Një Biografi e shkurtër e Gazmend Freitagut
Gazmend Freitagu lindi me 25 Maj, 1968 në Pataçani i Poshtëm, në Kosovë. Atë vit babai i tij Asllani punonte në Lyon të Francës si mërgimtar. Meqë babai i Gazmendit punonte në Francë për të mbajtur familjen, për fëmijët përkujdesej nëna, dëshira më e madhe e së cilës ishte që fëmijëve të saj t’u mundësonte një shkollim të mirë.
Qysh fëmijë, Gazmendi dallohej me prirjen e tij për vizatim. Ai, si nxënës, krahas vizatimit, i përkushtohej edhe letërsisë. Vizatimet e tij që në shkollën fillore zbukuronin muret shkollore, edhe pse ato në atë kohë nuk zgjuan ndonjë vëmendje të veçantë. Per fat të keq këto vizatime, te cilat ruheshin në arkivin e shkollës fillore u shkatërruan në kohen e diktaturës së regjimit serb në Kosovë, në vitin 1999 kur është djegur ndërtesa shkollore. Vëmendja për artin e Gazmendit shprehet kur ai fiton mirënjohjen për poezinë e tij në “Rilindja për Fëmijë”, e cila botohej çdo të martë si shtojcë e gazetës ditore kosovare “Rilindja”. Gazmendi zuri vendin e tretë në Kosovë me poezinë e tij.
Shkollimin e mëtejmë, klasën e pestë, deri në të tetën, Gazmendi e vazhdoi në Fortesë. Dy vitet e para të gjimnazit i mbaroi në Rahovec, kurse klasën e tretë dhe të katërten, në gjimnazin e Prizrenit, ku njëkohësisht edhe banonte. Gjimnazin e absolvoi në vitin 1987. Më tej Gazmendi fillon studimet në Fakultetin Juridik në Prishtinë. Kjo ishte koha më hidhur e Gazmendit, pasi, posa kishte mbaruar dy semestra mbyllet me dhunë Universiteti i Prishtinës për shqiptarët nga pushtuesit sërbë, njëkohësisht fillon regjimi serb me futjen e masave të dhunshme ndaj shqiptarëve në Kosovë. Studentët organizojnë protestat që nga viti 1989 për mbrojtjen e të drejtave të tyre, edhe Gazmendi ishte në mesin e tyre. Shumë nga ata do ta paguanin pjesmarrjen e tyre në këto demonstrata edhe me jetë, të tjerët arrestohen dhe përndiqen, ndër ta edhe Gazmendi. Pasi regjimi i Millosheviçit mbylli fakultetet për studentët shqiptarë, edhe Gazmendi, si shumë studentë tjerë ndodhej në një gjendje të pashpresë, e cila e detyroi përfundimisht që në vitin 1990 të largohej nga vendlindja dhe të marrë rrugën e mërgimit, në Gjermani, ku edhe merr hapin vendimtar t’i kushtohet pikturës. Atje Gazmendi njihet me gjermanen Kristin dhe martohet me të më 1990. Nga kjo martesë, e cila zgjati 10 vjet, Gazmendi ka tri vajza.
Në vitin 2013 Gazmendi vijon studimet në drejtimin e artit nudo, kryesuar nga Prof. Mag. Annelies Oberdanner në Universitetin e Arteve në Linz.
Punimet e Gazmendit janë me motive të shumta: autobiografike, nga mjedisi dhe rrethi i jetës, peizazhe nga vendlindja, portrete njerëzish nga më të ndryshmit, kujtime nga fëmijëria në vendlindje, punime nudo, natyrë e qetë, etj. Kryesisht teknikë nga grafika me laps, shkumës, tush apo vaj në kanavacë.
Gazmendi u bë i njohur ndërkombëtarisht me pjesëmarrjen e tij në Biennalin e parë, në Verona, Itali, 2014. Që nga viti 2004 jeton dhe punon në Linz të Austrisë. Gazmend Freitagu është që nga viti 2013 antar i shoqatës Kunstprojekte, në Vjenë, ndërsa nga viti 2018, është anëtar në galerinë Artin novation në Innsbruck.
Këtu mund të shihni disa punë të tij: