Author

Admin - page 50

Admin has 1899 articles published.

Poezi nga Kostana Morava

in Letërsi/Tharm by

Poezi nga Kostana Morava

 

Kur zgjohesh.
Kur humbet rrugën,
Tabelat tregojnë lart,
Shkëputesh. Më lart.

[Ti thua] se,
Si thonjtë të ngjitur në mish,
“është këtu
– kthehu, zbrit, mos ik.”
Të provon, të teston.
Ikën. Nuk e arrin.

Ti ngulm heshte bëhesh.
Ngulesh. Nuk e lëshon.

Takohen.

Shohin ndryshe dhe të njëjtat.
Si skllavëria dhe liria.
Si thonjtë,
[Ti thua] se është këtu.
Se ti më di, më do.

Shfaqja fillon kur perdja ngrihet
Në rrugë(n)-tim(e).

Platoni dhe origjina e elitizmit politik

in Esé/Filozofi by

 Apostolos Apostolou

Elitizmi është një teori e bazuar mbi parimin e minoritetit, sipas të cilës pushteti i përket një minorance. Fenomeni propozohet si diçka që është e pashmangshme në historinë e politikës. Elitizmi gjithmonë bazohet në dikotominë masë-elitë. I pari që na flet për elitizmin është Platoni. Na duket e çuditshme por në fakt nuk është, sipas Platonit, drejtuesi duhet të jetë si një bari ose si një endës. Platoni do të pohojë “siç kopeja e ndjen nevojën e një bariu, po ashtu edhe populli ka nevojën e një drejtuesi që të kujdeset për të”. Platoni krahason artin e drejtuesit me atë të bariut. Analogjikisht ashtu siç duhet të njohë dhe të kombinojë endësi linjën e ngjyrave, po ashtu, në po të njëjtën mënyrë, edhe drejtuesi duhet të administrojë shoqërinë, sepse në strukturën shoqërore ekzistojnë konflikte, interesa kontradiktore, ambicie, prirje, dobësi, dhe drejtuesi duhet të dijë të aplikojë barazinë në shoqëri duke frenuar ambiciet e tepërta për të evituar prepotencën dhe shkeljen e të drejtave.
Është interresant kur gjejmë interpretime të ngjashme midis Platonit dhe Heraklitit. Tek Republika ndodhen pjesë ku gjejmë se më të mirët si njerëz janë ata që mund të kuptojnë Njëshin, sepse janë njerëz të një dimensioni tjetër. Dhe në përfundim të kësaj, Platoni paraqet filozofët, ky Njësh që duhet kuptuar është edhe Ai që njëson gjithçka. Megjithëse ky Njësh shfaqet edhe si problematik kur na paraqitet nga Herakliti. “ A është Njëshi që njëson gjithçka apo arsyeja unike në kontradiktë me gjithçka?” Në njëfarë mënyre interpretimi i Herakltit duket i njëjtë me atë të paraqitur nga Platoni në lidhje me idenë e tij, e cila praktikisht e konsideron Atë si substancë të qenies që mban të njësuar gjithçka, por njëkohësisht është edhe në kontradiktë me gjithçka, pikërisht sepse Njëshi priret më shumë nga idealja dhe nuk i përket reales. Duke mos anashkaluar faktin se Njëshi mund të kuptohet, dhe ndoshta të praktikohet nga më të mirët. Krahas gjitha gjërave, vetëm një gjë duan më shumë të mirët, lavdinë e përjetshme mbi gjërat kalimtare, ndërsa, nga ana tjetër, shumica synon vetëm të kënaqet si kafsha.
Për Platonin, ky Njësh në politikë shprehet edhe nga filozofët. Ideja e Mbretit-Filozof duhet të ndërthuret me atë të qeverisjes së ligjit. Filozofët, sipas Platonit, janë dërguar këtu nga Hyjnia dhe posedojnë forcën e të shenjtës.
Po kush është mbreti filozof? Mbreti filozof sipas Platonit është ai që posedon shkencën e qeverisjes së mirë. Kështu pra, do të ketë qeverisje të mirë vetëm atëher kur filozofët të bëhen mbretër dhe mbretërit filozofë. Po kur nuk ka mbretër filozofë? Ka qeverisje aristokrate, do të pohojë Platoni. Forma e qeverisjes aristokrate është qeverisja e më të mirëve, në sensin e më të virtytshmëve dhe më të diturve. Në këtë kuptim më të mirët nuk janë thjesht të pasurit apo fisnikët, por ai që shfaq një nivel të përsosur edukimi (elitë), i cili mund ta bëjë njeriun një person të shkëlqyer, gjë që e bën edhe të aftë të drejtojë në mënyrë të drejtë dhe pa asnjë mundësi korruptive. Pra, Platoni kërkon që për të drejtuar duhet të jenë më të mirët, të pakorruptuarit.
Por pse Platoni shfaq shqetësimin e tij për korruptimin e më të mirëve? Ai thekson se zakonet e mira dhe dija e njerëzve mund të krijojnë një formë të mirë drejtuese. Le të lexojmë një pasazh ku ai e thekson këtë: “A e dini se është e domosdoshme që të ketë aq sa ka shumëllojshmëri karakteresh, dhe tipe republikash? Apo kujtoni se republikat janë krijuar nga druri i ahut apo guri dhe jo nga zakonet e mira të qytetarëve, zakone që tërheqin çdo gjë në drejtim të tyre. Unë të paktën besoj se në asnjë vend dhe në asnjë formë tjetër nuk janë mundur të krijohen vetëm nga këto zakone.” (Platoni “Republika”)
Për Platonin, politeia (πολιτεία), republika, nuk është veçse aristokraci. “Ne e kemi përshkruar tashmë njeriun, i cili korrespondon me aristokratin dhe me të drejtë e kemi pranuar se është ai i cili është i mirë dhe i drejtë.” (Platoni “Republika”). Do të ishte e dëshirueshme që shoqëria të drejtohej nga më të mirët, nga më të diturit. Kështu, virtytet e formës së drejtimit për Platonin korrespondojnë me funksionet kryesore drejtuese. Aristokratët janë më të aftët në çdo degë të veprimtarisë njerëzore dhe për këtë janë të përgatitur për të poseduar një pozicion aktiv për qeverisje. Shumë thonë se demokracia athinase nuk e njeh elitën natyrore, por ushqen aristokracinë e meritave individuale duke i dhënë hapësirë virtytit. Sigurisht, por virtyti sipas politikës platonike është administrimi (fjala e përdorur këtu është pikërisht oikein) specifikisht jo në lidhje me të paktën, por me të shumtën. Sepse “nëse njëri ka drejtimin ndaj të tjerëve, mund ta quajmë monarki, por në qoftë se drejtimi është në dorën e më shumë personave mund ta quajmë aristokraci.” (Platoni “Republika”)
Gjithmonë në demokracinë athinase ekziston frika nga oligarkia. Në mënyrë analitike Platoni përshkruan transformimin e demokracisë në oligarki. Në Epitafin e Tukiditit hasim një pjesë që flet për Perikliun: “demokraci vetëm me fjalë, por në realitet sundim i princit”. Kështu frika nga pushteti i një kryetari organizon aristokracinë si mbrojtje. Platoni e shikon politikën si përbërëse të sistemit, që thjesht kryen një funksion teknik, legjitim dhe administrues të asaj që ekziston. Prandaj dhe jeta e personave zhvillohet totalisht brenda këtyre parametrave, dhe vetëm aristokracia, sipas Platonit, ka të drejtën e plotë mbi administrimin.

Përktheu: Jetmir Dragusha

Botimi i parë: “Rivista di Politica”, me 16.05.2013

Destin-Rosario Castellanos Figueroa

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Destin-Rosario Castellanos Figueroa

 

Vrasim çka dashurojmë. Të tjerat
kurrë s’kanë qenë në jetë.
Askush s’na është aq pranë. Askujt tjetër
nuk i dhemb
një harresë, një mungesë, një mosqenie.
Vrasim çka dashurojmë. Le të marrë fund kjo
asfiksi
e frymëmarrjes përmes mushkërisë së tjetrit!
Ajri nuk mjafton
për të dy, as toka
për trupat tanë të bashkuar
dhe racionin e shpresës e kemi të vogël
dhe keqardhjen nuk mundemi ta ndajmë mes nesh.

Njeriu është shtazë prej vetmish
dre i qëlluar me shigjetë
që ikën me vrap i përgjakur.

Ah por urrejtja, vështrimi i saj i pagjumë
prej sysh të qelqtë; gjestet e saj
që njëherësh qetësojnë dhe kërcënojnë.

Dreri ul kokën për të pirë e në ujë shfaqet
Pasqyrimi i një tigri.
Dreri pi ujin dhe imazhin. Kthehet
– para se të shqyhet – (si bashkëfajtor në mahni)
në të barabartin e armikut të vet.

Jetë i japim veç asaj që urrejmë.

1960

Përktheu nga spanjishtja: Arbër Zaimi

Njeriu dhe demagogjia-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Njeriu dhe demagogjia-Sueton Zhugri

 

Pse s’turpërohen amerikanët kur u kujton fjalën napalm me të katër miljonë vietnamezët e përvëluar së gjalli?
Ndoshta pse më parë pushkatuan të gjithë banorët autoktonë të kontinentit amerikan?
A mendoi dy herë Aleksandri kur tymosi të gjallë tebanët?
A u turpëruan vallë romakët për shfarosjen e kartagjenasve?
Gratë e Kartagjenës u hodhën me gjithë fëmijë në greminë. Një e nga një…
A pati turp Çezari kur vrau dy miljonë galë, ose tre të katërtën e gjithë popullit alpin?
Po mongolët, hunët që në kohë të ndryshme shkretuan stepat?
Ç’mund të thonë tucët e masakruar të Afrikës?
Njeriu modern ka ngrënë mish dhe pirë gjak njeriu.
Nëse nuk më beson pyet neandertalët dhe denisovanët
(A po, për fat të keq s’mundesh më t’i pyesësh)
Kafsha më e egër gllabëroi botën.
I ke parë raketat bërthamore ndërkontinentale si shtylla kurrizore të drejtuara
me djersë të ftohta në format e kërpudhave?

19.11.2022

Ndalimi i revistës “A.B.C” të Petro Markos në periudhën e Mbretërisë Shqiptare

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 145 me datë 17 Mars, 1936 ishte pikërisht ndalimi i botimit të revistës “A.B.C”, e cila drejtohej nga Petro Marko dhe kishte shkrues të ndryshëm si Tajar Zavalani, Branko Merxhani, Bedri Pejani etj.


Revista ishte mjaft kritike ndaj regjimit të Ahmet Zogut dhe kishte prirje të qarta komuniste. Kjo revistë pati fatin të botohej vetëm në 2 numra, të cilët nuk mundën t’i shpëtonin asgjësimit në masë të saj. Petro Marko do dënohej nga Gjyqi Politik me 6 muaj internim në Porto Palermo.

Më poshtë Vendimi i Këshillit të Ministrave:

Ndalimi i botimit të Rivistës “A.B.C.”
KËSHILLI MINISTRUER
Vendim Nr. 145 më 17-III-1936

Këshilli Ministruer në mbledhjen e tij të sotshme të mbajtun nen Kryesin e Z. Mehdi Frasherit, Kryeministër e Zav. Minister i Drejtësis me antarë Z.Z. Fuad Asllani Ministër i P. të Jashtme, Et-hem Toto Minister i P. të Mbrendshme, Rrok Gera Minister i Financavet, Dr. Nush Bushati Minister i Arsimit, Ing. Ndoc Naraçi Minister i P. Botore, Dhimiter Beratti Minister i Ekonomis Kombëtare, pati në bisedim shkresen Nr. 344 datë 26-III-1936 të Ministris së P. të Mbrendshme, me të cilen tue tregue se Revista “ABC” qi botohet në Tiranë asht paraqitun me ngjyrë krejtësisht politike dhe me tendenca ekstreme, tue cenue në ketë mënyrë interesat e nalta Shtetnore dhe tue u gjind në kundershtim me deklaratat e bamuna në kërkesë ashtu edhe me permbajtjen e lejes së dhanun, në themel të Nenit 30 të ligjit të Shtypit, proponon ndalimin e botimit të kësaj reviste,

