Author

Admin - page 48

Admin has 1899 articles published.

Poezi nga Li Po

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Poezi nga Li Po
(701-762)

 

VIZITË PRIFTIT TAOIST

Me zhurmën e ujit përzihen
të lehura qensh bredharakë,
Lulet e pjeshkës kanë çelur
teposhtë rrëpirës së gjatë,
Mes pemëve shfaqet e zhduket
herë pas here një dre,
Kambana më nuk po dëgjohet
as nëpër luginë, as në re.
Të gjelbërtën mjegull e ndajnë
më dysh madhështoret bambu,
Nga maja e kaltër e malit
vërshon një burim gjer këtu.
Po ku të jetë vallë taoisti?
Askush nuk e di të ma thotë.
I vetëm tani po mbështetem
në dy a tri pisha, më kot.

DUKE SODITUR MALIN TIENMEN

Mali Tienmen, i çarë në mes,
Çelet në Lumin Çu,
Valë e smeraldtë drejt lindjes rrjedh
Dhe vorbull bën këtu.
Përmbi dy brigjet malet blu
Po rrinë ballë për ballë,
Varkë e vetmuar për tëhu
Prej diellit vjen ngadalë.

VJERSHË LAMTUMIRE

Nga tokë e largët erdha,
Xhingmenin lashë pas,
Në mbretërinë Çu,
i vetëm, lundrën ngas.
Malet zënë të fshehen
kur fushat vijnë në sy,
Lumi ka përmbytur
të ashprën pamatësi.
Në qiell hëna zbret –
pasqyrë në fluturim,
Retë që lindin në ikje,
mirazhe bëjnë në kthim.
Gjithmonë e desha ujin
e vendit tim të shkretë,
Pas mijëra kilometrash
nën lundrën time shket.

NË VERANDËN E KUSUIT
DUKE MENDUAR PËR HISTORINË

Në kopshtet antikë të verandës së rrënuar
Shelgjet këndellen me mund,
Këngët e mbledhëseve të gështenjave të ujit
Ndërmendin pranverën e pafund.
Vetëm mbi Lumin e perëndimit këtë natë
Hëna hedh dritën e vet,
Por dikur ajo ndriste mbi të bukurat kurtizane
Të pallatit të mbretit.

ISHULLI I PAPAGAJVE

Papagajtë tashmë fluturuan
mbi ujërat e lumit U;
Se emrin e një papagalli
një ishulli ia dhanë këtu.
Dhe u nisën drejt perëndimit,
në malin Long për t’u ngrysur,
Meqenëse të blerta janë pemët
e ishullit aq të harlisur.
Mjegulla shkon, orkidetë
të vaktën erë parfumojnë;
Brigjeve lulet e pjeshkës,
si valë plot ngjyra lodrojnë.
Dhe, në këtë çast, mërgimtari
vështron horizontin më kot,
Hënë e vetmuar mbi ishull
për kë po ndriçon, vallë, sot?

LAMTUMIRË MIKUT MËNG HAO ZHAN

U nis miku im me varkën e vet
Dhe largësia mes nesh së rrituri nuk resht.
Nëpër ujin me lule dhe mjegullën e lehtë
Varka e vetmuar mes maleve humbet.
Tashmë asgjë tjetër nuk duket në sfond,
Veç lumit të madh që rrjedh në horizont.

FILLIM VJESHTE

Lulet po vyshken të gjitha
dhe viti i afrohet mbarimit,
Planeti Mars paska nisur
të priret përdrejt perëndimit.
Kufijve përtej është shtruar
e ashpra brymë mëngjesore,
Mbi bregun kundruall të lumit
retë marrin ngjyrën vjeshtore.
Hënën mbi skaj të qytetit
ëndrrat ma kapin me lak,
Zemra drejt vendit të lindjes
flatrat ka hapur pa cak.
Ujërat e lumit të Fenit
sa qetë po rrjedhin e heshtur,
Si mendimet e mia të kthimit,
ditë pas dite, pa reshtur.

NDARJE NË TAVERNËN E XHINLINGUT

Fryn era dhe lulet e shelgut
e mbushin tavernën aromë,
Një grua sjell kupat dhe verën
të gjithëve na fton ta shijojmë.
Të rinjtë e Xhinlingut po vijnë
të më thonë lamtumirë një nga një,
Të gjithë zbrazim kupat e verës,
por s’ngutet të niset asnjë.
Pa pyeteni, ju lutem, lumin,
që ikën drejt lindjes i shtruar:
A është më i gjatë se dhimbja
që vjen nga kjo ndarje e trishtuar?

DUKE SODITUR RRËNOJAT E JUESË

Kur mposhtte armikun, Gou Xhieni
Kthehej në Jue kapardisur,
Armata e vet nuk vononte
Të mbathte petkat e qëndisura.
Zonjat pallatin mbretëror
Me lule stolisnin gjithkund,
Por sot, veç një tufe thëllëzash,
Asgjë s’të sheh syri, askund.

