Author

Admin - page 82

Admin has 1606 articles published.

Çdo gur në det është shtëpi për peshqit-Edvin Thomollari

in Letërsi/Tharm by

Çdo gur në det është shtëpi për peshqit-Edvin Thomollari

 

Çdo gur në det
është shtëpi për peshqit,
tha djali që e njihte kepin me pëllëmbë.
Njëzet vjet që prek tokën e kepit, ujin e kepit,
një herë ngatërrove një predhë lufte
me një qyp thesaresh.
Një natë kur gjuaje pe shumë gjallesa,
ti the që ishin të rralla, gaforre të mëdha,
në rrënojat e kështjellës që as vendasit nuk e njihnin.
Aty kishte ujë, vazhdonte deti, kishte det,
kishte jetë që nuk ishte parë më parë.
Kishe qenë shumë thellë, shumë natën,
kishe hapur shtegun i pari.
Të ngelën në mend gaforret e mëdha.
Tani kepin e njohin të gjithë,
vetëm rrënojat e kështjellës që janë futur në ujë,
ato i mbajte për vete, bashkë me gaforret e mëdha.
Çdo gur në det është shtëpi për peshqit…

Dy këngë në ranishtën e Cesaresë-Yehuda Amichai

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Dy këngë në ranishtën e Cesaresë-Yehuda Amichai

 

I.

Detin e mirëmban kripa.
Jerusalemin e mirëmban thatësia.
Po ne ku do të shkojmë vallë?
tash, në muzgun e paepur,
e të zgjedhim.
S’ka rëndësi ç’do të bëjmë,
a si do të rrojmë,
na duhet të zgjedhim jetën
ëndrrat e të cilës
lëndojnë më pak
për gjithë netët në vijim.

 

II.

“Eja prapë verës tjetër”
apo fjalë të këtij lloji
më mbajnë gjallë
marrin ditët e mia
si një rresht ushtarësh
që kalojnë mbi një urë
të taksur për shpërthim.
“Eja prapë verës tjetër”,

Cili s’i ka dëgjuar këto fjalë?

Por thomëni, cili kthehet prapë?

 

Përktheu: Edon Qesari

Tabloja: Hughie Lee-Smith, 1957

Stina e bukur-Musa Tullari

in Letërsi/Tharm by

Stina e bukur-Musa Tullari

 

Është ajo, kur
Takojmë të dashurën
Takojmë miq
Dhe ikim në pyllin
Jeshil të errët

Kur lexojmë ‘Anës Swan-it’
‘Albertinën e zhdukur’,
Të Proust-it.
Apo kur në kinemanë
E qytetit, përcjellim
Kumbarën-I.

E bukur është Stina
Kur mbushur sofra
Me carrokët virgjër.
Dhe stinë e bukur është
Kur gjendemi para,
Pikturës së Van Ghog-ut,
“Fluturimi i Korbave mbi grunajë”

Edhe kur endemi,
Rrugicave me kalldrëmë
Të ngushta, Kështjellës së Balshajve
D’Olciniumin ku zbarkoi
I çali Cervantes.

Dhe e bukur është kjo stinë
Kur ende shëndet verë
Përcjellim Aget dhe Muzgjet
Dhe Zotin Diell!

FRERI-Petraq Risto

in Letërsi/Tharm by

FRERI-Petraq Risto

 

Kalin e plakur e vranë, pastaj ia hoqën frerin…
“Ngatërruam radhë…”, tha njëri.

Frerin e vjetër ia vunë një kali të ri
E shtrydhi shpirtin i shkreti: lotë në sy.

Nëpër rrugë, nëpër botë rendi e rendi.
Veç frerit s’iu hoq shija e gjakut të tjetrit…

Koha kur një shkrimtar hidhej në gjyq për dëmtim të moralit publik

in Letërsi by
Mia Wasikowska në rolin e Zonjës Bovari në filmin me të njëjtin titull të vitit 2014. [link]

Shkrimtari francez Gustave Flaubert u përball me një akuzë të rëndë penale, atë të cënimit të moralit publik dhe fyerjes së sjelljes së mirë për shkak të publikimit të romanit Madame Bovari. Si ndodhi kjo?

Madame Bovari është sot një nga romanet klasike që lexohet nga të gjithë dhe që është pjesë e kurikulave të shkollave në shumë vende të botës. Publikuar në vitin 1856, romani flet për personazhin që i ka dhënë titullin si një person që jeton përtej mundësive të veta në përpjekje për t’i shpëtuar banalitetit dhe zbrazëtisë së jetës provinciale.

