Author

Admin - page 51

Admin has 1899 articles published.

ABC-Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

ABC-Wislawa Szymborska

 

Unë tani nuk do të mundem kurrë ta zbuloj
Çfarë mendoi A. për mua.
Nëse B. arriti të më falte në fund.
Pse C. u shtir sikur gjithçka ishte në rregull.
Çfarë roli luajti D. në heshtjen e E.
Çfarë priste F., nëse kishte pritur ndonjë gjë.
Pse G. e harroi kur e dinte aq mirë.
Çfarë H. duhej të fshihte.
Çfarë I. donte të shtonte.
Nëse prania ime kishte kuptim
për J. dhe K. dhe pjesën tjetër të alfabetit.

 

Përktheu: Arlinda Guma

Skulptura: Chistopher M. Bednansk

Një pikturë e rëndësishme e Piet Mondrian-it është ekspozuar për më shumë se 75 vjet me kokë poshtë…

in Pikturë by

Një pikturë e rëndësishme e Piet Mondrian-it është ekspozuar për më shumë se 75 vjet me kokë poshtë në muze të ndryshëm në mbarë botën, duke filluar që nga MoMA në vitin 1945.

Këtë e zbuloi një historiane arti me rastin e një ekspozite në muzeun e Dusseldorf-it, i cili e ekspozon pikturën që prej vitit 1980.

Piktura “New York 1” u realizua në vitin 1941 me vija horizontale dhe vertikale të kuqe, të verdha dhe blu.

“Ndryshe nga një pikturë pothuajse ‘binjake’ me vaj e Mondrian-it, e ekspozuar në Qendrën Pompidou në Paris, imazhi me vija u rrotullua 180 gradë menjëherë pas vdekjes së piktorit në vitin 1944,” shpjegoi kuratorja Susanne Meyer -Buser, duke rekomanduar me forcë të mos kthehej në pozicionin origjinal të kohës kur, për shembull, ai ishte në studion e piktorit holandez: sepse duke e kthyer mbarë ajo do të rrezikonte të shpërbëhej.

Në mjedisin origjinal “New York 1″ duhet t’i kishte vijat më afër njëra-tjetrês në krye, ashtu si në një pikturë “binjake” në vaj me titull “New York” e cila ndodhet në Qendrën Pompidou në Paris.

“Denduria duhet të jetë lart, si një qiell i errët, “tha ekspertja: “Sapo ua tregova këtë kuratorëve të tjerë, të gjithë ranë dakord me mua.”

Përktheu: Arlinda Guma

Poezi për të humbur-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Poezi për të humbur-Sueton Zhugri

 

Po kërkoj një poezi të humbur
një si lugë këpuce që e rrëmben për kockë një qen sharlatan,
një si gjethe të gjelbër që era këput qysh në verë,
një si portofol mbushur me tinguj të rrallë
që e vjedhin në autobus.
Kërkoj ca ndjenja skalitur në fjalë
si ato herët e rralla,
kur zgjuar, ëndrrat të kujtohen,
fillim e fund.
Kërkoj kuptimin e zgjimit dhe atë të
fjetjes, syve hapur dhe mbyllur.
A munden vallë të përgjumen peshqit,
kur sytë i kanë si të kapsallitur e pa kapak,
kur drit’e reales si të ishin njerëz pa poezi
i lë pa fjetur?
Ushqehen edhe njerëzit si peshqit me vezët e tjetrit, apo pjellin pareshtur, vetëm fjalë
për të mbajtur gjallë
kuptimin e kombeve dhe kohëve?
Dikush i gjetur, e quan veten të humbur,
dhe të humburit, qofshin njerëz a poezi,
janë peng zemrash që vështrojnë
me sytë pa kapak,
peshqit pa gojë.

4.11.2019

Trashëgimia-Warsan Shire

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Trashëgimia-Warsan Shire

 

Nga i ke marrë ata sy të mëdhenj?
Nga ime më.
Po ato buzë nga i ke marrë?
Nga ime më.
Dhe vetminë?
Nga ime më.
Dhe atë zemër të thyer?
Nga ime më.
Po mungesën, nga e ke marrë mungesën?
Nga im atë.

