SHTIGJE – Alket Çani

in Letërsi/Tharm by

 

SHTIGJE – Alket Çani


I


Shtigje hapur shtigje mbyllur shtigje
Ngjizur nga dëshira e shtegtarit
Qiell lumë rrjedhë e shtruar brigje
Të vetmuar pa praninë e vetmitarit


II


Me zë pa zë asgjë
S’të thotë ku të mbetesh
As vetë s’e di kur zë
Shtegtimin brenda vetes


Me hir pa hir i mpirë
Çliruar prej vetvetes
Pandeh se je i lirë
Kur shtegton brenda vetes


III


Përgjumje e lehtë
E një mendimi
Të fshehtë
Pas një shtegtimi


Stepje ndalesë
Trill i mendimit
Në mes
Të rrugëtimit


Rizgjim përmendje
Hov i mendimit
Në prag
Të mosveprimit


IV


Jehonë e hapit më mban lidhur
Pas shtigjesh që tashmë kanë humbur
Kujtim i mjegullt ku rri strukur
Jeta si një zinxhir i zgjidhur


Më kot mundohem me mundim
T’i rimbledh hallkat një nga një
Nga kohë e largët vjen një zë
Që më nguros në një ngurrim


Të gjatë si ngurrimi që patën
Tri Erinitë para se mitet
T’i kthenin në Eumenide
Në lojën e ditës me natën


Në lojën e Zotit me zare
Midis kujtesës dhe harrimit
Përsillen shtigjet e mendimit
Të nëpërdorur si rruzare

 

 

 

https://www.askasalla.com/

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Verbëri-Sueton Zhugri

Verbëri-Sueton Zhugri Sot i dhashë dorën një fëmije të verbër: Anna, lexova,
Go to Top