VENDOSI:
Pranimin e këtij proponimi, dhe autorizon zyrat kompetente me ndaluem botimin e revistës në fjalë dhe njikohësisht me konfiskue edhe dy numrat e dalun deri tash t’asaj reviste.

Përgatiti: Aleksandër Cangonja

Nënës-Frederik Rreshpja

in Letërsi/Tharm by

Nënës-Frederik Rreshpja

 

Nëna ime dhembje e pashuar,
Ka kaq vjet që rri në dhé të zi,
Edhe yt bir siç duket së shpejti
Do e lërë këtë botë.

S’më vjen keq që iki kështu
Se asnjëherë i lumtur nuk kam qenë,
Veç në pyjet ku xhindet vallëzojnë,
Rreth drurëve të galvanizuar në hënë.

Shkoj te lumi ku qajnë ciganët
Për rërat e largëta me dritë
Po përse dreqin jam gatuar kështu?
Të grindem me të tëra qeveritë?

Nënë, nuk kam qenë në faltore kaq vjet
Por do t’i lutem Shën Mërisë për ty.
Eh, mundet që edhe mua ndokush
Do ma gdhendë nje kryq mbi krye.

Piktura “Mesditë- Pushim pas punës” e Van Gogh-ut

in Letërsi by

Midis dhjetorit të vitit 1889 dhe janarit të vitit 1890, Van Gogh-u realizoi këtë pikturë të mrekullueshme të frymëzuar nga një vizatim pastel dhe laps i Jean-François Millet, i datës 1866.

       Piktura e Jean-François Millet


Sfida për artistin holandez, siç dëshmohet nga një letër drejtuar vëllait të tij Theo, ishte t’i jepte ngjyrë një vepre me nuanca delikate. Van Gogh-u merr me kujdes të gjitha detajet e vizatimit të Jean-François Millet, por gjurmët e ngjyrës dhe forca shprehëse e penelit e bëjnë këtë pikturë absolutisht unike dhe origjinale.
Gjatë qëndrimit të tij në Saint Remy, artisti shpesh iu përkushtua kopjimit të veprave të piktorëve që donte; kujtojmë, përveç Millet-it, edhe Delacroix-t, Rembrandt-it dhe japonezit Hiroshig. Prandaj, këto kopje ishin homazh për mjeshtrat që Van Gogh-u i admironte, por edhe raste për të eksperimentuar.
Skena është e thjeshtë, Millet kishte menduar çastin e pushimit të merituar, në mesditë, të dy fshatarëve. Në hijen e një mullari të madh bari ne shohim një grua dhe një burrë të shtrirë, fytyrën e të cilit e ka mbuluar një kapele.
Pranë burrit mund të shihni këpucët dhe veglat e tij të punës. Nga larg mund të shohim një karro me qe.
Vincent-i fokusohet në të verdhën-portokalli dhe blunë-vjollcë. Prandaj, kontrasti i plotësuesve e ndriçon kanavacën që ka një fuqi të jashtëzakonshme ndjellëse.
Penelatat janë plot ngjyra, energjike.
Piktura u realizua në mes të dimrit, por Van Gogh-u tanimë e ndjente ngjyrën si një element të pastër shprehjeje, të cilën ai mund ta përcillte falë një stili që tashmë ishte plotësisht i pjekur.

Përktheu: Arlinda Guma

Stuhi dhe gëzim-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Stuhi dhe gëzim-Sueton Zhugri

 

Buzët e tua si plagosje e përsosur
Buzët e tua si asfalt i kuq i saposhtruar
Buzët e tua si burim toke të etur
Buzët e tua si piedestal arkaik ëmbëlsie
Buzët e tua si dy klithma çlirimi
Buzët e tua si dridhje çiftelie
Buzët e tua si pulëbardha të egërsuara
Buzët e tua si këngë minatorësh
Buzët e tua si goditje ujvarash
Buzët e tua si bukë e butë thithëse
Buzët e tua si gjak i vluar yjesh
Buzët e tua si librari dëshirash
Buzët e tua si putrat e lashta të Sfinksit
Buzët e tua si dy meteorë binjakë
Buzët e tua si arkivole dhimbjeje
Buzët e tua
— ëndrra kapur pas meje si spirancë
në detin më të bukur të një stuhije

 

5.11.2022

Mbrëmje dimri-Ajkuna Dakli

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Mbrëmje dimri-Ajkuna Dakli

 

Pas një furtune qyteti gdhiu papritur
me fytyrën vulosur nga një pamje e zbehtë.
Ka ardhur dimri.
I padëshiruar dhe i beftë si një pushtim,
tamburet e të cilit i shpërfillëm dhe tani
gjethet e fundit kanë ngecur në ngricë,
kapur rob si ushtarë të hutuar,
që e nisën tërheqjen vonë.

Në downtown
era fishkëllen e mardhur si frymëmarrje plaku.
Goja e hapur e metrosë dihat trupa të veshur errët,
që në çastin e fundit
hedhin një vështrim të shpejtë nga qielli
në kërkim të shenjave të borës:
Një zgjidhje e ftohtë, e shpejtë, e përkohshme,
grim që do mbulojë mollëzat e dala të rrugëve,
substancë magjike që pavarësisht
nga efektet anësore,
na bën të fitojmë edhe pak kohë.

Në horizont
muzgu gëlltit perëndimin e kuq
si një gotë verë.

Mëhallat e botës-Janis Ricos

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Mëhallat e botës-Janis Ricos

 

Ky qytet i kaltër s’ia var vdekjes.
Kur i presin njërën dorë, lufton me tjetrën,
kur ia presin të dyja, lufton me dhëmbë,
kur i presin dhe këmbët, varet drejt n’ajër,
rend duke fërshëllyer n’ajër,
ashtu si fêrshëllen fisheku duke rendur
drejt zemrës së padrejtësisë!

***

Nisen autobusët. Fatorinot
varin në supe çantat e tyre. Ç’kanë në çantat e tyre?
Blloqet e biletave apo lulet e kajsive?
Sikur u bënë luleshitës fatorinot dhe tramvajet dyqane lulesh.
Dita kundërmon qumësht të ngrohtë. Dielli, llërëpërveshur lyen bojëqielli fasadën e horizontit
i hipur në skelën e shpresës sonë.
Elektrotekniku qëndron ndën shtyllë.
Pret. Ka nje pikëpjekje me Pranverën.
Mjeku i ri vesh bluzën e tij të re,
qëndron në dritare me veshin të ngjitur në brinjët e ditës dhe buzëqesh: mirë vemi…
Buzëqesh edhe dita. Bukëpjekësi vesh bluzën e tij.
Bajamet kapërcejnë një e nga një ledhet e mëhallës
si marinarët e veshur me të bardha, që hidhen nga lundra me leje-dalje për 24 orë.
Ora e stacionit është si një libër me vargje i sapodalë nga shtypi,
dhe gratë në trotuar janë të bukura,
dhe Andrea me syzet e tij është i bukur,
mbi syzet e tij vetëtijnë qytetet e së ardhmes
dhe Maria që qepi bilurkën e saj të re
në një dritare të çelur. Qan Maria nga lumturia.
N’ato qytete njerëzit do duhej ta mbaronin puthjen e tyre,
detyra dhe buka e tyre duhet të ecin dora-dorë,
Dhe ftoi i xha Stathit të mërmëritë gjethe më gjethe,
e keshtu të ngjasojë me zvarritjen e një proklamate
ndën derën e agimit. U gdhi.

Përktheu: Spiro Çomora

Viti 1961

1 48 49 50 51 52 190
Go to Top