FRANCA DHE GJERMANIA-Emil Cioran

in Letërsi by

Emil Cioran

Në Francë njerëzit janë zotër të mendimeve të tyre; në Gjermani çdo mendimtar ndihet i tejkaluar nga sistemi. Po u angazhua një herë në rrugën e ndriçimit të vetes, ai s’mund t’i zotërojë më mendimet e veta, që evoluojnë drejt formash më të çuditshme. Në çdo sistem filozofik gjerman gjejmë një përzierje të sublimes, groteskes, monumentales.

Në Francë gjithkush ka talent, por ndeshim rrallë një gjeni. Në Gjermani askush nuk ka talent, por lind një gjeni, i cili kompeson mungesën e talentit të të gjithëve. Mendoni për të gjithë gjenitë gjermanë: secili sjell një botë më vete, një formë të re ekzistence. Botë të reja kanë lindur prej Hegelit, Wagnerit, Nitçes. Secili syresh do ta kishte të drejtën të pohonte se bota fillon me të.

Jeta dhe vepra e të gjithë gjenive gjermanë ka diçka të pashpjegueshme, të pambërritshme, diçkasoj si një shfaqe jo të kësibotshme. Kapërthehen në to elementë katastrofikë, vizione apokaliptike, fluturime shastisëse. Niçja thoshte për Bethovenin se ai përfaqëson shpërthimin e barbarisë në kulturë. Kjo nuk është më pak e vërtetë për vetë Niçen. Barbaria gjermane rrjedh nga paaftësia e gjermanëve për të mbajtur një ekuilibër ndërmjet jetës dhe shpirtit…

Francezët gjallojnë pa i tejkaluar format që mvesh jeta; gjermanët nuk mund të gjallojnë veç atëherë kur format mungojnë, tek elementarja dhe zanafillorja. Shpërthimi i jetës ka gjithmonë tek ta diçka diçka jonjerëzore, që e sfidon përshtatshmërinë e gjërave. Çdo mesianizëm gjerman ka veçori primare, shpërthyese, kryeneçe, në kundërshtim me mesianizmin frances, që është i përmbajtur dhe i rezervuar

Përktheu: Balil Gjini

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top