Flober:-Zonja Bovari jam unë!-Luan Rama

in Letërsi by

 Luan Rama

A mund të vdesë një kulturë e madhe? “Kultura franceze ka vdekur”, kishte shkruar pak kohë më parë një kritik dhe antropolog amerikan, i cili ndoshta ishte nxitur më tepër nga marketingu hollivudian dhe suksesi i kinematografisë amerikane. Dhe ky pohim nxiti një debat në mediat franceze, nëse vërtet kjo kulturë kishte marrë fund apo jo? Më erdhi të qesh me mendimin e antropologut amerikan, por dhe me përpjekjet e gazetarëve francezë për t’u mbrojtur dhe për të thënë të kundërtën. Sigurisht, industria kulturore, veçanërisht ajo kinematografike, televizive dhe e internetit, janë dominuar nga anglo-saksonët, por a mund ta thuash këtë për tërësinë e një kulture, si ajo franceze, e cila gjithnjë ka qënë dhe është frymëzuese për artistë të mbarë botës ? Të thuash se ka marrë fund një kulturë, do të thotë se ajo kulturë nuk ekziston më, në një kohë që letërsia e autorëve të mëdhenj francezë mbetet gjithnjë moderne.

Një nga më modernët e letërsisë franceze dhe botërore, mbetet padyshim Gustav Floberi (Gustave Flobert, 1821-1880), autori i romanit të famshëm Madame Bovary. Moderniteti i tij, ashtu si dhe i një Bodler, Rembo, etj, qëndron në faktin se e reja që ata sollën në kohën e tyre, jo vetëm u ka rezistuar kohërave apo shekujve, por duke qënë universale, ajo mbetet një referencë dhe refleks i gjithçkaje që ndodh në botën e shoqërisë njerëzore, pavarësisht se cilit shtet apo atdhe i përket. Dhe në këtë optikë, Floberi mbetet një nga pararendësit e modernitetit të romanit të ri.

Gustav Flober nuk ka shkruar shumë vepra, siç kanë shkruar Balzak, Hygo, Dyma, etj, të cilët ndërtuan monumentet e tyre të mëdha letrare, apo “katedrale letrare”. E megjithatë vepra e tij përbën një nga ato kulme të letërsisë franceze që përshkëndrit gjithnjë në horizontin e botës letrare të këtij rruzulli.

Por cili ishte ky njeri? Nga vinte? Ç’ishte në fakt vepra e tij?

Duke lexuar veprat, lexuesi përpiqet të imagjinojë dhe autorin, pasi shpesh, në krijimet e tij, është dhe hija e tij, “uni” i tij. Disa nga ngjarjet janë të përjetuara në rrethana e kohëra të tjera, por sidoqoftë, shpirti dhe frymëmarrja e autorit ndihet midis rreshtave, edhe pse personazhet kanë emra fiktivë. Flober ishte një shkrimtar udhërrëfyes. Sartri një nga studiuesit më të mëdhenj të veprës së tij, e dëshmon këtë dhe në veprën e tij Idioti i familjes, kushtuar romanit të fundit të Floberit, Bouvard et Pecuchet. Në fillim, në rininë e tij, ai e kritikonte Floberin, si një shkrimtar të paangazhuar, që nuk shkroi një rresht kundër dhunës ndaj komunarëve të Komunës së Parisit pas shëmbjes së saj. Por dhe ai e kuptoi pastaj se Floberi qëndronte përtej politikës dhe angazhimit politik, se angazhimi i tij i vërtetë ishte zbulimi i universalitetit të shpirtit njerëzor dhe veçanërisht i thellësive të honit shpirtëror të gruas.

Stacioni i fundit

Apartamenti i Floberit në 240, Rue Faubourg Saint-Honoré, është stacioni i tij i fundit parizian, pas apartamentit të tij në Rue Murillo e më pas në Boulevard du Temple. Jo larg Harkut të Triumfit, ky vend, kjo ndërtesë me gurë të gdhëndur e tipit “haussman”-ian, ku zakonisht të dielave, i veshur me robdëshambrin e tij, Floberi priste dhe mblidhte miqtë e tij, ka mbetur dëshmi e jetës së një gjeniu dhe e një epoke letrarësh të mëdhenj, pasi aty mblidheshin shkrimtarët më në zë të kohës. Ishin të “dielat e Floberit”, ashtu siç kishin qenë apo do të ishin “të premtet e Verlenit” apo “të mërkurat e Malarmesë”. Shkrimtari amerikan Henry James ishte ende një korrespondent i New-York Tribune. Gazetar i ri që kishte zbarkuar në Paris, ai pati fatin që me ndihmën e Turgenievit, të ngjiste ato shkallë dhe të fiksonte në kujtesën e shkrimeve të tij imazhet e fundit të jetës së Floberit. Ai shkroi tri esé për shkrimtarin modern francez, i cili kishte hapur shtigje të reja në gjininë e romanit.

Në atë kohë Floberi jetonte një jetë të trazuar. Nga ditët e gëzuara që kalonte në Paris, kur kthehej atje në Croisset të Normandisë, pranë qytetit Rouen, ai bënte në një jetë eremiti. Ditë me radhë nuk dilte nga shtëpia, mbytur nga trishti i madh. I vetmi gëzim ishte kur në shtëpinë e tij vinin Zhorzh Sand, Mopasan, Turgeniev apo Zola. Por tani dhe Sand-i kishte vdekur, Turgeniev-i kishte ikur në Rusi dhe i dërgonte të përkthyer romanin e Tolstoit Lufta dhe paqja. Këtë kryeveprër duhej ta lexonte. Një natë, kur i kishte ardhur miku i tij intim Mopasani, ai vendosi të seleksiononte gjithë korrespondencën e tij. Ato letra që s’donte t’i ruante, i hidhte në zjarrin e oxhakut. “Një çast, Floberi ndaloi, – kujton Mopasani në kujtimet e tij për këtë episod. – Ishte një letër e nënës së tij. Ai më lexoi disa pasazhe dhe unë pashë lotët që binin në faqet e tij. Katër orë kishin kaluar kështu, kur midis letrave ai gjeti një pako me një këpucë të sheshtë balloje prej mëndafshi, brënda së cilës ishte një trëndafil i tharë dhe shamia e verdhë me dantellën e një gruaje. Ai i puthi me rënkim këto relike dhe pasi i hodhi në zjarr fshiu sytë.”

Floberi ishte në fund të përfundimit të romanit më të rëndësishëm në krijimtarinë e tij, siç thoshte ai, Bouvard et Pecuchet, një sagë që zhvillohej në krahinën e Normandisë dhe vende që ai i kishte rrahur për të njohur ngjarje e personazhe të kohës. I kishte mbetur vetëm kapitulli i fundit. Madje dhe ky kapitull ishte ravijëzuar në mënyrë të përgjithshme, por, siç ishte Flober-i në punën dhe stilin e tij, sipas tij duhej një shkrim më i thellë dhe perfekt. Sidoqoftë, ai mendoi që këtë kapitull ta shkruante plotësisht në Paris dhe romanin e përfunduar t’ia dorëzonte botuesit të tij. Ai kishte dërguar ftesat për organizmin e një darke në apartamentin e tij parizian për të nesërmen. Mjaftonte tani t’i hypte trenit dhe të nisej që në mëngjes.

Ishte data 8 Maj e vitit 1880. Një natë më parë një miku i tij i kishte recituar vargje të Kornejit. Atë paradite doktori Frotin sapo ishte larguar dhe ai kishte mbetur vetëm në shtëpi për përgatitjet e fundit bashkë me shërbëtoren e tij, Suzanë. Disa biografë thonë se kur i ndodhi kriza ai ishte vetëm me Suzanën dhe po bënte dashuri, ndërkohë që të tjerë pohojnë se Suzana kishte shoqëruar doktorin dhe kur ishte kthyer, e kishte gjetur Floberin që dergjej në dysheme, me fytyrën e tij të skuqur, mbi “sofa”, qilimin otoman. Ai i kishte bërë shenjë asaj që ta ndihmonte dhe ta vinte në shtrat dhe i kishte pohuar se “më mirë që kjo krizë i kishte ndodhur këtu sesa në trenin që do ta çonte nesër në Paris”. Pastaj kishte filluar të fliste përçart, ndërkohë që Suzana shkoi të lajmërojë një mjek tjetër. Kur mjeku erdhi, ai e gjeti Floberin në momentet e fundit. Madje pulsi i tij mezi ndihej, gjersa më së fundi s’mori më frymë. Pipa që i kishte rënë anash, ishte ende e ngrohtë. Si dukej ishte një hemoragji cerebrale dhe jo një nga ato krizat e zakonshme të epilepsisë të adoleshencës dhe rinisë së tij, siç kishte dyshuar Floberi në çastin e parë.

Të nesërmen i pari që erdhi për varrim ishte Mopasani dhe pas tij erdhën Zola, Gonkur dhe botuesi i tij Sharpentier. Karvani funebër bëri disa kilometra me karrocë deri sa arkivolin me trupin e tij e vendosën në varrezat e qytetit. Atë ditë shtypi parizian do të përshëndeste shkrimtarin e madh, autorin e Madame Bovary, që kishte vdekur në moshën 58 vjeçare. Në Dhjetor të po atij viti, Nouvelle Revue botoi romanin postum të tij, Bouvard et Pecuchet.

“Madame Bovary”

Zonja Bovari mbetet padyshim një nga kryeveprat e letërsisë botërore. Për ta shkruar atë, Floberit iu deshën plot pesë vjet. Katër vjet pas vdekjes së Floberit, Mopasani do të deklaronte se botimi i këtij romani «ishte një revolucion në letërsi». Ashtu si Bodleri dhe Verleni, edhe Floberi tentoi të prekte «tabutë» e shpirtit njerëzor, atë që lihej në errësirë, në hije, blasfeminë, atë për të cilën nuk flitej edhe pse njerëzit e përjetonin në jetën e tyre të përditëshme që nga krijimi njerëzor. Kur e kishte mbaruar këtë roman, Floberi kishte qëndruar disa kohë me pyetjen nëse i interesonte dikujt historia e kësaj borgjezeje të vogël që vret veten nga «adulteri» apo jo? Por më pas, ai i kishte pohuar vetes se adulteri nuk ishte thjesht një tradhëti bashkëshortore e tërhequr nga instinkti seksual, por ishte një britmë e tmerrshme njerëzore, britma e një gruaje të dëshpëruar që kërkonte të dilte nga ndrydhja dhe barrierat e një shoqërie të prapambetur e meskine drejt lirisë, dinjitetit femëror, dashurisë së vërtetë. Por edhe në këtë përpjekje të madhe, sa të guximëshme dhe pasionante, Ema Bovari do të kthehej në një viktimë me iluzione të thyera që do të shkonte drejt vetvrasjes.

E shkruar nën influencën e letërsisë së Balzakut, jo më kot kjo vepër kishte si nëntitull Mœurs de Province, (Zakone të Provincës). «Zonja Bovari jam unë!», deklaronte Floberi, edhe pse në fillim atë nuk e besuan se ishte vërtet ai. Por shumëçka që përjetonte heroina e tij në faqet e atij romani, Floberi i kishte përjetuar apo vazhdonte t’i përjetonte në jetën reale ; dëshirat dhe dashuritë e zhgënjyera, fyerjen e dinjitetit, dhimbjen e ekzistencës në një shoqëri të huaj për të. Endrrat e Bovarisë ishin ëndrrat e të dashurave të tij. Ky roman, ishte padyshim historia e një shkatërrimi të ngadaltë. «Një iluzion që duhet pikturuar», thoshte për të Floberi. Ema kishte pështirë për shoqërinë ku jetonte dhe të njëjtën ndjesi kishte dhe Floberi. Ema donte një ekzistencë më të denjë, më me dritë. Ja pse që atëherë në gjuhësi u fut termi «bovarizëm».

Viti 1857, viti i botimit të këtij romani, ishte vit i dy «gjykimeve» të mëdha në historinë e letërsisë botërore ; në shkurt të atij viti, Floberi çohej në gjyq me akuzën e «cenimit të moralit publik dhe të fesë», ndërsa katër muaj më vonë, në gjyq dërgohej Bodleri për poezitë e tij të vëllimit Lulet e së Keqes. Ishte lufta e titanëve kundër censurës dhe mediokritetit për një letërsi të vërtetë dhe të çliruar nga dogmat dhe ideologjitë. Interesant është fakti se kur Madame Bovary dënohej publikisht, Bodleri i dërgonte një letër përgëzuese kolegut të tij. Dhe Floberi përgjigjej: «Artikulli juaj më dha një kënaqësi të madhe. Ju keni hyrë në fshehtat e veprës, sikur truri im të ishte në kokën tuaj. Ju e keni kuptuar dhe e keni ndjerë këtë vepër shumë thellë.»[1] Por veç Bodlerit, ishin dhe shumë gra të panjohura që do t’i shkruanin shkrimtarit, duke i pohuar se gjithçka që ai kishte shkruar ishte e vërtetë dhe se ato ishin «simotra» të Zonjës Bovari; se në atë roman ishte lufta tragjike e një shpirti. E tillë ishte dhe një grua nga qyteti Angers, e cila i shkruante se romani i tij ishte një «kryevepër e së vërtetës». «Do të doja t’ju them zotëri, se sa shumë i kuptoj trishtimet, mërzitë dhe mjerimet e zonjës Bovari, pasi ato i shoh në zakonet e kësaj province ku jetoj.» Zonjusha Leroyer Chantepie i shkruante gjithashtu se «Edhe unë e kam jetuar jetën e saj, edhe unë kam vuajtur dhe kam vdekur me të. Më ngjan se kam jetuar te ai personazh dhe kam vdekur me të.»

