Filmave që u bënë më pas u mungon shpirti/Bisedë me aktoren dhe regjisoren Ermela Teli

in Biseda/Kinema by

Bisedë me aktoren dhe regjisoren Ermela Teli.

Ajo jeton në Zvicër, në Lozanë, shkruan poezi që nuk i publikon dhe ndonjë prej tyre që mbart edhe shqetësimet e saj sociale, e shndërron në film.

Ajo është e drejtpërdrejtë me problemet e artit në Shqipëri kur thotë:

Mendoj se vendi ynë ka shumë halle dhe shqetësime, e që fatkeqësisht, rrallë trajtohen në film… dhe shumë nëpër kafene për të thyer rutinen!

     Bisedoi: Arlinda Guma

Arlinda Guma: Ju jeni aktore, regjisore dhe… shkruani edhe poezi, të cilat nuk i publikoni… Sa e pasuron letërsia punën tuaj? (Ka regjisorë në Shqipëri që nuk kanë lexuar një libër në jetën e tyre, por kjo nuk i pengon ata ta shkruajnë vetë skenarin e filmit që do xhirojnë.)

Ermela Teli: Kam nisur të shkruaj poezi kur isha shumë vogël dhe arsyen nuk e kuptoja… por thjesht mbase ngaqë kisha nevoje të shprehesha, të tregoja diçka nga vetja. Kam shkruar deri vonë e ndikuar nga ngjarje personale, por nuk kam dëshirë t’i publikoj ato… janë biseda me veten!
Megjithatë njërën poezi e kam bërë film në vitin 2010 dhe titullohet “Homazh”.
Si aktore kam qenë pjesë e disa projekteve në film dhe teatër, projekte interesante, por jo gjithmonë. Megjithatë në të dy rastet kam përfituar profesionalisht sa kam mundur, edhe në rastet ku struktura e skenarit nuk ishte e mirëndërtuar apo me personazhe të paqartë në qëllimet e tyre, jam përpjekur të jap sa të mundem nga vetja, qoftë edhe duke improvizuar… apo duke modifkuar detaje të skenarit.
Megjithatë, prej vitesh unë nuk luaj më në teatër apo film… edhe pse së fundmi i kam thënë po një projekti, kjo nuk do të thotë se do vazhdoj me aktrimin.
Si regjisore, që prej vitit 2009 kam shkruar skenarë dhe kam xhiruar filma e dokumentarë të shkurtër. Kur dua të krijoj, nisem nga ajo që më nxit apo që më shqetëson. Në përgjithësi temat që trajtoj përmbajnë elemente natyralistë… apo, e thënë ndryshe; një prirje drejt natyralizmit me një dëshirë për të thënë të vërteta dhe gjëra konkrete me një vizion unik personal. Zhanri që më tërheq dhe ku gjej veten është Art Cinema apo siç njihet në Europë: Kinemaja Autor, filmi indipendent.
Lidhur me pyetjen mbi ndikimin e letërsisë në punën time: është një ndërthurje e të dyjave. Nuk kam provuar ende të përshtas për film ndonjë roman apo novelë, nëse pyetja juaj ka për qëllim këtë, por në të ardhmen dua të shkruaj një skenar për një film epik, mitik, duke qenë se historia, mitologjia, më tërheqin fort.
Siç prekemi nga ngjarje personale apo tragjedi, po ashtu mund të prekemi nga tragjedia e personazheve në libra. Është shumë interesante të zbulosh, jo vetëm frikërat personale, trishtimin, dështimin, dashurinë apo gëzimin, por edhe ato të personazheve të një libri. Duhet të kujtojmë që bashkëpunimi i kinemasë dhe letërsisë nis qysh me filimet e kinemasë dhe pyetja juaj më ktheu pas në kohë… te Vëllezërit Lumiere, te filmi “La Passion”, realizuar në vitin 1897. Përshkruhet vdekja dhe ringjallja e Jezusit përmes 13 skenave të Biblës, të xhiruara me kamera fikse dhe plane të gjerë.
Në film, veçanërisht romanet kanë patur që herët ndikim të rëndësishëm dhe shumë regjisorë u përpoqën të riprodhonin ngjarjet dhe skenat sa më saktë që të mundnin dhe ishte thelbi i krijimit të filmit. Për shembull.; së fundmi po shihja një film të Kurosawa-s (një ndër regjisorët e mi të preferuar) “The bad sleep well“, që është një përshtatje avangardë e Hamletit, megjithatë shembuj përshtatjesh tragjedish, novelash apo romanesh, ka shumë në historinë e kinemasë.
Lidhur me konstatimin tuaj, për regjisorë në Shqipëri që nuk kanë lexuar ndonjë libër dhe që kjo nuk i pengon të shkruajnë skenarë: mendoj se të shkruarit e skenarëve është punë studimore e vazhdueshme dhe kërkon të lexosh shumë për t’i shërbyer strukturës së skenarit, ngjarjes, zbërthimit të personazheve, qëllimeve apo konflikteve.

