KËNGË NGA BALLKANI I HAPU/Arbër Zaimi

in A(rt)ktivizëm by

Para 4 vitesh në Mitrovicë të Kosovës presidenti serb Vuçiq deklaronte pa i ardhur turp se Millosheviqi nuk ishte burrë i keq dhe nuk kishte synime të këqija, por mjetet i zgjodhi të gabuara. Pra, nuk është aspak rastësi që në elitën politike serbe të mbizotërojë gëzimi për një dështim të Amerikës.

   Arbër Zaimi

Si është e mundur që të njëjtët pushtetarë të cilët deri dje thoshin se “shqiptarët do të bashkohen vetëm në Europën e Bashkuar” tash po thonë se me serbët mund të bashkohemi edhe pa na e hapur derën Europa? Papritur e papandehur, pushteti i Edi Ramës dhe mediat puthadore kanë nisur një fushatë që ringjall moton jugosllave të “vëllazërim-bashkimit”. Emri më i mbramë i këtij projekti vëllazërues, që i ka ndryshuar emrat më shpesh sesa pelenat, është “Open Balkan”, ndërsa intron muzikore të tij do ta këndojë pop-artisti jugosllav Goran Bregoviq, në një festival konsumi organizuar nga pushteti lokal në qytetin e Korçës.

Një digresion të shkurtër: pse pikërisht Bregoviqi?

Krijimtaria e tij është e ndarë me tre faza: ajo me Bijelo Dugme, ajo me Kusturicën dhe ajo prej “artisti ndërkombëtar ethno-jazz”. Bijelo Dugme karakterizohet nga një qasje antikomuniste dhe projugosllave, pra një Jugosllavi e cila nuk ka më nevojë për “make-up” të barazisë, por vetëm për pranim të “identiteteve” ashtu siç ato janë, e pse jo një banalizim i mëtejshëm i tyre, drejt një kulture që përqendrohet te konsumi. Brenda kësaj Jugosllavie antikomuniste, Bijelo Dugme promovonte konsumin dhe hedonizmin (seks, drogë, moskokëçarje), por edhe dominimin serb. Kënga e tyre “Gjurgjevdan” nga albumi i fundit (Ciribiribela, 1988) u shoqërua nga një videoklip të cilin edhe vetë televizioni jugosllav e ndaloi së shfaquri, për shkak të simbolikave çetnike të ekstremit të djathtë. Edhe vetë debati mes anëtarëve të grupit, sidomos zënka me Alen Islamoviqin, kishte të bënte pikërisht me këtë, sepse Islamoviqit po i dukej se grupi po bëhej shumë “pro luftës”.

Në fazën e dytë, Bregoviqi i bashkëngjitet regjisorit Kusturica si kompozitor filmash. Ata u bënë të famshëm me filma si “Mace e zezë, mace e bardhë” ose “Koha e ciganëve”, në të cilët paraqiten të stereotipizuar komunitetet rome të Maqedonisë. Hedonizmi i tyre naiv, përqafimi ekstrem i gjithçkaje që dëshirohet, pikërisht në momentin që dëshirohet, prodhon situata ku dhuna e terrori përqafojnë humorin e dashurinë, një papërgjegjësi absolute, e cila sigurisht është e paaftë të formojë kulturë të lartë ose organizim shoqëror të mirëfilltë, siç është shteti. Përveç esencializimit të romëve, me një gjest të tillë artistik Kusturica e Bregoviqi ofronin një kornizë për të kuptuar tmerret e Jugosllavisë. Metafora nënkuptonte se arsyeja pse ndodhën gjithë krimet e përgjakjet ishte paaftësia e popujve të Jugosllavisë për të bërë shtet. Pra, krimet në vitet ´90-ta paraqiteshin si “punë ciganësh”, si vepër e “pushkës së jevgut”, e njerëzve që nuk dinë të kufizohen në të ngrënë, në të pirë, në qejf, në dhunë e në asgjë, siç janë“ballkanasit”. Kuptohet, kjo nuk i qëndron një shqyrtimi objektiv. Dhuna post-jugosllave e ka rrënjën në projektin serb për hegjemoni, i cili nuk ishte as spontan, as i dalë prej vulgaritetit popullor, por i planifikuar nga ekonomia, politika, akademia dhe kultura e lartë serbe. Krimet ishin si pasojë e dëshirës së Serbisë për ta vazhduar pushtetin e saj, në një Jugosllavi të dekomunistizuar, e cila nuk kishte më nevojë as për “vëllazërim bashkimin” komunist. Nga ana tjetër, popujt e tjerë, sllovenët, kroatët, boshnjakët, shqiptarët, u mbrojtën me mjetet që patën, ndonjëherë duke reaguar edhe në hakmarrje, të frustruar prej gjithë makinerisë shtetërore, ushtarake, mediale e diplomatike që Serbia e drejtoi kundër tyre.

Në fazën e tretë, atë të “artistit ndërkombëtar” Bregoviqi e merr jugonostalgjinë si projekt të vetin dhe vazhdon ta ndërtojë mbi qëndrimet e dy fazave të para, duke e paraqitur mposhtjen e Serbisë si tragjedi. Me një “detournement”, ai kujdeset që të mos e paraqesë si tragjedi për serbët, por për popujt e tjerë. Ai është i interesuar të tregojë se sundimi serb është i mirë për të gjithë. Kështu, kur këndon këngën partizane italiane “Bella Ciao”, si antikomunist i vjetër që është, kujdeset ta dekontekstualizojë dhe ta mbushë me një kontekst të ri. Cili është ai kontekst? Në tekstin e këngës ai përfshin një “prezantim” të kënduesit të imagjinuar, në italisht. Thotë: “Quhem Muharrem Rexhepi, cigan, refugjat nga Kosova, Italinë e adhuroj”, dhe pastaj vazhdon me tekstin e vjetër të këngës, kinse romi nga Kosova Muharrem Rexhepi një ditë u zgjua dhe e pa vendin e tij të zaptuar prej pushtuesit. Domethënë, sipas Bregoviqit të fazës së fundit, Kosova “u pushtua” nga NATO dhe nga shqiptarët e UÇK-së dhe tani aty nuk ka më vend për romët. Një gjest i poshtër përdorimi i një komuniteti të shtypur e minoritar si ai rom, kundër një komuniteti tjetër të shtypur por maxhoritar si ai shqiptar, bërë nga pozitat e komunitetit minoritar shtypës në Kosovë, atij serb.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për jugonostalgjinë e Bregoviqit, sepse nën Jugosllavi janë ndarë të pakënaqur, madje plot pezm e mëri nga “vëllazërim-bashkimi” socialist.

A është “vëllazërim bashkimi” neoliberal zgjidhja?

Në librin e tij “Capitalist Realism” teoricieni tashmë i ndjerë Mark Fisher e quan neoliberalizmin një “stalinizëm të tregut”. Ai e mbështet këtë në dy aspekte. Së pari, dogma fondamentaliste neoliberale se ky sistem “nuk ka alternativë” (shpallur pa rezerva nga M. Thatcher në vitet ´80) prodhon monizëm ose padurueshmëri për çdo lloj pluraliteti ose konkurrence në mendimin ekonomik e politik, njësoj si me monizmin dogmatik stalinist. Së dyti, Fisheri vë re në neoliberalizëm një rikthim të fortë në skenë të burokracisë, e cila quhet tash “klasë menaxheriale” ose “ekspertë dhe teknokratë”. Këta janë vendimmarrës të emëruar e jo të zgjedhur, të cilët i përcaktojnë objektivat dhe e vlerësojnë performancën në arritjen e normave, duke u vënë “nota” universiteteve, spitaleve, kompanive, bankave, madje edhe shteteve. Sipas Fisherit, klasa e re burokratike është po aq e fortë sa e vjetra. CEO-të e kompanive, menaxherët, janë shumë më të fuqishëm se pronarët e tyre (zotëruesit e aksioneve e dividendëve, që janë në fakt po aq pronarë sa ç´ishin dikur punëtorët në fabrikat socialiste).

Nëse ruajmë argumentin e Mark Fisherit, Jugosllavia socialiste dallon nga “Open Balkan” neoliberal vetëm në një aspekt. Kjo e reja nuk e ka aspak shqetësimin që të duket si e barabartë mes kombeve, as sa për sy e faqe. Nëse te e vjetra utopia socialiste përdorej si make-up propagandistik, për të mbuluar diskriminime e pabarazi, te kjo e reja thjesht do të hiqet make-upi. Projekti neoliberal “Open Balkan” s´është gjë tjetër, veçse një Jugosllavi e re, e zhveshur nga pretendimet për utopi socialiste a komuniste për barazi mes kombesh.

Nën Jugosllavinë socialiste, pavarësisht pretendimeve për barazi, shqiptarët nuk kaluan mirë. Teksa gjëmonin altoparlantët për vëllazërim e bashkim, Kosova, e cila kishte të ardhura për frymë tre herë më të ulëta se Serbia në vitin 1945, përfundoi në vitin 1989 me të ardhura 7 herë më të ulëta. A do të ishin gjërat më mirë në një Jugosllavi neoliberale? Jo, aty ku mbizotëron stalinizmi i tregut dhe barazia s´është më shqetësim i askujt, pabarazia vetëm do të rritet. Tashmë e kemi parë brenda secilit vend ballkanik rritjen ekstreme të pabarazisë nën neoliberalizëm dhe një projekt si “Open Balkan” do t´i jepte pabarazisë edhe dimension etnik, përveçse klasor.

Përkufizimin më të mirë të ekonomisë politike të kësaj Jugosllavie të re e dha ish-diplomati amerikan James O´Brien, në 4 gusht 2021, në një diskutim mbi “Open Balkan”, të organizuar nga CSIS: “Nëse e shihni rajonin, vetëm Serbia po merr shumë investim dhe kjo e vendos atë në zinxhirin europian të prodhimit të vlerës. Vendet kështu bëhen të pasura, duke hyrë në zinxhirin e prodhimit të vlerës të fqinjëve më të pasur. Serbia është shteti që po i tërheq ato investime. Fuqia punëtore e Serbisë nuk është aq e madhe sa duhet për të përballuar kërkesat. Kështu që, në mënyrë që Serbia të zhvillohet e të përparojë, duhet t´i mundësohet që të dërgojë fabrika në vende të tjera ose të lejohen punëtorët nga vendet e tjera të shkojnë në Serbi”. Praktikisht, O´Brien thotë se në botën neoliberale pa alternativë, Serbia është vendi i rajonit që merr investime nga Europa, ndërsa vendet e tjera i subordinohen Serbisë dhe dërgojnë te ajo punëtorë, teksa presin që ajo t´u shpërndajë fabrika, në rastin kur nuk ia del dot vetë t´i përmbushë me krahë pune.

Nuk është hera e parë në histori që Serbia pretendon të luajë rolin e “çobanit” të vendeve të vogla e të parëndësishme ballkanike. Përpjekja për të qenë hegjemon i vogël i Ballkanit, në shërbim të hegjemonëve të mëdhenj të botës, është pjesë e projektit nacionalist serb. Gjatë shek. XIX dhe gjysmës së parë të shek. XX Jugosllavia, e drejtuar nga projekti serbomadh, veproi nën suazën e ndikimit rus, por edhe francez e anglez, kundër fuqive qendrore austro-hungareze, gjermane e italiane, e më pas, prej gjysmës së shek. XX, shërbeu si një lloj kufiri poroz mes dy kampeve të luftës së ftohtë, në një politikë kinse neutrale, por në fakt bivektoriale, mes Moskës dhe Uashingtonit, politikë të cilën e ndjek edhe sot pasardhësja e Jugosllavisë, Serbia, ndonjëherë duke e zëvendësuar Moskën me Pekinin.

Në periudhën kur bota u bë më unipolare se kurrë, në fund të viteve të ´90-ta, Serbisë iu ngushtua laku dhe nuk mund të mbështetej më në taktikat bivektoriale. Moska ishte e dobët dhe Pekini ende jo aq i fortë, gjë që e bëri Serbinë të ngutet e të përpiqet t’i zgjidhë punët “shpejt e shpejt” me popujt që kërkonin liri: boshnjakët e, më pas, shqiptarët. Kjo rezultoi, nga pikëpamja shqiptare, në ndërhyrjen e SHBA-së dhe NATO-s në ndihmë të luftës shqiptare për çlirim në Kosovë. Por, a do të kishte ndodhur kjo ndërhyrje po të mos kishte qenë bota aq unipolare në atë kohë? Jo. Me forcimin relativ të fuqive të tjera, rritjen e ambicies asertive të Putinit, e sidomos rritjen e Kinës, një tjetër politikë po luhet mes fuqive të mëdha, të cilat kërkojnë të merren vesh për kufijtë e zonave të influencës. Gjatë marrëveshjeve të tilla, shumë shpesh gjatë historisë, popujt e vegjël e vendet e vogla, kanë përfunduar duke u përdorur si monedhë për kusuritje: bëma një lëshim atje lart e unë po ta lëshoj territorin këtu poshtë. Teksa është interes i Perëndimit që ta marrë Serbinë pranë vetes, nuk do të ishte e pamençur që shqiptarët të ruhen që të mos përfundojnë vendet e banuara me shqiptarë si ajo monedha e parëndësishme që kthehet për kusur a që i lihet bakshish kamarierit, me të cilën blihet afrimi i Serbisë.

Pas rënies së Afganistanit në dorë të talebanëve, opinioni publik e ai politik në Serbi, duke përfshirë aty edhe media prestigjioze e zyrtarë të lartë të parlamentit dhe qeverisë, shprehën një gëzim, një schadenfreude. Thanë pa kompleks se, siç ikën nga Afganistani amerikanët, ashtu do të ikin edhe nga Kosova, e pastaj do ta marrin atë që e kanë pasur, pra serbët. Ky gëzim serb shfaq prevalencën e një mendimi talebanesk në Beograd. Nuk është ky një fenomen i kohëve të fundit. Para 4 vitesh në Mitrovicë të Kosovës presidenti serb Vuçiq deklaronte pa i ardhur turp se Millosheviqi nuk ishte burrë i keq dhe nuk kishte synime të këqija, por mjetet i zgjodhi të gabuara. Pra, nuk është aspak rastësi që në elitën politike serbe të mbizotërojë gëzimi për një dështim të Amerikës. Amerikanët kanë bërë ndërhyrje ushtarake humanitare në një shtet tjetër vetëm në tre raste, në Kosovë së pari, në Irak dhe pastaj në Afganistan. Me tërheqjen e tyre nga Iraku disa vite më parë, u krijuan kushtet për ngritjen e ISIS-it, me tërheqjen nga Afganistani u rikthyen talebanët dhe është për keqardhje që politikanët serbë e shohin veten si pjesë të një bashkësie kaq kriminale, me ISIS-in dhe talebanët.