Por menjëherë pas publikimit, në Janar, 1857 autori i romanit, Gustave Flaubert si dhe pronari dhe tipografisti i revistës La Revue de Paris u paditën në gjyq për shkak të publikimit me pjesë të Madam Bovarisë. Prokurori publik kritikoi natyrën epshndjellëse dhe kurorëshkelëse të Mme Bovarisë si dhe përshkrimet sugjestionuese të autorit. Ata gjithsesi u shpallën të pafajshëm. Gjyqi shihet edhe sot e kësaj dite si një shembull, sesi çekiçi i censurës varej mbi shtypin gjatë Perandorisë së Dytë Franceze.

Prokurori publik, në argumentin e tij tha mes të tjerash: “Arti pa rregulla nuk është art. Është si një grua që heq të gjitha rrobat.”

Aktivistët e të drejtave të njeriut e kanë analizuar fjalimin e prokurorit Ernest Pinard në detaje për të kuptuar arsyet se pse Ema Bovari shkaktoi kaq shumë zemëratë. Në tërësi, fjalimi sugjeron se problemi që pati shoqëria franceze dhe autoritetet e kohës me romanin kishte të bënte me problemin e dëshirës së Emës.

Prokurori pyeste: “A është e natyrshme që një vajzë e vogël të shpikë mëkate të vogla?”

Dhe më poshtë, “ky është konkluzioni i këtij libri… nga një burrë që kërkoi në këtë libër për një person që mund ta vërë nën kontroll këtë grua. Por nuk gjendet në libër. I vetmi person që sundon këtu është Madam Bovaria.”

Pinardi e humbi betejën. Flobert-i u shpall i pafajshëm, ndërsa Ema Bovari u bë personazhi që shoqëron lexuesit që prej një shekulli e gjysmë.

 

Marrë nga blogu: Shtëpia e Librit

Koha kur një shkrimtar hidhej në gjyq për dëmtim të moralit publik

Nëse ti më harron-Pablo Neruda

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Nëse ti më harron-Pablo Neruda

 

Dua që të dish

diçka.

Ti e di se si është:

nëse shoh

hënën e kristaltë, degën e kuqërremtë

të vjeshtës së ngadaltë në dritaren time,

nëse prek

pranë zjarrit

hirin e pakapshëm

ose trupin e rrudhur të drurit,

të gjitha më shpien tek ti,

a thua se çdo gjë që ekziston,

aromat, drita, metalet,

të qenkëshin varka të vogla që lundrojnë

drejt ishujve të tu që më presin mua.

Por,

nëse pak nga pak resht së më dashuruari

do të resht së të dashuruari pak nga pak.

Nëse papritmas

më harron

mos më kërko,

se do të të kem harruar.

Nëse e mendon të gjatë dhe të marrë

erën e flamujve

që përshkon jetën time,

dhe ti vendos

të më lësh në breg

të zemrës ku kam zënë rrënjë,

mendo

se atë ditë,

atë orë,

unë do të ngre krahët e mi

dhe rrënjët e mia do të dalin

për të kërkuar një tokë tjetër.

Por

nëse çdo ditë,

çdo orë,

ndien se je caktuar për mua

me ëmbëlsi mizore.

Nëse çdo ditë ngjitet

një lule në buzët e tua për t’më kërkuar,

ah dashuria ime, ah e imja,

tek unë gjithë ai zjarr përsëritet,

tek unë asgjë nuk shuhet ose harrohet,

dashuria ime ushqehet me dashurinë tënde, e dashur,

dhe për sa kohë të jesh gjallë do të jetë në krahët e tu

pa u larguar nga krahët e mi.

 

Përktheu Redi Sheqeri

Lulja e natës-Petraq Risto

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Lulja e natës-Petraq Risto

 

Lulja e natës hapi sytë në mëngjes: u verbova, më tha

S’di si erdha këtu pa i pyetur rrënjët. Unë qesha

Si të gjithë poetët që i pranojnë të pafajshmit.

Mos qesh, më tha, nuk jam gaztor oborri

Dhe dielli s’është mbreti im. Heshta. Nuk qesha.

I fola për lulen e Ekzyperisë, më tha: e njoh,

Madje njoh dhe trëndafilin e kaltër të Parisit

Dhe pse s’ më pëlqejnë laboratorët.

Një Intervistë e Salman Rrushdie-s për “The Guardian”

in Letërsi/Tharm by

Kur keni qenë më i lumtur?

Jam mjaft i lumtur tani, megjithëse pandemia është problem. E mora virusin herët, dhe nuk isha mirë për dy javë e gjysmë. Nuk pata simptomat më të këqija, çdo ditë e më shumë e kuptoj që jam nga ata që ishin me shumë fat.

Kujtimi juaj më i hershëm?

I ulur në supet e tim eti në Malabar Hill në Bombay, duke parë Sherpa Tenzing Norgay-n ndërsa përshëndet me dorë nga një makinë pas ngjitjes së parë të Everestit në 1953.