Zonja Bovari nuk është thjesht një heroinë romantike, por një referencë e përjetëshme. Një kritik që i referohej thënies së famshme të Floberit, shkruante se «nëse Floberi thotë se “Bovari jam unë”, ai e thotë këtë sepse Floberi nuk është Rudolfi, por është vetë i dashuri i Emma Bovary-së. Bodleri thoshte se ai «ishte larguar nga gjinia e tij mashkullore dhe ishte transformuar në grua», pra «se faire femme». Përshkrimet e Floberit janë në perfeksion dhe të habitshme në atë se sa shumë e njeh ai botën femërore. Shkrimtari William Faulkner e lexonte këtë roman çdo vit. Madje kur vinte në Francë, ai ndiqte itinerarin e jetës së Floberit si dhe vizitonte vendet ku kishte jetuar zonja Bovari.Vladimit Nabokov e konsideronte këtë roman si «romanin thelbësor të tradicionit modern», ndërsa Mario Vargas Llosa, autori i Orgjisë së përhershme, (L’orgie perpetuelle), teorinë e tij për letërsinë e ngre pikërisht mbi romanin Zonja Bovari. Madje në thelb ai vendos përgjigjen që Floberi i jepte zonjushës Leroyer Chantepie, ku ai i shkruante: «Mënyra e vetme për të përballuar ekzistencën është të përhumbesh në letërsi si në një origji të përjetshme

Që në rininë e tij, Floberi e kishte kuptuar se jetonte në një jetë meskine, të rëndomtë, të paqëllimtë, ku jeta ishte thjesht një ekzistencë biologjike e asgjë tjetër dhe ku fati i njeriut ishte i pasigurt dhe prehë e luftrave sociale dhe e ambicjeve për pasuri e pushtet. Madje që kur nisi të shkruajë kujtimet e tij, edhe pse i ri, ai i filloi kështu Kujtimet e një të çmënduri[2]: “Pse i shkruaj këto radhë? Përse vlejnë? Ku ta dimë!? Eshtë budallallëk të pyesësh njerëzit se përse i shkruajnë kujtimet. Po ju a e dini se përse i keni hapur këto faqe të mjera, shkruar nga dora e një të çmënduri?…Po në këtë libër, Floberi kujton fëmijërinë e tij të trishtë dhe të dhimbshme. “Isha dhjetë vjeç kur ndjeva një dëshirë për të qënë larg shoqërisë, njerëzve. Edhe te fëmijët ishte po ajo padrejtësi e turmës, po ajo tirani, paragjykim, forcë e egoizmi…Që atëherë isha një i çmendur…Pra jetova në një mënyrë të mërzitshme, me andralla nga mësuesit dhe shokët e mi. Megjithatë kisha një ndjenjë pavarësie dhe i përqeshja të tjerët.”

Që në adoleshencë, Floberi vuante nga epilepsia dhe haluçinacionet. Disa herë i kishte ndodhur të binte në kriza, të nxirrte shkumë. «Në rini, – do të kujtonte më vonë ai, – shikoja gjëra të çuditshme. Në një sallë teatri, spektatorët i shikoja si skelete.» Dashuritë e para, dhe veçanërisht Elisa Schlesinger, që do të jetë një nga shëmbëlltyrat e romaneve të tij, ishin nga më pasionantet. Që i ri ai filloi të shkruante edhe pse shoqëria ku jetonte i dukej e huaj, e ftohtë, boshe. «Një ditë ndalova gjatë mbi urën Pont-Neuf. Ishte dimër. Sena poshtë rridhte dhe unë imagjinova për gjithë ata që kishin kaluar mbi të. Sa njerëz kishin kaluar këndej krenarë dhe të dashuruar, e që pastaj ishin kthyer një ditë me frymën që u merrej dhe vdekjen që u afrohej…»

Floberi nuk besonte. Asnjëherë nuk kishte menduar se ekzistonte një Perëndi. «S’ka Zot!» – thoshte ai.

– Pas de Dieu![3] – i kishte thënë ai motrës së tij.

– Pra ti nuk beson ?

– Po, nuk besoj në asgjë !…

Dashuria me Luizë Kole

Luizë Kole, (Luise Colet), ishte një nga dashuritë dhe dëshpërimet më të mëdha të Floberit. Ai e kishte takuar atë për herë të parë në studion e skulptorit Pradier, në Paris. Ajo ishte e bukur dhe sensuale, një poeteshë libertine, që i ngjante një “Safo”-je moderne. Atë kohë ajo ishte akoma e martuar dhe ishte 11 vjet më e madhe se ai, pra 36 vjeçe. Dy javë më vonë ata ishin mbyllur në një hotel të Parisit dhe kishin bërë dashuri si të çmendur. Pastaj, kur ishte kthyer në Normandi, një korrespondencë e gjatë disa vjeçare do të fillonte mes dy të dashuruarve.

Atëherë ai po shkruante romanin Tentimi i Shën Antuanit, (La Tentation de Saint Antoine), por ai ishte dhënë aq shumë pas saj, saqë gjithçka kishte ndryshuar në mënyrën e jetesës së tij. “Jam si një i plagosur, – i shkruante ai Luizës. – Tani as lexoj, as shkruaj dhe as nuk mendoj më për gjë tjetër. Në zemrën time kam një boshllëk të madh”.