NJË NATË MES MIQSH

Të botës trishtim të përjetshëm
së bashku ta zbojmë tani,
Prandaj edhe kupat t’i mbushim
përplot e të ngremë dolli.
E bukura natë na fton
t’ia shtrojmë ne deri në ag,
Aq fort po ndrit hëna e sotme
sa gjumë dot s’flejmë aspak.
Të dehur, do shtrihemi jashtë,
në mal, mu në mes të haresë,
Mbulesë do kemi ne qiellin
dhe tokën do kemi nënkresë.

 

Përktheu: Alket Çani

TE MUSSOLINI-Paul Valéry

in A(rt)ktivizëm/Esé by

Paul Valéry

Në Romë, Kryetari i Këshillit shprehu dëshirën të më takonte. E gjeta në zyrën e tij të madhe në Pallatin Chigi. Z. Mussolini qëndronte në një tryezë të vendosur në njërin nga këndet e sallës. Erdhi drejt meje gjithë dashamirësi dhe biseda jonë u zhvillua kryesisht rreth letërsisë. M’u duk se i tërhoqa vëmendjen për kushtet materiale të njerëzve të letrave, në kohën tonë. Nuk dimë t’ua paraqesim edhe aq mirë këto gjëra krerëve të shteteve. Z. Mussolini më tha se ishte posaçërisht shumë i interesuar rreth kësaj çështjeje. I tregova se nga gjithë shkrimtarët, poetët pa dyshim meritonin më tepër interes, sepse romancierët dhe dramaturgët mund të shpresojnë që suksesi do t’u sjellë prokopi, por kjo nuk ndodh po njëlloj për poetët. Poezia nuk është lloji i aferës së duhur. Kryetari i Këshillit m’u përgjigj se po jetojmë në kohë të vështira, se problemi kryesor i momentit ishte jetesa e përditshme dhe, siç ma tha në italisht, “mbajtja e shtëpisë”. Shtoi se kishte një dëshirë shumë të madhe për t’u ardhur në ndihmë poetëve dhe se do t’i mbështeste nëpërmjet pushtetit shtetëror (colla potenza dello Stato).
Disa ditë para se të takoja Mussolini-n, më kishte ftuar D’Annunzio-ja në Gardone – një mikpritje e mrekullueshme, lirike dhe plot sharm.*

——————
[* D’Annunzio banonte pranë liqenit të Gardës në një banesë madhështore, il Vittoriale, aq e ngjeshur me objekte të larmishme saqë vizitorëve u linte përshtypjen e një rrangulline të çuditshme. Ai po bënte riparime të shumta – të paguara nga shteti – kur shkoi atje Paul Valéry, më 12 dhe 13 prill të vitit 1924.]

Përktheu: Alket Çani

Lindur- Wisława Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Lindur- Wisława Szymborska
 

Pra, kjo qenka nëna e tij.
Kjo grua e vockël.
Prokreatorja sygri.
 
Varka në të cilën vite më parë,
ai lundroi për në breg.
 
Varka nga e cila ai erdhi
në botë,
në jo-përjetësi.
 
Nëna biologjike e burrit
me të cilin hidhem tej për tej zjarrit.
 
Pra, kjo qenka ajo, e vetmja
e cila nuk e mori atë
të përfunduar dhe të tërin.

Ajo vetë e mbajti
në lëkurën që unë njoh,
e lidhi me kockat
që janë të fshehura nga unë.
 
Ajo vetë i hodhi
sytë gri,
që ai i mi’ hodhi mua.

Pra, kjo qenka ajo, Alfa e tij.
Po pse po ma tregon ai?
 
Lindur.
Kështu lindi edhe ai.
Lindur ashtu si gjithë të tjerët
si unë, që do të vdesim.
 
Djali i një gruaje prej mishi e kocke.
Një ardhje e re nga thellësitë e trupit.
Një udhëtar për në Omega.
 
Që i nënshtrohet 
mungesës së tij,
në çdo front,
në çdo çast.
 
Ai i bie me kokë
murit,
që përjetësisht nuk do të lëshojë pe.

Lëvizjet e tij
shmangën dhe i devijuan
verdiktit universal.
 
Unë kuptova
se udhëtimi i tij tashmë ishte në gjysmë të rrugës.

Por ai nuk më tha këtë,
jo.

“Kjo është nëna ime.”
ishte gjithçka që ai tha.

 

Përktheu: Arlinda Guma

A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të krijimit letrar? – Petraq Risto

in Esé/Letërsi by

Revista defekt-teknik u drejtoi një pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë.
A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të krijimit letrar?
A mund të mësohet shkrimtaria?
Disa prej përgjigjeve erdhën menjëherë, të tjera janë duke u shkruar si esé të veçanta; një prej të cilave është kjo që vijon, shkruar nga Petraq Risto:

    Petraq Risto

        Shkollat e shkrimtarit…

Një shkrimtar i mirë duhet të kryejë disa shkolla, edhe pse shpesh ka shkrimtarë shumë më të mirë autodidaktë, që kohërat i kanë kthyer në institucionin e një shkolle. Ka dhe nga ata që kanë kryer shkolla larg profilit të shkrimtarit. Çehovi, për shembull. Sabato…
Shkolla e parë e shkrimtarit është fëmijëria: një rrugaç i vogël mund të bëhet shkrimtar i madh. Rruga kthehet në një laborator. Rruga kthehet në një skenë ku ravijëzohen personazhet e ardhshëm. Natyrisht, shkollat e tjera mund ta mësojnë “rrugaçin” e vogël të mos bëhet “shkrimtar rrugaç”. Por, edhe “shkrimtari rrugaç” mund të jetë një gjeni dhe të kthehet në një shkollë origjinale. Për shembull “Beat Generation”me Kerouac-un, Burroughs-in dhe Ginsberg-un. Vendosni dhe Bob Dylan-in përkrah tyre, bashkë me Çmimin Nobel!
Fëmijët apo adoleshentët që kanë prirje për të qenë poetë apo prozatorë të mirë, zakonisht buisin në bankat e shkollës. Mësuesi i mirë e dallon shkrimtarin e ardhshëm, edhe pse vetë mund të ketë qenë një krijues i rëndomtë.
Libri është shkolla më e mirë. Libri të orienton, të frymëzon, të jep modelin e duhur, të përsos shijet, “e merr” rrugën tënde dhe e zhvendos në hartën e botës, ndonjëherë dhe në udhëkryqe të rëndësishëm. Libri të bëhet pjesë e ADN-së. Librat e Umberto Eco-s janë shkollë më vete. Herë pas here shfletoj dhe ndalem te libri autobiografik i Gabriel García Márquez-it, “Jeto për ta treguar”. Besoj se çdo shkrimtar apo poet i ri (por edhe i vjetër), që lexon dhe nënvizon këtë libër, patjetër që e ka kryer një shkollë. Borges-i thoshte: “Shekspiri nuk ekziston; ai jam unë kur lexoj “Makbethin”, “Hamletin”, “Otellon”…, Shekspiri është i shkrirë me lexuesin e tij.” Shekspiri është një Univers-itet më vete për shkrimtarët dhe poetët e të gjitha kohërave.
Në disa vende të zhvilluara ka edhe universitete ku mësohet shkrimtaria si profesion. Në SHBA, për shembull, janë mbi dhjetë universitete me emër që përgatitin edhe shkrimtarë. Përgatitësit e këtyre shkrimtarëve të ardhshëm janë personalitete të mëdhenj, profesorë me peshë, fitues çmimesh, deri edhe nobelistë. Kritiku i madh amerikan, Harold Bloom, ka dhënë leksione me studentët krijues të universiteteve të Harvard-it dhe të Yale-t duke qenë nxitës për të ardhshmit e mëdhenj “Dhe studentët e zotë, si dhe shkrimtarët e zotë, – shkruan Bloom-i, – do të ngrihen në vendet dhe kohërat më të paparashikuara, për t’u ndeshur me dhunën e brendshme të ushtruar mbi ta nga mësuesit dhe paraardhësit e tyre”.
Kuptohet, shkollat janë me pagesë, madje, shpesh të papërballueshme, ndaj në to hyjnë përgjithësisht bijtë e të pasurve. Por, historia e letërsisë botërore ka treguar që shumë shkrimtarë të talentuar apo gjeni, kanë lindur nga shtresat e mesme, apo edhe nga ato të varfra. Dhe nga universitete modeste.
Shkrimtaria jo gjithnjë është fitimprurëse. Shpesh ata shkrimtarë që hapin “shkollëza” apo japin leksione online, e bëjnë edhe “nga hall”’, sepse shesin pak nga librat e tyre dhe u duhet të mbijetojnë në shoqërinë e konsumit. Natyrisht që mbijetojnë, por nuk bëhen të pasur si disa shkrimtarë të romaneve rozë. Ata apo ato (rozistët) janë me fat, sepse kanë “shkollën e nuhatjes” së shumicës, i përshtaten shijes së saj.
Sot të vetafrohen dhe mësues privatë që ‘të mësojnë” si ta përsosësh shkrimtarinë, të mësojnë që nga rëndësia e frazës së parë të një vepre, të japin leksione për modelet dhe sesi të shkëputesh prej tyre, për rrymat dhe shkollat letrare, për marrëdhëniet me botuesit, por edhe për redaktimin e veprës, për origjinalitetin e subjekteve, për kthimin e romanit në skenar filmi, etj. A është i interesuar shkrimtari ynë në këtë fazë zhvillimi të letërsisë brenda logjikës së ekonomisë së tregut?…
