Para Ligjit/Franz Kafka

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Franz Kafka

Para Ligjit është një derëtar. Atij i drejtohet një fshatar, i cili do të hyjë te Ligji. Por derëtari i thotë se tani për tani nuk mund ta lërë të hyjë.

Njeriu mendohet, pastaj e pyet nëse mund të hyjë më vonë.

“Ndoshta”, i përgjigjet derëtari, “por jo tani”.

Derëtari tërhiqet anash; meqë dera e Ligjit është përherë e hapur, njeriu përkulet për të parë brenda.

Roja e vë re dhe qesh:

“Nëse të tërheq kaq shumë”, thotë, “përpiqu të hysh, edhe pse është e ndaluar. Por hap sytë, unë jam i fortë dhe jam derëtari i fundit. Çdo sallë ka derëtarin e vet, njëri më i fuqishëm se tjetri. As unë nuk i bëj ballë të tretit.”

Fshatari nuk e priste këtë lloj vështirësie. Ligji duhet të jetë i lirë që të hyjë brenda cilido. Në çdo rast, mendon, por duke e parë mirë derëtarin, vëshur me gëzof, me hundën e madhe me majë, mjekrën e gjatë të zezë prej tartari, bindet se është më mirë të presë derisa të marrë lejen për të hyrë.

Rojtari i jep një stol dhe i thotë të ulet aty pranë derës. Ai ulet aty përditë e për vite. Bën shumë përçapje që të pranohet brenda, e lodh derëtarin me lutjet e tij.

Roja nganjëherë i bën pyetje, e pyet për fshatin e tij dhe për shumë gjëra të tjera, por janë pyetje pa rëndësi, ashtu siç i bëjnë zotërinjtë; në fund i thotë se ende nuk mund ta lejojë që të hyjë.

Njeriu, i cili ishte gatitur për atë rrugë, duke marrë plot gjëra me vete, bën përpjekje që ta thyejë rojtarin, duke i dhënë gjithçka, pa pyetur a janë gjëra me vlerë apo jo.

Tjetri nuk zmbraps asnjë dhuratë, por thotë: “Po pranoj vetëm që ti të më thuash se ke lënë pa provuar ndonjë mënyrë.”

Për vite e vite njeriu nuk rresht së vështruari derëtarin. Harron të tjerët dhe i duket se i pari është pengesa e vetme për të hyrë te Ligji.

Vitet e para mallkon me zë të lartë, pa marrë parasysh asgjë. Fatin e tij të keq, pastaj kur plaket, flet me vete. Bëhet si fëmijë dhe pasi gjatë shumë viteve ka vrojtuar derëtarin dhe ia njeh edhe pleshtat e gëzofit, u lutet pleshtave që ta bindin rojtarin.

Me në fund shikimi i dobësohet, dhe ai nuk e di më a  mungon drita,  apo e gënjejnë sytë. Megjithatë, në errësirë e dallon shkëlqimin që shpërthen nga Porta e Ligjit. Nuk i ka mbetur shumë kohë për të jetuar. Para vdekjes të gjitha ngjarjet e kohëve të fundit, të mbledhura në kokën e tij, shndërrohen në një pyetje, të cilën ende nuk ia ka drejtuar rojtarit.

I bën një shenjë burrit, pasi nuk mund të drejtojë më trupin e ngrirë. Derëtari duhet të përkulet se tani ka shumë ndryshim trupi, në dëm të fshatarit.

“Çfarë kërkon të dish më”, pyet rojtari. “Je i pangopur?” “Nëse të gjithë synojnë Ligjin”, thotë njeriu, “si është puna që gjatë këtyre viteve, askush përveç meje nuk ka kërkuar të hyjë brenda?”

Rojtari e sheh se burri është nga fundi i jetës dhe që ai ta kuptojë, i ulërin në veshin tashmë të mbyllur:

“Këtu nuk mund të hynte askush. Se kjo derë ishte caktuar për ty. Tani po largohem dhe po e mbyll.”

Përktheu: Gjergj Vlashi

4 Comments

  1. Nuk i kam lexuar të tëra e ndoshta ka më të mira se ky i Gjergj Vlashit më poshtë, nuk e di.

    “Përpara Ligjit” – është një nga pjesët më të njohura të Kafkës dhe në njëfarë mënyre kjo është një kuintesencë e “Procesi”-t. Më bëhet se Maks Brodi e ka përfshirë në botimin e tij aty; nuk di më.

    Por nuk ka edhe fort rëndësi për këtë që dua të them.

    Karakteristika kryesore e stilit të Kafkës është gjuha kinse burokratike.

    Te pjesa në fjalë kemi dy personazhe: një “Türhüter” – fjalë kjo e vjetëruar, por që mund të jepej fare mirë me: portier.

    Pse Gjergj Vlashi e jep këtë me “derëtar” është për mua enigmë.

    Personazhi i dytë është “ein Mann vom Lande”, mirëpo jo “fshatar” – nuk thuhet shprehimisht që ky qenkësh fshatar asgjëkund, përndryshe Kafka do të kishte shkruar “Bauer”.

    E gjithë skena merr një shije tjetër, nëse një “derëtar” bisedon me një “fshatar”.

    Tjetër gjë është kur një “portier” bisedon me dikë “nga rrethet” të them.

    Kot dhe unë, thjesht se e vura re rastësisht këtu përkthimin e jo se më intereson shumë ky.

    ………………………..

    VOR DEM GESETZ

    Vor dem Gesetz steht ein Türhüter. Zu diesem Türhüter kommt ein Mann vom Lande und bittet um Eintritt in das Gesetz. Aber der Türhüter sagt, daß er ihm jetzt den Eintritt nicht gewähren könne. Der Mann überlegt und fragt dann, ob er also später werde eintreten dürfen. »Es ist möglich«, sagt der Türhüter, »jetzt aber nicht.« (…)

    ……………………….

    Përpara Ligjit qëndron një portier. Te ky rojtar vjen një burrë nga rrethet dhe bën kërkesë për të hyrë në Ligj. Porse portieri thotë që ai mund t’ia pranojë tani hyrjen. Burri mendohet dhe pyet pastaj, nëse atëherë më vonë do të mund të lejohej të hynte. “Është e mundur”, thotë rojtari, “mirëpo tani jo.”

    përkthimi im

    …………………………

  2. C’hyn ketu censura? Deretar eshte perdorur me nje qellim, kjo kuptohet lehte, ndoshta eshte ajo mania e perkthyesve per te pasuruar gjuhen me fjale qe te mbajne firmen e tyre. Edhe kjo “nga rrethet”sikur nuk ngjit. Nuk e di gjuhen, por poqese kuptimi i fjales ne origjinal eshte i tille, mund te perdorej fjala “provincial”

  3. Epo nuk e kam perkthyer une de… 🙂 Dhe perkthyesin nuk kemi ku ta gjejme qe ta ndeshkojme se sot eshte 90 vjec e kusur…

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top