Author

Admin - page 65

Admin has 1607 articles published.

Pse shkruaj?/Flurans Ilia

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga shkrimtari Flurans Ilia.

Pse shkruaj?-Flurans Ilia

Është një pyetje relativisht e vështirë për krijuesin. Nga më të vështirat. Njësoj si të pyesësh, përse shikojmë ëndrra? Nga burojnë ato? Ku shkojnë ëndrrat? Si janë sendërtuar në formën kur na shfaqen nëpërmjet anijes së gjumit apo imagjinatës syçelët? Çfarë rreken të na thonë? Si duhen interpretuar ato? Përse pikërisht unë, si unë edhe qindra të tjerë nëpërmjet një rrjedhe të çlirët, bëhemi mbartës të këtij kumti, duke qenë edhe vetë të hipur mbi to? Frojdi mendonte se e kishte gjetur çelësin, me të cilin mund të çelet një vepër arti, duke e larguar nga sfera e emocioneve personale të krijuesit. Mendoj se është veç një gjetje, interpretim psikoanalitik i ashpër, por jo përgjigjia e duhur. Kur krijuesi gjendet përballë pasqyrës “Përse shkruan?”,  nuk mund të japë një “sepse analitike”, të ndarë nga tiparet e emocioneve të veta në raport me krijimin, sepse ai është mbartësi, jo krijuesi i aktit të krijimit në vetvete. Është një vullnet i lirë dhe krejt i pavarur ku ai është i përfshirë. Diçka ka humbur për krijuesin qysh në fillesat e udhës së tij, diçka e panjohur për të cilën ai përpiqet me vullnet, gjithë krijimtarinë e vet, që t’i japë trajtë, por që ngelet po aq e paparashikueshme sa vetë ardhmëria e fatit me të cilin krijuesi bashkëjeton. Ndaj ai krijon realitete të tjera, botë paralele. “Sekreti i zanafillës krijuese, shkruan Carl Jung, sikurse edhe sekreti i lirisë së vullnetit, përfaqëson në vetvete një problem që nuk mund të njihet e që psikologjia është në gjendje ta përshkruajë, por jo ta zgjidhë. E njëjta gjë duhet thënë edhe për njeriun krijues – kjo është një enigmë, të cilën, sigurisht, mund të përpiqesh ta zbulosh me disa mënyra të ndryshme, por kurdoherë pa sukses.” Më pëlqen vektori «është në gjendje të përshkruaj» që përdor Jung në interpretimin e tij. Sigurisht, ne jemi në gjendje të përshkruajmë tiparet tona kreative te pyetja: Përse shkruajmë? Meqënëse e hapëm me ëndrrat, po vijoj me një ëndërr, e cila më ka munduar shumë gjatë këtij viti. Kam mundur ta përshkruaj korrektësisht ashtu si m’u shfaq atë natë maji të vitit 2020, por jam i paaftë ditën me diell të analizoj përsenë jashtë kontekstit universal të gjumit. Të jem i sinqertë, nuk jam përpjekur t’i jap një kuptim. Po e sjell ashtu si është. Shoh në ëndërr sikur jam i ulur mbi parmakët e Urës së Goricës, në Berat. Nën këmbët e zbathura rrjedh Osumi. Mbaj në dorë një vazo, brenda së cilës më bëhet sikur gjendet hiri i trupit tim të djegur. Dyshoj një çast nëse është hiri i tim eti apo hiri i eshtrave të njerëzve të tjerë përzier në të. E fus dorën në vazo dhe me grusht filloj ta hedh hirin në lumë. Kureshtar pyes veten: Si ka mundësi, të jesh i gjallë edhe i vdekur njëherazi? Grimcat e hirit kur preknin sipërfaqen e ujit atje poshtë këmbëve të urës, shndërrohen në ca germa të lehta që lundrojnë në sipërfaqe mu si shkumëdeti (bukëpeshku) që e merr rrjedha. Hidhem me një ndjesi naive, i alarmuar në kulm, për t’i mbledhur ato germa dhe për të krijuar, më e pakta ndonjë fjalë a fjali me to. Nga kontakti me ujin më del gjumi. Ëndrra ndërpritet. I vetëdijshëm këto çaste se po shkruaj diçka rreth pyetjes përse shkruajmë, jam duke pirë kafenë e mëngjesit, ritualin e përditshëm të zgjimit. Në fund të filxhanit dalloj dy rrugë, një në vajtje dhe një në ardhje. Pothuajse pjesa më e madhe e fluturimeve të botës janë ndërprerë këtë çast, si për të përligjur fluturimet tona të brishta nëpër ëndrra. Për mendimin tim, ky është njëri nga interpretimet e aktit përse shkruajmë. Njeriu brenda nesh krijon për të përligjur vetvetet dhe të tjerët, ekzistencën në kapërcyell të së pamundurës, të kushtëzimeve, në kundërvënie me çdo lloj padrejtësie, qoftë edhe me fatin e tij si qenie jo e përsosur. Mendoj se është një dëshmi e bukur e konceptit për të qenë krejtësisht i lirë nga të gjitha, e mbi gjithçka, nga tjetri brenda nesh.