Arlinda Guma: Ju keni patur rolin tuaj të parë në filmin e regjisorit Fatmir Koçi: “Tirana Viti Zero”. Çfarë kujtoni nga ajo eksperiencë? Nëse do ta krahasonit kinemanë e viteve 90′ me kinemanë e viteve 2000, në ç’përfundime do të mbërrinit?

Ermela Teli: Ditën që m’u ofrua kinoprova për rolin e Klarës, isha në një dyqan dhe po provoja një fustan. Pashë një grup njerëzish dhe dikë që më afrohet: Besim Kurti (pjesë e produksionit), i cili më thotë: Po kërkojmë një vajzë për një rol në film, je e interesuar?
Isha 18 vjeç dhe një natë më parë kisha qenë në një festë që kishte zgjatur deri në orët e para të mëngjesit, nuk isha shumë e kthjellët në ato momente, mbaj mend që u përgjigja ftohtë: Po! Më pas, kur grupi po largohej, u kujtova që do të konkurroja për aktrim në Akadaminë e Arteve dhe përgjigjes sime i shtova edhe këtë si informacion!
Kinoprova u bë në Kinostudio, atmosferë mbresëlënëse. Edhe pse struktura e mureve ishte disi e lëshuar dhe e braktisur, ndjesitë ishin të thella dhe emocionuese. Isha e përhumbur në ambientet e brendshme të Kinostudios… kisha dëshirë të shikoja një kamera, projektorë apo garderobë… isha shumë-shumë kurioze!
Mbaj mend që e fillova prezantimin me një poezi të Migjenit: “Kanga Skandaloze” dhe regjisori Fatmir Koçi më pas vendosi që poezinë ta interpretoja edhe në film. Dhe filmi hapet me këtë poezi, interpretuar në një ballkon, diku tek Rruga e Kavajës.
Fatmiri ishte shumë gazmor në shesh xhrimi dhe kërkues gjithashtu! Filmi i tij është padyshim një ndër më të mirët i pas viteve 90’, ku ndërthurja e humorit dhe e trishtimit të vitit 1997 vjen aq natyrshëm dhe personazhet janë karaktere shumë interesantë dhe domethënës.
Personalisht, Klara ishte personazh ku mishërohesha lehtë me të.
Më kujtohet një skenë, diku nga fundi i filmit, regjisori më kërkoi t’i ulesha në gjunjë personazhit të Nikut (interpretuar mrekullueshëm nga Nevin Meçaj) dhe t’i kërkoja falje, meqë isha larguar nga Shqipëria duke lënë pas edhe historinë tonë. Nuk e ndieja gjunjëzimin dhe sugjerova që të mos t’i thosha asgjë në ato momente dhe Fatmiri e pranoi dhe e ka përkryer më pas atë skenë dhe fundin, me një plan të gjatë të Klarës dhe Nikut duke ecur në heshtje në një fushë ku në sfond dallohen disa pallate parafabrikate… dhe një kosh me plehra! Befas, heshtja e tyre thyhet nga një ngjarje qe Klara nis të tregojë… një ngjarje aspak romantike, por një situatë që kishte parë, ku disa persona qëllonin me kallashnikov në ajër dhe hidhnin televizorë nga një pallat!… Nikut nuk i bën përshtypje ngjarja dhe të dy vazhdojnë të ecin përsëri, të heshtur përgjatë fushës!
Fundi i filmit më ka emocionuar shumë, ishte shumë prekës.
Përsa i përket pyetjes suaj mbi krahasimin e kinemasë së viteve 90′ dhe atë të viteve 2000, mund të them se, duke nisur që nga kinemaja e periudhës komuniste dhe duke vazhduar me atë të viteve 90′, kam parë filma mbresëlënës, por filmave që u bënë më pas u mungon shpirti!
Tani u bënë 6 vjet që jam larguar nga Shqipëria dhe nuk kam parë kinema shqiptare… ndaj nuk mund të jap përshtypje!

