Pse shkruaj?/Enkelejd Lamaj

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga shkrimtari Enkelejd Lamaj

Pse shkruaj?-Enkeled Lamaj

Gjithnjë kam menduar (dhe mendoj) se, kur pyet një shkrimtar “Përse shkruan?” ai ka tendencën që të trillojë, po njësoj siç bën dhe në shkrimet e veta. Por, po njësoj siç ndodh edhe nëpër shkrime, e vërteta ndodhet gjithnjë aty, brenda trillimit. Me këtë, nuk po them se do të trilloj kur t’i përgjigjem pyetjes (mirë, dakord, ndoshta vetëm pak), por se do të mundohem t’i përgjigjem thjesht fare, pa shumë lajlelule dhe, mbi të gjitha, duke u munduar të harroj përgjigjet e mijëra shkrimtarëve të tjerë, që kam lexuar ndër vite.
Pra: “Përse shkruaj”? Për kënaqësinë time, ja përse shkruaj! Sepse – dhe kjo besoj se aplikohet në çdo fushë tjetër – kur bën diçka për kënaqësinë tënde, e bën përgjithmonë. (Oh, dreq, më duket se citova S.King).
Atëherë: Shkruaj sepse kam një nevojë të lindur për të shkruar dhe… sepse unë mund të marr pjesë në jetën reale vetëm duke e ndryshuar atë. . . (Jo, dale pak, ky duhet të jetë O. Pamuk).
Edhe një herë – e treta e vërteta: shkruaj për të konfirmuar realitete, që e di se ekzistojnë, por nuk janë jetuar ende. (Tani po!)
Por kjo është përgjigjia më e shkurtër. Tani, po deshe, shkojmë edhe pak më tej (bash te kufiri i trillimit – premtoj të mundohem që t’mos e kapërcej). Në fakt, duhet të shkojmë edhe pak më tej e, në mos ti, të paktën unë po.
Po, sepse, kur bën shkrimtarin, je i vetëdijshëm se do të vijnë ditë, kur nuk do të ndihesh aspak si një shkrimtar; se do të ketë net, kur idetë që do të t’enden rrugicave të mendjes për ndonjë gotë, do të t’duken të dehura, ende pa iu afruar banakut; dhe se do të ketë orë, kur fjalët s’do të duan – po s’do të duan fare – të t’radhiten njëra pas tjetrës, e do të t’ngatërrohen me fjalë e histori të tjera, në ndonjë njëtrajtësi paralele (mos pyesni – kjo është një nga këto ditët!) që një Zot e di se ku do të t’nxjerrë. Dhe e di që, një ditë, viruse dyshimi do të shpërndahen nga të gjitha anët: familjarë, miq, të njohur e të panjohur, qofshin këta lexues apo shkrimtarë – gjithkush që ke takuar apo që do të takosh në secilën prej jetëve të tua, e ka (dhe do ta ketë gjithnjë) potencialin e duhur për të ngjitur virusin dhe për të infektuar identitetin tënd si shkrimtar.
Dhe kur kjo të ndodhë – kur një nga këto ditë a momente të vijë – përgjigjjia e pyetjes “Përse shkruan?”, është e vetmja vaksinë që mund të të shpëtojë.
Nuk është për të tjerët, nuk ka qenë e kurrë s’ka për të qenë për të tjerët. Por vetëm për veten. Mund ta rrotulloj nga e si të duash, mund të shtoj argumente e të rendis shkaqe e arsye pafund – as të gjitha netët e dimrit s’do të mjaftojnë për t’i thënë të gjitha – përfundimi do të jetë i njëjtë. Sepse “Përse shkruan?” jeton së bashku me “Për kë shkruan?” (sigurisht, mos prit të them se jetojnë të lumtur gjer në vdekje, por mund të them se po, jetojnë dhe se po, ka edhe lumturi).
E pra, shkruaj in primis për veten time dhe kjo ma bën akoma edhe më të thjeshtë ndjekjen e parimit (tjetër) për të mos e humbur kohën duke u përpjekur për t’i kënaqur të gjithë. Kjo, mendoj, është thelbësore. Vazhdimisht më pyesin se pse shkruaj në zhanrin që shkruaj, pse jo diçka më serioze. Madje një miku im i vjetër ma tha troç, njëherë se, për sa kohë do shkruaja vetëm “kështu”, keq të më vijë, por s’do të më lexojë dot asnjë libër. Dhe unë thjesht ngrita supet e qesha, pasi, s’më vinte keq fare. E s’më vjen. E s’ka për të më ardhur ndonjëherë (tekefundit e di që tentoi ta lexonte njërin prej librave të mi dhe, ndonëse nuk e përfundoi dot, të paktën e gdhiu prej frikës, atë natë… Nuk është keq, si hakmarrje, apo jo?).
Sepse shkruaj për të rrëfyer histori – n’do i quajmë jetë, n’do i quajmë ndjenja, në çdo rast, të shkruash është çlirim. Sidomos kur historia brenda teje qëndron e fshehur në thellësitë më sekrete të zemrës, si një thesar i paçmuar, por që – e di – s’mund të rezistojë dot, aty, pafundësisht, pa u zbuluar. Pa u rrëfyer. Sado shtrenjtë të kushtojë. Sado pak të marrësh mbrapsht. Tekembramja, mbetet çlirimi i një realiteti të ri.
Kurse qëllimi është rrëmbimi dhe hedhja në të.
Prandaj dhe shkruaj për të konfirmuar realitete, që e di se ekzistojnë, por nuk janë jetuar ende.
Që unë nuk i kam jetuar ende.
Por as ti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.