Montréal, Mars 2021

Dhuna, shterpësia dhe një citim (3 vjersha të Brecht-it)-Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Dhuna, shterpësia dhe një citim (3 vjersha të Brecht-it)-Bertolt Brecht

 

Mbi dhunën

Lumi i rrëmbyer quhet i dhunshëm

Por shtrati nën të që ia përcakton rrymën nuk

Quhet i dhunshëm prej askujt.

 

Stuhia që përkul drunjtë e mështeknave

Mbahet si e dhunshme

Por çka sa i përket stuhisë

Që përkul shpinat e punëtorëve që shtrojnë rrugë?

 

Mbi shterpësinë

 

Druri që nuk jep pemë

Quhet shterpë. Kush

Ia analizon dheun?

 

Dega që thyhet

Quhet e prishur por

A s’pati borë mbi të?

 

Citim

 

Poeti Kin tha:

Si vallë do të mund të shkruaj vepra të pavdekshme nëse nuk jam i famshëm?

Si vallë do të përgjigjem, nëse nuk më pyesin?

Pse duhet të harxhoj kohë mbi vargje nëse ato do të fshihen e do të harrohen me kohën?

I shkruaj këshillat e mia në një gjuhë të qëndrueshme

Sepse kam frikë se do të kalojë ca kohë gjersa të zbatohen.

Për të mbërritur një qëllim të madh, nevojiten ndryshime të mëdha.

Ndryshimet e vogla janë armiq të ndryshimeve të mëdha.

Unë kam armiq. Pra duhet të jem i famshëm.

 

Përktheu: Arbër Zaimi

Pse shkruaj?/Enkelejd Lamaj

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga shkrimtari Enkelejd Lamaj

Pse shkruaj?-Enkeled Lamaj

Gjithnjë kam menduar (dhe mendoj) se, kur pyet një shkrimtar “Përse shkruan?” ai ka tendencën që të trillojë, po njësoj siç bën dhe në shkrimet e veta. Por, po njësoj siç ndodh edhe nëpër shkrime, e vërteta ndodhet gjithnjë aty, brenda trillimit. Me këtë, nuk po them se do të trilloj kur t’i përgjigjem pyetjes (mirë, dakord, ndoshta vetëm pak), por se do të mundohem t’i përgjigjem thjesht fare, pa shumë lajlelule dhe, mbi të gjitha, duke u munduar të harroj përgjigjet e mijëra shkrimtarëve të tjerë, që kam lexuar ndër vite.
Pra: “Përse shkruaj”? Për kënaqësinë time, ja përse shkruaj! Sepse – dhe kjo besoj se aplikohet në çdo fushë tjetër – kur bën diçka për kënaqësinë tënde, e bën përgjithmonë. (Oh, dreq, më duket se citova S.King).
Atëherë: Shkruaj sepse kam një nevojë të lindur për të shkruar dhe… sepse unë mund të marr pjesë në jetën reale vetëm duke e ndryshuar atë. . . (Jo, dale pak, ky duhet të jetë O. Pamuk).
Edhe një herë – e treta e vërteta: shkruaj për të konfirmuar realitete, që e di se ekzistojnë, por nuk janë jetuar ende. (Tani po!)
Por kjo është përgjigjia më e shkurtër. Tani, po deshe, shkojmë edhe pak më tej (bash te kufiri i trillimit – premtoj të mundohem që t’mos e kapërcej). Në fakt, duhet të shkojmë edhe pak më tej e, në mos ti, të paktën unë po.
Po, sepse, kur bën shkrimtarin, je i vetëdijshëm se do të vijnë ditë, kur nuk do të ndihesh aspak si një shkrimtar; se do të ketë net, kur idetë që do të t’enden rrugicave të mendjes për ndonjë gotë, do të t’duken të dehura, ende pa iu afruar banakut; dhe se do të ketë orë, kur fjalët s’do të duan – po s’do të duan fare – të t’radhiten njëra pas tjetrës, e do të t’ngatërrohen me fjalë e histori të tjera, në ndonjë njëtrajtësi paralele (mos pyesni – kjo është një nga këto ditët!) që një Zot e di se ku do të t’nxjerrë. Dhe e di që, një ditë, viruse dyshimi do të shpërndahen nga të gjitha anët: familjarë, miq, të njohur e të panjohur, qofshin këta lexues apo shkrimtarë – gjithkush që ke takuar apo që do të takosh në secilën prej jetëve të tua, e ka (dhe do ta ketë gjithnjë) potencialin e duhur për të ngjitur virusin dhe për të infektuar identitetin tënd si shkrimtar.
Dhe kur kjo të ndodhë – kur një nga këto ditë a momente të vijë – përgjigjjia e pyetjes “Përse shkruan?”, është e vetmja vaksinë që mund të të shpëtojë.
Nuk është për të tjerët, nuk ka qenë e kurrë s’ka për të qenë për të tjerët. Por vetëm për veten. Mund ta rrotulloj nga e si të duash, mund të shtoj argumente e të rendis shkaqe e arsye pafund – as të gjitha netët e dimrit s’do të mjaftojnë për t’i thënë të gjitha – përfundimi do të jetë i njëjtë. Sepse “Përse shkruan?” jeton së bashku me “Për kë shkruan?” (sigurisht, mos prit të them se jetojnë të lumtur gjer në vdekje, por mund të them se po, jetojnë dhe se po, ka edhe lumturi).
E pra, shkruaj in primis për veten time dhe kjo ma bën akoma edhe më të thjeshtë ndjekjen e parimit (tjetër) për të mos e humbur kohën duke u përpjekur për t’i kënaqur të gjithë. Kjo, mendoj, është thelbësore. Vazhdimisht më pyesin se pse shkruaj në zhanrin që shkruaj, pse jo diçka më serioze. Madje një miku im i vjetër ma tha troç, njëherë se, për sa kohë do shkruaja vetëm “kështu”, keq të më vijë, por s’do të më lexojë dot asnjë libër. Dhe unë thjesht ngrita supet e qesha, pasi, s’më vinte keq fare. E s’më vjen. E s’ka për të më ardhur ndonjëherë (tekefundit e di që tentoi ta lexonte njërin prej librave të mi dhe, ndonëse nuk e përfundoi dot, të paktën e gdhiu prej frikës, atë natë… Nuk është keq, si hakmarrje, apo jo?).
Sepse shkruaj për të rrëfyer histori – n’do i quajmë jetë, n’do i quajmë ndjenja, në çdo rast, të shkruash është çlirim. Sidomos kur historia brenda teje qëndron e fshehur në thellësitë më sekrete të zemrës, si një thesar i paçmuar, por që – e di – s’mund të rezistojë dot, aty, pafundësisht, pa u zbuluar. Pa u rrëfyer. Sado shtrenjtë të kushtojë. Sado pak të marrësh mbrapsht. Tekembramja, mbetet çlirimi i një realiteti të ri.
Kurse qëllimi është rrëmbimi dhe hedhja në të.
Prandaj dhe shkruaj për të konfirmuar realitete, që e di se ekzistojnë, por nuk janë jetuar ende.
Që unë nuk i kam jetuar ende.
Por as ti.

ASGJË MË-Aleksia Athanasiu

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

ASGJË MË-Aleksia Athanasiu

 

Poeti i madh
ndërroi jetë një pasdite prilli
(në katër e njëzet)
ndër njerëz për shumë syresh ishte festë.
Menjëherë qindra vetë (që asnjëherë
nuk e kishin lexuar)
publikuan poezitë e tij
të tjerë pohuan se ishin miqtë e tij
iu gëzuan vlerësimit të tij
disa (më fatlumët dhe të përzgjedhurit)
letrat e tij drejtuar tyre shfaqën
fotografitë e mburracakëve
që kishin dalë me të.