Arlinda Guma: Qarqet artistike në Tiranë funksionojnë me simpati apo inate personale. Ka një cektësi, meskinitet dhe një dashakeqësi alarmante në të gjithë atmosferën që i mbështjell. Unë gjithmonë e kam gjetur shkakun te mungesa e formimit intelektual të artistit shqiptar: që do të thote se, edhe pse ai mund të jetë i talentuar në fushën e tij, në formimin e vet të përgjithshëm dhe në kultivimin e tij ky njeri nuk e kapërcen dot nivelin mediokër. Si e shihni ju këtë?

Ermela Teli: Nuk njoh qarqe artistike dhe nuk kam qenë e interesuar për to!…
Më kujtohet, një ditë në një kafe përpara Galerisë së Arteve, isha ulur vetëm.
I ndjeri Viktor Gjika më afrohet dhe më thotë: Largoje trishtimin se ke rrugë të gjatë për të bërë!
Në fakt kjo fjalë e tij më gëzoi dhe më dha shpresë… Pastaj më foli për kinemanë ruse dhe për nje aktore/regjisore: Larisa Shepitko, që sipas tij i ngjaja. Kuptohet, ky shkëmbim ishte shumë domethënës për mua, sepse të flisje për kinemanë apo letërsinë, ishte dhe kam frikë se ende është e vështirë dhe e rrallë, në ato siç ju e quani: «qarqe artistike».
Mendoj se mungesa e formimit intelektual ka përsosur mediokritetin dhe aty nuk ka vend të diskutohet as talenti dhe as krijmtaria, e jo më dashamirësia.

Arlinda Guma: Në filmin shqiptar të pas 90-ës konstatoj se ka pak dokumentarë me temë aktivizmin social. Edhe më pak filma artistikë me këtë temë. Ç’mendim keni për kinemanë që trajton tema te angazhuara? Ç’mendim keni për artin e angazhuar në përgjithësi?

Ermela Teli: Mendoj se një krijuesi duhet t’i vijë natyrshëm nevoja për të reaguar me një qasje kinematografike personale. Bazuar në iniciativën e lirë, krijuesit e guximshëm flasin hapur për aktualitetin politik, ekonomik dhe sociologjik, duke mos përjashtuar dhe atë historik. Shqipëria në gjithë historinë e saj, sidomos politike, duhet të kishte më shumë reagime nga artistë dhe intelektualë, nuk flas për «artistë» militantë partish, të cilët bëjnë sikur reagojnë, por në të vërtetë angazhimi i tyre ka për qëllim një projekt më shumë në të ardhmen dhe mundësisht një këmbë në parlamet…
Nuk e kam fjalën as për ata krijues/e, që e kanë bërë copë e çikë temën e gruas së dhunuar, duke e keqpërdorur dhe duke valëvitur flamurin si aktivistë që mbrojnë të drejtat e grave me filmat e tyre… që në fakt nuk synojnë më shumë se të bërit një projekt dhe të hedhin status në facebook se në sa festivale po udhëton filmi…
Unë besoj tek krijuesit seriozë!
Është një film i vjetër francez “Les miseres de l’Aiguille“, (1913), filmi i parë francez që denoncon shfrytëzimin e punëtoreve dhe veçanërisht atë të grave.
Mendoj se vendi ynë ka shumë halle dhe shqetësime, e që fatkeqësisht, rrallë trajtohen në film… dhe shumë nëpër kafene për të thyer rutinen!

Arlinda Guma: Mund të më flisni për filmin tuaj të parë “Farewell“, ku ju jeni regjisore?

Ermela Teli: Historia e një çifti që po jeton ditët e fundit të marrëdhënies së tyre.
Një ngjarje e treguar me dy lokacione; apartament dhe bregdet. Filmi nis me një suspancë të gjatë, ku prezantohemi menjëherë me një grua që rri në dritare dhe shikon jashtë e trishtuar… brenda në apartement dritat janë të fikura… kisha kërkuar ndriçim të ftohtë që të vinte nga rruga, si të ishte e vetmja dritë në atë zymtësi… Duket sikur kemi të bëjmë me një skenë krimi dhe në fakt të tillë e doja atmosferën. Në anën tjetër të apartementit shohim në ballkon një burrë, i cili pi cigare në vetminë e tij. Ky çift nuk ka më asnjë fjalë për t’i thënë njëri-tjetrit… por vendosin të bëjnë sikur janë mirë dhe kështu ulen përballë dhe nisin të luajnë shah. Menjëherë ndiejmë tension në ajër dhe kuptojmë që diçka ka ndodhur. Të nesërmen i shohim në breg të detit, ata janë të ulur mbi një karrige (instalacion në hekur që e kisha kërkuar shumë të lartë) dhe burri i thotë gruas se ajo kurrë nuk e ka dashur!
Përpëlitja për të mbajtur gjallë një marrëdhënie që nuk mund të jetojë gjatë, ishte një reflektim personal dhe e ndjeva të nevojshme të flisja për ankthin që një marrëdhenie e tillë krijon, dëshpërimin dhe zbrazjen emocionale të dy njerëzve që e kanë të pamundur, qoftë dhe të shëtisin bashkë. Ndaj ngjarja zhvillohet në dy lokacione, ishte një zgjedhje metaforike për të treguar pikërisht mungesën e komunikimit dhe fundin e një marrëdhenieje.
Një film i xhiruar thjeshtë dhe teknikisht doja kamera fikse dhe plane të gjatë duke “përgjuar” heshtjen e çiftit, sikur duan të shtyjnë kohën dhe ashtu të fshehin të vërtetën e pathënë ende.

Arlinda Guma: Dhe më pas “Sheshi”?

Ermela Teli: Filmi im i dytë: “Homazh” apo siç ju e quani “Sheshi”, ishte një reagim personal lidhur me ndryshimet e Sheshit “Skenderbe” në vitin 2010… Në përgjithësi çdo ndryshim i bërë keq dhe ç’rrënjosje ndërtesash historike më dëshpëron dhe më bën pesimiste.
Një film i shkurtër lirik, i treguar nga këndvështrimi i një vajze, e cila shëtit nëpër qytet dhe ndjen dëshpërim në atmosferën e trishtë dhe të zhurmshme të qytetit të saj.
Varfëria e shkruar në portretet e njerëzve, rrugët e shndërruara në gërmadha, njerëzit që enden rrugëve, ashtu pa kohë dhe qëllim, ishte ajo që unë ndieja fort dhe më dukej sikur përtypja helm çdo ditë nga pak. Kështu shkrova një poezi me titullin: “Homazh” dhe vendosa ta bëja film.
Padrejtësitë e vazhdueshme politike që godasin ashpër kurrizin e popullit dhe dhembin fort… dhe është pikërisht kjo ndjesi që më persekuton vazhdimisht dhe përpiqem të flas… të reagoj.
Këtë gjendje e kam treguar me plane sekuence, kur vajza, pasi endet në bulevard dhe hyn në autobus, shikon aty portretet e bashkëqytetarëve… diku një buzëqeshje e trishtuar, diku një shikim mbushur me zemërim dhe ajo ulet e vetme dhe përpiqet të shmangë shikimin me të tjerët e «fsheh sytë» duke parë jashtë dritares… Ajo shikon shenjat e qarkullimit rrugor që tregojnë vende të ndryshme të Evropës, si për shembull: po të ktheheshe në të djathtë shkoje në Berlin apo në të majtë, në Paris, e plot të tjera si këto… Më dukej sa qesharake aq dhe e trishtë.
Vajza vazhdon rrugëtimin e saj në qytet, që i duket si «bajgë e qelbëzuar», ashtu e ngrysur nga koka tek këmbët. Këto janë fjalët që dëgjojmë – një formë narracioni që bëhet me voice over (zë mbi figurë):

Njerëzit duken shpesh si në hipnozë,
Jeta ime, jeta jonë kyçet në çdo kryqëzim,
Të pyes ty O Zot- pse e bëmë gjithë këtë rrugë deri këtu?
E gjithë kjo është një galeri me vende bosh.

Një film me përmbajtje jokonvencionale dhe shumë simbolike, ku personazhet kryesorë janë Vajza endacake dhe Qyteti i Tiranës.

Arlinda Guma: Sa e vështirë është për një artiste që nuk bën pjesë në asnjë klan apo qark artistik këtu në Tiranë, që të marrë një financim për projektin e saj?