 

Përktheu: Arlinda Guma

Si e gjeti në Aushvic lirinë brenda vetes psikologia Dr. Eger

in A(rt)ktivizëm by

Në pranverën e vitit 1944 isha gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe jetoja me prindërit dhe dy motrat e mia më të mëdha në Kasa, Hungari. Shenjat e luftës dhe të paragjykimeve ishin gjithandej rreth nesh: Yjet e verdhë që mbanim në palltot tona. Nazistët hungarezë që kishin pushtuar banesën tonë të vjetër. Lajmet nga frontet e luftës në gazeta, përhapja e pushtimit gjerman në të gjithë Europën. Vështrimet e shqetësuara që shkëmbenin prindërit e mi në tavolinë. Ajo ditë tragjike që u përjashtova nga ekipi olimpik i gjimnastikës sepse isha hebreje. Megjithatë, në mendjen time vërtiteshin shqetësimet e zakonshme të adoleshencës.

Isha e dashuruar me Erikun, një djalë shtatlartë dhe të zgjuar që njoha në klubin e leximit. I kaloja orët e mia duke kujtuar puthjen tonë të parë dhe duke admiruar fustanin tim të ri blu prej mëndafshi që babai kishte bërë për mua.

Dhe pastaj gjithçka ndryshoi.

Në një mëngjes të ftohtë prilli, hebrenjtë e Kasës u arrestuan dhe u burgosën në një fabrikë të vjetër tullash në periferi të qytetit. Disa javë më vonë, motrën time, prindërit e mi dhe unë na hipën në një vagon kafshësh për në Aushvic. Prindërit e mi u vranë në dhomat e gazit në ditën e mbërritjes sonë.

Natën time të parë në Aushvic, u detyrova të kërceja për oficerin SS Joseph Mengele, i njohur gjithashtu si Engjëlli i Vdekjes, njeriu që kontrollonte imtësisht të ardhurit ndërsa qëndronim në rreshtin e përzgjedhjes atë ditë. Ai vendosi që nëna ime të vdiste. “Kërce!” më urdhëroi ai, ndërsa unë qëndroja në dyshemenë e ftohtë të betonit të kazermës, e ngrirë nga frika.

Jashtë, orkestra e kampit kishte filluar të luante valsin “Danubi i kaltër”. M’u kujtuan fjalët e nënës sime – “Askush nuk mund të të marrë ato që ke në mendje”, mbylla sytë dhe u tërhoqa në një botë të brendshme, timen.

Në mendjen time nuk isha më e burgosur në një kamp vdekjeje, nuk kisha ftohtë, nuk isha e uritur. Gjendesha në skenën e Operës së Budapestit dhe kërceja rolin e Zhulietës në baletin e Çajkovskit. Përmes kësaj strehe private shtyva krahët të ngriheshin lart dhe këmbët të rrotulloheshin. Mblodha të gjitha forcat që të shpëtoja.

Çdo çast në Aushvic ishte ferri mbi tokë. Por për mua u bë edhe shkolla më e mirë. Duke jetuar çdo ditë humbjen, torturën, urinë dhe kërcënimin e vazhdueshëm me vdekje, zbulova mjetet që më ndihmuan të mbijetoja dhe të ndihesha e lirë.

Themeli i lirisë sonë është fuqia e zgjedhjes.

Në muajt e fundit të luftës kisha pak zgjedhje dhe asnjë mënyrë për të shpëtuar. Hebrenjtë hungarezë ishin ndër të fundit në Europë që u zhvendosën në kampet e vdekjes dhe pas tetë muajsh në Aushvic, pak para se aleatët dhe ushtria ruse të mundnin Gjermaninë, qindra të burgosur, përfshi motrën ime dhe unë, u larguam nga Polonia dhe shkuam në Austri nëpërmjet Gjermanisë.