Poeti i madh
ndërroi jetë (në katër e njëzet)
tashmë asgjë nga këto gjëra
nuk e neverit atë.

 

Përktheu: Dashamir Malo

QESHJA-Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

QESHJA-Wislawa Szymborska

 

Vajzuken që isha –
e njoh, natyrisht.
Kam ruajtur ca fotografi
nga jeta e saj e shkurtër.
Më ka mbetur një përdëllim i gëzuar
për nja dy vjershëza.
Më kujtohen ca ngjarje.

Por,
që ky këtu pranë meje
të qeshë e të më përqafojë
përmend vetëm një ndodhizë:
dashurinë fëmijënore
të shëmtaraqes së vogël.

Tregoj
si kish rënë në dashuri me një student,
domethënë donte
që ai ta vështronte.

Tregoj
si rendte për ta takuar
me kokën shëndetplotë lidhur me fashë
që së paku, ah, ai ta pyeste
ç’i kish ngjarë.

Karagjozja e vogël.
Si mund ta dinte
se edhe nga dëshpërimi u nxirrkan përfitimet
në qoftë se ke fatin
të jetosh më gjatë.

Do t’i blija një gurabije.
Do t’i blija biletën e kinemasë.
Ik tani, s’kam kohë.

Por e sheh
që drita është fikur.
Por e kupton
që dera është mbyllur.
Mjaft e tunde dorezën –
ai që qeshi,
ai që më përqafoi,
nuk është studenti yt.

Do bëje më mirë të ktheheshe
andej nga ke ardhur.
S’të kam asnjë borxh,
unë, gruaja e zakonshme,
që, kur më leverdis,
di veçse të tradhtoj
sekretin e një tjetre.

Mos na vështro ashtu
me ata sy aq të hapur,
si sytë e të vdekurve.

 

Përktheu: Alket Çani

Pse shkruaj?/Gazmend Krasniqi

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga shkrimtari Gazmend  Krasniqi.

Ajo vijon si më poshtë…

 PSE SHKRUAJ?-Gazmend Krasniqi

(E dashur Arlinda, mendoj se kjo pyetje kërkon një libër, ky libër kërkon një jetë, prandaj po provoj të hedh vetëm ndonjë ide të vockël.)

Unë e mendoj këtë pyetje në konotacionin: Pse krijoj?, meqë më ka pëlqyer që herët të shkruaj poezi, E dini, poezi do të thotë poesis – bëj. Me poezinë ka qenë një lidhje e tillë, saqë nuk lexoja dot prozë, pra edhe nuk shkruaja dot. (Kujtoni Borges-in që thoshte se kishte dështuar në leximin e romaneve). Librat e shumtë, të lexuar në moshën 13-14 vjeçare, nuk më bënin më punë. Nga Dostojevskij kam mundur të lexoj vetëm atë pjesën për Inkuizitorin e Madh, te Vëllezërit Karamazov. Atë që quhet poemë. Ngaqë më kujtonin librat e realizmit socialist, librat me tezë më acaronin. Rrjedhimisht, nuk do të shkruaja të tillë.
Kur lexova një nga librat e Konradit, mendova: Ky e respekton lexuesin (pra, mua). Pata të njëjtën ndjesi me disa pjesë nga Faulkner-i. Këto të fundit ma hoqën dyshimin: jo vetëm mund të lexoja, po edhe të ngazëllehesha prej prozës. Sikur të mund të shkruaja edhe unë ashtu!
Sot e di se këto lexime i përkisnin fillesave të modernizmit (Konrad) ose Modernizmit të Lartë (Faulkner). Kisha kapërcyer realizmin dhe isha hedhur te modernizmi, i cili tërheq vëmendjen me formën, para se të zgjojë mendimin. Kjo është estetikë, në fakt. (Siç thotë Gombrixh, historiani i artit: nëse marrim në dorë një lugë druri dhe, para se të hamë me të, admirojmë pamjen e saj, kemi të bëjmë me art). Edhe marrëdhënia me poezinë ka pasur ulje-ngritjet e veta. Si përfundim, në vend që të rritej, numri i tyre ulej. Kështu me tregimet. Edhe me romanet. Edhe me dramat. Ja ku dolëm te shkruaj/ krijoj. Më e drejta më duket ajo që thoshte Becket-i: Bëj diçka.
Kur nisa të shkruaja romanin për poetin Frederik Rreshpja (i cili te Trilogjia e Shkodrës quhet Tiranë – Vjenë – Tiranë), mendoja se dija për atë njeri më shumë se kushdo tjetër, çka do të më jepte dorë mjaft. Pra, “e dija se për çfarë po shkruaja”. Megjithëse e shkrova atë libër disa herë, prapë ndjehesha i mangët. U binda se nuk e kapja dot të vërtetën e individit, i cili nuk kishte lidhje me thelbin që na qe paraqitur me shekujt, të cilat sot i quajmë narrativat e mëdha. Gjithçka qe shqendërzuar. Gjithçka thjesht derdhej në një fiksion ku edhe vetë isha personazh. Pra, në epokën postmoderne, çështjet: shkruaj për t’u bërë i njohur, për kombin etj., janë më se kalimtare.
Të kthehemi te poezia – nëse pranon desakralizimin postmodernist të saj, a mund ta bësh, në kuptimin e saj të parë, pyetjen; Pse shkruaj?

