Një fillim i ri pas të 60 -ave.”Unë gjithmonë ëndërroja të isha shkrimtare dhe ja arrita, e botova romanin tim të pare në moshën 70 vjeç.”

in A(rt)ktivizëm/Feminizëm/Letërsi by

Në të tridhjetat, Anne Youngson shkroi një libër, në punë, në orarin e pushimit të drekës. Po libri mbeti në sirtar. Pasi doli në pension shkroi debutimin e saj të parë, i cili u përzgjodh për një çmim të madh.

Kur agjenti i tha Anne Youngson-it, se një botues kishte bërë një ofertë për romanin e saj të parë, ajo u shqetësua. “E pyeta: “Mos duan të më takojnë?” Isha e bindur se kur të zbulonin sa vjeç isha, opinioni dhe qëndrimi i tyre, nëse do të donin akoma të më publikonin, do të ndryshonte.” pohon ajo.

Youngson-i ishte 69 vjeç kur e shkroi romanin e saj të parë, “Meet Me at the Museum”-Takohemi në Museum” dhe 70 kur ai u publikua. Instinkti isaj i pare ishte ta shihte moshën e vet si një disavantazh komercial. “Mendova se ata kur të më shihnin do të mendonin:  “O Zot, si mund ta promovojmë këtë?” Por më pas “Meet Me in the Museum” u përzgjodh për çmimin Costa Book Awards, dhe asaj iu desh ta rimendonte idenë. Romani i saj i dytë, ‘Three Women and a Boat- Tre gra dhe një varkë’, u botua vitin e kaluar. Dhe tani që është 73 vjeç, ajo është duke shkruar librin e saj të tretë.

Domethënë i treti, nëse heqim atë që është në sirtar, të cilin ajo e shkroi në të 30 -at e saj gjatë pushimeve të drekës në punën e industrisë së motorëve. Në atë kohë, fëmijët e saj ishin akoma të vegjël, dy dhe pesë vjeç dhe shkrimi ishte një hob i fshehtë, por që e mbushte me kënaqësi. Youngson-i u bë kryeinxhinierja e Rover-it dhe qëndroi në kompani për 30 vjet. Po periodikisht e ngacmonte ideja e shkrimit. “Nuk do t’ia tregoja askujt atë që po bëja, por në heshtje ndihesha e kënaqur me veten time”, rrëfen ajo.

Pse nuk ia tregoi askujt? “Mendoj se parandieja që, nëse dikush do më kapte duke shkruar, do më thoshte: “Oh, po ti e kupton që nuk do të jesh kurrë shkrimtare!” Kjo do të më kishte shkurajuar dhe do më kishte nxjerrë nga shinat, sepse diku, thellë në zemrën time, gjithmonë kam besuar që mund të jem një e tillë.”

Kryetari i Këshillit të Psikoterapisë në Mbretërinë e Bashkuar, Martin Pollecoff, ka thënë: “Një nga gjërat më të mira të pleqërisë është se ju mund të dështoni dhe kjo nuk do t’ju shkatërrojë.” Kjo nuk është përvoja e Youngson-it.

“Unë e kuptoj atë që ai thotë, dhe ajo vlen për gjithçka – përveç shkrimit”, pohon ajo. “Kur dola në pension, nisa kalërimin dhe sinqerisht nuk kishte fare rëndësi për mua që isha kot fare. Pastaj fillova vizatimin dhe pikturat botanike, ku, edhe pse nuk jam e mirë, më pëlqen ta bëj. Po shkrimi, ishte aq i rëndësishëm për mua, saqë nëse dikush do të më thoshte që isha vërtet keq, e nuk bëja për të, do të ishte si të më hiqte diçka nga jeta ime, diçka që do të më mungonte përgjithmonë dhe të cilën nuk do të isha në gjendje ta zëvendësoja kurrë me asgjë,”

Dhe kjo diçkaja do të ishte besimi tek vetja si shkrimtare?

“Pikërisht ajo është”, thotë ajo.

Pasi Ford-in e mori Land Rover-i, Youngson-i, atëherë 56 vjeç, doli në pension dhe u regjistrua në një kurs për shkrim krijues. Pas kësaj bëri një master për shkrimin krijues në Universitetin Oxford Brookes, pastaj një doktoraturë, gjatë së cilës besimi në vetvete iu rrit dhe më në fund ajo i pohoi vetes se ishte shkrimtare dhe filloi të shkruante; “Meet Me at The Museum”.

Nuk është çudi që hollësitë e vendimmarrjes – “si vendosim të shpërthejmë” – janë temë të punës së saj. “Njerëzit shpesh më pyesin: A do të doja të kisha filluar më herët?” thotë ajo. “Sinqerisht nuk e di. Do të kishte qenë një përçarje shumë e madhe në jetën time.“Një Youngson e re do të kishte shkruar libra të ndryshëm. “Unë s’do të kisha shkruar romane të tilla që të fusin në mendime, pasi nuk do të kisha guximin të mendoja se dikush do të ishte i interesuar për atë që unë mendoja.” (Romani në sirtarin e poshtëm me sa duket është me aksion.)

A u rrit besimi i Youngson -it në aftësinë e saj pasi doli në pension si inxhiniere, apo vetëm pasi ushqeu aftësinë e saj? Apo thjesht ndjeu që kishte grumbulluar mjetet për të përballuar zhgënjimin?
“Ju keni një ide dhe ndjenjë më të mirë për veten ndërsa plakeni”, thotë ajo. “Filloni të kuptoni se ku dhe sesi përshtateni dhe nuk jeni më aq të shqetësuar se kush jeni dhe çfarë mendojnë njerëzit për ju. Kjo është çliruese. Në fakt, unë jam një tifoze e madhe e pleqërisë dhe mendoj se të gjithë duhet ta përjetojnë plakjen.”

Përktheu: Meli Ajazi

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top