Punonim si skllevër në fabrika gjatë rrugës dhe udhëtonim me trena që mbanin municion gjerman, të cilët përdornin trupat tanë si mburoja njerëzore për të mbrojtur ngarkesën e tyre nga bombat britanike. (Anglezët, megjithatë, i bombardonin trenat.)

Kur unë dhe motra ime u çliruam në Günskirchen, një kamp përqendrimi në Austri, në maj të vitit 1945, një vit apo më shumë pas robërisë sonë, prindërit e mi dhe pothuajse të gjithë ata që njihja kishin vdekur. Shpina ime ishte shkatërruar nga abuzimi i vazhdueshëm fizik. Isha e uritur, mbushur plot me plagë dhe mezi lëvizja nga vendi ku isha shembur, e rrethuar nga pirgje kufomash.

Kufoma njerëzish të sëmurë dhe të uritur si unë, që trupat i kishin tradhtuar. Nuk mund të ndryshoja gjithçka që kisha vuajtur. Nuk mund ta kontrolloja numrin e njerëzve që nazistët kishin grumbulluar në vagona apo që i kishin çuar në krematoriume në përpjekje për të shfarosur sa më shumë hebrenj dhe “të padëshiruar” përpara përfundimit të luftës.

Nuk mund të ndryshoja varfërimin ose masakrën sistematike të më shumë se gjashtë milionë njerëzve të pafajshëm që vdiqën në kampe.

E vetmja mundësi që kisha ishte të vendosja sesi të reagoja ndaj frikës dhe dëshpërimit. Në një mënyrë të çuditshme gjeta në veten time fuqinë për të zgjedhur shpresën.

Pushtimi i lirisë është një ushtrim i përjetshëm – një zgjedhje që bëjmë çdo ditë.

Në thelb, liria kërkon shpresë, të cilën unë e përkufizoj në dy mënyra: është vetëdija se vuajtjet tona, sado të tmerrshme, janë të përkohshme dhe kureshtja për të zbuluar se çfarë do të vijë. Shpresa na lejon të jetojmë në të tashmen dhe jo në të shkuarën dhe të zhbllokojmë dyert e burgut të mendjes sonë.

Nuk do të ndihemi të lirë duke nënvlerësuar gjithçka ka ndodhur apo të përpiqemi të harrojmë.

Megjithatë, kujtimi dhe nderimi i atyre që kanë ndodhur është shumë i ndryshëm nga të qenit e mbërthyer në faj, turp, zemërim, urrejtje dhe frikë nga e shkuara.

Mund të përballem me të vërtetën e asaj që ndodhi dhe mbaj mend se, megjithëse humba, nuk pushova kurrë së zgjedhuri dashurinë dhe shpresën.

Përktheu: Shpendi Shakaj

Ideasintezë-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Ideasintezë-Sueton Zhugri

 

Ndërthurëm gjeste mbuluar nga lotët e detit
frymë e përtejhorizonteve vezulluese,
nuk të them për gjëra të vdekura, as të gjalla
flas për esencën e prekjes,
lëkurën e qulltë të trëndafilit pas shiut
tingullin e monotontë të ujvarës pllaquritëse,
gurin e altareve acteke mbuluar me zemra të vrara.

Për këtë e dashura ime
Në buzët e mia zbulove kalldrëmet e perëndimeve
kur hijet larguese i trokasin në ikje,
siluetat e avionëve që si zogj foleprishēs
diellit i turren
Dhe unë gjeta aromën e barit të sapokorrur,
flakën e lulëkuqeve të qershorit tredhur nga era,
plazhin lakuriq në ekstazën e valëve
Nirvanën e një agu të pamundimshëm…

Se ne jemi perimetri i çdo vështrimi,
algoritmi i padiskutueshëm i ekzistencës,
ajo që ka qënë, është dhe do të jetë
Idesintezë yjesh, kuajsh, ëngjëjsh

30.10.2022

11 shkurt 1946-Primo Levi

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

11 shkurt 1946-Primo Levi

 

