Author

Admin - page 153

Admin has 1904 articles published.

E vërteta e pakëndshme në lidhje me dashurinë dhe divorcin/Meli Ajazi

in Meqë ra fjala by

Meli Ajazi

Ne sot e mendojmë martesën moderne si një institucion dashurie – po ç’ndodh kur dashuria mbaron?
Një pjesë e jona fiksohet pas historive të kohëve të vjetra, të evokuara këto edhe nga librat rozë apo filmat dhe telenovelat, shpesh duke psherëtirë për faktin, që për paraardhësit tanë ajo ka qenë më e thjeshtë dhe se njerëzit dikur ishin më të mirë e më të sinqertë, gjë që s’është aspak e vërtetë, po është thjesht perceptim i gabuar i krijuar nga fantazia jonë.

Dihet tashmë nga të gjithë që dorëheqja nga një marrëdhënie afatgjatë, është shumë e trishtuar, dhe ndryshimet në strukturën e familjes janë shumë të vështira për të gjithë ata që përfshihen në këtë histori, po sidomos për fëmijët. Pra në thelb divorci është i vështirë dhe besimet e qëndrimet tona kulturore e bëjnë atë edhe më të vështirë nga ç’duhet.
Faji, turpi dhe ndjenja e dështimit, dukshëm rritin koston emocionale të divorcit. Edhe pse kjo kosto shtesë është krijuar nga morali shoqëror dhe, edhe pse një shumicë njerëzish të edukuar dhe arsimuar mirë, janë në dijeni të kësaj bashkëfajësie të krijuar nga shoqëria, prapë se prapë divorci përjetohet si eksperiencë shumë e keqe, pasi të gjithë ne kemi qenë në një moshë të pavetëdijshme, në fëmijëri, kur kemi ‘thithur’ mesazhin e shoqërisë në lidhje divorcin.

Pyesni veten në vetmi për këtë: A jeni ju tipi i personit që divorcohet? Pa marrë parasysh se në çfarë statusi martesor jeni, unë vë bast se ju i jeni pëgjigjur kësaj pyetje me: “JO!” kategorike.

Kjo është ajo që të gjithë pa përjashtim mendojnë para se të divorcohen nga partnerët e tyre të mëparshëm. Ne të gjithë mendojmë se jemi më të mirë se personat që divorcohen, dhe me këtë JO ne i pohojmë vetes se: “Unë jam besnik, jam i përgjegjshëm, kam moral të lartë, jam person që tregoj kujdes për partnerin dhe jam person që i mbaj premtimet e zotimet e dhëna.” Deri tek ky pohim nuk ka asgjë të keqe, pasi është i sinqertë.

Njerëzit që mendojnë rreth divorcit apo kryejnë divorc, përgjithësisht ndihen thellësisht të pakënaqur nga jeta e tyre, të vetmuar e të mjerë. Para martesës të gjthë ne mendojmë rreth dashurisë dhe lumturisë të cialt realizohen vetëm nëpërmjet martesës, por pas shkëmbimit të unazave, çdonjëri kërkon në një farë mënyre atë modën e vjetër të martesës, atë të sakrifikimit dhe vetëflijimit, besnikërisë, përgjegjësisë, mundimit dhe vështirësive. Këto qëndrime, i kanë rrënjët në të kaluarën e largët, kur martesa ishte thjesht një institucion ekonomik i projektuar për të stabilizuar mirëqënien dhe pasurinë, si dhe për të rritur trashëgimtarët e kësaj pasurie.

Sigurisht që edhe në ato kohëra, kishte njerëz që dashuronin si dhe shumë njerëz që vuanin nga mosrealizimi i dashurisë, shumë më shumë se tani, po në ndryshim nga ditët e sotme, ata nuk kishin pritshmëri që ndjenjat e tyre të kurorëzoheshin me martesë. Ndjekja e dashurisë dhe lumturisë nuk konsiderohej një arsye e mjaftueshme për t’u martuar dhe kjo sigurisht nuk ishin as arsye për divorc.

Po tani, kur Amerika i ka mësuar gjithë globit, në të gjitha mënyrat, me ligj kushtetues, filma, muzikë e art, se – Kërkimi i lumturisë është një e drejtë themelore e njeriut, – a nuk po ndjehet lumturia e kërcënuar nga divorci, pasi koncepti i zgjidhjes së martesës, nuk perceptohet aspak si një gjë e lumtur?

Pikërisht në ditët e sotme, në të kundërt nga kohët e shkuara, sot kur shumica e njerëzve martohen me dashuri, pasi kanë premtuar në altar se do ta duan njëri-tjetrin derisa vdekja t’i ndajë, pa pyetur asnjëherë veten mbi faktin se çfarë do të thotë ky premtim, pasi në të vërtetë nuk duan ta dinë përgjigjen, sipas statistikave shumica ndihen të zhgënjyer nga martesa.