Kjo lidhje mes tyre do të vazhdonte gjatë. Madje kur Luizës i vdiq burri dhe ajo do të mbetej e ve, ajo mendoi menjëherë të martohej me atë që donte. Floberi, siç shkruante miku i tij më i afërt, Maksim dy Kamp, (Maxime du Camp), «kishte një bukuri heroike, me një lëkurë të bardhë, pak rozë, me flokë të gjata e të dëndura mbi supe, me një mjekër të plotë…»

Disa herë Luiza kishte tentuar të shkonte në shtëpinë e tij në Normandi dhe të njihej me nënën e tij, por sa herë që ajo tentonte, Floberi do të gjente diçka që ta pengonte për të shkruar atje. Ai e shtynte gjithnjë datën dhe aktin e martesës me të. Në fakt, në Croisset të Normandisë, Floberi jetonte një jetë eremiti dhe vetëm shkruante. Parisi ishte për të një shfrim i dëshirave dhe i gëzimit të jetës, vendi i librave dhe i bibliotekave, ku ai lexonte si një i etur i madh, ndërsa me tu kthyer në Croisset, ai mbyllej në një dëshpërim të thellë. «Ajo që më duket mjaft e bukur dhe që do të doja të shkruaja, ësht një libër pr hiçin, – i shkruante ai Luizës. – Një libër pa lidhje të jashtme, i cili për nga forca e brendshme e stilit, do të qëndronte më vete, ashtu siç qëndron toka me ajrin, pa u mbshtetur diku.» Ai kishte pothuaj një urrejtje për jetën, për jetën e imponuar nga zakonet dhe shoqëria e asaj kohe. Ishte një lloj “Madame Bovary”. Ai thoshte se në historinë e shoqërisë njerëzore ka patur periudha kur njeriu e donte jetën, por tani jo.

Kjo ndjesi e kishte bërë atë të tërhiqej nga shoqëria dhe të jetonte i vetmuar. Ishte një njeri tmerrësisht i dëshpëruar. “Unë ekzistoj vetëm nën dritën e llampës që shkruaj, nën dritën e flakës dhe nuk dëgjoj asnjë zë apo zhurmë njerëzore. Nuk di se ç’bëjnë shërbyesit e mi. Ata më shërbejnë veçse si hije…”

Kur Floberi iku në Orient me mikun e tij të ngushtë letrarin Maxime du Camp, ai e njoftoi Luizën vetëm kur po shkonte në Marsejë, ndoshta sepse nuk donte që ajo ta pengonte. Sigurisht ajo iu zemërua shumë, por Luiza e ruajti dashurinë për të edhe pse poeti Alfred de Musset, ky dashnor poetik, trokiste parreshtur në portën e saj. Në vitin 1853, Luiza shkruante në ditarin e saj: ”Viti që kaloi më ishte më i ëmbli, më i miri i jetës time. Gustavi më deshi shumë dhe nga ai shijova artin e dashurinë që kurrë nuk e kisha ndjerë të tillë”. Një herë tjetër në Paris, kur ishte me të, Gustavin e kishte kapur kriza në një dhomë hoteli. Ishte nga ato krizat e adoleshencës. Ajo u tmerrua sepse nuk e kishte parë kurrë në një gjëndje të tillë. Por ai i kishte pëshpëritur të mos thërriste asnjë njeri, se do ta mbante veten dhe se kriza do t’i kalonte. Ndërkohë ai e shtrëngonte atë nga krahët me të gjitha forcat, duke nxjerrë shkumë nga goja.

Të nesërmen kishin ndenjur gjithë ditën në shtrat, të dashuruar më shumë se kurrë. Por Floberi kishte frikë nga martesa.

Ndarja me Luizë Kolé kishte qënë e dhimbshme dhe tronditëse. Ishte viti 1855. Madje atë kohë, Luiza kishte marrë dhe një çmim letrar të Akademisë Franceze dhe emri i saj si poete ishte bërë mjaft i njohur. Por në zemrën e Floberit dashuria për të ishte fashitur. Ajo i vinte parreshtur në apartamentin e tij, gjersa një ditë ai i tha shërbyesit që mos ta pranonte më. Në takimin e tyre të fundit, Floberi mezi e kishte mbajtur zemërimin e tij, gjersa ajo ishte larguar. Madje nuk e kishte kuptuar qëndrimin e tij. “Isha gati ta vrisja, – shkruante Flober për takimin e kësaj dite në ditarin e tij, – por vetëm përfytyrimi i sallës së gjykimit tim, më ndaloi”.

Pas kësaj ndarje, Floberi nuk pati më dëshirë të lidhej pas një femre, edhe pse aventurat dashurore nuk do të mungonin në vitet e mëpasme. Por tani ai pëlqente aventurat e shkurtra, pa lidhje të forta, veçanërisht me aktoret e teatrit, siç ishin Beatrix Person, Susanne Legier, apo Louise Pradier. Pëlqente gjithashtu dhe intimitetin femëror edhe pse nuk shkonte në shtrat me ato, siç ndodhte me zonjën mondane dhe ish-aktoren Jeanne de Tourbey, apo Apollonie Sabatier. Ai u shkruante poezi, letra dashurie, puthej e fërkohej me ato dhe kishte dëshirë të dëgjonte historitë aventurore dhe eksperiencat e tyre femërore. Edhe kur kthehej në Rouen, mësueset angleze të mbesës së tij, u bënë të dashurat e tij. Ngushëllohej me ato. Me njërën prej tyre, Julie Herbert, marrëdhëniet zgjatën për disa vite. Madje ata merrnin trenin, larg syve të njerëzve dhe veçanërisht të nënës së tij, dhe shkonin në Paris, ku mbylleshin në hotel për disa ditë me radhë. Duket se ajo u kthye si «gruaja e vërtetë» e tij. Floberi i shkruante poezi, madje e ndoqi atë dhe në Londër. Por më së fundi dhe kjo dashuri u fashit, si gjithë dashuritë e tjera.

Tashmë ai ishte i sëmurë. I duhej të përdorte një mërkur të fortë me doza të mëdha për të mundur sëmundjen veneriane që e kishte kapur s’dihet me cilën prostitutë. Pinte parreshtur laksativë, bënte ushunjza dhe për ditë të tëra vuante nga ethe të mëdha, gjersa forcat e linin për një kohë të gjatë.

Në «Palazzo Durazzo»

Në rini të tij, Floberi kishte dëshirën e udhëtimit dhe të zbulimit të botës, dëshirë që më vonë do t’i fashitej. Gjatë udhëtimit të tij të parë nëpër Itali, Floberi ndaloi dhe në Gjenova. Para tij, edhe Aleksandër Dyma e kishte vizituar Gjenovën dhe kishte folur në veçanti dhe për Palazzo Durazzo dhe këtë familje «dozhësh  dhe senatorësh» me origjinë të largët shqiptare. Siç shkruan ai «Ne shëtitëm në rrugën Balbi dhe pastaj vizituam pallatin Durazzo…pallatin e këtyre republikanëve krenarë e gjaknxehtë, me koleksionet e tyre të mrekullueshme, ku gjen tablo e vepra të Mikelanxhelos, Veronezes, Karavaxhios, Ticianit, Durerit, etj».

Që kur kishte hyrë në Gjenova, ai e kishte pikasur një nga pallatet e Durazzo-ve, «plot trëndafilë që harlisen pranë një muri në dy kolona të mëdha», shënonte ai. Floberi shkruan për disa pallate të dozhëve Durazzo, të kësaj familje që kishte nxjerrë 9 dozhë të Republikës, 2 kardinalë dhe nja 30 ambasadorë e konsuj. Kur kishte hyrë në «strada Balbi», pamja e pallatit tjetër Durazzo kishte qënë mahnitëse. Ajo ishte një nga xhevahirët e arkitekturës gjeneveze të epokës dhe pronë e Filippo Durazzo. «Pallati Durazzo në rruga Balbi. Shkallare e madhe tepër e bukur, ku dy luanë të mëdhenj zbresin shkallët. Midis arkadave ka pemë që të kujtojnë pallatet e morëve. Ja tabloja Madalena e Ticianit, Madalena me flokët e hedhura anash mbi supe, nudo, zeshkane, e pulpët, me lotët mbi faqe, e bukur, e krijuar e tillë për t’u dashur akoma, e zbukuruar nga prostituimi i saj, por ku ndihet pendimi». Floberi përshkruante tablotë e mahnitshme që shikonte në këtë pallat, si Herakliti dhe Demokriti, apo disa tablo të Van Dyck, ku në njërën janë disa fëmijë, ndërsa në tjetrën vetëm një fëmijë, i veshur me roba satini.

Durazzo-t ishin një nga familjet më të mëdha në historinë e këtij qyteti, të lidhur shumë me Francën dhe ku çdo udhëtar i njohur, veçanërisht artistë, shkencëtarë e letrarë, do të ndalonin si miq në shtëpitë e tyre. Floberi vizitoi gjithashtu dhe pallatin Durazzo në krah të Freschine-s, «me një shatërvan të madh mermeri, – siç shkruante ai, – me një mjelmë, plot kamelia dhe një kaskadë uji që murmuriste mbi bar.» Ai vizitoi kishën «Annunziata», ku ishin varrosur disa dozhë të Durazzo-ve, por dhe pallatin Balbi, përballë Palazzo Durazzo-Reale, ku midis tablove të mrekullueshme pa dhe një tablo të flamandit të madh Bruegel, Tentacioni i Shën Antonios. Kjo tablo do ta impresiononte aq shumë, sa që nga kjo kohë ai filloi të mendojë e të shkruajë projekte për veprën e tij të ardhme me të njëjtin titull, La tentation de Saint-Antoine.

Udhëve të Egjiptit midis arnautëve

Një nga udhëtimet më mbresëlënëse të Floberit ishte ai drejt Egjiptit dhe Orientit që ai ndërmori bashkë me mikun e tij, shkrimtarin Maxim du Camp. Floberi kishte studiuar për Drejtësi ndërsa Du Camp për Mjeksi. Ai e çmonte shumë mikun e tij. «Floberi lexonte shumë shkruante ai, – dhe kishte një kujtesë të jashtëzakonëshme. I ngjante një fjalori të gjallë

Ata u nisën në fund të Tetorit të vitit 1849, ku në Kajron e Mehmet Aliut qëndruan gjatë tetë muajve. Arnautët e thërrisnin «Abu sherrep», që do të thoshte «babai me mustaqe», pasi Floberi i shëndoshë tregonte i madh në moshë. Në Kajro ata vizituan dhe pallatet e vezirit të lavdishëm. Arnautët ishin ngado, pasi ata ishin pjesa më luftarake e gardës së Mehmet Aliut. Ata ishin në portat e qytetit dhe sheshet kryesore, siç i shohim të pikturuar dhe në shumë nga tablotë e Leon Gerôme, i cili disa herë e vizitoi Kajron në këtë periudhë. Por Floberi dhe Du Camp do të zbrisnin drejt Nilit për të parë Karnakun dhe Luksorin; madje ata ndaluan dhe në Esneh, i njohur atëherë për prostitutat e famshme që ishin mbledhur atje, meqë Mehmet Ali Pasha i kishte dëbuar ato nga qytetet e Kajros dhe të Aleksandrisë, që ta ruante kryeqytetin nga shthurja.

Dy francezët shkruanin çdo ditë në ditaret e tyre përshtypjet e udhëtimit. Du Camp kishte shënuar se «Pamja e një shqiptari bënte të zhdukeshin të gjithë nga Nubia». Në Luksor, Floberi shkruan për arnautët:

«Esneh. E mërkurë 6 Mars. Mbërrijmë në orën 9 të mëngjesit. Qyteti është me shtëpi prej balte, si gjithë qytetet e tjera. Në shesh, një kafene me arnautë… Madje një arnaut përpiqet të ngjitet me gjithë kalin në një shkallare…». Pikërisht në Esneh, në një han, ata kishin qënë të pranishëm në vallet e këtyre prostitutave që i quanin «almé» apo «ghawazie», ku mes tyre ishte dhe Safiah, ish e dashura e Abaz Pashës, djalit të Mehmet Aliut, si dhe e famshmja Kuçuk-Hanëmi, (apo ndryshe princesha e vogël), trupat e të cilave ishin me tatuazh dhe duart e krahët plot byzylykë. Vonë në mbrëmje, kur Kuçuk Hanëmi kërceu “vallen e bletës”, e cila përfundonte nudo, atyre që u binin veglave u mbylleshin sytë. «E thitha me tërbim, – shkruante Flober në ditarin e tij. – Trupi i saj ishte gjithë djersë. Ajo ishte lodhur nga kërcimi që kishte bërë. E mbulova me peliçen time dhe atë e zuri gjumi me duart e kapura pas duarve të mia.” Gjatë natës ata bënë disa herë dashuri. “Veçanërisht hera e tretë ishte e egër, ndërsa ajo e fundit ishte sentimentale. Ne i thamë njëri tjetrit gjëra të ëmbla dhe në fund u shtrënguam në mënyrë të trishtë e dashurore.” [4]

