Pse shkruaj?-Rozafa Shpuza

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga poetja Rozafa Shpuza.

Vijon më poshtë.

Pse shkruaj?-Rozafa Shpuza

Pse shkruej?
Me i rrëfye dikujt pse shkruej asht njajtë si me rrëfye pse frymoj apo pse buzëqeshi, me rrëfye pse këndoj, pse vallzoj apo pse dehem…
Me shkrue nuk ka kurrfarë rregulli apo axhende vetjake, kësisoj nuk mundesh me thanë “duhet me shkrue të hanen apo duhet me shkrue prozë këtë ditë e poezi në tjetrën”…
Me shkrue asht nji ndjesi spontane që vjen mirëfilli në rrugëtimin e gjithkujt, nji ndjesi që të ban me u zhytë në nji botë mirazhesh, që saora mund të zhbahen apo tjetërsohen.
Nuk ka kurrfarë caku apo arkapie që mundet me u mendue si ama e procesit të të shkruemit. Me shkrue asht një ndjesi që të vjen prej honeve ma të thella të shpirtit…
Kajherë rrekem me besue se shkrimtari asht i destinuem me shprazë baticat e ndjesive e prore me u strukë në vetmi tue skalitë në kujtesë çka ekzistonte para zbaticës.
Kajherë shkruej në atobuzat e mbushun me udhëtarë të kotun, rrugëve që gjarpnonin mes maleve dhe luginave. Kajherë shkruej mbi paketën e cingareve, teksa pi kafe në nji lokal ku ekspresi zhurmonte si lokomotiva në stacionin ma fundor. Kajherë shkruej sipër fjalimeve të deputetëve, teksa redaktoj në zyrën ku punoj, tue shpërfillë monotoninë e politikës kallpe. Kajherë shkruej teksa shoh nji film apo lexoj nji libër, teksa baj foto në rrugë e personazhet e fotove kthehen në muza vargjesh…
Më ka ndodhë me shkrue papra e papritë me u ndalë me meditue, pa e ditë as vetë ku fillon procesi e të shkruemit e ku mbaron meditimi. Shkruej me kënaqë shpirtin, pa mendue për fatin e shkrimeve të mia. Ato munden me u pëlqye prej lexuesve apo munden me u harrue ndër stivat e librave në biblioteka, por për mue ka randësi se në çastin kur i kam shkrue, shpirti jem asht ndje i lirë…

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top