A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të krijimit letrar?-Arbër Zaimi

in A(rt)ktivizëm/Esé/Letërsi by

Revista defekt-teknik u drejtoi një pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë.
A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të krijimit letrar?
A mund të mësohet shkrimtaria?
Disa prej përgjigjeve erdhën menjëherë, të tjera janë duke u shkruar si esé të veçanta; një prej të cilave është kjo që vijon, shkruar nga Arbër Zaimi:

    Arbër Zaimi

A mund të mësohet shkrimtaria – po shkrimtaria nuk mund të formohet ndryshe, pos se të mësohet. A mund të mësohet në shkollë pastaj kjo është tjetër pyetje. Por padyshim që shkolla ndihmon, mund të të përafrojë me teknika e taktika, mund të të japë mjete për të zbërthyer mjeshtërinë dhe stilin e autorëve të tjerë, teksa përpiqesh të krijosh të tuat (jo vetëm mjeshtëri e stil, por edhe mjete zbërthyese e bashkuese).

E sigurt është se njeriu nuk mund të rrijë vetëm me veten e vet dhe nga ndonjë forcë mistike e brendshme t’i vijë vepra. Por fatkeqësisht sot ka mijëra shkrues që nisen pikërisht nga bindje të ngjashme, e pasandaj shumë syresh frustrohen kur veprat e tyre nuk marrin konsideratë prej njohësish të artit – edhe pse ndodh të marrin pëlqimet e lexuesve rastësorë në rrjete sociale. Çka ka rëndësi kjo, mund të thotë dikush, fundja secili ka shijen e vet, dhe s’është shija e lexuesit të kualifikuar apo të sprovuar më e rëndësishme se ajo e një tjetri. Një gjykim i tillë, që e çon analizën drejt sasiores e që përjashton dallimin cilësor, mund të bëjë psh. që dikush të thotë se kënga e re e Elvanës dhe e Kanyes është vepër arti më e arrirë se sa 4’33’’ e John Cage, meqë ka pakrahasimisht më shumë views në youtube. Mandej del edhe ndonjë video e ndonjë qeni akrobat që merr më shumë views akoma, dhe do themi se qeni akrobat është artist edhe më i mirë? Jo, thjesht po ngatërrojmë manipulimin e vëmendjes së publikut, që është mision i marketingut, me misionin e estetikës që është zgjerimi i fakulteteve ndjesore të njeriut. Teksa anestetika është ajo që t’i mpin ndjenjat, të topit e të vë në gjumë, estetika është ajo që t’i spreh, të trondit, ta shumëfishon gjendjen e të qenit i zgjuar, s’të lë të vësh gjumë në sy, të ballafaqon me mahnitësen po edhe pështirosësen, me çmeritësen e revoltuesen, me epshin e me neverinë, e me një sërë ndjenjash të tjera të forta që mund ta çojnë trurin e shqisën edhe më larg se teleskopi i ri i NASA-s.

Por a mund ta nxëmë këtë aftësi estetike në shkollë? Jo tërësisht, jo doemos, jo thjesht në shkollën si mekanizëm instruksioni në duart e një pushteti privat apo publik. Teksa vetëm e nga vetja është e pamundur, as thjesht me shkollë nuk do të thotë që arrin të bëhesh. Duhen lexuar shumë e shumë libra, parë shumë e shumë filma e vepra artesh të tjera. Mandej pjesa më e madhe e tyre duhen harruar, një pjesë duhen urryer e një pjesë duhen dashuruar, po gjithsesi duhen diskutuar me të tjerë. Ndërkohë duhet jetuar jeta me kuriozitet për valët dhe skutat e saj, duhen hapur kufijtë e vetes për të lejuar rrethana e persona të infiltrohen në ty, e duhet stërvitur mendja që ta kuptojë secilin, pa e humbur pikëpamjen e vet. Ai që nuk e gdhend aftësinë për ta kuptuar thellë secilin, nuk bëhet dot shkrimtar, ndërsa ai që humb pikëpamjen e vet, ai s’ka as ç’të shkruajë. Mandej duhet guximi për të shkruar, të cilin rrallë e kanë ata që kanë vërtet shije – sepse ç’është shija fundi i fundit, pos përbuzje e shijes së tjetrit. Frika më e madhe e një të tilli nuk do të ishte prej indiferencës e harresës, se sa prej lajkave që mund largqoftë t’i vijnë “nga ata që s’marrin vesh”. Ngjan si përshkrim snob ky që sapo i bëra shkrimtarit. Po nga ana tjetër shkrimtarët rrallë kanë fatin të lindin aristokratë e pasanikë – mirëpo as punëtorë e fshatarë nuk mbeten. Ata vërtet lundrojnë snobërisht në lagunat e përditshmërive tona, me një vëmendje përimtësuese por shpesh të çinteresuar për punët e botës, teksa presin herën e madhe kur do t’i ngrenë velat e do të dalin në oqean.

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top