Author

Admin - page 151

Admin has 1904 articles published.

Deleuze për Kafka-n

in Letërsi by

Deleuze për Kafka-n

1.”Letër babait”.
Ka një keqkuptim të madh të psikaanalizës rreth saj. Qëllimi i saj është të arrihet një zmadhim i fotos, një zmadhim që të shkojë gjer në absurd. Fotoja e babait, e tejmasëshme, do të projektohet mbi hartën gjeografike, historike dhe politike të botës, për të mbuluar rajone të gjera… kemi një edipianizim të universit… Pra s’bëhet fjalë për një tragjedi, por për një komedi.

2.”Metamorfoza”
Gregor Zamsa bëhet kandërr jo vetëm për t’i shpëtuar babait, por për të gjetur një rrugëdalje aty ku babai s’ka mundur ta gjejë, për t’i ikur administratorëve, tregëtisë, burokratëve.
Në fund e motra pranon: ajo kërkon si Gregori inçestin skizo, inçestin me lidhje të fortë, inçestin me vëllanë, inçest që i kindërvihet inçestit edipian, inçest që dëshmon për një seksualitet jonjerëzor, një seksualitet siç bëjnë kafshët

3.”Procesi”
Në fillim të gjyqit kemi një trekëndësh të përcaktuar mjaft mirë. Por më tej asistojmë në një shumim të brendshëm, si në një invazion kanceroz, mpleksje të zyrave dhe zyrtarëve, hierarki e pafundme dhe e pakapshme, ndotje të hapësirave të dyshimta (në mënyra krejt të tjera nga ato që gjenden edhe tek Prousti, ku uniteti i personazheve dhe figurave që ata krijojnë ua lë vendin nebulozave, tërësive flu të shumuara).

4.Letrat e Kafka-s
Në letrat e Kafka-s ka një rrjetë, një pëlhurë merimange. Ka një vampirizëm tek letrat, një vampirizëm epistolar. Drakula, vegjetariani, agjëruesi që thith gjakun e humanëve mishngrënës, tek kështjella që s’është larg… Letrat duhet t’i sjellin gjak dhe gjaku i jep forcë krijuese. Një fluks letrash dhe një fluks gjaku. Që në takimin e parë me Felicen, Kafka, vegjetarian, është i tërhequr nga krahët e saj muskulozë, i frikur nga dhëmbët e saj kataroshë. Feliceja ka ndjesinë e një rreziku, është e bindur se është një mëllë për t’u ngrënë…

Përktheu: Balil Gjini

Gjëra të vogla-Raymond Carver

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Raymond Carver

Në agun e asaj dite, moti ndërroi dhe bora po shkrihej në ujin e ndotur. Fjollat e borës binin nga dritarja e vogël me pamje nga oborri i pasmë sa një bojë njeriu e lartë. Makinat kalonin përmes llucës në rrugën jashtë, ku po binte errësira. Po errej dhe brenda po errësohej.

Ai ishte në dhomën e gjumit duke futur rrobat në një valixhe kur ajo u dha tek dera.

– Më bëhet qejfi që po ikën! Më bëhet qejfi që po ikën! – tha ajo. – Dëgjove?

Ai vazhdoi të fuste rrobat e veta në valixhe.

– Biri i k****! Po që më bëhet qejfi që po ikën! Ajo filloi të qajë. – S’më sheh dot as në fytyrë, apo jo?

Pastaj ajo vuri re foton e foshnjës në shtrat dhe e mori.

Ai pa nga ajo e ajo fshiu sytë dhe ia nguli sytë para se të kthehej në dhomën e ndjenjes.

– Ma jep mua, – tha ai.

– Ti thjesht merr çfarë ke për të marrë dhe largohu, – tha ajo.

Ai nuk u përgjigj. Mbylli zinxhirin e valixhes, veshi pallton, hoshi vështrimin rrotull në dhomën e gjumit para se të fikste dritën. Pastaj iku në dhomën e ndjenjes.

Ajo qëndroi në pragun e derës së kuzhinës së vogël, duke mbajtur foshnjën.

– E dua unë foshnjën, – tha ai.

– Mos je çmendur?

– Jo, por dua ta marr foshnjën. Do të dërgoj dikë që t’i marr gjërat e tij.

– Foshnjën s’ke për ta prekur me dorë, – tha ajo.

– Foshnja filloi të qaj dhe ia largoi batanijen nga koka.

– O shpirti im, o shpirt, – tha ajo duke ia ngulur sytë bebes.

Ai eci drejt saj.

– Për atë Zot, – tha ajo. Ajo bëri një hap mbrapa në kuzhinë.

– Dua foshnjën.

– A mos po largohesh!

Ajo u kthye dhe u përpoq ta mbajë foshnjën në në një qoshe prapa sobës.

Por ai vajti drejt saj. Zgjati dorën matanë sobës dhe mbërtheu doçkat e foshnjës.

– Lëshoma tani, – tha ai

– Ik more, ik largohu! – ia dha të qarës ajo.

Foshnja ishte skuqur në fytyrë dhe po ulërinte. Tërhiq njëri e tërhiq tjetri ata rrëzuan përtokë një vazo që rrinte e varur pas sobës.

Ai e ngjeshi pas murit, duke u përpjekur t’ia shkëpuste foshnjën. E mbërtheu foshnjën dhe shtyu me të gjithë peshën e trupit.

– Ma lësho pra, – tha ai.

– Mos – tha ajo. – Je duke lënduar foshnjën, – belbëzoi ajo.

– S’jam duke e lënduar foshnjën,  – tha ai.

Nga dritarja e kuzhinës s’hynte fare dritë. Në atë gjysmëterr ai u përpoq t’i hapte gishtat e saj të mbledhur grusht me njërën dorë dhe me dorën tjetër mbërtheu foshnjën që ulërinte nën krahun e saj afër shpatullës.

Ajo ndjeu se si gishtërinjtë e saj po hapeshin me forcë. Ajo ndjeu se si foshnjën po ia merrnin.

– Jo! – ulëriu ajo ndërsa duart e saj u dorëzuan.

Ajo donte ta mbante këtë foshnjë. U zgjat ta rrkte krahun e foshnjës. Arriti ta kapë dorën e foshnjës tek kyçi dhe e tërhoqi.

Por ai s’e lëshoi. Ai ndjeu se si foshnja po i ikte ndaj dhe e tërhoqi shumë fort nga vetja.

Në këtë mënyrë, kjo çështje gjeti zgjidhje.

Përktheu: Granit Zela

DUKE LËVDUAR ROMANIN [1]/Carlos Fuentes

in Letërsi by

Te Don Kishoti, ka shkruar Dostojevski, e vërteta është shpëtuar nga një gënjeshtër

    Carlos Fuentes

Para pak kohe, Akademia Norvegjeze u bëri këtë pyetje njëqind shkrimtarëve të botës:«Cili është, sipas jush, romani më i mirë i të gjitha kohëve?» Pesëdhjetë prej tyre u përgjigjën: Don Kishoti i Cervantes-it. Një rezultat i tillë ngre pyetjen interesante nëse “long-sellers-ët” (libra të shitur gjatë një periudhe të gjatë kohore) u kundërvihen “best-sellers-ve” (libra të shitur më shumë gjatë një periudhe tejet të shkurtër kohore). Nuk ekziston një përgjigje që mund t’u përshtatet të gjitha rasteve: përse një best-seller shitet, përse një long-seller humbet?

Don Kishoti ishte një sukses i madh kur doli për herë të parë, para katër shekujsh, në vitin 1605, dhe vazhdon të shitet pa ndërprerje. Ndërsa William Faulkner-i ishte pa dyshim një punë e keqe, nëse krahasojmë shifrat e vogla të shitjes së Absalon! Absalon! (1936) me shifrat e suksesshme të vitit, Anthony Adverse i Harvey Allen-it, një sagë napoleoniane që trajtonte marrëdhënie dashurie dhe lufte. Çka do të thotë se në këtë çështje nuk ka një termometër të vërtetë.

Do mund të mendonim që Cervantes-i ishte në simbiozë me epokën e vet, ndërsa Stendhal-i, për shembull, shkruante veçse për disa “të zgjedhur të lumtur” dhe shitej keq për sa ishte gjallë. U bë i njohur, para se të vdiste, vetëm falë lëvdatave të Balzac-ut dhe arriti më në fund famën vetëm falë përpjekjeve të kritikut Henri Martineau, në shekullin XX.

Disa shkrimtarë arrijnë njëfarë popullariteti të madh, pastaj zhduken. Listat me best-sellers të pesëdhjetë viteve të fundit, me ndonjë përjashtim të vogël, janë një varrezë e përzishme librash të vdekur. Por përjetësia nuk është një sipërmarrje e qëllimtë. Askush nuk mund të shkruajë një libër duke aspiruar për pavdekësi.

Refuzim i autoritetit

Do mund të bënim digresione të gjera rreth raporteve që kanë pasur shkrimtarët që përmenda me kohën në të cilën jetuan. Sado joshëse të jetë kjo, pyes veten se deri në ç’pikë kjo gjë do na zbulonte çfarëdo qoftë rreth librave që ata shkruan, rreth imagjinatës që i shtynte të shkruanin, rreth përdorimit që i bënin gjuhës, mënyrës së tyre kritike për t’iu qasur artit të letërsisë dhe vetëdijes së tyre për t’i përkitur një tradite edhe më të gjerë. Në librin e tij të fundit, Perdja, Milan Kundera pohon se një romancier, shumë më tepër se vendit të tij apo gjuhës së tij amtare, i përket një tradite në të cilën Rabelais, Cervantes, Sterne dhe Diderot janë anëtarë të së njëjtës familje; dhe se kjo familje, siç aspironte Goethe, jeton në shtëpinë e letërsisë së botës që çdo shkrimtar e mirëmban pavarësisht nga letërsitë kombëtare, të cilat kanë reshtur së përfaqësuari çfarëdolloj gjëje të rëndësishme qoftë.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë të gjitha veprat e mëdha të letërsisë përfshijnë po kaq mirë edhe traditën nga e cila rrjedhin, që, nga ana e saj, për të mbajtur një shëndet të mirë, varet nga krijimet e reja që e ushqejnë.

Meqë është viti i katërqindtë i lindjes së Don Kishotit dhe meqë e konsideroj librin e Cervantes-it si gur themeli të romanit, më lejoni të rrënjos përsiatjen time.

Cervantes-i i përket një tradite intelektuale për të cilën nuk mund të flas dot. Është tradita e Erazmit të Roterdamit (1466-1536), fari i fillimit të Rilindjes në oborrin e të riut Charles Quint, një qiri i fikur shpejt nga erërat e ftohta e dogmatike të Kundër-Reformës. Pas kuvendit të të Tridhjetëve (1545), Erazmi dhe veprat e tij do të anatemohen nga Inkuizicioni, testamenti i tij do të mbetet sekret. Cervantes-i ishte i mbrujtur me këtë filozofi të ndaluar. Erazmi kërkonte pajtimin midis Fesë dhe Arsyes duke refuzuar jo vetëm dogmat fetare, por edhe ato të Arsyes. Ky është shkaku që Cervantes, si dishepull spanjoll i Erazmit, detyrohej t’i fshihte afëritë intelektuale.

Libri kryesor i Erazmit, Lëvdatë marrëzisë (1509), është lëvdata e Don Kishotit që endet përmes një universi erazmik, ku çdo e vërtetë është e dyshuar, ku gjithçka zhytet në pasiguri: pikërisht në këtë mënyrë romani modern fiton të drejtën e tij të lindjes. Meqenëse Cervantes-i nuk mund të shprehë ndikimin çlirues të mendimit erazmik, atëherë ai e tejkalon Erazmin: urtësia e Roterdamit bëhet marrëzia e Mançës, ndërsa martesa e urtësisë me pasigurinë pjell romanin, ashtu siç ne e kuptojmë. Një hapësirë përnjëmend e privilegjuar e pasigurisë.

Vend i pasigurt: një fshat i harruar në një provincë të humbur të Spanjës. Një vend me një emër të pamundur: “En un lugar de la Mancha de cuyo nombre no quiero acordame[2]”. Autor i pasigurt: kush e ka shkruar këtë libër? Cervantes-i? De Saavedra? Cide Hamete Benengeli? Një kopist anonim maur? Pehlivani Ginés de Pasamonte i maskuar si Mjeshtri Pedro marionetisti? Mungesa e autorit mezi ia del të fshehë refuzimin e autoritetit.

Emra të pasigurt: a është vërtet Don Kishoti një hidalgo i rrënuar me emrin Alonso Quijano – apo Quijana? Apo ndoshta Quezada? Apo mos duhet ecur ndryshe: fisniku i varfëruar a është vërtet kalorësi guximtar bredharak, një Sid i poshtëruar, një Cortes i rënë nga vakti? Ç’përmban një emër? Paqëndrueshmëria onomastike e romanit Don Kishoti e minon gjithë sigurinë që vjen nga një lexim i drejtpërdrejtë. Dylqinja është Aldonza, vashat e pikëlluara bëhen mbretëresha e princesha, gërdalla kockanjarë bëhen kuaj heroikë, kështjellarë analfabetë shndërrohen në guvernatorë.

Kundërshtarët imagjinarë të Don Kishotit mbajnë emra ekstravagantë – si, për shembull, gjiganti Pentapolin me mëngë të përveshura – prandaj dhe armiqtë e tij të vërtetë duhet të mbajnë të tillë emra: kavalieri Samson Carrasco duhet të mbiquhet “kalorësi i Pasqyrave” që të hyjë në universin onomastik të Don Kishotit. Dhe vetë emri i Don Kishotit, emër lufte i kështjellarit Quijada… apo Quijano… apo Quesada… hyn në montimin e plotë të betejës në atë karnaval nofkash, duke u bërë “Kalorësi me Fytyrë të Vrerosur”, apo “Kalorësi me Luanë”, apo “Kishotizi”, sipas modës pastorale, apo qesharaku “Don Azot”, që, në bujtinë, është “Z. Kërbaç”, apo edhe “Don Zhigoti” në pallatin e dukës, njëfarë “Z. Hamburger” të cilin e vënë në lojë.

Vende, emra, autor, gjithçka është e pasigurt te Don Kishoti. Dhe pasiguria është theksuar nga revolucioni i madh demokratik që farkëtoi Cervantes-i e që është krijimi i romanit si lieu commun[3]lugar comun është vendi i takimeve në qytet, sheshi kryesor, poliforumi, sheshi publik në të cilin gjithkush ka të drejtë të dëgjohet, por ku askush nuk ka të drejtën përjashtuese për të marrë fjalën. Ky parim udhëheqës i krijimit romanor është shndërruar në atë çka eseisti Claudio Guillén e quan “dialog zhanresh”. Të gjithë e gjejnë veten në hapësirën e hapur të Don Kishotit.

Në këtë roman, pikareskja – Sanço Pança – i jep dorën epikes – Don Kishoti. Këtu, lineariteti i narracionit thyhet, rrethohet, shtrëngohet të ngutet për të shkuar përpara, apo, më saktë, në të kundërt, ndërpritet nga historitë brenda historisë, nga ndërkoha pastorale; pastaj me romanin e dashurisë kalorësiake dhe fijet maure e bizantine të narracionit, lineariteti qepet në tapicerinë e një romani i cili, në analizë të fundit, e paraqet veten si të jetë njëherësh identiteti dhe dallimi i universit të tij gjuhësor.

Para Cervantes-it, narracioni mund të shterej vetëm me një të lexuar të së shkuarës: epikes, apo të së tashmes: pikareskes. Cervantes-i përzien të shkuar e të tashme, duke e shndërruar romanin në një proces kritik që na propozon para së gjithash të lexojmë një libër rreth një njeriu që lexon libra, libër që bëhet më pas një libër rreth një njeriu që e di që do lexohet. Kur Don Kishoti hyn në shtypshkronjë në Barcelonë, ku zbulon se ajo çka është shtypur atje është pikërisht libri i tij, El ingenioso hidalgo Quijote de la Mancha, ne zhytemi befas në një botë me të vërtetë të re lexuesish, leximesh të hapura për të gjithë dhe jo vetëm për një rreth të ngushtë brenda gjirit të pushtetit, qoftë ky fetar, politik, apo shoqëror.

Romani, që prej kohës së Cervantes-it, duke shumëfishuar njëherazi autorët dhe lexuesit, u bë një mjet demokratik, një hapësirë zgjedhjeje të lirë, interpretimesh të ndryshueshme të vetes, të botës dhe të marrëdhënies midis vetes dhe të tjerëve, midis meje dhe teje, midis nesh dhe atyre. Feja është dogmatike. Politika është ideologjike. Arsyeja duhet të jetë logjike. Por letërsia ka të drejtën të jetë e dykuptimtë.

Dykuptimësia në një roman është ndoshta një mënyrë për të na thënë se, meqenëse autorët (dhe prej këtej vetë autoriteti) nuk janë të besueshëm dhe janë të aftë të shpjegohen në shumë mënyra, po kështu ndodh edhe me botën. Sepse realiteti nuk është i ngulitur, por i ndryshueshëm. Mund t’i qasemi realitetit vetëm nëse reshtim së pretenduari se e përkufizuakemi atë njëherë e përgjithmonë. Të vërtetat e pjesëshme që na jep një roman janë një beden kundër abuzimeve dogmatike. Përse, pra, shkrimtarët, të konsideruar si të dobët dhe të parëndësishëm në rrafshin politik, janë persekutuar nga regjime totalitare, sikur të ishin vërtet të rëndësishëm?

Kjo kontradiktë zbulon natyrën e thellë të politikës në letërsi. Referencë për këtë është polisi, qyteti, bashkësia e qytetarëve që zhvillohet por qëndron e njëjtë, dhe jo autoritas-i, pushtetet që kalojnë dhe janë thelbësisht jetëshkurtër, por që, plot kryeneçësi, e pandehin veten të përjetshëm.

Fiksioni i Kafka-s përshkruan një pushtet që i jep pushtet pikërisht fiksionit të tij. Pushteti është një përfaqësim që, si autoritetet te Kështjella, fiton fuqi nga imagjinata e atyre që ndodhen jashtë kështjellës. Kur kjo imagjinatë nuk i jep më pushtetit akoma më tepër pushtet, perandori shfaqet, lakuriq, dhe shkrimtari i pafuqishëm që e thotë këtë dënohet me mërgim, në kamp përqëndrimi, ose dërgohet në turrën e druve, teksa prestari i perandorit qep për këtë të fundit veshje të reja.

Që një pushtet politik të bëhet i mundur nëpërmjet shkrimtarisë, kjo është diçka e jashtëzakonshme. Në kushte “normale”, shkrimtari nuk ka, si të thuash, asnjë rëndësi politike. Kuptohet që ai ose ajo, si qytetar, mund të bëhet i rëndësishëm në rrafshin politik. Ai ose ajo ka atëherë rëndësinë politike absolute për t’i ofruar qytetit, sado të qeta, sado të vonuara, sado të tërthorta qofshin, dy vlerat e domosdoshme që bashkojnë vetjaken me kolektiven: fjalë dhe imagjinatë, gjuhë dhe kujtesë, ligjërim dhe mendim.

Fiksioni, atëherë, nga Rabelais e Cervantes tek Grass, Goytisolo e Gordimer, është një mënyrë tjetër e të pyeturit të së vërtetës, përderisa përpiqemi ta arrijmë përmes paradoksit të një gënjeshtre. Kjo gënjeshtër mund të quhet imagjinatë. Mund të konsiderohet si një pasqyrë kritike e asaj që duket si e vërteta në një botë konvencionesh. Sigurisht ajo ngre një univers të dytë të qenies, në të cilin Don Kishoti dhe Ema Bovari kanë një realitet më të madh, jo më pak të rëndësishëm se moria e qytetarëve të ndeshur nxitimthi, e po aq shpejt të harruar, me të cilët kemi të bëjmë. Është e vërtetë se Don Kishoti apo Ema Bovari ndriçojnë, u japin peshë dhe prani virtyteve dhe veseve – atyre personaliteteve ikanake – të takimeve tona të përditshme.

Ndoshta ajo çka kanë të përbashkët Akabi (heroi i Moby Dick-ut të Herman Melville-it), Pedro Paramo (i romanit eponim të Juan Rulfo-s) dhe Efi Brist (e romanit të Theodor Fontane-it) është kujtimi i gjallë i subjektivitetit të madh, të famshëm e të vdekshëm të burrave dhe grave që ne i harrojmë, që baballarët tanë i njihnin e që gjyshërit tanë i kishin parathënë.

Te Don Kishoti, ka shkruar Dostojevski, e vërteta është shpëtuar nga një gënjeshtër. Me Cervantes-in, romani vendosi të drejtën e tij të lindjes mbi një gënjeshtër që është themeli i së vërtetës. Sepse me anë të fiksionit, romancieri vë në provë Arsyen. Fiksioni shpik atë që i mungon botës, atë që bota e ka harruar, atë çka kjo shpreson të arrijë e që ndoshta s’ka për ta arritur kurrë. Fiksioni, pra, është një mënyrë përvetësimi e botës. Ai i jep botës ngjyrën, shijen, shqisat, ëndrrat, netët pa gjumë, durimin e madje qetësinë e tij përtace, për të cilat bota ka nevojë që të vazhdojë të ekzistojë.

Depërto brenda vetes dhe zbulo botën, është ajo çka na thotë romancieri. Por edhe: Përshkoje botën dhe njih vetveten. Gjatë orëve të zymta që i paraprinë Luftës së Dytë Botërore, romancieri gjerman Thomas Mann përshkoi Atlantikun me Don Kishotin, si ta kish truprojën më të sigurt që e lidhte me një Europë në kacafytje me vdekjen. Edhe më përpara, nën retë kanosëse të Luftës së Parë Botërore, Franz Kafka kishte zbuluar se Don Kishoti ishte një shpikje e mrekullueshme e Sanço Pançës, që i bënte të mundur kësisoj të bëhej një njeri i lirë për të ndjekur aventurat e kalorësit endacak, pa lënduar askënd. E, për të përfunduar, te Pierre Menard, autor i Kishotit, Jorge Luis Borges-i na shpjegon se mjafton ta rishkruash romanin e Cervantes-it, fjalë për fjalë, por në një kohë tjetër e me një tjetër pikësynim, për ta rikrijuar atë.

Cervantes-i jetoi kohën e tij: Spanja dekadente e Habsburgut të fundit, Filipi III dhe zhvlerësimi, rënia e ekonomisë në vijim të dëbimit të popullatave industriste çifute dhe arabe, nevoja e tërbuar për të fshehur origjinat hebraike dhe maure, çka shpuri drejt një shoqërie të bërë nga maska të brishta, në mungesë administratorësh vërtet të efektshëm në shërbim të një perandorie të madhe, drejt zhdukjes së arit dhe të argjendit të Amerikës Latine në shtëpitë e fuqishme tregtare të veriut të Evropës. Një Spanjë endacakësh e lypsarësh, aristokratësh mizorë, rrugësh të shkretuara, bujtinash të lemerishme dhe fisnikësh të rrënuar që, në kohë më të lavdishme, kishin fituar Meksikën e kishin lundruar në Karaibe dhe i kishin dhënë Botës së Re universitetet dhe shtypshkrimet e para: energjinë përrallore të Spanjës kushtuar krijimit të Amerikës.

Cervantes-i dhe shkrimtarët e tjerë të mëdhenj të epokës së artë spanjolle treguan vërtet se letërsia mund t’i jepte shoqërisë atë çka historia ia kishte marrë. “Ç’u bënë zogjtë e vitit të shkuar?”, psherëtin Don Kishoti në agoni. Zogjtë vdiqën dhe u balsamosën, prandaj Don Kishoti duhet t’i japë romanit të vet fluturimin e ringjallur të shqiponjës, flatrimin e albatrosit.

Robotë të gëzuar

Ashtu siç Cervantes-i iu përgjigj shoqërisë së degraduar të kohës së tij nëpërmjet triumfit të imagjinatës kritike, edhe ne e shohim veten përballë një shoqërie të degraduar për të cilën na duhet të përsiatemi, të reflektojmë për mënyrën sesi ajo hyn brenda jetëve tona, na rrethon e madje na shpërfaq para situatës së përhershme për t’iu përgjigjur kalimit të historisë me anë të pasionit të letërsisë.

Jemi të vetëdijshëm për rrezikun e rendit të ditës që kanë hartuar njerëzit në këtë fillim të shekullit XXI. Buxheti ushtarak i tejkalon rëndshëm investimet në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe përparimit. Nevojat urgjente të grave, të moshuarve, të rinjve, i janë lënë rastësisë. Krimet ndaj natyrës po shumohen. Në qiell, shkruante Borges-i, të ruash dhe të krijosh janë folje sinonime. Mbi tokë, ato janë bërë armike.

Shkaqet fillestare të terrorit nuk i interesojnë kurrkujt. Përgjigjja ndaj terrorit nuk mund të jetë terrori, por inteligjenca, kontrolli demokratik dhe zhvillimi ekonomiko-shoqëror, në një kohë kur identiteti kulturor i kombeve që kanë vuajtur për shumë kohë zgjedhën e autoritetit kolonial duhet të forcohet.

Vlerat ndërkombëtare, të fituara me këmbëngulje e durim kritik dhe sakrifica – të drejtat e njeriut, diplomacia, multilateralizmi, përparësia e ligjit – po sulmohen nga vrulli i verbër i unilateralizmit, i luftës parandaluese dhe i kryeneçësisë absolute që “paraprin rënien”. Përgjigjja jonë ndaj këtyre realiteteve është shpeshherë veçse një prehje pasive. Ka nga ata që besojnë se po jetojnë në më të mirën e botëve, ngaqë u kanë thënë se e domosdoshmja ishte e pamundur.

Por, nga ana tjetër, ne po sulmohemi nga frika e ethshme, ndonëse inerte, e një apokalipsi latent që do të shkrepej nëse Zoti do pushonte sa dashuri krijesat e tij dhe do t’i duhej t’i shkatërronte të gjitha para se të rifillojë nga fillimi, siç e ndërmendte Goethe-ja.

Hapësira ka kapitulluar. Falë imazhit mund të jemi gjithkund në të njëjtën kohë, pa ndërprerje. Por koha është bërë pluhur, duke u thërrmuar në imazhe që rrezikojnë të refuzojnë njëherazi përfytyrimin e së shkuarës dhe kujtesën e së ardhmes. Mund të bëhemi skllevërit e imazheve hipnotike që nuk i kemi zgjedhur vetë. Mund të shndërrohemi në robotë të gëzuar dhe të zbavitemi për vdekje.

Besoj se këto janë realitete që duhet të na motivojnë për të pohuar se gjuha është themeli i kulturës, porta e përvojës, çatia e imagjinatës, guva e kujtesës, dhoma e gjumit e dashurisë dhe, përtej të gjitha këtyre, dritarja e hapur ndaj erës së dyshimit, që rivë në dyshim dhe heton. Në të gjitha romanet e mëdha zbuloj një synim njerëzor që quhet pasion, dashuri, liri apo drejtësi, e që na fton t’i japim shijen e ditës dhe ta realizojmë, edhe pse e dimë se është i dënuar të dështojë.

Don Kishoti e di që do të dështojë, ashtu siç e dinin edhe xha Gorioi (i Balzac-ut), Ana Karenina (e Tolstoit) dhe princi Mishkin (tek Idioti i Dostojevskit), por pikërisht falë vetëdijësimit, të vetëkuptueshëm apo të qartë, për dështime të tilla që ruajnë dhe na ndihmojnë të ruajmë natyrën e vetë jetës, ekzistencën njerëzore dhe vlerat e saj, ashtu siç kanë jetuar, janë dhënë e janë rikujtuar përmes të gjitha kohëve, të gjitha racave, të gjitha familjeve të njerëzimit, pa humbur ato vetë në iluzionin e një progresi dhe të një lumturie të pakufizuar e të sigurt. Pas përvojave të shekujve ta shkuar, ne nuk mund të mos njohim më përjashtimet tragjike nga lumturia dhe progresi që njerëzimi i ka hasur pa ndërprerje.

Te Dritë gushti, William Faulkner kundërvë e njëkohësisht përfshin dy personazhe të pangjashëm, Xhoana Burdenin, një mesogrua nimfomane, dhe Xho Kristmasin, dashnorin e saj të ri zezak. Kristmasi është një përfaqësues i lirisë. Por ai e di se liria e tij është e kufizuar e madje prometeane. Ai ka ndjesinë se është një shqiponjë e fortë, e fuqishme, e pamëshirshme, e pavarur. Por kjo ndjesi zhduket dhe ai kupton atëherë se lëkura e tij është edhe burgu i tij. Xhoana Burden, duke zotëruar trupin e Xhosë, dëshiron të vetëdënohet, jo përgjithmonë, por vetëm për pak: “O Zot, mos më detyro të lutem, përgjërohet ajo. Më ler vetëm të dënoj veten edhe pak më tepër.

Janë vetëm dy nga personazhet e Faulkner-it që zbulojnë te dashuria natyrën tragjike të lirisë dhe të fatit. Te Faulkner-i, të dish që ne jemi të aftë të rezistojmë do të thotë se jemi po aq të aftë, në disa çaste, të korrim një fitore. Nëse theksoj këtë të vërtetë tragjike dhe klasike te Faulkner-i, e bëj ngaqë më duket thelbësore në vetë frymën e romanit: liria është tragjike, sepse ajo është njëherazi e vetëdijshme edhe për domosdoshmërinë edhe për caqet e saj. “Nuk është fitorja ajo që shpresoj, shkruan Kafka, dhe beteja në vetvete nuk më kënaq, por më kënaq vetëm e vetëm sepse është e vetmja gjë që mund të bëj (…) Si e tillë, beteja sidoqoftë më kënaq më tepër se ç’mund ta çmoj (…) Kapitullimi ka gjasa të mos ndodhë për shkak të betejës, por për shkak të këtij gëzimi për t’u ndeshur.

Midis brengës dhe hiçit, zgjedh brengën” – frazë e famshme e Faulkner-it, së cilës ai i shtoi: “Njeriu do ta fitojë.” A nuk është ndoshta kjo, e vërteta e romanit? Njerëzimi do ta fitojë dhe do ta fitojë sepse, megjithë aksidentet e historisë, romani na thotë se arti rimëkëmb jetën brenda nesh, jetën që historia, në vrullin e saj, e ka përçmuar. Letërsia e bën reale atë që historia e ka harruar. Dhe ngaqë historia është ajo që ka qenë, letërsia do të ofrojë atë që historia nuk ka qenë kurrë. Është ky shkaku që ne nuk do të mund të dëshmojmë kurrë për fundin e historisë – veç nëse do vinte fundi i botës.

Krahasojmë atëherë fjalët e Franz Kafka-s dhe ato të William Faulkner-it me teoritë e fundit të historisë dhe përplasjes së qytetërimeve. Flas si shkrimtar i gjuhës spanjolle, gjuha e një kontinenti që është iberik, indian e metis, zezak e mulat, atlantik e paqësor, mesdhetar e karaib, kristian, myslyman e çifut, grek e latin.

Nuk mund të pranoj tezën se ne jetojmë në një konflikt qytetërimesh, sepse të gjitha ato që përmenda janë të miat dhe në mendjen time nuk përleshen me njëra-tjetrën. Ato flasin dhe diskutojnë me njëra-tjetrën me qëllim që të ndërkuptohen. Vendi i tyre takohet me të gjitha, vend ligjërimi, mendimi, kujtese dhe përfytyrimi që çdokush prej nesh mbart në vetvete, merr pjesë në një dialog qytetërimesh dhe nuk e pranon fundin e historisë.

Si mundet të marrë fund historia, kur akoma s’e kemi thënë fjalën tonë të fundit?

Përktheu: Alket Çani

[1] Fjala e hapjes në Festivalin e 5 ndërkombëtar të letërsisë, Berlin 2005.

[2] « Në një vend të Mançës, që s’dua t’ia kujtoj emrin. »

[3] Frëngjisht në tekst.

Plani satanik i Hitlerit për të vrarë Winston Churchill me një kuti me çokollata!

in Në kohërat e kolerës by

Roli i Lord Rothschild në zbulimin planit

Gjatë Luftës së Dytë Botërore planet e fshehta të asgjësimit të liderëve të palëve ndërluftuese ishin shumë. Disa prej tyre ishin jashtëzakonisht të rrezikshmëm, por kishte edhe plane fantastike si ai i Hitlerit, të vrasë Winston Churchill me një çokollatë.

Churchill, nëpërmjet mesazheve të tij në radio për rezistencë, u jepte guxim jo vetëm britanikëve, por edhe popujve të terrorizuar të Europës përballë rrezikut nazist. Para përhapjes të luftës, nazistët me në krye Hitlerin donin të eleminonin liderin anglez, të cilin e konsideronin si një pengesë të madhe për planet e tyre shkatërrimtare.

“Plani i ëmbël”

Udhëheqësia e nazistëve, duke ditur dobësinë e Churchill për purot, alkoolin dhe kënaqësitë e tjera të vogla, donte të kalonte në selinë e qeverisë angleze një pajisje të vogël shpërthyese me një shtresë që do të merrej për diçka tjetër. Siç kishte zbuluar gazeta “The Telegraph”, nazistët planifikonin në bashkëpunim me agjentët që ishin aktivë në Britani, të dërgonin në zyrën e politikanit anglez pllaka çokollatash të veshura mbështjellëse të zezë dhe ari e cila do shkruante “Peters Chocolate”. Paketa do të arrinte me lloje të tjera luksoze për të shmangur dyshimet.

Planin origjinal të nazistëve nuk zgjati shumë për ta diktuar kundër-zbulimi britanik. Në mes të vitit 1943, Lordi Victor Rothschld, anëtar i lartë i shërbimit sekret britanik MI5, i dërgoi një letër artistit Laurence Fish duke i përshkruar planin satanik të nazistëve për vrasjen Churchill. Në letrën e tij i kërkonte të krijonte skica që ilustronin çokollatat e çuditshme me mekanizmin shpërthyes brenda, në mënyrë që t’i përhapnin te qytetarët në qoftë se shihnin pakon e rrezikshme.

Si përfundim Fish bëri 25 skica me çokollatën – kurth, por afishet nuk u ngjitën kurrë në rrugët e vendit. Shpjegimi që dha në BBC historiani Nigel West, është se Lordi Rothschild e financoi vetë ndërmarrjen pa ndihmën e autoriteteve, me rezultat që mos të interesohej askush për skicat. Kur letrat e Lordit drejtuar artistit u botuan në vitin 2012, historianët donin të dinin se ku ishin skicat. Si përfundim u gjetën në vitin 2015 nga familja e Rothschild në shtëpinë e tyre.

Plani i britanikëve kundër Hitlerit me hormonet femërore

Aleatët, me në krye britanikët, hartuan një plan të çuditshëm për kreun e nazistëve, jo për ta vrarë, por për ta “qetësuar”. Planifikonin të përdorin estrogjenin për të zbutur disponimin luftarak të diktatorit paranojak, duke përforcuar kështu anën femërore të tij. Siç shkroi “Telegraph”, Agjentë planifikonin të vendosnin doza estrogjeni në ushqimin e tij që të ishte më pak agresiv dhe më shumë i bindur, si motra e tij më të vogël Paula, e cila punonte si sekretare. Spiunët britanikë gjendeshin mjaft afër Hitlerit për të patur qasje në ushqimin e tij. Estrogjeni u zgjodh për shkak se nuk ka shije dhe ka ndikim të ngadalshëm dhe të padukshëm, pra nuk do ta zbulonin testuesit e ushqimit të Hitlerit”.

Asnjë nga këto projekte të çuditshëm nuk pati efektin e dëshiruar. Churchill vdiq nga shkaqe natyrore në vitin 1965, ndërsa Hitleri bëri vetëvrasje me partneren e tij Eva Brown kur sovjetikët tashmë kishin hyrë në Berlin.

Përktheu: Shpendi Shakaj

Kyçi-Rose Ausländer-Përkthyer nga Hans-Joachim Lanksch

in Letërsi/Në kujtim të Hans-Joachim Lanksch/Përkthim/Tharm by

Kyçi- Rose Ausländer

 

Dhoma ime

ka shumë dyer

 

Secila çon

në tjetër dhomë

me shumë dyer

 

pa fjalë po shkoj

derë me derë

dhomë më dhomë

 

e dëgjoj heshtjen time

 

dëgjoj zëra të huaj

jehona fjalësh

përmbas një dere

të kyçur

 

Ku është kyçi

ku fjala kyçe.

 

Përktheu: Hans-Joachim Lanksch

Pse shkruaj?-Granit Zela

in Letërsi by

Granit Zela

Qysh në Ungjillin simbas Shën Gjonit është ligjëruar se “Në fillim ishte Fjala”. Në diskurse jashtëletrare kjo thënie pahëson peshën që duhet të ketë letërsia në jetën e njeriut, ndërkohë që e përdorur në diskurse letrare më duket se më së shumti përdoret për të shenjuar bash natyrën e artit.

Xhozef Konradi thotë se detyra e artistit është që me forcën e fjalës së shkruar t’u bëjë të dëgjoni, t’u bëjë të ndjeni dhe, para së gjithash, t’u bëjë të shihni”. Kësodore ai përngjan me një shpikës leximi për të verbrit. Thënë më shkoqur; kjo është detyra që i ka ngarkuar vetes artisti Konrad. Mirëpo, pse ai e jo ndonjë tjetër me gjasë s’e paska patur mundësinë për ta bërë këtë të ndodhë? Çfarë e shtyu këtë njeri për të shkruar dhe shestuar? Kësaj pyetjeje, Fishta i përgjigjet:“Pse, tue hi ndër faktor të vepërs artistike edhe artisti me do cilsi të veçanta, për me kenë artist, nieri duhet të ketë le artist”.

Emersoni vëren se udhëtari që viziton Vatikanin dhe kalon nga dhoma në dhomë nëpërmjet galerive dhe statujave, vazove, varreve dhe shandanëve, nëpërmjet gjithë formave të së bukurës, harron se secila prej tyre ka dalë prej ateliesë së një artisti të vetëm. – Por, vazhdon poashtu ai, – edhe pse udhëtojmë në botë për të gjetur të bukurën, ne duhet ta kemi atë me vete ndryshe nuk do ta gjejmë. Pra, ai e ka bërthamën krijuese të programuar brenda kodit të vet gjenetik, pastaj vjen një çast që ajo nis e rrezaton për të dhënë në rastin më fatlum ndriçimin e ndriçimeve. Përplasja, fërkimi që jep shpërthimin ndodh vetvetiu, pasi për të, diktaturë, trandje, reagim etj, është vetë qenia e tij.

Pavarësisht se Platoni i quante poetët të pushtuar nga “çmenduria hyjnore”, puna e krijuesit, shkruesit të teksteve, mistifikohej sidomos në fillimet e historisë së shkrimit. Kjo ngaqë vetë procesi i të shkruarit nuk shpjegohet deri në fund. Por, po ta lëmë mënjanë territorin e së panjohurës, të shkruarit është një zeje që një shkrimtar serioz ka shqetësimin e gjithëhertë për ta përvetësuar me gjithsej, të fshehtat e zanatit, teknikat, përvojat etj., etj.

Në këtë pikë të ndërmendet natyrshëm biblioteka borgesiane, e cila, në mos duhet mbartur me vete, duhet vizituar më së paku në ndarjet kryesore të saj. Për të shkruar një libër të mirë duhet punuar sikundër farkëtari që rreh papushim çelikun për t’i dhënë formën e dëshirueshme. Materia, substanca, ose thënë ndryshe; lënda e përdorur për krijim mund të jetë gjithçka; nënvetëdija, holokausti, familja, luftërat botërore, shoqëria, kolonizimi komunist i Evropës Lindore, prania ose mungesa e gjithë këtyre gjërave dhe vetë gjërat pafundësisht.

Gjithë kjo botë depërton nëpërmjet unit të shkrimtarit, nëpër filtrin e tij të brendshëm, që vihet në punë nëpërmjet kodit të artistit, për të kryer atë shndërrimin e magjishëm estetik të materialit që përdoret në shkrim. Më e rëndësishme se lënda është modeluesi i saj. Dhe për ta bërë këtë artisti duhet të punojë në studion e tij. Atje ai ngjan me një murg. Robinson i braktisur në fatin e vet, për t’i dhënë botës një tjetër formë qenësie, për ta shndërruar atë në botë fjalësh, gjithësi gjuhe.
Akti i shkrimit është individual, sikurse ai i leximit, por një shkrimtar i mirë është një lexues i tillë. A nuk e lexon ai veprën e tij ndërsa e shkruan? Pastaj duhet vënë re se si shkruhet e jo çfarë shkruhet, sepse çfarë shkruhet është jashtë nesh, kurse mënyra se si shkruhet është brenda nesh, copërat e vetes që i bashkëngjitim substratit të përdorur për t’i vënë vulën e origjinales.
Po të risjellim në vëmendje sërishmi fillesat e shkrimit njerëzor, bie në sy se atëherë shkruhej në pllaka balte, e pastaj në pergamenë, dru, gurë, përlhurë deri edhe në lëkurë. Nuk bëhet fjalë për lëkurën e njeriut por në një farë mënyre shkrimtarit i duhet të shkruajë aty.

Ligjërimi artistik është ligjërim i qenies së krijuesit, i frymës së tij ekzistenciale, rrekjes së përditshme për të gjetur të bukurën, fjalën në lartësimin e saj shpirtëror. Procesi shkrimor është shpërthimi i kësaj magme. E megjithatë artisti nuk është mag. Përndritje profetike e vizitojnë nganjëhere, porse nuk është aspak profet. Për Kafkën, të shkruash është si të vdesësh ndërkohë që të vdesësh nuk është si të shkruash.

Herman Hesse porosit të gjejmë natyrën tonë, të mos shmangemi nga ajo e të shpëtojmë nga ngasjet sidomos “nga ajo që na bën të besojmë se mund të jemi dikush tjetër, krejt i ndryshëm nga ai që jemi në të vërtetë, dhe nisim të imitojmë kallëpe dhe të rendim pas idealesh që as lypsen për t’u synuar e as për t‘u mbërritur”.

Para se të vendos se çfarë do të bëjë në jetë, njeriu ndalet për një çast, gërmon brenda vetes, heton, këqyr, përgjon, për të kuptuar se cila është prirja e tij më e fuqishme, fusha ku ai mund të japë kulmin e mundshmërisë së vet. Unë gjithmonë kam synuar dhe besoj se do t’i ngjajë vetëm një shkrimtari. Atij dhe vetëm atij. E gjithë udha që mbetet për t‘u përshkruar mbetet vetëm një përpjekje e pambarimtë për t’u futur brenda lëkurës së tij. Unë them se ai është. E ndiej tek lëvrin çdo çast sikur ta kenë pushtuar dhjetëra demonë para letrave që s’bëzajnë, diç duke dashur të shkruajë aty. Më duhet ta kap këtë njeri e ta rrok në tërë qenien e vet. Duhet t’ia dëgjoj zërin, t’i ravijëzoj portretin. Ai quhet Granit. Tek e shoh t’i kushtojë energjitë e çdo çasti, frymën e çdo dite, shpërthimin e secilit mendim atyre letrave, unë e ndjek pa mundur të mos e bëj këtë.
Po kjo nuk është e lehtë. Shumë herë më kaplon ai dyshim i tmerrshëm dekartian dhe unë i hakërrehem:“Pendohu!’. “Hiq dorë! Kthehu shtiracak i devotshëm, ngase ti s’je artisti, por je hija e tij!”. Por ai ma përplas për fytyre thënien e Saadiut: „Jashtë thonë se unë jam pendimtar, po ç’punë kam unë me pendimin?”.

E mua s’më mbetet gjë tjetër pos shoqërimit të udhëtimit të tij të pafund, ndërsa lektiset pas ndoca shkrepëtitjesh të çuditshme që i popullojnë në tru. Sikurse një shkrimtar (Gaston Bashlar) para stivës së librave në tryezën time të punës, i drejtohem Hyut me lutjen e lëçitësit të babëzitur:“Urinë e përditshme falma sot!”

DASHURI ME SHIKIM TË PARË-Wislawa Szymborska-Nobel 1996

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

DASHURI ME SHIKIM TË PARË-Wislawa Szymborska-Nobel 1996

Ata, që të dy, janë krejt të bindur,

se një ndjenjë e papritur i ka kapur.

E bukur është një siguri e tillë,

por pasiguria është akoma më e bukur.

Dhe meqë s’janë takuar kurrë më parë

besojnë se asgjë s’ka patur ndonjëherë mes tyre.

Po ç’thonë rrugët, shkallët, korridoret

ku ata kanë kaluar ndoshta mijëra herë?

Do kisha dashur t’i pyes

mos ndoshta u kujtohet –

diku, ballë për ballë

duke u shkëmbyer në një derë, 

mos kushedi ndonjë “më falni” përmes turmës,

apo “i keni rënë gabim” në telefon?

Por e di mirë ç’do thonë.

Jo, asgjë nuk u kujtohet.

Do habiteshin sikur të merrnin vesh

që rastësia luante me ta

tashmë prej vitesh.

Ende jo krejt e gatshme

për t’u bërë Fati i tyre,

ajo i afronte, i largonte,

u zinte udhën

për t’u hequr sakaq mënjanë

duke qeshur nën hundë. 

Ndonëse ata nuk i dallonin

shenja dhe tregues kishte patur.

Ndoshta tre vite më parë

apo të martën e kaluar

një gjethe fluturoi

nga njëri sup te tjetri. 

Kishin lënë diçka të binte dhe e morën.

Një top llastiku, kushedi, harruar

gëmushave të fëmijërisë. 

Kishte doreza dhe zile dyersh

ku njëra dorë kish prekur gjurmën e dorës së tjetrit.

Dy valixhe përbri pas check-in-it.

Një ëndërr e përbashkët një natë,

harruar sakaq në mëngjes.

Çdo fillim, para së gjithash,

është vetëm një rrjedhojë

dhe libri i ngjarjeve

është gjithmonë i hapur në mes.

Përktheu: Alket Çani

Poezia e lexuar nga Arlinda Guma:

Fredi – poeti që trishtohej nga stinët/Nuhi Sadiku

in Tirana Review by

Itaka e Rreshpes është rrugë me gjemba, shtruar nga të tjerët, që çon në portat e zvetënimit.

  Nuhi Sadiku

Një gjë duhet të pajtohemi të gjithë: Frederik Rreshpja, nëse nuk është poeti më i madh, është poeti më autentik i poezisë shqipe. Me të ndodhi revolucion i madh në ligjërimin poetik brenda poezisë, duke i lënë jashtë reaktantët jopoetikë që e kishin rënduar poezinë shqipe të deri atëherëshme dhe përbënin një reaksion multifunksional që nuk prodhonte vetëm poezi. I ra hise Rreshpes që në kaosin poetik të realizmit socialist, t’i kthente gjërat në vendin e tyre. Me të do të niste një rrugëtim i gjatë dhe i mundimshëm në konsolidimin e figurave letrare dhe ndryshimin drastik të motiveve poetike. Frederiku, apo Fredi siç parapëlqente ta quante veten, zgjodhi që në poezinë e tij thjeshtësisht të përdorë ngjyrat, figurat e shumta letrare dhe zhgënjimin politik e jetësor.

