Arbër Zaimi
Fukuyama, që shkroi në 1992 se historia mori fund e se demokracia liberale dhe tregu i lirë ishin fundi i historisë për shkak se alternativat e tjera ishin më të këqija e mbyll librin e tij “Fundi i Historisë dhe Njeriu i Mbramë” me dëshpërim nostalgjik:
“Fundi i historisë do të jetë kohë e trishtimit të madh. Beteja për njohje, dëshira për të dhënë edhe jetën në funksion të një qëllimi tërësisht abstrakt, beteja botërore mes ideologjive e cila kërkonte trimëri, guxim, imagjinatë dhe idealizëm, do të zëvendësohet nga përllogaritjet ekonomike, zgjidhjet e pambarimta të problemeve teknike, shqetësimet për mjedisin, apo përmbushja e kërkesave gjithnjë e më të sofistikuara të konsumatorëve… Në periudhën post-historike nuk do ketë më as art, as histori, thjesht një kujdestari të pambarimtë për muzeumin e historisë njerëzore.”
Teksti pesimist i Fukuyama-s duket sikur e rrok situatën sepse përputhet me pesimizmin nihilist e cinizmin mediokër që dominon sot. Si dhe, na kujton postmodernen si pseudo-art, si vdekje të artit, që serviret sot në festivale komerciale snobësh, teksa fiksimi me “trashëgiminë kulturore” ngjan vërtet me “kujdestari të pambarimtë për muzeumin e historisë njerëzore”. Por natyrisht, Fukuyama ia fut kot, as historia nuk mbaroi, as nuk iu gjet fundi, as nuk është postmodernizmi i mbrami i arteve e kështu me radhë. Fukuyama thjesht ka lyer me sheqer teorinë e Nietzsche-s për “Njeriun e Mbramë” që Fridrich-u i çmendur e shpiku si antikonceptin e “Mbinjeriut” te “Zarathustra”. “Njeriu i Mbramë” i Nietzsche-s është figura e teveqelit që “shpik lumturinë, thotë jam i lumtur edhe pulit sytë”. Ama Nietzsche nuk mendonte gjëkund se kish marrë fund historia, përkundrazi figurën e “Njeriut të Mbramë” e përdorte për t’i nxitur e për t’i hedhur njerëzit në anën e “Mbinjeriut”, te beteja epike që ndodhte në kokën e tij.
Veç Nietzsche-s, në këtë teori fatkeqe Fukuyama citon edhe Winston Churchill-in, që siç dihet nga çdo banalist televiziv ka thënë se demokracia liberale mbase s’është sistemi më i mirë, po alternativë më të mirë s’është se dimë. Sigurisht, Churchill-i ka besuar ashtu, por është gjynah që njihet për këtë citim e jo për guximin monumental e vendimtar që pati në luftë. Kryeministri i luftës ka qenë larg modelit të njeriut plot përllogaritje e me zero guxim. Përkundrazi. Në 1940 Gjermania nisi një sulm të madh, që pushtoi Belgjikën, Holandën dhe Francën. Britania mbeti vetëm dhe pa asnjë aleat. Rusia ishte ende në paktin Molotov-Ribentrop dhe besonte se Hitleri nuk do i hynte asaj aventure, ndërsa Amerika kishte simpati për Anglinë, por opinioni publik ishte gjerësisht kundër pjesëmarrjes në luftë të huaj. Po të ishte për “shkencën” probabilistike, Anglia nuk kishte leverdi fare të luftonte, por të negocionte dhe të gjente një marrëveshje me Hitlerin, duke hequr dorë nga ndonjë koloni e vogël diku. Por, Churchill-i vendosi të mos tërhiqej nga lufta, dhe nuk i nxori gjasat nga analizimi pasiv i situatës, por nga aktiviteti i tij. Nisi letërkëmbim të shpeshtë me Roosevelt-in dhe fluturime të shpeshta drejt Amerikës e Rusisë, duke u bërë elementi koordinues e facilitues i një aleance të re që hyri në lojë diku nga fundi i 1941. Sigurisht, kundër Perandorisë Britanike, ShBA-së dhe BRSS-së Hitleri nuk mund t’ia dilte, ama kjo ishte tërësisht e paparashikueshme në 1940, kur po të kishte qenë Churchill-i fatalist sikur Fukuyama, Anglia do të duhet të ishte dorëzuar.
Për ta thënë shkurt, Fukuyama e ka patur kryekëput gabim, jo vetëm që historia po vazhdon me luftëra pa u ndalur, po as individualizmi e konsumerizmi, shkencizmi, apo absolutizmi i “homo economicus” nuk ka mundur të triumfojë përveçse te disa elita të mykura liberale. Njeriu vazhdon të jetë guximtar, të kritikojë radikalisht aktualen, të ëndërrojë një të ardhme tjetër, e të japë jetën për ide e për ideale. Madje, edhe arti është i gjallë, por jo nën spotlightet e dasmave e festivaleve ku ata që s’kuptojnë dalldisen e ata që kuptojnë bezdisen.