Çkrijimi i botës-Granit Zela

in Letërsi/Tharm by

Granit Zela

E para ditë

U nisëm nga Bregu Ynë më shtatëmbëdhjetë Nëntor. Qe ora nëntë e darkës. Në Arkë bëheshin njëzetë e nëntë njerëz, nga të cilët tetë femra dhe një fëmijë gjashtë vjeç. Pas rreth dy orësh rrugë, deti ngriti dallgë. Dikur, një dallgë e fortë na goditi dhe u ça krahu i djathtë i Arkës. Ajo filloi të mbushej me ujë dhe gjysma e njerëzve ra në det. Me njërin nga motorët që nuk na u fik, filluam të manovrojmë për të mbledhur njerëzit. Ramë dakord që të hidhnim në det gjithçka, me qëllim që të lehtësohej pesha e Arkës. Flakëm bidonat me benzol, çantat, si dhe një pjesë të rrobave të trupit që do t’i vishnim kur të mbërrinim në Bregun e Huaj. Pas pak minutash kur ende nuk kishim mbledhur njerëzit që na kishte marrë deti, u fik dhe motori i dytë dhe na humbën shpresat për të mbledhur ndonjë tjetër. Tetë të vdekurit e parë nuk i pashë kur dhanë shpirt. As fytyrat nuk ua mbaj mend, as emrat, as zërin. Arka po mbushej me ujë i cili po vinte deri në brez. Duhej të prisnim me ankth mëngjesin, ndërkohë që pas mesnate dallgët na nxorën në një zonë më të qetë.

E dyta ditë

U munduam të ndiznim motorët, por helika e të vetmit motor që mund të ndizej, kishte marrë një fustan gruaje dhe ishte bllokuar. Në drekë hoqëm dorë nga ndezja. Bateritë kishin rënë, kurse ndezja me litar nuk bëri punë. Mbetëm vetëm në horizontin e paanë të mbushur me frikë. Së largu shquanim anije të mëdha që kalonin. U binin edhe borive por askurrnjëra prej tyre nuk ndryshoi drejtim apo të ndalonte të na jepte ndihmë. Vdekja e parë që pashë me sytë e mi ndodhi rreth orës pesëmbëdhjetë të ditës së dytë. Quhej Ardit P. Ishte vëllai i një mikut tim. U dorëzua  syzbardhur siç ishte në ujë duke thirrur përçart emrin e vet. “O Ardit, nuk më njeh, jam vëllai i mikut tënd” Më hutoi fakti se ai më drejtohej mua me emrin e tij  por, për më tepër, edhe emrin e vet se si e shqiptonte si “Ardht’ dritë..”. Natën e asaj të marte nisi një shi i imët që nuk pushoi për asnjë çast. Unë kisha frikë se mos më humbte kufoma e tij të cilën e kisha lidhur me litar. Dallgët dhe rrymat na shtynin drejt Bregut të Huaj. Së largu shihnim dritat e qytetit. Dëgjonim zhurma avionësh mbi kryet tanë.

Dita e tretë

Nuk qe dita e tretë e krijimit të botës, por e çkrijimit të saj. Të parën ditë Antizoti zhbëri tetë nga jetët e banorëve të Arkës sonë pasi çau krahun e djathtë të saj. Ditën e dytë mori jetën e Ardit P-së kufoma e të cilit tani përplasej nëpër dallgë, e lidhur me litarë. Rreth orës tre të mëngjesit na u afrua një peshkarexhë e huaj. Kishim një elektrik në gjendje pune. Ndezëm disa lecka duke i lyer me benzolin e serbatorëve të motorëve. Peshkarexha na vuri re. U afrua në largësinë pesëdhjetë metra. Të gjithë thirrëm “ndihmë!” Nga anija na ndriçuan për disa çaste me prozhektorë dhe u kthyen mbrapsht, pa na thënë asgjë. Ikën. Ne vazhduam të endeshim të pashpresë në horizontin e mbushur me tmerr. Shiu vazhdoi të binte pa ndërprerë ndërkohë që njerëzit në arkë filloi t’i rrëzonte moralisht uria dhe etja. Të gjitha ushqimet ishin hedhur në det në çastin kur u ça Arka, ndërkohë që ujë deti nuk mund të pinim pasi ai në raste të tilla të çmend. Mblodha pak ujë shiu për të lagur buzët. Në mes të ditës Antizoti mori jetën e një djali tetëmbëdhjetë – nëntëmbëdhjetë vjeç. Dha shpirt para syve të mi. Pas vdekjes së dytë, më hyri frika, por me kohë kjo u kishte ndodhur të gjithëve. Filluam të bëheshim llafazanë duke mbajtur njëri – tjetrin me muhabet, duke thënë se do të vinin të na shpëtonin nga çasti në çast, do të vinin patjetër. Pas dreke kaluan disa tragetë pas nesh, por nuk na pikasën.

Natën vdiq Joni, një i njohuri im. I hodhi rrobat në ujë sepse kishte filluar të çmendej. Në çastet e fundit të jetës m’u drejtua: – Shko te parku i makinave, gjej makinën me targë tremijë e shtatëqind e tridhjetë e tre dhe merr disa rroba. Më pas nisi të na akuzojë se nuk e ndihmonim e se nuk i jepnim rroba. I dhashë një bluzë . Dikush tjetër i dha një pelerinë por ai i hodhi në det edhe ato. Ishte fare lakuriq. Në një çast i tha një gruaje me vajzën gjashtë vjeçe se donte të martohej me të. U hodh në det duke na sharë. Unë e pashë shumë mirë tek fundosej. Pas tij dha shpirt edhe një pesëdhjetëvjeçar që nuk e njihja. Sikur të zgjohej papritmas na akuzoi se po pinim ujë fshehtas tij dhe nuk po i jepnim. – Kush po pi ujë dhe s’më jep? Kush po pi cigare dhe s’më jep? – pyeste. Dha shpirt pak më vonë duke thënë në kllapi: – Erdhi im bir, më solli cigare, ujë e bukë… xhiroi gomat e Volvo-s dhe iku. Si duket i biri e kishte zakon ta ngiste makinën në këtë mënyrë.

E katërta ditë

Ditën e tretë Antizoti pasi zhbëri një djalë tetë-nëntëmbëdhjetë vjeç, natën i mori shpirtin Jonit. Mandej, i pakënaqur me çkrijimin e tij, zhduku dhe një të moshuar pesëdhjetëvjeçar. Çkrijimi vazhdonte ndërkohë që ishim të gjithë të zalisur. Nuk po respektonim atë që thoshte logjika. Nuk duhej të flinim, pasi po të na zinte gjumi nuk do të zgjoheshim kurrë më. Mundoheshim të ndihmonim njëri – tjetrin që të mos mbyllnim sytë. Ndërkohë, me sytë hapur shihja ëndrra të çuditshme. M’u duk sikur shkova në shtëpi. U lava në dush dhe u shtriva i qetë në shtrat pasi halli im kishte mbaruar. Në shtëpi fatmirësisht takova Nata L-në. Ishim fejuar para dy vjetësh, por ende nuk kishim kryer marrëdhënie seksuale. Atë ditë më rrëfeu se përse nuk kishte lejuar për dy vjet rresht që të mos e prekja trupin e saj. Tha se i dilnin shumë qime rreth kokrrës së gjirit, të cilat më vonë u shumuan aq shumë sa ajo kishte turp të zhvishej para meje. Kishte ndjerë vazhdimisht dhimbje në gjoks dhe e kishte kapluar frika e të paturit kancer në gji. Pas bërjes së analizave hormonale mjeku i kishte sugjeruar të operohej. Tha se tanimë kishte marrë fund problemi i saj. Ne mund të bënim dashuri. I tregova se ndieja një dëshirë të pafundme për ta patur timen, por disa lot dhe zëri i një vajze më përmendi.