Mbase hapja e një dege të posaçme për shkrimtarë në Universitetin e Tiranës mund të ishte me vlera, por cilët nga të rinjtë do ta zgjidhnin këtë degë? Ku do të emëroheshin dhe ku do të punonin këta shkrimtarë të rinj? Cilat do të ishin lëndët dhe programet që do të mbushnin formimin e tyre dhe, mbi të gjitha, cilët profesorë do jepnin leksione sipërore për këta studentë të talentuar që nesër do të jenë shkrimtarët e ardhshëm? Në këtë kohë mundësitë janë të shumta, mund të ftohen dhe pedagogë të huaj nga universitete të njohura për këtë fushë. Sidoqoftë, rëndësi ka “lënda e parë”. A mundet që çdo vit 10-20 studentë shqiptarë të jenë kontigjentë cilësorë për të qenë shkrimtarë? E pse jo?…
Unë kam lindur dhe kam jetuar në Durrës. Kam filluar të shkruaj poezi që kur isha 9 vjeç. Kam qenë ndër lexuesit më të mirë në bibliotekën e qytetit. Që në moshë të re lexoja Ricosin, Nerudën, Uitmanin, Majakovskin, Shekspirin… Kur mbarova klasën e 8-të, im atë, një oficer i thjeshtë i ardhur nga lufta, që rrallëherë shkruante ndonjë artikull në gazetat e kohës, më tha zëdridhur: “Të kam gjetur punë si hidraulik”. Isha fëmija i parë i një familjeje me pesë fëmijë. Mbase duhej të sakrifikoja, por… “Dua të vazhdoj shkollën…”, i thashë babait. E dija që do të “dorëzohej”, sepse kishte zemër të bardhë dhe i njihte aftësitë e mia, apo çfarë thoshin mësuesit për djalin e tij. Dhe nëna ishte krah meje; do sakrifikonte ajo më shumë dhe vëllai i dytë, i cili do të hynte në punë pas një viti dhe do ta vazhdonte shkollën natën. Gjatë shkollës së mesme, në pushimet verore, punova si roje, në pushimet pas maturës punova si ‘gazetar’ në radio plazhi në Durrës, punë që vazhdoi dhe verën pasardhëse kur përfundova vitin e parë si student në Degën e Gazetarisë.
Ishim studentë në vitet e liberalizmit dhe kjo kishte shumë rëndësi në formimin tonë si shkrimtarë dhe poetë të ardhshëm. Shpesh herë fryma kthehet në shkollë, sepse ajo është shumë afër lirisë. Nga njëzet studentët që kishte kursi ynë, thuajse gjysma ka publikuar (përveç shkrimeve gazetareske) edhe libra me poezi, prozë, drama, skenare, përkthime, etj. Profesioni i gazetarit përgjithësisht është nxitës për shkrimtarin: të pasuron me fakte, të njeh me vende dhe karaktere. Shumë shkrimtarë botërorë kanë përfituar dhe kanë ardhur nga gazetaria. Hemingueji shprehet se një shkrimtar që punon në gazetë duhet të gjejë kohën për t’u shkëputur prej saj, dhe, sipas tij, nuk duhet të qëndrojë më shumë se dhjetë vjet. Rastësisht edhe unë “e dëgjova” Heminguejin e madh dhe punova vetëm dhjetë vjet si gazetar, natyrisht me liri të kufizuar…
Shoqëria letrare është një shkollë specifike: nxitje për njeri-tjetrin, mbështetës për njeri- tjetrin, konkurues me njeri-tjetrin. Në librin “Një festë që e ke gjithnjë me vete” Heminguej flet me mall për këtë shoqëri, në veçanti kur ndalet te biblioteka dhe te libraria e famshme “Shakespeare and Company” në Paris, ku kaluan breza të shumtë shkrimtarësh nga vende të ndryshme të botës.
Një shkollë e madhe janë udhëtimet brenda dhe jashtë vendit. Ta shikosh atdheun nga larg është ndjesi dhe përvojë tjetër. Një vend me tranzicion të tejzgjatur ka nevojë për shkrimtarë që ta kenë kryer herët tranzicionin brenda vetes. Letërsia e mirë apo shumë e mirë kërkon dhe Shkollën e Guximit. Të vjen keq që pas nëntëdhjetës shumica e shkrimtarëve dhe poetëve tanë u përshtatën shpejt me metodën e re që rezultoi e vjetër: e panë realitetin nga bardhezi, vetëm në ziebardhë…
Udhëtimet jashtë shtetit kanë qenë për mua një shkollë e hapur, universale. Një ëndërr e hershme kur e këndvështroja botën si një utopist i pandreqshëm. Tani jetoj në SHBA, larg detit tim të vogël “me dallgët: zarfa malli”, buzë oqeanit të madh “O-qani, o-qani, o-qani”. Të jesh shkrimtar e poet në Amerikë në epokën e globalizmit, nuk është e lehtë, por këtu hapësira e mundësive rritet, koha merr përmasa të tjera dhe utopinë e brendshme apo ëndrrën mund ta shndërrosh në realitet.
Në këtë kohë, kur është rritur shpejtësia e mendimit dhe shpejtësia e veprimit, kur teknologjia është kthyer në një sekretare të shkrimtarit, mundësitë e nxënies janë të panumërta. Vullneti dhe disiplina e punës janë garanci e talentit të vërtetë. Deri më sot nuk është shpikur ndonjë talentomatës, por nëse kohërat do të arrijnë ta shpikin një “aparat” të tillë, patjetër që do mbështeten te vibrimet e holla ndjesore, te shpirti humanist i veprës, te vetvrasja e pakuptueshme e krijuesit dhe te plagët që përskuqin me detyrën e vullnetshme për t’u kthyer në llampa Diogjeni.