Është e çuditshme sesi simbole të llojllojshme si: zogu, deti, qielli, gjethi, shiu, vetmia, vdekja, dashuria dhe nëna, kishin parakaluar para syve edhe të poetëve tjerë, mirëpo jo të gjithë ditën t’i katapultojnë brenda poezisë, siç bëri Rreshpja. (Nuk e vë dorën në zjarr: mund të ketë tek-tuk ndonjë poezi të ndonjë poeti tjetër me këto motive, mirëpo nuk ka vepër poetike të ndërtuar mbi universalitetin e tyre, siç është sistemi poetik i Fredit).
Përveç kësaj, poezia e Fredit e kaloi edhe provimin më të madh që mund t’i nënshtrohet një poezi: ndërrimin e ligjërimit poetik. Nga një narrativë poetike, e shkruar në një gegërishte të fisme, Rreshpja çuditërisht dhe për habinë time kaloi në diskursin standard.
Dhe ky transformim, pothuajse, nuk e la as shenjën më të vogël në aspektin cilësor të poezisë së tij.
Shihni sesi Rreshpja i këndonte dimrit në dy variantet gjuhësore. Për të, dimri mbeti dimër, pavarësisht se në cilin variant do t’i shkruante.

Në fushat dimnore (fragment)

Dëbora e thinjun përulet
Si bard plak mbi telat e mpimë
Tutje fushës shtyllat trishtohen
Për sa ndamje që bartin në hapsinë. 
***
Do më kujtohet edhe kanga e vjetër
Që këndova për ty
Ktu një natë
Ja, dëbora e thinjun po u bie
Si bard plak telave të gjatë. 

Dhe tani ta shohim një poezi për dimrin, të shkruar në gjuhën standarde:

Dimër

Bie dëborë. Rënkojnë
Qerret e lodhura si një kor tragjedish antike
Në udhën e vjetër të fshatit.
Dhe mua m’u kujtua pabesia jote. 

Sigurisht, dëborën e ka shpikur një hyjni e pabesë.
Mëpastaj, zoti i tradhëtuar vështronte
Fushën e mbuluar me qefin
Si për një të vdekur madhështor. 

Ah, si të shkoi ndërmend pabesia,
Si të shkoi ndërmend dëbora!
Më deshe shumë. 
Po erdhi një ditë që ti shpike dëborën…
Tani rri dhe vërej fushën ku vdes madhërisht dashuria. 

Për dallim prej shumë poetëve, që mbijetojnë në poezi falë prurjes së vëllimshme, te Fredi është pikërisht aspekti cilësor që del fitimtar mbi atë sasior.
Diçka tjetër që e shquan Fredin është se ai i mbishkruan vargjet e tij (P.Palushi). Ta zëmë, vargun: “Kam një pritje të vjetër dhe s’di ku ta lë” (Diku, kudo), ai në variantin pasardhës të po kësaj poezie e mbishkruan kësisoj: “Zot, jam tmerrësisht i vonuar!”. 
Frederik Rreshpja, poashtu, di që shprehjet e tij t’i jetësojë poetikisht brenda disa konturave surreale.

“Më vdiq edhe kjo vjeshtë, më shkoi edhe kjo ditë
Qefini me gjethe të tharë.
O dimri i drerëve me brirët në erë
Kë vjeshtë të qaj më parë?”

Ç’është Itaka e Rreshpes? 

Itaka e Rreshpes, anash veprës poetike, duhet parë si rrugëtim maratonik drejt realizimit individual – një odiseadë e dhimbshme që nuk mbaron asnjëherë. Në të ka vetëm vuajtje, harrim, pikëllim, humbje, trishtim dhe shumë vetmi.
Itaka e Rreshpes është rrugë me gjemba, shtruar nga të tjerët, që çon në portat e zvetënimit.
Brenda kërkimit të Itakës së Rreshpes, gjendet një si Penelopë. Ajo është Lora, që siç duket u lodh nga rrugëtimi dhe nuk vazhdoi me Fredin. Askush nuk e di se a ekzistoi vërtetë, sepse Fredi mjeshtërisht e metamorfizoi atë në varg. Një metamorphis fisnik, për dallim nga metamorfoza e Kafkës.

Nuk më flet. 
I ke premtuar vdekjes, e kuptoj” – e mirëkupton atë Fredi.

Të dy kemi qenë të bukur. Por ti tani, 
Je akoma më e bukur, kështu me pak vdekje në sy” – vazhdon ai.

Në rrugëtimin e tij, pati turbulenca, valëvitje mirëpo nuk pati degradim në sistemin vleror të poezisë. Prandaj, për Fredin, Itaka – është Itakë vetëm në simbiozë me poezinë. Prandaj ai e kërkonte vazhdimisht Itakën e tij.

Por Itakën time e kam shpikur vetë
Se kam nevojë të domosdoshme për ishuj!”

Imazhi si diskurs poetik

Fredi është poet imazhist. Ai gjatë shkrimit të poezisë, përveçse shkruante, njëkohësisht i pikturonte poezitë. Me aq sa kam lexuar nga poezia shqipe, askush nuk ka arritur që t’i inkuadrojë ngjyrat në poezi sikur bëri Fredi.
Si imazhist, ai e krijoi një frymë që gjatë leximit të jep sensin e çlirimit nga thatësia e vargut – thatësi kjo që mbretëroi një kohë të gjatë.
Është një varg i nivelit të lartë meditativ, ky i Rreshpes. Fredi, duke lozur me imazhe, arrinë që të përçojë sinjalin e ndjesive të tij.
Këtë më së miri e shpjegojmë nëpërmjet një strofe nga poezia e hershme e Rreshpes: Nën linjat e reja elektrike. 

Mbramja po zbret mbi pyjet dhe udhët.
Mbi sinqeritetin e dëborës – natë. 
Mirëmbrëma male!
Sonte çdo shtëpi asht një agim i vogël.

Kjo katrenë do të duhej ta shtangte secilin lexues. Sepse poezia e trajton një fenomen teknik, krejtësisht jopoetik: linjat e reja elektrike. Dhe nëpërmjet vargut maestral Sonte çdo shtëpi asht një agim i vogël, poeti suksesshëm i jep konstruktin një metafore që në thelb thotë: sonte s’kemi nevojë për ndriqimin e sinqertë të dëborës, sonte erdhi drita elektrike.

Ndër imazhet që më së shumti bien në sy te poezia e Fredit janë shiu dhe deti. Siç duket, i regjur me vrazhdësinë e qytetit, ai assesi nuk arriti që t’i ikë ngacmimeve të imagjinatës. Mendja e tij prodhonte llojlloj skemash të fenomeneve natyrore. Ai sillej me to, sikur t’i kishte në shuplakë të dorës.

Ky shi sonte

Qerrja e shiut mbjell pellgje nëpër natë
Dhe ikën pyjeve me vërtik. 
Qerrtari i zi nëpër kodra
I bie vjeshtës me kamxhik.
***
Qerrtari i zi nëpër kodra
Përzë vjeshtën pa mëshirë
Po vjen Perandoria e ftohtë e dimrit
Oh, sa do të ngrijmë zemra ime!

Në këtë poezi, me një lexim shumë të ngulitur, identifikojmë që shiu për Fredin është një lajmës i keq, që paralajmëron ardhjen e dimrit – kësaj perandorie të ftohtë. Shiu do ta ndajë Rreshpen, me stinën që më së shumti e donte: vjeshtën.
“I bie vjeshtës me kamxhik” – ky është vargu që shpërfaqë dhimbjen e poetit për ikjen e vjeshtës. Është një elegji për një vdekje të një diçkaje, që do të ringjallej prapë pas tri stinësh. Por, për Rreshpën stina e dimrit është e gjatë, tmerrësisht e gjatë dhe e frikshme.
Pra, Fredi i përdorë stinët për të krijuar një konstelacion simbolesh.

“Unë vetëm u bëj një vizitë stinëve, o njerëz
Kurse mendjen e kam tek ju”.

Mua më trishtojnë stinët, ti e ke ditur
Dhe me botën më ndanë një udhë me kilometra vetmi”

Fanitja e fëmijërisë

Është pikërisht motivi i fëmijërisë ai që, për mua, do ta bëjë Fredin autor të njërës nga tri poezitë më të mira të shkruara deritani në gjuhën shqipe:

Ushtari i vjetër 

Pashë fëmijët në rrugë. Të qeshur, 
Të bukur dhe delikatë si vazotë e çmuara,
Ku nënat fshehin ëndrrat e tyre. 

