Ermela Teli
Prej vitesh tashmë e laguar nga Shqipëria, vetëkuptohet që kanë ndodhur shumë ngjarje të rëndësishme që kanë influencuar ritmin e jetës… I gjithë ky cikël ndryshimesh për mua personalisht është një proces krijues sepse krijon një jetë, një të ardhme. Nuk është gjithmonë i përsosur, ka shumë probleme që mund të lindin natyrshëm, por ajo që më pëlqen në Zvicër është multikulturalizmi që e bën shoqërinë të madhe dhe secili nga ne me kombësi të huaj importon tradita, njohuri, besime të ndryshme, gjë që e bën një vend interesant dhe të larmishëm.
E përditshmja ime është e mirëprogramuar, por nuk mungon dhe spontaniteti.
Unë zgjohem herët në mëngjes edhe pse netët i kam shumë të shkurtra, pasi vetëm atëherë mund të punoj gjatë, të lexoj apo të shoh filma dhe dokumentarë. Që kur ka ardhur në jetë djali ynë, Hugo, përpiqem të kaloj më shumë kohë me të gjatë ditës, ndaj për këtë arsye mbrëmjevë mund të fokusohem më shumë te vetja…
Ne banojmë në një zonë disi malore, 15 minuta larg nga qendra e Lozanës… Dikur lagjia jonë ka qenë e rrethuar me pyje dhe me pak shtëpi të vjetra zvicerane. Arkitektura e vjetër mirëmbahet dhe në përgjithësi shtëpitë e ndërtuara më pas kanë ruajtur të njëjtën stil arkitekturor, aq sa më duket sikur jetoj shumë shekuj pas në histori…
Por lagjia jonë është e re, e ndërtuar para pak vitesh dhe e rrethur me pemë dhe me një arkitekturë minimaliste ndërtesash jo më shumë se 4 katëshe. Duke qenë se kemi një pyll afër, shpesh netëve shoh nga ballkoni ndonjë dhelpër që kalon qetësisht dhe ndjesia është magjike… Futem në një botë fantazie dhe poetike që më frymëzon …
Mbrëmjet e mia, siç e përmenda më lart, janë net të gjata pune me skenarin dhe mëngjesin e nis shumë herët. Fle shumë pak dhe kur zgjohem, sado e përgjumur të jem, e para gjë që bëj: ndez radion. Ne kemi një stacion të preferuar që gjatë ditës ka vetëm muzikë dhe që i përgjigjet shijeve tona, diku nga pasditja dëgjojmë pak lajme dhe në mbrëmje i rikthehemi përsëri programit muzikor… Nuk marrim asnjë lajm nga programet televizive, pasi televizori qëndron i fikur gjithë ditës, përvec 10-15 minutave kur Hugo shikon një film për fëmijë. Unë dhe David-i mendojmë se televizioni është një humbje kohe dhe deformim ndjesish, pasi siç mund ta keni vënë re, ka shumë programe të pakuptimtë dhe shpesh nuk mungon arroganca dhe vulgariteti. Por mbi të gjitha nuk duam që djali ynë të kalojë kohë me ekrane përpara, pasi nuk është aspak favorizuese në rritjen e tij…
Përpiqemi të kalojmë pak kohë në shtëpi dhe më shumë jashtë.
Na pëlqen të treve kopshtaria dhe shpesh kalojmë orë ta gjata në një kopsht publik ku banorë të ndryshëm kanë mbjelle perime apo fruta dhe secili jep kontributin e vet në mirëmbajtje…. Hugo është një ndër ta, që mund të kalojë orë të tëra duke ujitur apo duke përtypur ndonjë luleshtrydhe apo manaferrë dhe atmosfera është vërtet magjike… Për të tre është çasti më i bukur i ditës, pasi secili merret me një punë, mbjellje apo ujitje dhe shkëmbejmë pak fjalë, secili në heshtje krijon botën e tij të paqtë!
Jeta në qytetin e Lozanës krijon një lloj intimiteti që më pëlqen, sidmos në ditë me diell, shëtitjet nëpër rrugicat me kalldrëm, e rrethuar nga një arkitekturë romake, baroke, gotike, diku në disa lagje ndesh po ashtu edhe arkitekturë postmoderne. Arkitektura ka një ndikim të madh emocional tek unë dhe shpesh frymëzues… Megjithatë ne nuk kalojmë kohë të gjatë në qytet dhe shmangim kryesisht qendrat komerciale me histerinë që krijon kultura e shooping-ut, ndaj «arratisemi» nëpër parqe, male, pyje apo shëtisim në bregun e liqenit ose vizitojmë qytete.
Vitet e fundit më duket sikur jetoj midis dy botëve paralele; në atë realen të përditshmen dhe në atë magjiken të filmit, sepse të shkruarit e një filmi është një kurth i ëmbël që të mban të lidhur mendërisht dhe shpirtërisht. Ka raste, në mëngjes, kur bëj gati kafen, sytë shohin filxhanin që po mbushet, por mendja është diku, te ndonjë skenë që duhet rishikuar nga unë… dhe shpesh ndodh ndonjë përmbytje kafeje.
Angazhimet e mia këto vite kanë qenë tepër të ngjeshura, si puna me skenar, kërkimet dhe lexime që i shërbejnë punës, telefonata dhe e-mail-e që shkëmbej me produksionin dhe midis të tjerash; studimi i gjuhës frënge. Më pëlqen intesiteti i jetës sime dhe në fakt kështu kam qenë gjithomnë, e vrullshme për të kryer detyra të rëndësishme, pa marrë parasysh lodhjen.
Tashmë me djalin tonë përgjegjësitë janë me të mëdha, ndaj unë fle pak dhe lodhem shumë që të jem e pranishme si nënë për të dhe të mund të ruaj harmoninë në punën time gjithashtu.
Çasti kur unë përpiqem të pushoj është pasdreke. Mund të dal me biçikletë ose të pi një çaj në ballkon, të takoj ndonjë mik/mikeshë apo thjesht të rri pa bërë asgjë, edhe pse mendërisht jam gjithmonë në punë… duke menduar ndonjë skenë të filmit…
Ky vit është vendimtar për realizmin e projektit tim të parë të gjatë, që më shoqëron prej vitesh dhe është kthyer në dëshmi kujtimesh dhe ngjarjesh të forta, që unë kam përjetuar që kur kam nisur shkrimin e draftit të parë. Është tashmë pjesë imja, jetoj me të çdo ditë, ngushëllohem me të, marrë forcë, përlotem më të dhe vazhdoj ta ushqej me dashuri.
Ora është 13:40. Ora e pushimit…
Po e mbyll këtë rrëfim duke u uruar të gjithë lexuesve që koha që kalojnë të jetë në funksion të pasionit dhe të dashurisë që ata ushqejnë brenda vetes.