Por aventura me arnautët nuk do të mbaronte këtu. Floberi do të piktakohej përsëri me ata në Jeruzalem, siç shkruan ai në ditarin e tij më 11 Gusht, 1850. “Kohë më kohë ndonjë arnaut i armatosur duket që zbret në rrugët e tatëpjeta dhe bosh”. Më pas ata nisen drejt Jeriko-s, siç shkruan Du Camp: “Në një fortesë të hallakatur u pritëm nga Muhamet Aga. Të nesërmen, të shoqëruar nga tre sheikë dhe katër arnautë, të gjithë të armatosur gjer në dhëmbë, u nisëm drejt lumit Jordan dhe ndaluam në një manastir murgjish ortodoksë të quajtur Mar-Sabah, ku në një bodrum ruheshin kokat e priftërinjve të masakruar nga beduinët”. Të nesërmen, siç shkruan Du Camp, ata u nisën: «Përpara konsulli francez Jozef, pastaj Du Camp, Flober, Muhameti dhe shqiptarët… Dy orë më vonë mbërritëm në brigjet e Detit të Vdekur për t’u drejtuar pastaj në malet e luginës Cedron. Pasi ndoqëm shtratin e një lumi të shteruar dhe me shkëmbenj të thepisur arritëm në këmbët e një fortese. Një kokë murgu u shfaq dhe pyeti nëse kishim ndonjë letër për patriarkun. Pastaj ai lëshoi një kosh dhe ne futëm letrën. Disa çaste më vonë, porta u hap. Ishte manastiri Mar-Sabah. Ishin murgj grekë dhe në një bodrum ruheshin kokat e priftërinjve të masakruar nga beduinët shekuj më parë». Në kthim nga Jeruzalemi, në Mandra të Dafni-it të Greqisë, në Janar të vitit 1851, Floberi ka shtuar: “Para se të mbërrijmë, para nesh shtrihet një ullishte dhe përroi i thatë. Në këtë fshat me shtëpi guri flitet shqip…” Edhe kur kalon në fshatin Kryekuq, ai përshkruan shtëpitë dhe thotë se “ky fshat banohet vetëm nga shqiptarët” dhe se “veshja e fëmijëve është tepër e hijshme”. Kur mbrijnë në Korfuz, në ditarin e tij ai shtonte:”Tutje, retë nderen në tokat shqiptare…”

Floberit i pëlqente shumë Orienti, madje, siç shkruajnë në kujtimet e tyre shkrimtarët Edmond dhe Jules de Goucourt, nganjëherë, atje në Croiset të Normandisë, ai vinte çallmën dhe vishej me rroba orientale, thjesht për t’u argëtuar me ata. Në datën 29 Mars të vitit 1861, ata kanë shkruar: “Floberi është ulur në divanin e tij me këmbët e kryqëzuara alla-tuke. Ai flet për ëndrrat e tij, për projektet dhe romanet që do të shkruajë. Ai na foli për dëshirën e madhe që kishte patur, nga e cila nuk kishte hequr dorë, për të shkruar një libër mbi Orientin e sotëm, Orientin me roben e zezë. Dhe ai tregon me entusiazëm skena kontradiktore që ndodhin në Paris, Konstantinopojë apo mbi Nil, për skena të hipokrizisë evropiane dhe skena të egra që ndodhin atje larg… Flet për koka të prera për një dyshim apo thjesht për një humor të keq…”[5]

Flober dhe Mopasan – Dy erotikët

Mopasani, (Guy de Mopassant), autori i romaneve Një jetë dhe Bel-Ami, të njohura nga lexuesi shqiptar, ishte një nga njerëzit më të afërt të Floberit, edhe pse ai, për nga mosha ishte si të thuash biri i tij. Disa studiues kanë hedhur disa herë tezën se Mopasani ishte një fëmijë ilegjitim i Floberit, duke u nisur nga prejardhja e errët e tij, njohja e nënës së tij me Floberin dhe se në disa letra Floberi i drejtohej me fjalët “biri im”. Afërsia e tyre i ka bërë të dyshojnë, por nga biografët, kjo lidhje është hedhur poshtë. Floberi kishte një simpati shumë të madhe për Mopasanin dhe dhjetëvjeçarin e fundit të jetës së tij ai ishte i pandarë nga ai.

Mopasani e kishte Floberin si një këshilltar, pasi novelat dhe romanet që shkruante, më parë ia jepte Floberit që t’ia lexonte. Dhe Floberi gëzohej për talentin e mikut të tij. Ai guxonte të prekte subjekte që deri atëherë shoqëria i mbante si tabu. Kur lexoi novelën e tij Topolakja [6], Floberi kishte thirrur: «Po, kjo është një kryevepër!» Mopasani i kishte dhënë atij të lexonte dhe Gruaja me mjekër, apo Në gjethen e trëndafilit. Madje kur kjo e fundit u vu në skenë në atelierin e rrugës Fleureus, Floberi u gëzua si fëmijë, pasi në këtë vepër kishte shumë skena sensuale. Ishte hera e fundit që Floberi dilte nga apartamenti i tij në Rue Faubourg de Saint-Honoré.

Kur Mopasanit filluan t‘i shfaqen krizat e çmendurisë, Floberi i rrinte te koka. Madje Mopasani i thoshte atij se dyshonte se, si shumë njerëz në atë kohë, edhe ai ishte i sëmurë nga sifilisi. Por pikërisht atë vit që do të vdiste, Floberi mësoi se miku i tij i afërt Mopasan kërcënohej nga gjyqi për disa vargje që kishte shkruar dhe se gjoja ato cënonin «rendin publik dhe zakonet» e Francës.

Ashtu si dikur Floberi apo Bodleri, edhe ai rrezkohej të dënohej me gjobë dhe burg. I revoltuar, Floberi i shkruante: «Në fillim kujtova se ishte një shaka, por jo…Në vend të gjobës dhe burgut, ti meriton lavdërime miku im. Ndryshe, atëherë do të duhej të nxirreshin jashtë ligjit të gjithë klasikët grekë e romakë, pa asnjë përjashtim, nga Aristofani e deri te Horaci apo Virgjili i ëmbël. Pastaj nga të huajt do të duhej edhe Shekspiri, Gëte, Bajroni, Servantesi. Nga tanët do të duhej dhe Rabeleja, nga ku merr jetë letërsia franceze, pastaj Molieri, i madhi Kornej, ku vepra e tij Théodore, ka si temë prostitucionin; Volteri, Zhan-Zhak dhe përrallat e Pero-së… Zemërata po më merr frymën…»

Dhjetëvjeçari i fundit në jetën e Floberit ishte një trisht i gjallë dhe një lëngim i pafund shpirtëror. Së pari me afrimin e trupave prusiane në periferi të Parisit dhe më pas me historinë e Komunës së Parisit. Floberi e kishte vëzhguar me ankth të madh këtë ngjarje tronditëse, pa marrë anën e asnjërës palë. Në Qershorin e vitit 1871, ai ndjente “erën e kufomave”, siç na shkruan mikja e tij George Sand. Floberi konstatonte me dhimbje se “gjysma e Francës kërkonte të vriste gjysmën tjetër.”

Në këtë kohë Floberi ishte jo vetëm i varfër, por meqë kishte marrë përsipër dëmshpërblimin e falimentimit të punishtes së mbesës së tij, ai ishte i zhytur në borxhe të mëdha, dhe huadhënësit i kërkonin vazhdimisht paratë. Miqtë e tij kërkuan ta ndihmonin, duke ndërhyrë te Ministri i Arsimit të asaj kohe, që të mund t’i lidhte një lloj pensioni, por Floberi e ndjente veten të fyer kur mendonte se të tjerët e mishëronin: «Më mirë të kem një jetë të varfër, më të vemtuar e më të trishtë, sesa të mendoj për paranë. I mohoj dhe heq dorë nga të gjitha kërkesat e bëra, veç të jem në paqe dhe të kem lirinë e shpirtit tim.»