Por, të mos harrojmë se ardhja në pushtet e talebanëve erdhi vetëm pasi që ata u njohën si faktor ndërkombëtar dhe u pranuan në negociata nga vetë qeveria afgane dhe nga amerikanët. Nuk do të kishte pasur pushtim të Afganistanit sot po të mos u ishte zgjatur dora talebanëve në Doha. Njësoj mund të thuhet edhe për Serbinë – shqiptarët nuk është mirë t´i legjitimojnë si partnerë dhe t´u zgjasin dorën atyre politikanëve serbë që ende nuk janë detalebanizuar. Nuk duhen legjitimuar as nostalgjikët e Jugosllavisë shtypëse, as ata të Millosheviqit shfarosës. Me serbët, si popull, sigurisht që duhet synuar ndërtimi i marrëdhënieve të shëndosha prej fqinjësh, sepse fqinjët janë këta që janë dhe duhet të jetojmë ne me ta dhe ata me ne. Në aspektin politik kjo nënkupton këmbëngulje për dënimin e krimeve e kriminelëve të luftës dhe njohjen e Kosovës. Nuk mund të ketë marrëdhënie të shëndosha nëse në klasën politike serbe mbizotëron mendimi taleban se kur të ikin amerikanët do të kthehen për masakra e pushtim në Kosovë. Në aspektin ekonomik vazhdimisht duhet ruajtur vetëdija se fitimi që serbët nxjerrin nga tregtia me ne, për momentin, investohet në fuqizimin e një politike të kriminalizuar, që armatoset intensivisht dhe që ende ka mendimin taleban të sipërpërmendur. Në aspektin kulturor bashkëpunimi mund dhe duhet të jetë më i lehtë. Por, si interlokutorë duhen përzgjedhur artistë e mendimtarë, të cilët nuk janë “trigger” për dhimbjet e të traumatizuarve. Serbia ka intelektualë e artistë progresistë e subversivë, edhe guximtarë që kanë thënë të vërteta të padëshiruara ballë pushtetit kriminal. Ata duhet të ftohen te ne. Nga ana tjetër, as ne nuk mund të paraqitemi tek ta përmes tallavaistëve tanë racistë, mizogjinë e banalë, as përmes opinionistëve provokatorë të ujërave të cekëta. Duhet të prodhojmë e promovojmë vlera, për një marrëdhënie kulturore jo regresive me fqinjët. Por, biznesi e pushteti në Beograd e Tiranë këso kohe duken të interesuar për banalitet e regres.

Sigurisht, në raport me “Open Balkan” duhet parë edhe ekonomia. Nuk bëhesh dot krenar kur nuk mbyll dot muajin dhe e ke barkun bosh. Duhet ndjekur interesi, e jo pasioni…!

Le ta mbajmë këtë parim fort dhe mbi të shtrojmë pyetje

Tash 30 vjet Shqipëria ka qenë pjesë e çdo iniciative dhe marrëveshjeje rajonale për tregti të lirë, bashkëpunim shumëplanësh me çdo vend të rajonit e të tilla. Si ka mundësi që pas gjithë kësaj openmindësie largpamëse të udhëheqësve të qeverive, bizneseve e opinioneve publike shqiptare Shqipëria, sipas statistikave vendore e ndërkombëtare, është vendi i rajonit me varfërinë ekstreme më të përhapur? Madje, me dyfish më shumë varfëri ekstreme sesa Kosova e izoluar?

Si ka mundësi pra? Gjithë kjo openmindësi openballkanase dhe prapë kaq fukarenj? Gjithë këta turistë serbë dhe prapë kaq fukarenj?

Interesin duhet të ndjekim, dakord, por interesin e kujt? Nuk është interes i Shqipërisë interesi i 10-15 agallarëve dhe afendikonjve, që po pasurohen nga importi dhe shitja e vendit, as ai i 100-200 “opinionistëve”, që janë në borderotë e tyre ose të shërbimeve fqinjë.

Kush po e falimenton prodhimin vendor? Kush po i shet interesat energjetike shqiptare te kompani të huaja (ca thonë direkt te djali i Rankoviqit)? Kush po e katandis Shqipërinë në motel të Ballkanit, ku vijnë turistët, “pushojnë” dhe ikin, ndërkohë që vendasit emigrojnë me ritme të njëjta sikur të ishte Irak, Afganistan a Siri?

Interesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, të çdo partie e feje, nuk është kjo politikë që po na shndërron në treg fundor të Serbisë e që na mban të ngecur si hallka më pa vlerë e zinxhirit global të prodhimit të vlerës ekonomike.

Na duhet politikë që nxit e mbron prodhimin, që afron investime dhe avancim teknologjik. Na duhet politikë, shtet e shkollë që edukon me kulturë pune e qytetarie. Nuk na duhet romantizimi nihilist i bukurisë së varfërisë sonë.

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top