Ermela Teli: Unë nuk kam marrë kurrë financim nga Qendra e Filmit dhe çdo film apo dokumentar e kam realizuar vetë dhe me financime private! Një betejë e fortë, por e bukur kur në fund shikon filmin tënd në shesh xhirimi dhe më pas në kinema.
Në vitin 2015, kur me bashkëshortin tim u larguam drejt Çekisë, ishte dhe kjo një arsye… David është inxhinier zëri dhe me një karriere të pasur në kinema dhe dokumentarë apo instalacione. Të dy kishim dëshira të mëdha të krijonim, por askush nuk ishte i interesuar të punonte me të dhe me mua, as që nuk kishte dëshirë njeri të shikonte qoftë edhe 2 minuta film nga punët e mia. Një inat dhe dëshirë për të më «hequr qafe» nga çdo mundësi për të bërë një projekt, nuk e kam kuptuar kurrë arsyen e vërtetë.
Përpara se të largoheshim, kisha prezantuar një film të shkurtër në Qendrën e Filmit me producent Eno Milkanin dhe komisioni nuk artikuloi asnjë pikë shqetësuese të projektit, veç një detaji… dhe ishte: Të duhet më shumë financim për njê film të tillë! Qesha dhe u thashë: Për këtë keni producentin tim këtu, i cili argumenton se shifrat e buxhetit të paraqitura prej tij nuk e kalojnë shumën që Qendra e Filmit ofron për film të shkurtër indipendent!
Kur mbaroi prezantimi përpara komisionit, producenti im, i cili ishte entuziast, më tha: Skenari është pëlqyer, rri e qetë!
Në të vërtetê, filmi im nuk u financua! Kërkova të dija arsyet dhe ato nuk u treguan kurrë.
Kështu, meqë nuk flisnim të njëjtën gjuhë dhe nuk ndanim vizione të ngjashme për kinemanë dhe të ardhmen, unë dhe David morëm valixhet dhe ia mbathëm.

Arlinda Guma: Cilat janë ato figura të historisë së artit botëror që ju admironi? Nëse do të gjendeshit ndonjëherë përballë tyre, ç’pyetje do t’u bënit?

Ermela Teli: Meqë jemi tek filmi, po e drejtoj pyetjen tek disa regjisorë (disa prej tyre kanë ndërruar jetë), që i dua, edhe pse lista është edhe më e gjatë…

Të dashur:

Jean Vigo, Sergei Paradjanov, Roberto Rossellini, Pier Paolo Pasolini, Federico Fellini, Robert Bresson,
Alain Tanner, Claude Goretta, Ingmar Bergman, Akira Kurosawa, Aki Kaurismaki….

Pse njerëzit nuk janë të lumtur së bashku?

Arlinda Guma: Ju po punoni për të realizuar një film për ideologjinë. Ndokush mund të thoshte: – A nuk kemi tashmë mjaftueshëm filma me këtë temë? Por… si do të jetë qasja ndaj kësaj teme të shumëdiskutuar? A do të ketë qasje moderne filmi, në mënyrë që edhe njeriu i viteve 2020 të gjejë “ideologjinë” e tij në të? (Apo mungesën e saj…)

Ermela Teli: Nuk mendoj se kemi mjaftueshëm filma të tillë, edhe më shumë duhen bërë dhe duhen bërë mirë.
Filmi im i ardhshëm tregon çfarë do të thotë të jetosh në gënjeshtër… dhe që çdo ideologji pjell gënjeshtrat e saj, ku viktimë bie një shoqëri e tërë. Qasje moderne… nuk di nëse do ta kisha përkufizuar kështu, por një film për njeriun… po!
U jam kthyer shpesh fotografive kur isha e vogël, duke i parë me kujdes dhe flas për fillimin e viteve 80’, shikoja reagime të ndryshme, ekspresione të ndryshme, që lidhen me ngjarje të ndryshme… dhe këto ndjesi më kanë shoqëruar deri vonë! Ka diçka magjike në ato detaje, tê cilat sigurisht lidhen dhe me periudhën komuniste dhe ky rrugëtim emocional më nxiti të shkruaja historinë e një familjeje që jeton në diktaturë. Një skenar origjinal, për të cilin kam vite që punoj dhe tani sapo kam mbyllur një pjesë të kastit të aktorëve për t’iu afruar fazës së xhirimeve.

Arlinda Guma: Cili është koncepti juaj për lumturinë? Nëse ajo do të përkufizohej me një fjali, cila do të ishte ajo? Si ndikon lumturia (apo mungesa e saj) në aktivitetin krijues?

Ermela Teli: Lumturia është gjendje e përkohshme. Kjo gjendje ndikon tek unë në shkrim, po aq sa ndikon trishtimi.

Arlinda Guma: Ju jetoni në Zvicër. Me çfarë ndjesish ktheheni në Tiranë? Ku ndiheni më e vlerësuar?

Ermela Teli: Në Zvicër profesionalisht ndihem më e vlerësuar… Në Tiranë janë prindërit e mi, që më bëjnë të ndihem e vlerësuar!

Arlinda Guma: Me ç’kolonë zanore filmi do ta përshkruanit Tiranën? Po Lozanën?

Ermela Teli: Tiranën me Zbigniew Preisner – Dekalog. Dhe Lozanën me Schubert- Piano Trio N 2, II, kolonë zanore e përdorur në disa filma, por veçanërisht më ka pëlqyer në filmin e M Haneke: “The Pianist”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Biseda

Go to Top