Das Negative meiner Zeit/Arbër Zaimi

in A(rt)ktivizëm/Esé/Letërsi by

     Arbër Zaimi

Ankthi i Kafkës vjen nga përballjet njëherazi me limitet e arsyes dhe të besimit, si fakultete të mendjes.

Te “Metamorfoza” Gregor Samsës të tromaksur prej kandërrzimit i fanitet nëpërmend një zgjidhje e problemit të tij: “Po sikur të flija dhe ca e t’i harroja gjithë këto marrëzira?…”

Ç’është kjo botë ku problemet fillojnë vetëm atëherë kur mendja nuk fle? Kështu i ndodh edhe Jozef K-së, i cili një mëngjes të bukur arrestohet pa ditur pse, pa patur bërë ndonjëherë ndonjë gjë të gabuar, me siguri për shkak të ndonjë shpifjeje të bërë nga dikush – mendon ai.

Mandej fillon “Procesi”, gjatë të cilit Jozef K-ja kupton se sistemi nuk “ha pykë” dhe nuk do t’ia dijë për pafajësinë e tij. Atij i duhet të gjejë mënyra korruptive për të ndikuar ndonjë hallkë të sistemit, duke bërë mik ndokënd, duke rënë në sy për mirë, duke premtuar çdo lloj shërbimi e servilizmi. Jo se kështu do fitonte pafajësinë, sepse gjatë ”Procesit” kuptohet se verdikti për fajësinë është dhënë qysh përpara zgjimit të tij një mëngjes, mbase para se ai të ekzistonte. Synimi i rravgimeve të Jozef K-së është vetëm shtyrja apo zvogëlimi i dënimit, sepse fajësia nuk mund t’i shlyhet edhe pse ai është i pafajshëm. Ndërsa synimi i procesit është që edhe të pafajshmin ta korruptojë në mënyrë që ta homologojë me fajtorin, që edhe i pafajshmi ta meritojë si kushdo tjetër dënimin e prerë paraprakisht. Vetëm kështu bëhen të gjithë të zëvendësueshëm, si ingranazhe të një makinerie, gjë që i intereson në analizë të fundit kujtdo që ngre procesin ndaj jozefëve të botës.

Ndoshta dënimi, më shumë se rezultat i ndonjë shpifjeje, është rrjedhojë e ndonjë mëkati fillestar, të trashëguar pa bërë asgjë për ta merituar, pos lindjes, zgjimit, hapjes së syve. Sistemet e besimit që përmbajnë mëkatin fillestar si konditë të paracionalizueshme të njeriut të mjerë, përmbajnë edhe konceptin e ndërhyrjes së hyjnores, përmes një të dërguari shpagues, një Mesie. Por frika e Kafkës është se “Mesia vjen vetëm atëherë kur s’i nevojitet më askujt. Vjen një ditë më vonë se në ditën kur pritet. Jo në ditën e fundit, por pas saj, kur gjithçka ka marrë fund”.

Kafka nuk mendon si Migjeni që përditë vuen thellë e ma thellë dhe sheh qartë e ma qartë. Zgjimi i Kafkës është vuajtje, por jo kushedi sa shikim. Te “Kështjella” e papërfunduar Kafka shkruan: “Ai që i ka sytë e fashuar nuk mundet të shohë përtej fashës, sado fort që përpiqesh ta bësh të shikojë”.

Shikimi është dije pozitive, e përftuar prej shqisës më të ndritur. Ndërsa Kafka, pavarësisht gacave që ia spikatin sytë, te ditaret e veta i njeh fare pak kontribut pozitives, dhe shkruan “Unë kam përthithur fuqishëm negativen e kohës sime, që sigurisht më rri kaq pranë e që unë nuk kam të drejtë ta luftoj por vetëm, në njëfarë mënyre, ta përfaqësoj” e pak më andej “mua nuk më ka prezantuar me jetën, si Kierkegaard-in, dora tashmë e mplakur e krishtërimit, e as nuk jam kapur mbas kindit të mbramë të qyrkut të ronitur të lutjes hebraike. Unë jam fund, ose fillim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top