Ty të kërkoja prej yjeve,
Kur si fëmijë i pyesja ata,
Ty të kërkoja prej maleve,
Po nuk më dhanë pos rrallë
Vetmi e paqe jetëshkurtër.
Meqë ti nuk ishe në ato net të gjata,
Çova në mend dhe blasfeminë e çmendur
Se Zoti kishte bërë gabim kur pat krijuar botën,
Se unë isha gabimisht në këtë botë.
E kur, ballë për ballë me vdekjen
Vikata “Jo” me secilën fibër timen,
Sepse ende nuk kisha mbaruar,
Sepse kisha shumëçka ende për të bërë,
E bëra sepse ty të pata përpara,
Ty, me mua përkrah, ashtu si sot
Një burrë një grua nën diell.
U ktheva veç pse ishe ti.

Shkruar në 1946, dedikuar të dashurës së tij Lucia Morpurgo, me të cilën u martua kur mbijetoi prej Aushvicit.
Botuar në përmbledhjen “Ad ora incerta”).

Në foto, Levi e Morpurgo nën diell.

 

Përktheu: Arbër Zaimi

Wislawa Szymborska për kritikët

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Wislawa Szymborska

 

Të nderuar kritikë, meqenëse përdorni termin “humor absurd”, ju duhet të prezantoni edhe homologun e tij, “seriozitet absurd”. Mësoni të bëni dallimin midis seriozitetit të detyruar dhe atij primitiv, seriozitetit atij të shkujdesurit dhe atij të trekëmbëshit të varjes.
Ky konceptim shumë sensual do t’i shtyjë kritikët dhe gazetarët njësoj. A nuk kërkojmë, si në jetë ashtu edhe në art, seriozitet pa dallim? Seriozitet i pahirshëm? Seriozitet vezullues? Seriozitet i vrullshëm?
Do të lexoja me kënaqësi për “ndjenjën e tmerrshme të seriozitetit” të mendimtarit X, për “perlat e seriozitetit” të bardit Ys, për “seriozitetin fyes” të avantgardistit Z.
Një recensues apo një tjetër do të vendosë më në fund të mbajë shënim se “loja e dobët e dramaturgut N. N. shpengohet nga serioziteti i zjarrtë i finales së saj” ose se “në poezinë e W.S ndokush kap nota serioziteti të paqëllimshëm”. Dhe pse nuk kanë rubrika serioziteti revistat e humorit? Dhe për më tepër, pse kemi kaq shumë revista humori dhe kaq pak revista serioze? Hëm?

Përktheu: Arlinda Guma 

Pasdite-Janis Ricos

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Pasdite-Janis Ricos

 

Ajo ujiti lulet.
Dëgjon ujin që pikon
nga ballkoni.
Dërrasat lagen
dhe vjetërsohen.
Pasnesër,
kur të bjerë ballkoni,
ajo do të mbetet në ajër,
e qetë, e bukur,
duke mbajtur në duart e saj,
dy vazo lulesh të mëdha,
mullagat
dhe buzëqeshjen e saj.

Përktheu: Shpendi Shaka

Bolero – Kryevepra e Maurice Ravel-it, shkruar për balerinën e famshme Ida Rubinstein

in Muzikë by

E vetmja dashuri që kam pasur ndonjëherë ishte muzika – Maurice Ravel

Maurice Ravel konsiderohet si një nga kompozitorët më origjinalë të fillimit të shekullit të 20-të. Edhe pse u konsiderua shpesh si i huaj për zhvillimet e muzikës franceze gjatë jetës së tij (një pozicion që ai vetë e kultivoi), u njoh përfundimisht si një nga personalitetet kryesore të saj. Kompozoi në shumë nga zhanret kryesore, si opera, balet dhe suita orkestrale, vepra vokale dhe korale, muzikë dhome dhe piano, si dhe përfundoi disa orkestrime të veprave të kompozitorëve të tjerë. Muzika e tij karakterizohet nga një qasje dukshëm e rafinuar, por edhe sensuale ndaj formës dhe tingullit.

