Thomas Bernhard
Zoti Ministër, Zonja dhe Zotërinj,
Nuk ka asgjë për të kremtuar, asgjë për të dënuar, asgjë për të denoncuar, por ka shumë gjëra të kota; gjithçka është e kotë kur mendojmë për vdekjen.
E përshkojmë jetën, të prekur, të paprekur, hyjmë në skenë dhe dalim prej saj, gjithçka është e ndërkëmbyeshme, pak a shumë e vajosur mirë në magazinën e madhe të aksesorëve që është shteti: gabim! Në fakt, shohim një popull që e ha sapunin për djathë, një vend të bukur – baballarë të vdekur apo të zhveshur ndërgjegjshmërisht nga ndërgjegjja, njerëz kokëgdhë e të ulët, varfërinë e nevojave të tyre… Asgjë tjetër veç një sfondi tejet filozofik dhe të padurueshëm. Kohët janë të marrosura, djallëzorja brenda nesh është një birucë e përjetshme patriotike, në fund të së cilës marrëzia dhe brutaliteti janë bërë elementët e mynxyrës sonë të përditshme. Shteti është një strukturë e dënuar me dështim të përhershëm, populli një strukturë e dënuar përjetësisht me poshtërsi dhe me skamje mendore. Jeta është dëshpërim mbi të cilin mbështeten filozofitë, por që në fund të fundit dënon gjithçka me çmenduri.
Ne jemi austriakë, jemi njerëz të plogët; jemi jeta si një çinteresim i përgjithësuar për jetën, ne jemi, në procesin e natyrës, megalomania për çdo perspektivë ardhmërie.
Nuk kemi asgjë për të thënë, në mos po që jemi të vajtueshëm, të dhënë me imagjinatë pas një monotonie filozofiko-ekonomiko-mekanike.
Mjete për të zvetënuar, krijesa të agonisë, gjithçka na shpjegohet dhe nuk kuptojmë asgjë. Po mbushim një traumë, kemi frikë, dhe kemi frikë me të drejtë, sepse tashmë po vërejmë, ndonëse mjegullt, në plan të dytë: gjigantët e ankthit.
Ajo çka mendojmë ka ndodhur tashmë për ne, ajo çka ndiejmë është kaotike, ajo çka jemi mbetet e errët.
Nuk kemi arsye të turpërohemi, por nuk kemi as arsye të lëvdohemi dhe meritojmë veç kaosin.
Në emrin tim dhe në emër të njerëzve që u nderuan nga kjo juri në të njëjtën kohë me mua, dua t’u shpreh falënderimet e mia gjithë të pranishmëve.
Përktheu: Alket Çani