Pse shkruaj?/Gazmend Krasniqi

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga shkrimtari Gazmend  Krasniqi.

Ajo vijon si më poshtë…

 PSE SHKRUAJ?-Gazmend Krasniqi

(E dashur Arlinda, mendoj se kjo pyetje kërkon një libër, ky libër kërkon një jetë, prandaj po provoj të hedh vetëm ndonjë ide të vockël.)

Unë e mendoj këtë pyetje në konotacionin: Pse krijoj?, meqë më ka pëlqyer që herët të shkruaj poezi, E dini, poezi do të thotë poesis – bëj. Me poezinë ka qenë një lidhje e tillë, saqë nuk lexoja dot prozë, pra edhe nuk shkruaja dot. (Kujtoni Borges-in që thoshte se kishte dështuar në leximin e romaneve). Librat e shumtë, të lexuar në moshën 13-14 vjeçare, nuk më bënin më punë. Nga Dostojevskij kam mundur të lexoj vetëm atë pjesën për Inkuizitorin e Madh, te Vëllezërit Karamazov. Atë që quhet poemë. Ngaqë më kujtonin librat e realizmit socialist, librat me tezë më acaronin. Rrjedhimisht, nuk do të shkruaja të tillë.
Kur lexova një nga librat e Konradit, mendova: Ky e respekton lexuesin (pra, mua). Pata të njëjtën ndjesi me disa pjesë nga Faulkner-i. Këto të fundit ma hoqën dyshimin: jo vetëm mund të lexoja, po edhe të ngazëllehesha prej prozës. Sikur të mund të shkruaja edhe unë ashtu!
Sot e di se këto lexime i përkisnin fillesave të modernizmit (Konrad) ose Modernizmit të Lartë (Faulkner). Kisha kapërcyer realizmin dhe isha hedhur te modernizmi, i cili tërheq vëmendjen me formën, para se të zgjojë mendimin. Kjo është estetikë, në fakt. (Siç thotë Gombrixh, historiani i artit: nëse marrim në dorë një lugë druri dhe, para se të hamë me të, admirojmë pamjen e saj, kemi të bëjmë me art). Edhe marrëdhënia me poezinë ka pasur ulje-ngritjet e veta. Si përfundim, në vend që të rritej, numri i tyre ulej. Kështu me tregimet. Edhe me romanet. Edhe me dramat. Ja ku dolëm te shkruaj/ krijoj. Më e drejta më duket ajo që thoshte Becket-i: Bëj diçka.
Kur nisa të shkruaja romanin për poetin Frederik Rreshpja (i cili te Trilogjia e Shkodrës quhet Tiranë – Vjenë – Tiranë), mendoja se dija për atë njeri më shumë se kushdo tjetër, çka do të më jepte dorë mjaft. Pra, “e dija se për çfarë po shkruaja”. Megjithëse e shkrova atë libër disa herë, prapë ndjehesha i mangët. U binda se nuk e kapja dot të vërtetën e individit, i cili nuk kishte lidhje me thelbin që na qe paraqitur me shekujt, të cilat sot i quajmë narrativat e mëdha. Gjithçka qe shqendërzuar. Gjithçka thjesht derdhej në një fiksion ku edhe vetë isha personazh. Pra, në epokën postmoderne, çështjet: shkruaj për t’u bërë i njohur, për kombin etj., janë më se kalimtare.
Të kthehemi te poezia – nëse pranon desakralizimin postmodernist të saj, a mund ta bësh, në kuptimin e saj të parë, pyetjen; Pse shkruaj?

(Ndoshta mund të shpresojmë se do të kemi një takim tjetër.)

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top