Kudo që të shkojë, nënën e mban me vete. Ajo është gjithmonë duke menduar për ty, edhe kur jeton përtej detit, edhe kur prehet në qetësinë e varrit.
Noela Yzeiri
Gentiana Minga ka zbrazur shpirtin në librin me poezi “Ciao Mamma, un saluto da Bolzano”-(Përshëndetje ma’ nga Bolzano), botim i shtëpisë botuese italiane “Terra d’ulivi”.
Poezia e saj ka një forcë komunikuese të jashtëzakonshme. Modernist dhe i çlirët, vargu ka braktisur çdo skemë. Duke qenë fare i natyrshëm dhe gjithnjë në mardhënie interesante me kohën, mbruhet duke ndjekur një ritëm të brendshëm në kërkim të hollësive, shijes së dhimbjes.
Lirika e Gentiana Mingës nuk rron dot pa vizatuar kujtimet, muzën e saj ripërtëritëse, ato që sendërtojnë fytyrën e së shkuarës, duke u ndalur në perspektivën e së tashmës. Ёshtë një qëndrim angazhues ky i Mingës tek e tashmja, angazhim ky që e do botën të drejtë, njeriun që të dijë të bashkëjetojë me njeriun, duke mos e parë nga lart, është një poezi që thyen barrierat e ndasisë, pikërisht sot që “altruizmi nuk është më në modë.”
Kudo që të shkojë, nënën e mban me vete. Ajo është gjithmonë duke menduar për ty, edhe kur jeton përtej detit, edhe kur prehet në qetësinë e varrit. Poezia e Gentianës fillon dhe mbaron me këtë lidhje të përjetshme, si një ngashërim i ëmbël që i dorëzohet mallit. Te kjo mungesë lind vargu i autores, që mban në krahë kujtime plot ngjyra, rituale të përditshme njerëzish, që kanë lënë gjurmë në jetën dhe formimin e saj.
Poezia e saj është identitare, dhe një ndjesi e tillë i kalon kufijtë e përjetimit. Rrënjët e saj shqiptare janë të forta, janë pikërisht ato që ndërtojnë nga fillimi gjithë imazhin e kësaj poezie, e cila ka shumë të dhëna nga pikëpamja sociale dhe humane.
Poezia këtu është si një anije ëndrrash të trazuara, që u nisën nga brigjet e Durrësit dhe po aty kthehen për të gjetur vetveten. Gjuha e saj është e freskët, delikatesa e fjalës qëndron si pulbardhë përmbi breg; Në agim peshkatarët hedhin rrjetat… Duket se Durrësi dhe Bari që janë kaq afër flasin të njëjtën gjuhë. Poezia të lë aromën e Adriatikut, një “retrogusto” majhoshe, por e ëmbël!
Loti i njëzet viteve emigrim mbetet i patharë, por vizioni i saj nuk është peng i kësaj reminishence; autorja është një poete kozmopolite që di të rrijë në botë. Poezia e saj i përket hapësirës europiane dhe përfaqëson një vizion humanist të të parit të tjetrit, emigrantit, punëtorit, dhe mbi të gjitha fëmijës që mbetet i vetëm në botë. Vargu e tejkalon dramën personale duke personalizuar dhe ndjerë deri në indet më të imta tragjedinë e njeriut, luftës, mungesës në Europë, e parë gjithmonë nga njerëzit në anën tjetër, si Kepi i Shpresës së Mirë.
Si ajo që duke shëtitur gjatë bregut në Gazë befas
u ul përtokë me duart mbi kokë duke parë të atin.
Trupin me rërë mbi tokën e Beit Lahija, me një vrimë në gjoks.
Sërish gjak.
Do ketë parë yllin, yllin e zbehtë e draprin e hënës.
Por poezia e Mingës di të transformohet edhe në një grua :
Unë jam një shpirt i bekuar kur vë re
në pranverë mimozën
mbushur me të verdhë e me të kaltër
mbi jeshilen e gjetheve,
e ndjej zërin e të gjitha nënave.
Pastaj më vjen një fije loti
e do të doja të t’i thosha të gjitha,
po kam frikë së është tepër,
të të flas për mimozën, për mizën,
për lulen që nuk di ta ujis sa duhet, e kam frikë se po më vdes.
Të të tregoj se si ja prek me buzë
petalet e gjata e të përshpirtshme, t‘i flas për ty
kur kthehesh nga puna
e më përshëndet:
– Erdha zemër, në shtëpi jam!
Gjuha e imazhit të poezisë së Mingës është e brishtë, duket sikur sikur fjala ndalet tek e përditshmja, por ndërkohe koha e shpirtit ecën me një tjetër ritëm dhe flet për dhimbjen e njeriut.
Gentiana Minga është një poete që e sheh poezinë, jo thjesht si vendin e prehjes së artit të saj, por edhe si një angazhim qytetar, si një forme reflektimi për njeriun dhe se si ai mund të jetë më i mirë për tjetrin.
____
Gentiana Minga, shkrimtare, gazetare shqiptare.
Lindur më 12 prill 1971, në qytetin e Durrësit (Shqipëri).
Botimet në Shqipëri:
“Autopsia e shkatërrimit”, tregime, Shtëpia Botuese “Europa”, Tiranë, 1993),
“Zonja e Shkodrës”, poezi, Botimet “Florimont”, Tiranë,
“I përqafuar nga drita”, perkthim nga italishtja Betty J. Eady (edicioni Medaur, Tiranë, 2003.
Botime në Itali:
“Po të isha Narin” dhe “Deri në ditën e mbërritjes”, poezi, antologjia “Sotto cielo di Lampedusa”; Botimet Rayela, Itali,
“Nëna e Zeqos në majë të thanës”, tregim, antologjia “Prato Cita Aperta”, Shtëpia botuese “Marco del Bucchia”, 2016,
“Muovimenti – segnali da un mondo viadante” – Antologjia e/dhe mbi emigracionin, Botues “Terre d’Ulivi”,
– “Ciao mamma, un saluto da Bolzano”, antologjia poetike, botues “Terra d’Ulivi”, 2017,
– “Donne combative e solitarie” – reportazh – antologjia “Gratë e Shqipërisë – midis emigrimit, traditës dhe modernitetit”, botim “Com Nuovi Tempi”, Itali
Bashkëpunon në Shqipëri me: Revistën Poeteka e në Itali me El – Ghibli, Salto Bolzano, La macchina sognante.