Më panë dhe u trishtuan. E kuptuan,
Që unë nuk kam qenë kurrë fëmijë…

Kjo poezi ka diskurs deskriptiv dhe në lexim të parë nuk jep të kuptojmë se ka diçka meditative, diçka të thellë – të nënvetëdijshme brenda saj. Mirëpo, nëpërmjet kësaj poezie Fredi në mënyrë brilante përthyen vargun. Ai fillon me fëmijët e qeshur, të cilët trishtohen nga pamja e përvuajtur e një poeti që krejt çka ka janë poezitë dhe kapelja. 
Ai e krijon një kontrast pamjesh: nga një peizash plot kolorit, në një natyrë të qetë.
“…nuk kam qenë kurrë fëmijë…” – kjo është linja e ligjërimit që do ta përcjellë Fredin gjatë gjithë krijimtarisë poetike.
Ai në një rast tjetër thotë:

Që fëmijë e kam kuptuar
se kisha lindur i mallkuar me art…”. 

Mirëpo, ndonëse fëmijëria e tij e paqenë e trishton, atje thellë gjendet një kujtim që do të bëhej simbol i poezisë së tij: nëna.

“Ave, nëna ime. Vetëm tek ti kam besuar. 
Zot tjetër nuk kam pasur kurrë!
Amen!”

Për Rreshpen, nëna është kult. Dhe nuk ka kush që e mohon këtë fakt! Ai nuk heziton të vajtojë për vdekjen e saj.

Nëna ime ti dhimbje e pashuar
Ka kaq vjet që pushon në dheun e zi
Siç duket edhe yt bir së shpejti
Do ta lërë këtë botë, nënë, e di”.

Pa nënën e tij, për të, nuk është asgjë më e njëjtë. Ai edhe kur e lutë vdekjen e tij që të vie dhe ta marrë, ka për qëllim takimin me nënën.

Vuajtja nga vetmia, vrulli i vdekjes

O ajr i mbrëmjes mbështillmë, 
erdhi ora të vdes përsëri!” 

Ky është dy vargëshi më reprezentativ i Rreshpes. Me këtë distik ai e thërret një vdekje mitologjike, të mbështjellur nga ajri i mbrëmjes. Megjithëse, e di që nuk ka çfarë t’i jap më kësaj bote, sepse bota u tregua e pamëshirëshme me të dhe ia mori gjithë ato çka i pati, përveç kapelës.
Vetmia, përveçse në poezitë e Rilkes, nuk të ngjan në vetmi kur i lexon disa poetë të tjerë.
Mirëpo, kur i lexon poezitë e Frederik Rreshpes për vetminë, nuk ka gjasë të mos e ndjesh në palcë, një vetmi që pëllet si një zot indian [titull poezie nga autori i shkrimit]. 
Ai ia di vetmisë të gjitha truket e saj dhe e di mirë si t’i shndërrojë në poezi. Dhe nëse ka ndonjë arsye pse Fredi i takon një niveli kaq të lartë të poetëve është pikërisht vetmia. Sikur edhe, nëse ka ndonjë arsye që Fredi ishte një njeri i përvuajtur, i varfër deri në skajmëni, është pikërisht vetmia.

Nga doli kjo vetmi kështu,
më përpara nuk ishte”.

Atë e tronditë prezenca e vetmisë. Dhe kjo shihet në dyvargëshin e mësipërm. Ai shpeshherë e thërret kohën kur ka qenë fëmijë dhe e ka pasur nënën të gjallë.
Prandaj, e thërret vrullshëm vdekjen e tij. Një thirrje kjo që ngjanë në mesazhet e shkruara në letër, të mbyllur brenda një shishe qelqi dhe të hudhura në det. Mesazhe/thirrje që nuk dihet a do të lexohen/dëgjohen nga ndokush.
Fredi nuk kishte çfarë të humbte, madje thoshte që i vjen keq që nuk kishte vdekur vjet. 
Për të vdekja do të thoshte çlirim, sepse ishte lodhur në vetminë e lirisë dhe brutalitetin e jetës. Ishte lodhur nga të qenit i harruar.
Në poezinë e tij, vdekjen e gjejmë si dhuratë hyjnore. Një njeri që ishte tradhëtuar nga çdokush, nuk u tradhëtua vetëm nga poezia dhe nga vdekja. Ai i besonte vdekjes se kurdoherë do të vinte. Pavdekësinë e shihte si mallkim.

Zvetënimi i Fredit

Si njeri që mbajti 17 vjet e 3 muaj burg, nuk mund të presim prej tij, përveçse zhgënjim. Por, Fredi nuk ishte njeri i thjeshtë. Ai ishte njëri ndër poetët më të mirë të letërsisë shqipe. Një Esenin vetmitar që sorollatej rrugëve të Tiranës, që e vizitoi vetëm njëherë Prishtinën – për të cilën la një sentencë të mahitshme: Edhe qielli e përkëdhel Prishtinën – dhe i mbeti peng që nuk mundi ta vizitoi Prizrenin.
Liria po e zvetënonte Fredin, po e asgjësonte. Ai ishte një njeri politikisht i zhgënjyer dhe kjo vërehet edhe në disa prej poezive të tij.
Miting për Enver Hoxhën, Liderët janë disa prej poezive të tij ku ai e derdhë mllefin e tij për sistemet politike me të cilat i kishte rënë të përballej dhe për harrimin që ia bënë ato.
***
Se Fredi, përmes poezisë dinte të bënte hatanë, të krijonte befasira që lexuesi nuk i priste, e dëshmon kjo poezi. Është pikërisht kjo poezi që do të mund t’i përgjigjej, pyetjes hipotetike të ndonjë lexuesi: “Po mirë, ky Fredi a ka ditur t’i shkruaj lumturisë”? Po, e ka bërë vetëm njëherë, kur e kishte vetëm edhe një fije shpresë që diçka do të ndryshonte.

Për një vjollcë

Çeli vjollca e vogël mbi gurishte
Si një ylber mbi planete të panjohur. 

Kështu kam ëndërruar edhe unë dikur
Të bëhem ylber mbi akuafortën e kohës vizatuar egër,
Për tërë ato që thashë
U tretën në kujtesën e palexueshme të ajrit. 

Më me fat janë perënditë
Që kthehen te toka të skalitur. 

Ti s’ke për t’u skalitur kurrë,
E veç ndoshta në kujtesën e palexueshme të ajrit. 

Ky qe fati yt prej ylberi
Me një kryq shiu te koka
Por fati sundon tërë popujt e zotave
Të shumtë si rëra. 
Vjollcë e vogël, o shpirt!

____
Referencat:

[1] “Duke kërkuar Itakën”, Rreshpja F., SHB ”Princi”, Tiranë.
[2] “Frederik Rreshpja, që nuk e kuptuam kurrë”, Palushi P., SHB “OMBRA GVG”, Tiranë.

Marrë nga: Virtual Sophists

Portreti: Aleksandër Vreko

Këshillë për një dashuri të mbarë-Yehuda Amichai

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Këshillë për një dashuri të mbarë-Yehuda Amichai

 

Këshillë për një dashuri të mbarë: Mos u dashuro
me ato të largëtat. Gjeji vetes një
prej aty pranë.
Ashtu si një shtëpi e mençur që do të merrte
gurë vendorë për ndërtimin e vet
gurë që i ka ngrirë i njëjti acar
e që i ka djegur i njëjti diell.
Merre atë me kurorë të artë
përreth bebëzës së zezë të syrit, ajo
që i di disa gjëra
për vdekjen tënde. Dashuro edhe brenda
një gërmadhe, ashtu siç do ta nxirrje mjaltin edhe
prej kufomës së luanit që Samsoni vrau.

Dhe një këshillë për një dashuri të ligshtë: Me
dashurinë që të ka mbetur
prej asaj që shkoi
bëj një grua të re për veten tënde
pastaj me atë që mbetet prej asaj gruaje
bëj sërish një grua të re,
dhe vazhdo ashtu
gjersa të mos mbetet më asgjë.

 

Përktheu: Arbër Zaimi

1 149 150 151 152 153 191
Go to Top