MBI POEZINË E MOIKOM ZEQOS/Alket Çani

in Letërsi/Tirana Review by

Ai është si miza efemere e Stendhal-it që, duke qenë se lind në mëngjes dhe vdes në mbrëmje, beson se përjetësia zgjat vetëm një ditë.

Alket Çani

Moikomi e ka kthyer në një sfidë vetjake atë çka, në poezi, trajtohet kryesisht brenda një forme mbizotërimi të traditës; të çdo tradite në poezinë shqipe. Ai, në një moment të caktuar – me gjasë në kapërcyell të viteve 90 të shekullit të kaluar -, me sa duket vendosi të mos i bindej më autoritetit të traditës. Ai deshi t’i largohet çdo mënyre shprehjeje të gatshme dhe çdo procedeje poetike të bërë tashmë klishe. Gjë që do të thotë të mos i atribuosh më gjuhës atë vlerë që i është dhënë deri në një çast të dhënë nga njerëzit dhe librat. Nga njëfarë këndvështrimi, ai ka dashur ta vërë veten mbi njërën prej pjatave të peshores së poezisë shqipe, pjata tjetër e së cilës është e ngarkuar me gjithë poezinë që është bërë përpara tij. Le të na lejohet të supozojmë se i vetëm mbi këtë pjatë ai e ndien veten aq të rëndë sa të balancojë peshën e pjatës tjetër, i ngarkuar me gjërat e veta (mendime, përfytyrime, ritme, figura) në kundërvënie me ngarkesën e gjërave të të tjerëve, të tejbartura shekull pas shekulli e dekadë pas dekade nga shtjellime shkollore, zyrtare, rastësore apo të inercisë.

Çka ka bërë Moikomi duket se është, veçanërisht, një zgjedhje me vetëdije të plotë. Ai ka zgjedhur që në poezinë e tij të vërë në përdorim thesarin e dijeve dhe energjisë intelektuale që ka zbuluar te vetja e që ka grumbulluar në vite dhe të krijon përshtypjen se e bën këtë në mënyrë të pandërprerë. Këtu gjendet ndoshta pika fokale, çelësi i pozicionit të tij në poezinë shqipe.

Që të marrësh këtë pozicion, duhet të kesh medoemos një besim të jashtëzakonshëm në fuqitë e tua mendore, që shfaqen në stilin vetjak ose mungesën e tij, në shpërfilljen e çdo prozodie, në tejkalimin e çdo caku të masës, në arritjen e një ndezullie të imagjinatës eklektike që shkon deri në inkandeshencë, deri në krijimin, më në fund, të një universi vetjak kimerik.

Moikomi beson në fuqinë e imagjinatës, të cilën e mbështet mbi kërshërinë e tij të pareshtur. Ai njihet, ndër poetët tanë, si njëri nga kureshtarët më të mëdhenj.  Nuk ka fushë të jetës e të dijes që të mos përbëjë për të objekt vëzhgimi. Kjo kërshëri, që e ka zanafillën që në rininë e tij, ka zotëruar më pas krejt jetën e tij intelektuale. Nga kjo kërshëri për të ditur gjithçka, ai ka fituar një lloj ekstaze të mendimit, që shfaqet në poezinë e tij përmes erudicionit, metaforave të pazakonta e të guximshme, kapërcimeve semantike të pagjasa, imazheve onirike, shprehjes gjuhësore diakronike e pluridisiplinare.

Universi kimerik i krijuar nga Moikomi, që nis dhe përfundon tek Uni i poetit, në dallim nga gjithësi të tjera të përftueshme, nuk përcaktohet nga masa dhe numri, nuk është i përkthyeshëm në shifra. Moikomi beson me Protagorën se njeriu është masa e çdo gjëje. Duke qenë i tillë, ky univers është njëkohësisht i pamatshëm. Duke qenë i pamatshëm, ai rrezikon në mënyrë të pashmagshme të pësojë goditje zhvlerësuese e, madje, asgjësuese. Nga kjo pikëpamje, tipari i tij thelbësor është të qenit efemer. Duke qenë i tillë, ai është njëkohësisht i përjetshëm. Ai është si miza efemere e Stendhal-it që, duke qenë se lind në mëngjes dhe vdes në mbrëmje, beson se përjetësia zgjat vetëm një ditë.

Poezia e Moikomit mund të duket ndoshta më pak e çmuar sesa shembulli – që ai na jep – i një Uni poetik të pamatë e të pakufishëm.

Paris, Maj, 2019.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top