Itinerari i përhershëm i Floberit ishte në atë kohë Paris-Normandi dhe Normandi-Paris. Në Croiset të Normandisë ishte ai dhe letërsia, ndërsa në Paris ishte dhe salloni i tij letrar. Siç u kishte treguar miqve të tij, njëherë, kur shkruante romanin Salambo në Croiset, atij i kishte ndodhur që të mos ngrihej nga puna gjatë 38 orëve. Ai ishte lodhur aq shumë sa në fund s’kishte fuqi as të merrte kanën e ujit që të mund të pinte. Në Croiset, ai ishte i rrethuar nga librat. Duke përshkruar kabinetin e tij, Edmond dhe Jules de Goncourt kanë shkruar: «Ja kabineti i asaj pune të palodhur e të parreshtur ku u krijuan Zonja Bovari dhe Salambo. Dy dritare janë përballë Senës, nga ku duket lumi dhe anijet që shkojnë. Tre dritare të tjera bien mbi kopsht, ku një rrugë e mbjellë me shkozë i ngjitet kodrinës që ngrihet pas shtëpisë. Rafte biblioteke me dru lisi anash dritareve, lidhen me bibliotekën e madhe që mbyll një faqe dhome. Përballë, pamja e kopshtit dhe një oxhak që ka sipër një sahat prej mermeri të verdhë të trashëguar nga i ati, me një bust në bronx të Hipokratit. Anash një akuarel i një anglezeje të sëmurë e të trishtë, që Floberi e kishte njohur në Paris. Dhe sipër disa kutive indiane me korniza, një tablo e Tundimi i Sent-Antuanit. Midis dy dritareve, një bust me mermer të bardhë i motrës së tij të vdekur të punuar nga Pradier…”

Kur vinte në Paris, veç mbrëmjeve në sallonet letrare dhe «të dielën e tij», kur te ai mblidheshin miqtë më të afërt, shkrimtarë e artistë, ditët e tjera ai i kalonte në bibliotekat e mëdha të qytetit, duke lexuar qindra e qindra libra dhe duke marrë shënime, veçanërisht për temat historike që ai shkruante, siç ishte për romanin Salambo e më pas Herodias apo Zhylien Hospitalieri, etj. Vetëm për veprën e tij të fundit Bouvard et Pecuchet, të cilën Jean-Paul Sartre do ta cilësonte ”një vepër kolosale e groteske”, ai lexoi mbi 1500 vëllime. Novela Tundimi i Saint Antoine e kishte bërë atë familjar me historinë e largët, edhe pse kur dorëshkrimin e kësaj novele ua kishte lexuar miqve të tij, siç e kishte zakon, ata i kishin thënë: “Kjo vepër nuk vlen! Hidhe në zjarr dhe mos e përmënd më!…Por ai nuk i kishte dëgjuar.

Që kur kishte parë tablonë e piktorit flamand Bruegel, me të njëjtën temë, ai ishte befasuar nga forca e këtij personazhi dhe kishte vendosur të shkruante një novelë. Dhe nuk kishte gabuar. Novela ishte e përkryer dhe ai e ndjente këtë. Edhe pse nuk besonte, tema biblike po i bëhej gjithnjë e më interesante. Tashmë shkruante një novelë tjetër me një fabul tepër njerëzore por mjaft simbolike, Një zemër e thjeshtë.  Në një letër që i shkruante mbesës së tij ai i pohonte: “Tani që mbarova Felicité, (Një zemër e thjeshtë), më shfaqet Herodias dhe tashmë e shoh qartë, siç shoh Senën që rrjedh, sipërfaqen e Detit të Vdekur që shkëlqen në diell. Herodi dhe gruaja e tij janë në ballkon, ku duken tjegullat e arta të Tempullit.”

Një zemër e thjeshtë është padyshim një nga perlat e tregimeve të shkurtra të tij. Ёshtë historia e një gruaje fshatare që jetën e saj dhe pasionin si grua, ia kushton familjes së patrones së saj dhe një papagalli që ka. Por pas shumë mjerimesh e humbjesh, kur papagalli i vdes, ajo e kthen atë në idol dhe i lutet si t‘i lutej Shpirtit të Shenjtë.

Një ditë, duke studjuar për periudhën romane, në bibliotekën e Arsenalit në Paris, atëherë kur rrëmonte në historitë e vjetra të Judesë dhe të Jean Baptistit (Gjon Pagëzorit), ai kishte takuar një të dashur të vjetër të epokës së rinisë, Gertrud Collier dhe ishte gëzuar si fëmijë. “Ёshtë e vetmja ngjarje e gëzuar që po më ndodh prej kaq kohësh”, kishte shkruar ai në kujtimet e tij.

Pikërisht në këtë kohë fillojnë t‘i vdesin shumë nga miqtë e tij, mes të cilëve Zhorzh Sand. Ai e kishte dashur shumë atë. Disa herë kishte shkuar në shtëpinë e saj në Nohant dhe po kështu shkrimtarja feministe Zhorzh Sand kishte ardhur te ai në Croisset dhe në Paris. Kur Sandi kishte ardhur në apartamentin e tij parizian, vëllezërit Gonkur kishin thënë me shpoti se “Sandi kishte ardhur të përdhunonte Floberin”. Kur Sandi botoi romanin e saj Dashuria e fundit dhe këtë ia dedikoi Floberit në faqe të parë, ai u zu ngushtë dhe i erdhi turp, sepse titulli i romanit dhe emri i tij bënin një lidhje të çuditshme. Dukej sikur kjo dashuri e fundit ishte pikërisht ai, Gustav Flober.

Më 8 Qershor të atij viti, Zhorzh Sand kishte vdekur. Floberi nxitoi të shkojë për varrimin e saj në Nohant. “Zëmra ime është shndëruar në një nekropol të vërtetë, – shkruante ai, duke kujtuar vdekjet e mëparshme të miqve të tij të dashur. – Gjithçka po boshatiset në këtë botë dhe ky boshllëk po më bëhet gjithnjë e më i madh. Toka sikur po shpopullohet”. Në një letër dërguar disa ditë më vonë birit të Sand-it ai i shkruante: “M’u duk sikur nënën time e varrosa për së dyti. Ç’gjeni dhe zemër e madhe që ishte!”