(Ndoshta mund të shpresojmë se do të kemi një takim tjetër.)

Ndërhyrje publicitare-Flurans Ilia

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Ndërhyrje publicitare-Flurans Ilia

 

Atdheu

nuk është «gjiri i kurvave»

– është Gjiri i Vlorës

Nëndetëse

tkurrur

nga

trysnia

dhe

kripa

SA MË LËNDON-JAIME SABINES

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

SA MË LËNDON-JAIME SABINES

 

Meksikë, 1926 – 1999

 

Butësisht, padurueshëm, ti më lëndon.
Merrma kokën. Këputma qafën.
Asgjë s’më mbetet pas kësaj dashurie.

Midis gërmadhave të shpirtit tim kërkomë,
aty dëgjomë.
Diku aty ka mbetur zëri im dhe thërret,
kërkon mrekullinë tënde, heshtjen tënde që ndrit.

Duke kaptuar mure, mjedise, mosha,
fytyra jote (sa qartë duket fytyra jote!)
prej vdekjes vjen, prej dikurshëm,
nga dita e parë që botën të zgjojë.

Ç’fytyrë e qartë, ç’dritë e butë,
dritë e përhumbur,
ç’përvijim i ëmbël mbi gjethe uji!

I dua ata sy, i dua, i dua sytë e tu.
Si fëmija i atyre syve jam,
jam si një pikë loti i syve të tu.
Ngremë. Te këmbët e tua kam rënë,
ngremë nga toka, nga hija ku ti shkel,
nga cepi i dhomës tënde që kurrë,
as në ëndërr nuk e sheh.
Ngremë. Në duart e tua kam rënë
dhe dua të jetoj, të jetoj, të jetoj.

 

Përktheu: Erion Karabolli

Memorja e pemeve-Edvin Thomollari

in Letërsi/Tharm by

Memorja e pemëve-Edvin Thomollari

 

Pemët e kanë ruajtur në rrathë
ndërrimin e poleve magnetike.
Dyzet e tre mije vjet më parë
kanë ruajtur zjarret, tërmetet,
klimën e egër.
Kryengritjen e Spartakut dhe të Batos,
çarjen e madhe të Krishtërimit
dhe telefonatën e parë transatlantike.
E kanë ruajtur edhe ecejaken time në qytet
duke të kërkuar ty.
Kur ta çajnë trungun e një peme të vjetër,
kanë me më gjet mua sesi eci ndër rrathë,
duke të prit ty, në diellin që bie brenda librarive ditën e diel.
E ditë ‘tjera me luftu mërzitninë,
duke mësu gegnishten pas orarit te punës.
A thu ndër rrathë të trungjeve ruhen k’si gjanash?

Pse shkruaj?-Merita Paparisto

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhes erdhi nga autorja Merita Paparisto.

