Vdekja e dyshimtë e poetit Pablo Neruda

in Letërsi/Në kohërat e kolerës by

Iku” në spital, 12 ditë pas grushtit të shtetit të Pinoche-it në rrethana të çuditshme. U zhvarros që të hetoheshin shkaqet.

Më 23 Shtator të vitit 1973, në moshën 69 vjeç, Pablo Neruda la frymën e tij të fundit në klinikën Santa Maria në Santiago, Kili. Raporti zyrtar i vdekjes së tij i referohet kancerit të prostatës. Por shumë flasin për një atentat nga agjentët e regjimit diktatorial të Pinochet-it. Vdiq një ditë përpara se të shpëtonte nga Pinochet-i.

Më 11 Shtator të vitit 1973, gjenerali Augusto Pinochet rrëzoi qeverinë e socialistit Salvador Allende dhe mori pushtetin përmes një grushti shteti ushtarak. Pablo Neruda, militant dhe luftëtar i lirisë, vendos të largohet nga Kili me gruan e tij përpara se të ndiqej penalisht, ai dhe miqtë e tij, dhe të përballej me dënimin me vdekje.

Një ditë përpara nisjes së planifikuar, u transportua me ambulancë në një klinikë, ku më parë i ishte dhënë ndihma e parë për kancerin e prostatës, me të cilin ballafaqohej. Gjashtë orë e tridhjetë minuta pas shtrimit të tij, vdes.

Zhvarrosja e trupit dhe hetime të vazhdueshme

Një hetim zyrtar për vdekjen e poetit Pablo Neruda filloi në vitin 2011. Në atë kohë shumë kilianë kishin shprehur dyshime për vdekjen e tij. Në të vërtetë, mendonin se ishte shkaktuar nga injektim helmi në trupin e tij. Qeveria kiliane deklaroi se është “qartësisht dhe jashtëzakonisht e mundur që një faktor i tretë” të jetë përgjegjës për vdekjen e poetit dhe shkrimtarit.

Manuel Araya, shofer i Nerudës për shumë vite, argumentoi se poeti fitues i çmimit Nobel nuk vdiq nga shkaqe natyrale, por se ushtria e helmoi atë. Gjykatësi, i cili ishte përgjegjës për hetimin, kërkoi zhvarrosjen e trupit të poetit Pablo Neruda në 2013. Ekzaminimet e kryera në trup nuk treguan asnjë shenjë që shkrimtari ishte helmuar. Rezultatet nuk plotësuan pritjet e familjes së Nerudës, të cilët kërkuan prova të mëtejshme.

Më 25 Mars të vitit 2015, një dokument zyrtar qeveritar, i botuar në gazetën El Pais shkruante ndër të tjera se “Nerudës iu bë injeksion i qetësues që mund të ketë shkaktuar sulm në zemër”. Një numër parregullsish u identifikuan gjatë qëndrimit të Nerudës në klinikë. Injeksioni nuk ishte intravenoz, siç ishte zakonisht, por në bark. Po ashtu, asnjëherë nuk u bë e njohur saktësisht se çfarë përmbante injeksioni kundër dhimbjes dhe kush e bëri.

Në të njëjtin vit, gjykatësi Karosa kërkoi që trupi i Nerudës të rivarrosej. Sidoqoftë, hetimet  vazhduan, pasi baktere të pazakonta u zbuluan në kockat e poetit.

“Jeta ime ishte vetë poezia ime dhe poezia ime ka qenë shtylla kurrizore e të gjitha luftërave të mia“.

Neftalí Reyes Basoalto u lind më 1904 në qytetin Paral të Kilit. Humbi nënën e tij në moshë të re dhe gjeti ngushëllim në librat letrarë.

Në moshën 13 vjeç, tërheqja e tij për letërsinë dhe poezinë u bë e dukshme kur botoi për herë të parë poezitë e tij në gazetën e përditshme La Mañana.

Në moshën 16 vjeç u njoh me pseudonimin letrar Pablo Neruda. E përdori si gjest nderi për poetin çek Jan Neruda. I njohur edhe për bindjet e tij komuniste, shëtiti botën si diplomat. Ishte një nga shumë studiuesit që regjistruan mizoritë e Luftës Civile Spanjolle, përfshirë ekzekutimin e mikut të tij të mirë, Federico Garcia Lorca.

Në vitin 1945 u bashkua me Partinë Komuniste të Kilit. Shkrimtari kolumbian Gabriel Garcia Marquez, duke iu referuar Nerudës, tha se ishte poeti më i mirë i shekullit të 20-të. Dy vite përpara vdekjes së tij, Pablo Nerudës iu dha çmimi Nobel për Letërsi, gjë që shkaktoi një stuhi reagimesh për zgjedhjen e Akademisë Suedeze. Sidoqoftë, përpara talentit të poetit, asnjë ngjyrim partie nuk mund të përshtatej. Një luftëtar, por edhe një poet thellësisht romantik, Neruda u nderua shumë herë. Në vitin 1950 iu dha çmimi Ndërkombëtar i Paqes. Deri në vitin 1990, puna e tij ishte ndaluar nga regjimi diktatorial i Pinochet-it.

Diktatori i ekstremit të djathtë ndaloi të bëhej publik funerali i poetit luftëtar. Por populli i shtypur kilian refuzoi kërkesën e Pinochet-it dhe funerali i Pablo Nerudës u shndërrua në një nga protestat e para kundër regjimit totalitar të Kilit.

Përktheu: Shpendi Shakaj

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top