New Jersey, 17 Dhjetor, 2022

A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të shkrimit letrar? – Gazmend Krasniqi

in Esé/Letërsi by

Revista defekt-teknik u drejtoi një pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë.
A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të krijimit letrar?
A mund të mësohet shkrimtaria?
Disa prej përgjigjeve erdhën menjëherë, të tjera janë duke u shkruar si esé të veçanta; një prej të cilave është kjo që vijon, shkruar nga Gazmend Krasniqi:

    Gazmend Krasniqi

Unë mendoj se kurset e shkrimit letrar janë shumë të mira, por edhe shumë të këqija. Si çdo mjet që përdor njeriu. Varet se në dorën e kujt bie mjeti që t’i kuptohet vlera. 
Po marrim rastin kur janë shumë të mira.
Kam parë në këto shkolla – kur kam pasur rastin të asistoj aty – krijues që kalonin muaj e vite mbi një poezi, të cilën e botonin të vetme, me ISBN, e cila ishte më e mirë se 3-4 romanet apo 3-4 vëllimet poetike (me nga 100 poezi) që shkruajnë shumë prej shkrimtarëve e poetëve shqiptarë, me atë frymëzimin fët e fët, ku mungesa e thellë e formimit nuk ka nevojë të ceket.
Shkollat e shkrimit letrar janë si të gjitha shkollat e artit, që të mësojnë zanat, por jo medoemos të bëjnë artist. Artist ose je, ose nuk je. Gjë që e mëson gjatë procesit krijues.
Jam (bashkë)autor në një libër që quhet “Arti i poezisë”, i cili është i natyrës së shkrimit krijues. Nuk do ta kisha shkruar, nëse do të ekzistonin në shqip libra të tillë. Do ta kisha përdorur kohën për krijimtari. Por libra të tillë i shoh më se të domosdoshëm. Po të kishim disa kurse të mira të shkrimit krijues, niveli i shkrimit dhe i diskutimit mbi letërsinë do të rritej dhe do te krijonte hendekun e pakapërcyeshëm me amatorizmin fatal të letërsisë sonë.
Fatkeqësisht, këtë amatorizëm dhe shkëputje nga rrjedhat botërore, te ne e mbështesin edhe qarqet akademike, me trajtimin historiko-kulturor që i bëjnë letërsisë shqipe. Të mos flasim për mekanizmin anti-kulturë të çmimeve letrare. Ky mentalitet, në një kohë globalizmi si e jona, pra kur nuk kemi arsye t’i vëmë pengesa vetes, është dramatik për fatin e letrave shqipe.
Në këto shkolla, fillimisht mëson se çfarë të lexosh (që do të thotë se çfarë nuk duhet të lexosh), kushti numër një për të hyrë në botën e letërsisë. Në internet, për shembull, mund të gjendet lista që u rekomandonte Donald Barthelme studentëve të tij. Për fat, kemi të përkthyer në gjuhën shqipe librin “Letra një shkrimtari të ri”, i Mario Vargas Llosa-s, i cili duhet të jetë libër jastëku për këdo që mendon se do të shkruajë romane. Nuk më intereson Llosa shkrimtar, por kur shkruan për letërsinë, gjithmonë është impresionues.
Leximet, edhe për lexuesin më të thjeshtë, kërkojnë një sistem. Kjo shpjegon faktin se librat më të lexuar të kohëve të fundit i përkasin shkrimtarit George Orwell, mënyra më e mirë për të mos e kuptuar këtë sistem. Ngatërrohet roli i misionarit me atë të shkrimtarit. Nuk bëhet dallimi i shkrimtarit të periferisë me atë të qendrës.
Letërsia duhet të flasë përmes kanoneve të saj letrare, dhe jo disiplinave të tjera që bota moderne i ka nxjerrë më vete.
Ka edhe të mira të tjera, por forma kushton shtrenjtë, do të thoshte Paul Valery, çka do të thotë se nuk duhej të mbyllej me një përgjigje kaq telegrafike diskutimi i kësaj teme, shenjë se po pajtohemi me fatin e njeriut postmodern.

