Frati i urtë, në qiellin e errët të padijes, dalloi yllin e mëngjesit që do të printe drejt rilindjes shpirtërore. Agu i letërsisë shqiptare u kungua në dritën e yjeve që shuheshin, aty ku zbardhëllimi i ditës priste lindjen e diellit të Rilindjes. Rrezet e tij ia ngrohnin ëndrrat si luftëtar dhe si poet.
Zhuljeta Grabocka
Poezia e shkruar shqipe është e re në moshë. Ajo lindi, frymon e rritet me dëshirën për të qënë “një diell”. Strehëza e ngjizjes së saj ka qënë e mbetet bukuria e ndriçimit hyjnor. Lëvruesit e saj më të parë, kanë qenë shkruesit e poezisë filobiblike, të cilët i drejtoheshin lexuesit nëpërmjet këndimit poetik me një parim të qartë atdhetar e estetik.
Duke respektuar bukurinë e stilit, i pari i poetëve, Pjetër Budi prej Gurit të Bardhë të Matit, ishte i ndërgjegjshëm se fantazia vërtet e ngre poetin në qiell, por se detyra, misioni qytetar e ul në tokë.
I bindur në fuqinë mirëbërëse të artit, Budi, poet do të këndonte:
/Kah del dielli e rri /kurrë me mos pushuom.
Ai ishte i ndërgjegjshëm, se po shkruante me patosin e zjarrtë lirik, si zëdhënës i ndjesive të krijimit vetjak, si krijues i “Këngës së re”. Poetika aristoteliane ndihet në përpjekjet e tij për t’i dhënë mesazhit karakter universial edhe filozofik. Budi, shkrimtari i parë e një kohësisht martir i parë i letrave shqiptare, ngrihet mbi tekstin bilblik me një origjinalitet të spikatur. Ai çeli një shtrat, ku u derdh me të gjithë madhështinë liriko – epike një nga lumenjtë e poezisë së hershme të letërsisë së vjetër shqipe. Pjetër Budi është një nga prijëtarët e ligjërimit artistik të dhimbjes shpirtërore për humbjen e lumturisë së “njeriut të parë” dhe natyrës tunduese e të dyzuar të tij.
/Kish të djeg’ me ligjëruom /Se jam gjithë ndë të zi/Ditë natë t’u kujtuom/Të lumtë që pat njeri.
Prej tij nuk mund të kërkonim të krijonte një Beatriçe, si poeti i madh përtej detit, Dante Aligeri. Ai u këndoi figurave simbolike të literaturës biblike; Evës dhe Adamit. Mesazhi i poezisë së tij lirike universializoi luftën midis së mirës e së keqes në raport me mos respektimin e ligjit të shenjtë. Prej Budit mësojmë se bashkëkohësit e tij kishin pasur lëvrues edhe një tradite poetike gojore pararendëse. Nuk është rastësi përmendja e këtij fakti, kur dihet se ende nuk trashëgojmë asnjë botim letrar prej asaj kohe. Vepra e tij mbetet një sprovë në kohë. Si poet, ai vjershëroi me një gjuhë letrare të ngritur në normë, e cila tejkaloi dialektin e të folmes së krahinës së tij, duke i hapur rrugën formimit të standardit letrar. Gjuha e shkruar ishte për Budin, “delta” për t’u derdhur në detin e madh të gjuhëve më të lashta të Ballkanit, me aftësinë për të ndërtuar një letërsi kombëtare. Aksioni i tij poetik ka një rezonancë të gjërë në kohë si përfaqësuesi i letërsisë më të re në gadishullit.
Krjiuesit e rinj kanë se çfarë të mësojnë prej vizionit e platformës së tij poetike. Vizion i ndërtuar në kohë të rrëpirta robërie. Frati i urtë, në qiellin e errët të padijes, dalloi yllin e mëngjesit që do të printe drejt rilindjes shpirtërore. Agu i letërsisë shqiptare u kungua në dritë e yjeve që shuheshin, aty ku zbardhëllimi i ditës priste lindjen e diellit të Rilindjes. Rrezet e tij ia ngrohnin ëndrrat si luftëtar dhe si poet. Budi ishte i ndëgjegjshëm për sakrificat jo të pakta në rrugën e përndritjes hyjnore. Kozmogonia biblike ishte rruga e vetme poetike për të njohur të vërtetën artistike. Të vërtetën e mishëruar në përjetësinë e frymës. Ai universializoi virtytin njerëzor si kodin e civilizimit. Tokë e qiell frymojnë të sjellin hyjnoren frymë, përballë mëkatimit, pendimit e shëlbimit. Kosmogonia qiellore e Budit është lartësimi shpirtëror i lexuesve të poezisë së tij. Por Budin, lexuesi i kohës e njohu dhe përmes veprimtarisë së dendur politike e atdhetare në mbështetje të qëndresës së popullit të tij, kundër pushtuesit osman. Kontributi i tij shkoj përtej predikimit të mirëfilltë fetar. Teksti i “Doktrinës së krishterë” ishte shtrati ku Budi e pagëzoi fjalën poetike, si një foshnjë që pret të rritet e shëndetshme në forcë e mendim. Vargjet e tij do të mbeten shembulli i interpretimit të fabulës poetike e mikrofabulave. Mjeshtër i përdorimit me vend të detajeve jetësore. Gjithçka në veprën e tij rrezatoi botën shqiptare. Poezia e tij, dhe pse përshkruese, mbetet përfaqësuese jo vetëm në kontekstin historik kur u shkrua, por dhe sot, ajo shërben “model” për interpretim ndërtekstor. Si një “bari” i kulturuar i gjuhës e i poezisë, Budi mori nga gjuha e folur shprehje e mendësi popullore si; “Një mijë vjet me qenë nxënë”, “gjatë e gjënë”, “për gjithë ditë të mirë”, etj., me shqetësimin e përhershëm poetik, për qartësi e shprehi të lartë artistike. Në vargun e poezisë së tij spikatin tone të qarta vlerësuese, solemnizuese, këshilluese, elegjiake dhe polemizuese. Tek Budi kemi për herë të parë të përdorur kuptimin “kangë” për vjershë, dhe “vjershërim” si proces i shkrimit të poezisë.
Me thirrjen e tij retorike gjithë kohore,
/Ku janë ata pleq bujarë /që qenë para ne
/Ata trima sqimatarë/Të çpjetë e si rrufe/
Budi është aktual edhe sot. Në vargjet e poezisë së tij “ Vdekja e madhështia”, ai jo vetëm trajtoi fatin historik e kolektiv të individit, por zbuloi madhështinë e tij përtej kohëshmërisë trupore për të zbuluar madhështinë historike. Vargu i tij goditi “me pupël”, me elegancë dhe plot fisnikëri.
/Se janë gjithë ngënjime/ E të mbrazëta mirëfilli/Gjithë plot me mallënjime/E të zeza si thëngjilli/
Poeti meditoi në brendësi të shpirtit të njeriut për të dhënë konceptin ekzistencialist e filozofik të jetës. Universi biblik nuk e pengoi Budin të pasqyronte të vërtetën artistike të jetës së bashkëkohësve të tij. Ajo e ndihmoi t’u këndonte zhgënjimeve e shpresës, urtësisë e trimërisë, dashurisë mbi urrejtjen si e vetmja dhuratë hyjnore, që do të sillte paqen e harmoninë, në tokën që Zoti ua ka besuar përjetësisht njerëzve të kombit të tij.