Kompozitori i njohur francez Maurice Ravel ka lënë pas një vepër të madhe. Punimet e tij për piano janë pjesë të preferuara të repertorit klasik. Ka shumë që kërkojnë aftësi të veçanta nga interpretuesit e tyre. Midis tyre: Jeux d`eau, Miroirs, Le tombeau de Couperin dhe Gaspard de la nuit. Gjithashtu ai ka shkruar vepra të mëdha për orkestra si Daphne dhe Chloe.

Por ajo që njihet më shumë – edhe pse e konsideronte të parëndësishme – është “Bolero-ja” e famshme. E shkroi në vitin 1928 dhe e përshkroi si “pjesë për një orkestër pa muzikë.”

Prezantimi i instrumenteve të orkestrës bëhet gradualisht nga kompozitori, ndërsa tema kryesore përsëritet. Këtu melodia ndërtohet rreth temës me alternime harmonike dhe orkestrale. Rezultati nuk mund të ishte veçse magjepsës, pasi vihet në pah diversiteti dhe shumëngjyrësia e instrumenteve muzikore të orkestrës.

Historia e Bolero-s

Përpara se të niste një turne triumfues në Amerikën e Veriut, në janar të vitit 1928, Maurice Ravel-i kishte rënë dakord të shkruante një partiturë baleti të stilit spanjoll për të dashurën e tij, balerinën dhe aktoren ruse Ida Rubinstein (1885-1960).

Ideja ishte krijimi i një transkriptimi orkestral të suitës së pianos së Albeniz Iberia-s. Megjithatë, në kthimin e tij, Ravel-i zbuloi se të drejtat e orkestrimit i ishin dhënë dirigjentit spanjoll Enrique Arbos. Megjithëse Arbos bujarisht i braktisi këto të drejta, Ravel-i e braktisi idenë dhe filloi të përgatiste një partiturë origjinale.

Ravel-i kishte luajtur prej kohësh me idenë e ndërtimit të një kompozimi nga një temë e vetme që do të zhvillohej thjesht përmes zgjuarsisë harmonike dhe organike. Për temën e famshme të Bolero-s u frymëzua kur ishte me pushime në Saint-Jean-de-Luz.

Ishte gati të shkonte për t’u larë, kur thirri një mik në piano dhe, duke luajtur melodinë me një gisht, e pyeti: “A nuk mendon se kjo ka një cilësi këmbëngulëse? Do të mundohem ta përsëris shumë herë pa asnjë zhvillim, duke rritur gradualisht orkestrën sa më mirë të mundem.”

Filloi punën në korrik. Sipas standardeve të Ravel-it, pjesa u përfundua shpejt, në pesë muaj – duhej të ishte gati që Rubinstein-i të bënte koreografinë.

“Sapo u zbulua ideja e përdorimit të vetëm të një teme,” argumentoi, “çdo student i konservatorit mund të bënte të njëjtën gjë.”

Tamburi i pamëshirshëm e shoqëron të gjithë veprën 15-minutëshe, pasi Ravel-i mbështetet pa pushim në melodinë e thjeshtë derisa, me një konfigurim të guximshëm nga do majorminor, më në fund çliron intensitetin e ndrydhur me një shpërthim fishekzjarresh.

Bolero-ja u shfaq premierë në Operën e Parisit më 20 Nëntor, 1928. Premiera u përshëndet nga një publik që brohoriste, në mes të të cilit u dëgjua një grua duke thirrur “Au fou, au fou!” (“I çmenduri! I çmenduri!”). Kur i thanë Ravel-it, ai thuhet se u përgjigj: “Kjo zonjë… e kuptoi.”

Në një intervistë për Daily Telegraph, ai tha: “Shpresoj të mos ketë keqkuptime rreth kësaj vepre. Është një eksperiment në një drejtim shumë specifik dhe të kufizuar dhe nuk duhet të dyshojmë se synon të arrijë më shumë nga ajo që bën në të vërtetë.”

Megjithëse Ravel-i e konsideronte Bolero-n një nga veprat e tij më pak të rëndësishme, ajo qe gjithmonë më e njohura e tij.

Përkthimi: Shpendi Shakaj

1 49 50 51 52 53 190
Go to Top