SPIRALJA E LLAVËS-Klara Koli

in Letërsi/Tharm by

SPIRALJA E LLAVËS-Klara Koli

 

Spiralja e llavës rrethon

dy rrathët e syve të mi

në qendër të llambës së mbushur me det.

S’di ç’t’i bësh asaj që ndien,

që asfaltin e ndan përgjysmë si çokollatë,

timonin e kthen nga retë,

rrugës për te krijesat me fije qelqi në trup.

Dhe kokën ke për të zhytur në rërën e plazhit

si zogjtë e farave,

sa herë të thyhet qoftë edhe njëra prej tyre.

Asnjë dallgë nuk do të duash të kapërcesh

kur të shikosh njerëz që u kanë ngjitur

dy kokrra rrushi në vend të syve.

Vizato ndonjë vetëtimë qiellore në sytë e tyre,

asgjë më tepër.

Do kuptosh se mirë është të rrish larg

faraonëve që shpresojnë vetëm siguri materiale.

Do të duhet të bësh gjithçka,

që t’u japësh jetë syve të tyre,

në kushedi sa brigje do kërkosh

parfumin e tyre të trupit…

Shtrihu në mes të plazhit,

çadrat rreth teje do të duken nga sipër si kërmij të frikësuar.

Mos e nis sikur të ishe punëtor hamall,

duke ngarkuar e shkarkuar mbeturina akulli

në strehën e tyre, as me ilaçe s’do t’i lumturosh.

Ndiz një zjarr dhe dëgjo tingujt e sonatës së zemrës, fli afër tyre në dhomën e detit,

do kuptosh se ç’është në të vërtetë ajo gjë që të çmendi.

Mbuluar me gjethe në pyll-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Mbuluar me gjethe në pyll-Sueton Zhugri

 

Mobilje-gjethe-poliestër
flokë-fytyrë-lëkurë-alabastër
Muret njohin frymën dhe afrohen
T’i shohësh sytë e saj do të thotë të biesh në një hon:
Na e falni rrëmujën!
Por gjithçka është në vendin e saj të përsosur, gjithcka ndodhet aty ku prehet fjala: befas!
Shtëpia ka gojë, pëshpërit, të fërkohet me push këmbëve, dhe në shpirt ndjen një mjau…
E dhimbshme do thoje ti, por unë më s’e di,
nëse flet ti apo shtëpia
Letrat e bixhozit hedhur mbi tavolinë
dhe dysheme. Ka thirrje kujtimesh kur
rubineti i ndryshkur gërvin dhe pështyn
me gulçe një ujë të zi:
Na falni me rrëmujën! sërish muret si të vizatuara,
Gjithçka e përsosur në lëmshin e saj
Unë jam i falur, i flakur këtu, jam pjesë e orendive,
ja fotografia bardhezi e fëmijërisë në mur
epur anash dhe ora pa kapak me
akrepat që duket sikur koha i ka shtrembëruar
Këtu jemi të gjithë të zhveshur
Gjenitalet janë gjetheorendi,
Mbulohemi nga letra e mureve
— një vezë të zier? – pyet ti
Por unë po shoh si varen gurët e të shkuarës nën tavan në dritën e një abazhuri të kalbur
– hape sirtarin, do gjesh një kuti me puthje
që s’ti kam dhënë kurrë.
Merri dhe ik dhe nëse kthehesh herë tjetër këtu, mbylle derën pas teje…
Unë jam një orendi dhe kjo që ndjej
e bën kaq të besueshme këtë shtëpi,
sikur të isha i mbuluar me gjethe në pyll.

15.12.2022

A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të krijimit letrar?-Arbër Zaimi

in A(rt)ktivizëm/Esé/Letërsi by

Revista defekt-teknik u drejtoi një pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë.
A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të krijimit letrar?
A mund të mësohet shkrimtaria?
Disa prej përgjigjeve erdhën menjëherë, të tjera janë duke u shkruar si esé të veçanta; një prej të cilave është kjo që vijon, shkruar nga Arbër Zaimi:

    Arbër Zaimi

A mund të mësohet shkrimtaria – po shkrimtaria nuk mund të formohet ndryshe, pos se të mësohet. A mund të mësohet në shkollë pastaj kjo është tjetër pyetje. Por padyshim që shkolla ndihmon, mund të të përafrojë me teknika e taktika, mund të të japë mjete për të zbërthyer mjeshtërinë dhe stilin e autorëve të tjerë, teksa përpiqesh të krijosh të tuat (jo vetëm mjeshtëri e stil, por edhe mjete zbërthyese e bashkuese).

