Reagimi i George Orwell-it pas dhënies së një çmimi poetit fashist Ezra Pound

in Letërsi by

Në vitin 1949, Ezra Pound mori Çmimin “Bollingen” për poezinë, ndërkohë që mbahej në një spital psikiatrik në SHBA pasi ishte deklaruar i çmendur në një gjyq për tradhëti ndaj Amerikës për veprimtarinë e tij propaganduese në mbështetje të Musolinit. Këtu më poshtë po japim fragmente nga reagimi i George Orwell-it ndaj dhënies së këtij çmimi.

Dhënia e një çmimi është një akt publik që zakonisht shoqërohet me shumë vështirësi. Kur çmimi është letrar, vështirësitë nuk lidhen vetëm me gjykimin letrar, por çështja komplikohet më tej, sepse gjyqtarët, për shkak të natyrës publike të çmimit, veprojnë njëkohësisht si qytetarë dhe si kritikë letrarë.

Fondacioni “Bollingen” ka njoftuar së fundmi se Çmimi Bollingen për Poezinë, i pari i një serie vjetore, i është dhënë Ezra Paund-it, për Kantot Pizane, si libri më i mirë me poezi i publikuar gjatë vitit 1948. Gjyqtarët ishin Anëtarë të Letrave Amerikane të Librarisë së Kongresit, mes të cilëve, T.S. Eliot, W.H.Auden, Allen Tate, Robert Penn Warren, Katherine Anne Porter dhe Robert Lowell. Në deklaratën publike që shoqëroi dhënien e çmimit, gjyqtarët na thonë ne se ata janë të vetëdijshëm se zgjedhja e Pound-it do të provokonte kundërshti dhe deklarata e tyre e shkurtër nënkupton se ata ia kanë dhënë vëmëndjen e duhur këtyre kundërshtive dhe kanë dalë në një lloj konfirmimi të një parimi të përgjithshëm:

“Nëse lejojmë që konsiderata të tjera përveç arritjes poetike të zhbëjnë vendimin, kjo shkatërron rëndësinë e çmimit dhe hedh poshtë parimin se percetimi objektiv i vlerës është baza mbi të cilën duhet të mbështetet çdo shoqëri e civilizuar.”

Ndjenjat pas kësaj deklarate duket se janë të admirueshme. Interesi ynë i vetëm është që të këmbëngulim në aplikimin e këtij parimi…

Shumë shkrimtarëve, njëri prej të cilëve ishte George Orwell, iu kërkua të diskutojnë problemet e lidhura me këtë çmim. Kjo është përgjigjja e Orwell-it:

“Unë mendoj se Fondacioni “Bollingen” ka shumë të drejtë që t’i japë çmimin Pound-it, nëse ata besojnë se poemat e tij janë më të mirat e vitit, por unë mendoj se dikush duhet të mbajë parasysh edhe karrierën e Pound-it dhe të mos ndjejë që idetë e tij janë bërë të respektueshme vetëm prej faktit të fitimit të një çmimi letrar. Për shkak të neverisë së përgjithshme ndaj propagandës së luftës të Aleatëve, ka pasur – madje edhe para se lufta të përfundonte – një tendencë për të pretenduar se Pound “nuk ishte me të vërtetë” një fashist dhe një antisemit, dhe ai kundërshtoi luftën për arsye pacifiste dhe se në çdo rast aktivitetet e tij politike i përkisnin vetëm viteve të luftës. Disa kohë më parë e pashë këtë të deklaruar në një revistë amerikane se Pound fliste në Radion e Romës vetëm kur “balanca e mendjes së tij ishte e trazuar,” dhe më vonë (mendoj në të njëjtën revistë) sugjerohej se qeveria italiane e kishte shantazhuar atë për të propaganduar në radio përmes kërcënimit të të afërmve të tij. E gjitha kjo është falsitet. Pound ishte një ndjekës besnik i Musolinit që nga vitet 1920 dhe nuk e fshehu kurrë këtë. Ai ishte kontribuues në revistën e Mosley British Union Quaterly[1] dhe pranoi postin e profesorit nga qeveria e Romës para se të fillonte lufta. Unë duhet të them se entuziazmi i tij ishte në thelb për formën italiane të Fashizmit. Ai nuk duket të ketë qenë shumë pro-nazist, ose anti-Rus, motivi kryesor i tij ishte urrejtja për Britaninë, për Amerikën dhe për “çifutët”. Transmetimet e tij në radio ishin të neveritshme. Unë mbaj mend së paku një të tillë në të cilën ai miratoi masakrimin e hebrenjve të Europës Lindore dhe “paralajmëroi” hebrenjtë e Amerikës se po u vinte radha. Këto transmetime – unë nuk i kam dëgjuar, por i kam lexuar në raportet e monitorimit të BBC-së – nuk jepnin përshtypjen se ato ishin punë të një të çmenduri. Mua më kanë thënë gjithashtu se gjatë leximit të tyre, Pound përdorte një aksent të theksuar amerikan, të cilin ai zakonisht nuk e kishte, pa dyshim për të joshur rrymën izolacioniste dhe për të ngacmuar ndjenjat anti-britanike.

Asnjë prej këtyre nuk është arsye për të mos i dhënë atij çmimin “Bollingen”. Ka raste kur gjëra të tilla mund të jenë të padëshirueshme – kjo mund të ishte e padëshirueshme kur hebrenjtë ishin duke u vrarë në dhoma gazi, për shembull – por nuk mendoj se ky rast është i vlefshëm tani. Por për shkak se gjyqtarët kanë marrë një pozicion të llojit “art për hatër të artit”, që do të thotë që, integriteti estetik dhe sjellja prej njeriu të mirë janë dy gjëra shumë të ndryshme, atëhere së paku ne të tjerët duhet të lejohemi gjithashtu t’i mbajmë këto gjëra të ndara dhe të mos justifikojmë karrierën politike të Pound-it me argumentin se ai ishte shkrimtar i mirë. Ai mundet të jetë shkrimtar i mirë (unë duhet të pranoj se personalisht e kam konsideruar atë gjithmonë shkrimtar fals), por opinionet që ai është përpjekur tëpërhapë përmes punës së tij janë djallëzore dhe unë mendoj se gjyqtarët duhet ta kishin thënë këtë më me forcë kur i dhanë çmimin.

[1] Revista e partisë fashiste britanike

Marrë nga Shtëpia e Librit.com 

Reagimi i George Orwell ndaj dhënies së një çmimi për poetin fashist Ezra Pound

1 Comment

  1. Njerezit e ndershem dhe te vertete nuk frikesohen nga urrejtesim me te madh te njerezimit . Fakti qe aleatet e fituan luften dhe rrjedhojat e fitores se tyre te ben qe te besosh qe jo vetem Pound kishte te drejte por edhe per heroizmin e tij qe nuk e fshehu kurre ate qe besonte . Orwell ishte thjesht nje deshtak para Pound dhe nuk ka gje tjeter qe mund ta vertetoje ke gje me mire se sa duke krahasuar veprat e te dyve . 1984 e Orwelli i thote te gjitha per fundin e botes se lire dhe ky natyra shkaterrohen si zot per tia lene vendin teknologjise duke i kthyer njerezit ne robote . Pound do ngelet gjithmone ne shpirtrat e lire te njerezim po ashtu si greket e vjeter , romaket dhe gjermmanet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Gruas-Shpëtim Selmani

Gruas-Shpëtim Selmani Kam parë perëndeshat e Hamburgut të mbytura në pikëllim,grave greke
Go to Top