Ata të dy kishin mbajtur një korrespondencë të gjatë, ku shprehnin mendimet e tyre filozofike e letrare. Madje ata e cilësonin njëri tjetrin “trubadur”, pra një lloj rapsodi popullor, si në kohërat e vjetra. Në një letër, Flober i shkruante: “Të puth duart, faqet dhe sytë”. Një moment ai e kishte ndjerë se vërtet e dashuronte, edhe pse ishin në një moshë jo të re. Një tjetër ditë, Floberi i kishte shkruar: ”Tani jam në një vetmi të plotë. Mjegulla e shton akoma më shumë heshtjen. Duket sikur një hije varri e bardhë të pështjell, ndërkohë që unë dëgjoj veç kërcitjen e drurëve që digjen në oxhak dhe pendulin e sahatit. Punoj dhjetë orë në ditë…”

Më 1876, Floberin e njoftuan se i kishte vdekur ish e dashura e tij, poetesha Luizë Kolé. Vdekja e saj e hidhëroi, edhe pse një kohë të gjatë ai e kishte urryer atë. Kujtoi vitet e rinisë, dashuritë e çmendura me të, dehjet, ekstazat. “Kujtimet e saj sikur po ma ngrenë moralin, – do t’i shkruante ai një mikeshe. – Tani miku juaj është bërë më stoik”. Madje tani ai mendonte të shkruante dhe një roman historik për Betejën e Termopileve, një afresk epik të historisë njerëzore.

Jeta e Floberit ishte tashmë vetëm tavolina e shkrimit dhe miqtë e tij. Nganjëherë ai bllokohej në një faqe. “Për një faqe m’u deshën pesë ditë” – i shkruante një mikes së tij. Ja pse Henry James do ta cilsonte këtë autor «novelist’s novelist», «romancier i romancierit», pasi siç shkruante ai, “përmes vuajtjeve të krijimit dhe përkushtimit idealist të perfeksionimit të veprës, ai sakrifikohej për romancierët e tjerë do të vinin.” Kur Hygo u interesua dhe siguroi një pension për të, ai me së fundi gjeti një lloj prehjeje: “Më së fundi në qiellin e horizontit tim shoh një copëz blu”. Megjithatë, ai e ndjente se ishte në vitet e fundit të jetës së tij. “Kisha lindur me dëshirën që të vdisja. Asgjë nuk më dukej më idiote sesa jeta, asgjë nuk më dukej më e turpshme sesa të vazhdoja të jetoja. I rritur pa besuar te Zoti, unë ndjehesha si biri i Volterit. Shikoja njerëzit që jetonin, por ata bënin një jetë ndryshe nga e imja: disa besonin, disa e mohonin fenë, të tjerë dyshonin…»

Më 1879, një vit para vdekjes, pas një sëmundje të gjatë me këmbën, (për çka u detyrua për shumë kohë të përdorte paterica), Floberi shkruante se «nuk e di nëse do të jem gjallë në vitin 1880». Skicën e një novele orientale Shtatë djemtë e dervishit, që simbolizonte shtatë mëkatet e famshme, ai nuk arriti ta shkruante, edhe pse e kishte shkruar kompozicionin e saj. Madje ai mendonte gjithnjë për një roman historik «Betejën e Termopileve», por për këtë i duhej të shkonte në Greqi. Dhe Greqia tashmë i dukej shumë larg. A mundej?… «Jam në buzë të greminës… Te unë po ndodhin gjëra anormale. Ndihem i plakur, i drobitur dhe i trishtë nga gjithçka…Si një plak, po humbas në kujtimet e fëmijërisë. Nuk pres asgjë nga kjo jetë, veçse ca letra me bojë të zezë. Më duket se po kaloj një vetmi të pafund për të shkuar s’dihet ku…» Sidoqoftë ai arriti të botonte Tre tregime, (Les Trois contes), që përbëjnë një shëmbull të letërsisë moderne.

Krijimtaria e Floberit nuk është e madhe, por veprat e tij kryesore Madame Bovary, Educations Sentimentales, La Tentation de Saint Antoine, Trois Contes dhe Bouvard et Pecuchet, mbeten maja të letërsisë franceze dhe pararendëse të modernitetit të shekullit XX. Edhe pse ai i drejtohej një përralle, një legjende, përmes penës së tij, tregimi merte ngjyrë, dramacitet, shpirt dhe emocion, një mendim më të thellë. Mjafton të lexosh tregimin Zhylieni hospitalier, që ta ndjesh procesin krijues të një artisti të madh, i cili gdhend çdo fjalë, çdo frazë. Dhe tregimi rrjedh, duke e tërhequr lexuesin me magjinë e vet. Zhylieni është një gjahtar i ri dhe një ditë ka vrarë aq shumë kafshë sa një dre i thotë se një ditë ai do të vrasë dhe të atin e tij. Për t’i shpëtuar këtij mallkimi, ai u largua larg, drejt aventurash kalorsiake si një «hospitalier» mesjetar dhe një ditë shpëtoi një perandori, ku si shpërblim, perandori i atij vëndi i dha vajzën për grua si dhe një kështjellë. Dhe ja ku një natë atë e kapi demoni i vjetër i gjuetisë. Por e pamundur të vriste një kafshë. Ndërkohë, prindërit e tij që e kërkonin prej vitesh, atë mbrëmje arritën pikërisht në kështjellë dhe kur gruaja mori vesh se ata ishin prindërit e Zhylienit, për t’i nderuar, i vendosi në shtratin e tyre. Mesnata kaloi dhe kur Zhylieni u kthye e pa dikë tjetër në shtratin bashkëshortor, e vrau menjëherë. Mjerisht kishte vrarë atin e tij dhe nga hidhërimi i madh u largua dhe ra në mjerim. Për të prehur shpirtin, vendosi të ndihmonte njerëzit. I ndihmonte ata aq shumë, sa një natë, Jezuja zbriti në formën e një leprozi dhe i kërkoi ta ndihmojë. Në vënd që t’i largohej, Zhylieni e mori në shtrat dhe e ngrohu me trupin e tij. Ja pse Jezuja e mori të nesërmen dhe e ngriti Zhylienin në qiell…

Një histori e thjeshtë, ku pena e mjeshtrit ka ditur të krijojë një tablo që lexuesi e krijon gradualisht në imagjinaren e vet dhe që historia, jeta e thjeshtë njerëzore i mësojnë diçka të madhe: vlerën e vërtetë të njeriut.

_______

[1] Gustave Flaubert, Ed. La Pleiade, Paris.

[2] Mémoires d’un fou, Gustave Flaubert.

[3] S’ka Zot!

[4] Gustave Flaubert, Herbert Lottman, Ed. Fayard, Paris, 1989.

[5] Nga Ditari i Edmondes dhe Jules de Goncourt.

[6] Boule de suif, Gustave Flaubert, Bookking International, Paris.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top