Ajo vijon si më poshtë…

Pse shkruaj-Merita Paparisto

Pse shkruaj? Para se të ulesha për të shkruar këte esé të shkurter, më kishte shkuar shumë herë nëpër mendje kjo pyetje dhe mund t’i isha përgjigjur vetes shkurt, jo gjithmonë njësoj, pa u thelluar, pa e shtjelluar më tej.
Dhe po, nëse kjo pyetje do iu bëhej autorëve të ndryshëm, vështirë se do gjendeshin dy përgjigje njësoj. Përgjigjia do varej nga shumë faktorë personalë dhe shoqërorë. Me këtë kam parsysh vendin dhe kohën ku ata do të ishin duke zhvilluar veprimtarinë e tyre, prejardhjen, kushtet familjare dhe shumë të tjera si këto. Arsyeja pse shkruajmë është personale dhe e veçantë për çdo shkrimtar.
Personalisht, pyetjen e mësipërme unë do ta ndaja në dy nënpyetje:

1- Pse shkruajmë poezi?

2- Pse shkruajmë prozë?

Në krijimtarinë time, proza dhe poezia qëndrojnë të ndara, nisur nga mënyra se si i krijoj, ashtu dhe nga sa shumë mund e kohë më duhet t’i kushtoj çdonjërës nga ato.
Unë shkruaj poezi (kam tre libra të botuar me poezi) sepse ajo ngjizet dhe troket brenda meje, duke mos më lënë të qetë deri në çastin që e hedh nga vetja në një file në kompjuter. Nëse nuk e bej këtë, vargjet do të shkrihen brenda meje ashtu si gjethet e vjeshtës gjatë dimrit. Por është shumë më e thjeshtë që t’i hedhësh vargjet në letër sesa t’i lesh të treten gradualisht brenda vetes. Fakti që i botoj, ka të bëjë me idenë që, ndoshta ka aty jashtë njerëz që ndiejnë si mua, njerëz, tek të cilët vargjet e mia do mund të ngjallin të njëjtat emocione estetike që unë kam pasur kur i krijova .
Proza ka një tjetër histori të shkruari. (Kam botuar një vëllim me tregime dhe kam në dorë, duke shkruar, një roman). Proza kërkon më shumë punë dhe mendim. Nuk mund të jetë asnjëherë si një “frymëmarrje” ashtu siç është poezia, edhe pse ka proza që lexuesi i lexon si një frymëmarrje. Për rrjedhojë, arsyet e të shkruarit prozë janë pak më të ndryshmë sesa të të shkruarit poezi. Po ashtu si poezia, shkrimi i prozës vjen nga një shtytje e brendshme, por është e mirëmenduar dhe e planifikuar. Nëse poezinë mund ta shkruash diku dhe kurrë të mos ta botosh apo ta nxjerrësh për publikun, prozën zakonisht e shkruan për të arritur tek lexuesi. Për rrjedhojë, proza jo vetëm që plotëson një nevojë të brendshme të autorit për të nxjerrë jashtë tij një pjesë të vorbullës së brendshme, por autori përpiqet gjithashtu të lidhet nëpërmjet saj me njerëzit e tjerë, t’u kumtojë atyre diçka që ai/ajo e mendon të rëndësishme, t’u kumtojë një pjesë të brendshme, të padukshme me sy, të qenies njerëzore.

Në kohën kur fillova të lexoja, më ndodhte gjithmonë të jetoja nëpërmjet personazheve. Të ecja, të flisja, të sillesha dhe për më tepër të ndihesha si ata. T’i dhurosh lexuesit personazhe të tillë, nëpërmjet të cilëve ata të jetojnë një pjesë sado të vogël të jetës së tyre, është një tjetër arsye për të shkruar.
Por gjithashtu, për ta thelluar dhe përgjithësuar përgjigjen, do të doja të nisesha nga një pyetje tjeter e ndërvarur nga kjo: “Pse lexojmë?” Besoj që disa nga përgjigjet e pyetjes në fjalë mund të ishin: “Lexojmë sepse na sjell kënaqësi estetike, lexojmë sepse gjejmë veten tek personazhet, lexojmë sepse leximi na dërgon në botë të tjera, lexojmë sepse në personazhet shohim njerëz të tjerë, të parë për së brendshmi … dhe shumë arsye të tjera.
Atëherë, për të plotësuar këtë kërkesë të lexuesve – do të ishte njëra nga shumë përgjigjet e pyetjes në krye të këtij shkrimi, për të krijuar një lidhje mes qënieve njerëzore, për të krijuar botë të tjera, të vogla apo të mëdha, reale apo imagjinare, dhe për t’i lëshuar këto botë në hapësirën e gjithësisë.

1 63 64 65 66 67 161
Go to Top