E sigurt është se njeriu nuk mund të rrijë vetëm me veten e vet dhe nga ndonjë forcë mistike e brendshme t’i vijë vepra. Por fatkeqësisht sot ka mijëra shkrues që nisen pikërisht nga bindje të ngjashme, e pasandaj shumë syresh frustrohen kur veprat e tyre nuk marrin konsideratë prej njohësish të artit – edhe pse ndodh të marrin pëlqimet e lexuesve rastësorë në rrjete sociale. Çka ka rëndësi kjo, mund të thotë dikush, fundja secili ka shijen e vet, dhe s’është shija e lexuesit të kualifikuar apo të sprovuar më e rëndësishme se ajo e një tjetri. Një gjykim i tillë, që e çon analizën drejt sasiores e që përjashton dallimin cilësor, mund të bëjë psh. që dikush të thotë se kënga e re e Elvanës dhe e Kanyes është vepër arti më e arrirë se sa 4’33’’ e John Cage, meqë ka pakrahasimisht më shumë views në youtube. Mandej del edhe ndonjë video e ndonjë qeni akrobat që merr më shumë views akoma, dhe do themi se qeni akrobat është artist edhe më i mirë? Jo, thjesht po ngatërrojmë manipulimin e vëmendjes së publikut, që është mision i marketingut, me misionin e estetikës që është zgjerimi i fakulteteve ndjesore të njeriut. Teksa anestetika është ajo që t’i mpin ndjenjat, të topit e të vë në gjumë, estetika është ajo që t’i spreh, të trondit, ta shumëfishon gjendjen e të qenit i zgjuar, s’të lë të vësh gjumë në sy, të ballafaqon me mahnitësen po edhe pështirosësen, me çmeritësen e revoltuesen, me epshin e me neverinë, e me një sërë ndjenjash të tjera të forta që mund ta çojnë trurin e shqisën edhe më larg se teleskopi i ri i NASA-s.

Por a mund ta nxëmë këtë aftësi estetike në shkollë? Jo tërësisht, jo doemos, jo thjesht në shkollën si mekanizëm instruksioni në duart e një pushteti privat apo publik. Teksa vetëm e nga vetja është e pamundur, as thjesht me shkollë nuk do të thotë që arrin të bëhesh. Duhen lexuar shumë e shumë libra, parë shumë e shumë filma e vepra artesh të tjera. Mandej pjesa më e madhe e tyre duhen harruar, një pjesë duhen urryer e një pjesë duhen dashuruar, po gjithsesi duhen diskutuar me të tjerë. Ndërkohë duhet jetuar jeta me kuriozitet për valët dhe skutat e saj, duhen hapur kufijtë e vetes për të lejuar rrethana e persona të infiltrohen në ty, e duhet stërvitur mendja që ta kuptojë secilin, pa e humbur pikëpamjen e vet. Ai që nuk e gdhend aftësinë për ta kuptuar thellë secilin, nuk bëhet dot shkrimtar, ndërsa ai që humb pikëpamjen e vet, ai s’ka as ç’të shkruajë. Mandej duhet guximi për të shkruar, të cilin rrallë e kanë ata që kanë vërtet shije – sepse ç’është shija fundi i fundit, pos përbuzje e shijes së tjetrit. Frika më e madhe e një të tilli nuk do të ishte prej indiferencës e harresës, se sa prej lajkave që mund largqoftë t’i vijnë “nga ata që s’marrin vesh”. Ngjan si përshkrim snob ky që sapo i bëra shkrimtarit. Po nga ana tjetër shkrimtarët rrallë kanë fatin të lindin aristokratë e pasanikë – mirëpo as punëtorë e fshatarë nuk mbeten. Ata vërtet lundrojnë snobërisht në lagunat e përditshmërive tona, me një vëmendje përimtësuese por shpesh të çinteresuar për punët e botës, teksa presin herën e madhe kur do t’i ngrenë velat e do të dalin në oqean.

A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të krijimit letrar?

in Letërsi by

Revista defekt-teknik u drejtoi një pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë.
A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të krijimit letrar?
A mund të mësohet shkrimtaria?
Disa prej përgjigjeve erdhën menjëherë, të tjera janë duke u shkruar si esé të veçanta, të cilat do të publikohen në ditët në vazhdim.
Këtu mund të lexoni disa prej përgjigjeve:

   Si të bëhesh romancier…

  Luan Rama

Sot të shkruarit e librave ka hyrë mesa duket në një fazë moderne. Dikur, në kohën e romancierëve të mëdhenj të shekullit XIX dhe XX, shkolla për tu bërë shkrimtar nuk kishte. Aktualisht, teknologjitë moderne si duket kanë krijuar mundësinë e krijimit të këtyre shkollave dhe kurseve të specializuara online apo direkt, siç janë shkollat e tjera të formimit artistik. Ateliere të tilla ka kudo në Francë, në qytete të mëdha apo të vogla. Madje ka dhe kurse që drejton një shkrimtar, kuptohet me pagesë, i cili ndjek mësimin e shkrimit nga idea, shkrimi dhe realizimi përfundimtar i romanit, novelave, tregimeve, etj. Por ka dhe shkolla më të mëdha që drejtohen nga disa shkrimtarë ku secili jep leksionet e tij të personalizuara ku njëri ka si objekt sesi ta letrarizosh një ngjarje reale, si të shkruash biografi, etj. P.sh. shkrimtarë të njohur si Eric Emmanuel Schmitt, i perkthyer disa herë edhe në Shqipëri, apo Bernard Werber, Bernard Minier, Florence Sultan, etj, janë pedagogë të këtyre shkollave, shoqërojnë projekte konkrete të atyre që duan të shkruajnë. Pra në këto ateliere mëson mbi skemën tregimtare, principet bazë të shkrimit, trajtimin e tekstit, si ta bësh atë intim, etj. Një nga këto shkolla është në Paris, École des écrivains», (Shkolla e shkrimtarëve). Por mjaft interesante duken ato të Nouvelle Revue Français nën kujdesin e Gallimard-it në Paris ku jepen leksione si në një universitet, me ateliere të veçantë, p.sh.: si krijohet një personazh, ç’është stili dhe si ta krijosh atë, ç’ndodh kur je para letrës së bardhë, etj., etj., çka lidhet me procesin krijues. Zakonisht, letrarët e mëdhenj nuk kanë lindur nga shkollat, kurset, etj. Por një formim i tillë mbase do të sjellë një ditë të kemi shkrimtarë, që duke pasur një lloj talenti, të arrijnë të bëhen zëra të dukshëm në peizazhin letrar.

      Neviana Shehi
 

Është pak e besueshme se shkolla për shkrimtartë bën vërtet shkrimtar. Herë – herë janë përmendur edhe kurse e laboratorë krijues për ata që duan të bëhen shkrimtarë, por as kjo nuk ka qenë ndonjë tregues se vërtet bëhesh shkrimtar. Në fakt, gjatë shkollimit tonë, në lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe kemi bërë hartime me tema të ndryshme, të cilat pak a shumë kanë qenë një pasqyrë e mirë për të parë se si ka funksionuar imagjinata jonë. Sado pak kemi mësuar edhe për teknikat dhe mënyrën e rrëfimit. Pra, mundësia e parë për të shkruar tregim apo (vjershë) poezi, na është dhënë gjatë shkollimit.
Por, të paktë kanë qenë ata që më pastaj kanë vazhduar me prozën apo poezinë, sepse për diçka të tillë mbi të gjitha nevojitet leximi pothuaj i përditshëm, që mundëson zhvillimin e imagjinatës, por edhe pasurimin e gjuhës si element kryesor në thurjen e rrëfimit ose shprehjen në vargje përmes figurave stilistike.
Natyrisht, secili krijues ka mënyrën e vet specifike të krijimit, e cila kërkon shumë punë e sakrificë. Së paku këtë e tregon edhe përvoja e shkrimtarëve më të shquar që ka njohur njerëzimi. Është utopike të mendohet se ndonjë shkollë mund të të bëjë shkrimtar. Sepse akti i shkrimit është çështje individuale, është njëlloj zeje e cila zhvillohet vetëm përmes leximit permanent, që mundëson zhvillimin e imagjinatës, kurse imagjinata hap shtigje drejt formave të reja të shprehjes së asaj që është shpirtërore….

 Qazim Muska

Po, është e vërtetë që ka shkolla në botë ku përgatiten shkrimtarë, madje dhe shkolla për përgatitjen e poetêve si ne Amerikë e gjetkë. Nuk di konkretisht si funksionojnë, çfarë mësojnë, mbi ç’programe e kanë ndërtuar mësimdhenien, por mendoj se të bësh një shkollë për t’u bërë shkrimtar nuk është kusht për t’u bêrë i tillë. Poet edhe më e pamjaftueshme. Shkolla të jep dijen, përvojat, edhe teknikat a ndonjë element tjetër ndihmës (dua ta theksoj këtë – ndihmës), po kurresesi talentin. Si çdo profesion tjetër, talenti është themeli i një suksesi, sigurisht, me punë të madhe e përkushtim. Po talenti në art merr njê domethënie të veçantë, sepse ka tê bëjë me mënyrën e perceptimit të gjërave, me intuitën krijuese, me fantazinë dhe me ndjeshmërinë, veti këto që nuk mund të mësohen në shkolla. Shembuj gjenish që kanë arritur të japin kryevepra botërore të artit pa ndonjë shkollë të tillë, madje edhe pa ndonje shkollim të mirëfilltë, ose që i kanë braktisur shkollat e universitetet ku kanë qenë duke studiuar, disa përgjithmonë e disa duke u kthyer në autodidaktë, ka pafund në historinë e njerëzimit, prej antikitetit e deri më sot. Përfundimisht, mendoj se shkrimtaria, se pari ka nevojê për talent; dija, kultura, njohuritë e ndryshme, që mund të merren në shkolle apo në mënyrë autodidakte janë, padyshim, shumë të rëndësishme.

Ilustrimi: Jill Calder

1 46 47 48 49 50 190
Go to Top