Për do kohë nuk munda të ftillohesha e të kuptoja se ku ndodhesha. Dy djem kishin vdekur sepse pinë ujë deti. Kjo i kishte çmendur. Pasdite shiu pushoi dhe vajza gjashtë vjeç me të ëmën u shuan njëra pas tjetrës. Vajza kishte ngrënë ca biskota, i vetmi ushqim i mbetur në Arkë prandaj mbijetoi deri të ejnjten. Ato vdiqën pa zhurmë, nga i ftohti, uria dhe etja. Për të mos patur kontakt me ujin, e kishim futur në një thes plastik. Na lutej: – O xhaxhi, na ço në shtëpi të lutem. Dy vajza të tjera rrinin pa lëvizur pranë njëra – tjetrës në cep të Arkës pa thënë asnjë fjalë. Njëra sosh i ngjante Nata L-së, pikërisht ajo që kishte parë të fejuarin të përpihej nga dallgët kur Arka ishte çarë. E shoqëroi me ulërima largimin e përgjithmonshëm të tij. Humbjen mes dallgës. Qau për gjashtë ditë rresht. Unë nuk e besoja se  nuk pushoi për asnjë çast shiu i lotëve të saj.

E pesta ditë

Ilirian Xh një miku im nga Tirana kishte disa orë që ankohej se po e linte zemra. Kërkonte vazhdimisht cigare. Siç duket e ndjente vdekjen pasi përsëriste pa pushim – Po vdes, po vdes – e teksa jepte shpirt, tha: – Amanet kalamajtë.  Kishte tre fëmijë në qytetin S, dy djem dhe një vajzë. Vajta përsëri në shtëpi. Nata L-në e gjeta të zhveshur në divan. Gjoksin e kishte shumë të bukur dhe bëmë dashuri. Nuk zgjati shumë pasi më përmendën britmat e asaj vajzës që  tashmë po më vajtonte mua sepse kujtonte se kisha vdekur.

E gjashta ditë

E hëna i tha të martës t’i thotë të mërkurës ku e di e ejntja se e premtja i tha të shtunës që e diela është pushim? Doja t’i thosha këtë lojë fjalësh vogëlushes së gjorë, por shpirti i saj tani pushonte në parajsë. Me aq fuqi sa na kishte mbetur, vazhduam t’i jepnim me radhë tombolares së Arkës derisa pompa u thye. Rreth orës dymbëdhjetë pranë nesh kaluan peshkaqenë. Ndodheshim rreth njëzet milje larg Bregut të Huaj në një zonë ku gjendeshin dy platforma nafte mbi det. Dikur, dallgët na afruan pranë njërës platformë. Hoqëm rrobat. Filluam t’i valëvisnim si flamuj. Një anije na vuri re. Filloi të afrohej. Dalluam një flamur të Bashkimit Evropian që valëvitej në erë. Nuk ishim të sigurt nëse do të na merrnin. Nëse jo, ne të gjithë do të vdisnim njëherësh. Gremion Q. dhe unë kapëm litarët që na hodhën nga anija. Ngadalë Arka iu afrua asaj. Të parët hipën dy vajzat. Pas tyrë nëntë të tjerët. Në kuvertë, me të na dhënë bidona me ujë filluam të grindeshim se kush do të pinte i pari. Disa prej nesh nuk mbaheshin në këmbë. Na futën në një mensë të ngrohtë ku hëngrëm bukë. Sollën disa rroba. Bëmë dush e veshëm kominoshe marinarësh. Në mensë njëra nga vajzat tha se ajo ishte Nata L dhe se kishim bërë dashuri bashkë në Arkë ndërkohë që unë përmendja emrin e saj. Nga porti na shpunë në spital ku policëve u deklarova se unë isha Noe, drejtuesi i Arkës, e se pranoja të dënohesha sipas ligjeve. Nuk më çuan në burg, por në një spital psikiatrik. Nata L më vizitonte herë pas here por gjithmonë vetëm sa rrinte përballë meje, sikurse në Arkë, dhe nuk fliste. Herën e fundit që u takuam qau një copë herë e tha se kishte rënë në dashuri me mua dhe donte të martohej këtu në Itali. Çkrijimi i botës ishte ndalur.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top