Tipari që urreni më shumë tek të tjerët?

Pandershmëria.

Çasti më i sikletshëm?

Është aq i sikletshëm sa nuk thuhet.

Sendi më i çmuar që zotëroni?

Një shufër e vogël argjendi, tri centimetra e lartë, daton qershor 1947-të dhe aty është gdhendur harta e paacopëzuar e Indisë. Më dhanë një ditë pasi u linda, kështu që është sendi më i hershëm që kam.

Kujt do t’ia besonit rolin në filmin e jetës tuaj?

Herën e fundit që më bënë këtë pyetje thashë: “Johnny Depp-it, për shkak të ngjashmërisë së madhe fizike”, dhe gazetari i gazetës tabloid mendoi se e kisha seriozisht.

Cila është fjala juaj e parapëlqyer?

“Fund”. Janë dy fjalë. Edhe “Ndjesë”.

Çfarë u detyroheni prindërve?

Pikëpamjen laike e kam falë babait. Nënës sime i detyrohem për gjithçka tjetër.

Cili libër ka ndryshuar jetën tuaj?

Liza në botën e çudirave. Ose, mbase, një libër komik për Supermenin. Ata më ngjitën virusin e leximit, dhe kjo çoi në mënyrë të pashamngshme tek virusi i shkrimit.

Çfarë donit të bëheshit kur të rriteshit?

Shkrimtar, më vjen keq ta them.  E mërzitshme ta dëgjosh, e di, por kjo është e vërteta.

Gjëja më e keqe që ju ka thënë dikush?

Kur isha afro 22 vjeç isha ftuar në një mbrëmje mode në Chelsea. Më prezantuan me një stilist të njohur, i cili menjëherë më ktheu shpinën dhe u largua. Dhjetë minuta më vonë u kthye dhe më tha: “Më vjen keq që u solla aq vrazhdë me ju. E dini, ata më thanë se jeni hebre”. E mbaj mend for mirë emrin e tij, por le të bëjmë sikur e kam harruar.

A keni thënë ndonjëherë “Të dua”, por nuk ishte vërtetë?

Po.

Nëse mund të ktheheshit pas në kohë, ku do të shkonit?

Do të qëndroj këtu, faleminderit. Në të kaluarën kishte mjekim të dobët për dhëmbët.

Kur keni qarë për herë të fundit dhe pse?

Kur pashë në Netflix filmin e Sooni Taraporevala-s Yeh Ballet. Më ktheu në Bombay dhe çuditërish pata një shpërthim të fuqishëm emocionesh përmalluese.

Kë shihni si arritjen tuaj më të madhe?

Nëntëmbëdhjetë libra. Vitin e ardhshëm njëzet…

Kur keni patur problemet më të mëdha me ligjin?

Gjatë viteve 1990, kur kisha nevojë për mbrojtje nga punonjësit e policisë, u bëmë miq të mirë me disa prej tyre.

Çfarë nuk ju lë të flini natën?

Asgjë. Fle si qengj.

Cili është mësimi më i rëndësishëm që ju ka mësuar jeta?

Të jesh plotësisht vetvetja.

Na tregoni një të fshehtë

Ende s’e kam mbaruar së lexuari “Middlemarch” të George Eliot-it.

Marrë nga: “The Guardian” 18 korrik, 2020

Përktheu: Granit Zela

Ëndrra-Musa Tullari

in Letërsi/Tharm by

Ëndrra-Musa Tullari

 

Kur trupi yt të bëhet

Që moti dhè i zi

Kur zhdukesh mbi yj

Në hiç

Këngët e tua edhe atëherë

Do ti’ lexojnë të besuarit e tu

Si të ishe ende i gjallë mes tyre

Në miqësi.

Këtë zë të panjohur dëgjoja

Në ëndërr si më pëshpërit.

Dhe u zgjova.

Në gjithë anët zezonte

Natë, nata mistere.

EMRIN TËND-JAIME SABINES

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

EMRIN TËND-JAIME SABINES

Përpiqem të shkruaj emrin tënd në terr.

Përpiqem të shkruaj të dua.

Në terr përpiqem t’i them të gjitha këto.

Nuk dua që ta marrë vesh askush,

që askush të mos më shohë në tre të mëngjesit 

duke ecur nga një qosh i dhomës në tjetrin,

i marrë, i frymëzuar me ty, i dashuruar.

I ndriçuar, i verbër, i tejmbushur me ty, duke të shpërhapur ngado.

Them emrin tënd me gjithë heshtjen e natës,

e klith zemra ime gojëlidhur.

Përsëris emrin tënd, e them sërish,

e them pa u lodhur, 

dhe jam i sigurt se ka për t’u gdhirë.

Përktheu: Erion Karabolli

1 80 81 82 83 84 161
Go to Top