A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të krijimit letrar?

in Letërsi by

Revista defekt-teknik u drejtoi një pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë.
A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të krijimit letrar?
A mund të mësohet shkrimtaria?
Disa prej përgjigjeve erdhën menjëherë, të tjera janë duke u shkruar si esé të veçanta, të cilat do të publikohen në ditët në vazhdim.
Këtu mund të lexoni disa prej përgjigjeve:

   Si të bëhesh romancier…

  Luan Rama

Sot të shkruarit e librave ka hyrë mesa duket në një fazë moderne. Dikur, në kohën e romancierëve të mëdhenj të shekullit XIX dhe XX, shkolla për tu bërë shkrimtar nuk kishte. Aktualisht, teknologjitë moderne si duket kanë krijuar mundësinë e krijimit të këtyre shkollave dhe kurseve të specializuara online apo direkt, siç janë shkollat e tjera të formimit artistik. Ateliere të tilla ka kudo në Francë, në qytete të mëdha apo të vogla. Madje ka dhe kurse që drejton një shkrimtar, kuptohet me pagesë, i cili ndjek mësimin e shkrimit nga idea, shkrimi dhe realizimi përfundimtar i romanit, novelave, tregimeve, etj. Por ka dhe shkolla më të mëdha që drejtohen nga disa shkrimtarë ku secili jep leksionet e tij të personalizuara ku njëri ka si objekt sesi ta letrarizosh një ngjarje reale, si të shkruash biografi, etj. P.sh. shkrimtarë të njohur si Eric Emmanuel Schmitt, i perkthyer disa herë edhe në Shqipëri, apo Bernard Werber, Bernard Minier, Florence Sultan, etj, janë pedagogë të këtyre shkollave, shoqërojnë projekte konkrete të atyre që duan të shkruajnë. Pra në këto ateliere mëson mbi skemën tregimtare, principet bazë të shkrimit, trajtimin e tekstit, si ta bësh atë intim, etj. Një nga këto shkolla është në Paris, École des écrivains», (Shkolla e shkrimtarëve). Por mjaft interesante duken ato të Nouvelle Revue Français nën kujdesin e Gallimard-it në Paris ku jepen leksione si në një universitet, me ateliere të veçantë, p.sh.: si krijohet një personazh, ç’është stili dhe si ta krijosh atë, ç’ndodh kur je para letrës së bardhë, etj., etj., çka lidhet me procesin krijues. Zakonisht, letrarët e mëdhenj nuk kanë lindur nga shkollat, kurset, etj. Por një formim i tillë mbase do të sjellë një ditë të kemi shkrimtarë, që duke pasur një lloj talenti, të arrijnë të bëhen zëra të dukshëm në peizazhin letrar.

      Neviana Shehi
 

Është pak e besueshme se shkolla për shkrimtartë bën vërtet shkrimtar. Herë – herë janë përmendur edhe kurse e laboratorë krijues për ata që duan të bëhen shkrimtarë, por as kjo nuk ka qenë ndonjë tregues se vërtet bëhesh shkrimtar. Në fakt, gjatë shkollimit tonë, në lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe kemi bërë hartime me tema të ndryshme, të cilat pak a shumë kanë qenë një pasqyrë e mirë për të parë se si ka funksionuar imagjinata jonë. Sado pak kemi mësuar edhe për teknikat dhe mënyrën e rrëfimit. Pra, mundësia e parë për të shkruar tregim apo (vjershë) poezi, na është dhënë gjatë shkollimit.
Por, të paktë kanë qenë ata që më pastaj kanë vazhduar me prozën apo poezinë, sepse për diçka të tillë mbi të gjitha nevojitet leximi pothuaj i përditshëm, që mundëson zhvillimin e imagjinatës, por edhe pasurimin e gjuhës si element kryesor në thurjen e rrëfimit ose shprehjen në vargje përmes figurave stilistike.
Natyrisht, secili krijues ka mënyrën e vet specifike të krijimit, e cila kërkon shumë punë e sakrificë. Së paku këtë e tregon edhe përvoja e shkrimtarëve më të shquar që ka njohur njerëzimi. Është utopike të mendohet se ndonjë shkollë mund të të bëjë shkrimtar. Sepse akti i shkrimit është çështje individuale, është njëlloj zeje e cila zhvillohet vetëm përmes leximit permanent, që mundëson zhvillimin e imagjinatës, kurse imagjinata hap shtigje drejt formave të reja të shprehjes së asaj që është shpirtërore….

 Qazim Muska

Po, është e vërtetë që ka shkolla në botë ku përgatiten shkrimtarë, madje dhe shkolla për përgatitjen e poetêve si ne Amerikë e gjetkë. Nuk di konkretisht si funksionojnë, çfarë mësojnë, mbi ç’programe e kanë ndërtuar mësimdhenien, por mendoj se të bësh një shkollë për t’u bërë shkrimtar nuk është kusht për t’u bêrë i tillë. Poet edhe më e pamjaftueshme. Shkolla të jep dijen, përvojat, edhe teknikat a ndonjë element tjetër ndihmës (dua ta theksoj këtë – ndihmës), po kurresesi talentin. Si çdo profesion tjetër, talenti është themeli i një suksesi, sigurisht, me punë të madhe e përkushtim. Po talenti në art merr njê domethënie të veçantë, sepse ka tê bëjë me mënyrën e perceptimit të gjërave, me intuitën krijuese, me fantazinë dhe me ndjeshmërinë, veti këto që nuk mund të mësohen në shkolla. Shembuj gjenish që kanë arritur të japin kryevepra botërore të artit pa ndonjë shkollë të tillë, madje edhe pa ndonje shkollim të mirëfilltë, ose që i kanë braktisur shkollat e universitetet ku kanë qenë duke studiuar, disa përgjithmonë e disa duke u kthyer në autodidaktë, ka pafund në historinë e njerëzimit, prej antikitetit e deri më sot. Përfundimisht, mendoj se shkrimtaria, se pari ka nevojê për talent; dija, kultura, njohuritë e ndryshme, që mund të merren në shkolle apo në mënyrë autodidakte janë, padyshim, shumë të rëndësishme.

Ilustrimi: Jill Calder

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.