhe sisteme, dhe, nëse ka një utopi tek e cila do të nënshkruhesha me dëshirë, do të ishte ajo ku secili modelohet sipas tij – njëri nga mendjet më pak paragjykuese që ka ekzistuar, njëri nga “të fundmit e delikatëve”.

Pērktheu: Balil Gjini

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top