Si mundet vallë që dikush të angazhohet se do ndjehet njëlloj si në ditët e para, me të njëjtin emocion dhe intensitet me tjetrin, deri në përjetësi? Jo sigurisht që kjo nuk bën sens llogjik, prandaj ne premtojmë pa menduar, ose më keq, duke shpresuar se do ta ‘ndreqim’ partnerin që të na përshtatet.

Ne realisht mund ta detyrojmë veten tonë të jemi besnik, të vetë-sakrifikohemi, por nuk mund t’a detyrojmë dot atë, veten pra, për të qenë të dashuruar, pasi ne njerëzit, kemi fare pak kontroll mbi ndjenjat tona, apo siç shprehemi përgjithësisht mbi zemrat tona. Dhe nuk kalon shumë kohë dhe fillojnë e na lindin kontraditat midis asaj që ndjejmë dhe asaj që kemi pritur të ndjejmë.

Kjo e vërtetë është kaq pakëndshme sa që mundohemi ti tregojmë vetes histori se si dashuria mund të krijohet edhe nëpërmjet vendosmërisë apo karakterit të pastër, punës së mundimshme dhe të vështirë, etj, po shumë shpesh as ne vet si besojmë këto brroçkulla. Nëse do t’i besonim, do të vazhdonim akoma me martesat me shkuesi, po ja që këto lloj martesash na duken shumë paradoksale sot, të papranueshme dhe prapanike.

Në të vërtetë, ka disa çifte, mbase të rrallë, që arrijnë ta mbajnë të pashuar pasionin e fortë të dashurisë, por për shumicën e çifteve, dashuria zbehet, tjetërsohet duke lënë pas pyetje të mëdha ekzistenciale. Një nga pyetjet më të zakonshme që njerëzit i bëjnë vetes është:
Nëse u martuam sepse u dashuruam, çfarë do të thotë, të vazhdosh të rrish në një martesë pa dashuri?

Nëse si shoqëri do të ishim të ndershëm me veten, do të pranonim që të presësh nga njerëzit që martohen me dashuri të mos ndahen, kur dashuria mbaron apo fillon e mungon, është totalisht e paarsyeshme dhe hipokrizi. Po fatkeqsisht, jemi një shoqëri hipokrite dhe për rrjedhojë kthimi tek moda e vjetër e martesës azuar në interesin ekonomik – pra shkëmbim interesash, ka filluar të na duket opsion jo vetëm i papranueshëm, po i domosdoshëm prandaj vazhdojmë predikojmë dashurinë si idealin më kuptimplotë të njeriut.

Dhe po ashtu vazhdojmë ta ushqejmë shoqërinë me hipokrizi mbi martesën, pasi t’u deklarojmë fëmijëve tanë se martesa më shumë sesa lumturi, është përgjegjësi, sakrificë, besnikëri dhe durim, gjëra që partnerët e martuar shpesh i harrojnë dhe, fëmijët nuk ndodh t’i shohin shpesh në familjet e tyre.

Nënat dhe baballarët i shtyjnë fëmijët të martohen që sapo mësojnë se ata mund të jenë dashuruar me dikë, sidomos vajzat, dhe janë shumë të lumtur në ditën e dasmës së tyre dhe me të vërtetë që shumë prej tyre shpresojnë tek ëndrra e lumturisë martesore pa ‘i shqetësuar’ fëmijët me leksionin se ndoshta një ditë mund të zbulojnë që ndoshta nuk ndihen më të dashuruar… Të shpeshta janë rastet kur prindërit zemërohen me fëmijët e tyre që duan të divorcohen …

Po le të mendojmë vetëm për pak – se ndoshta divorci përfaqëson shansin më të mirë të një çifti, mbi ardhmërinë e dashurisë dhe lumturisë së tyre si individë – le të imagjinojmë vetëm për pak një botë ku empathia, përkrahja dhe toleranca kanë më shumë përparësi sesa konceptet tona ndoshta të vjetëruara mbi çiftimin e martesën.

Grua e hatashme-Maya Angelou

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Grua e hatashme-Maya Angelou

 

Gra të pashme duan ta dinë ndërsa bëjnë çudi

Kur s’jam topmodele pse josh si me magji?

Nis t’u tregoj por s’besojnë, kujtojnë se i mashtroj

U them

Shihni si i hap krahët

Vithet që marrosin

Shihni si i hedh hapat

Buzët që të joshin

 

Di të jem e hatashme

Grua e hatashme

Kjo jam unë

 

Mu për qejfin tim, krejt e patrazuar,

Hyj në dhomë me burra

I afrohem njërit

Të tjerët të shtanguar

Ose bien në gjunjë

Ose mësyjnë drejt meje

Si një koshere gumëzhitëse bletësh

U them

Sytë i kam të zjarrtë

Dhëmbët vezullojnë

Belin e kam të afshtë

Këmbët të hutojnë

 

Jam grua

Di të jem e hatashme
Femër  e hatashme
Kjo jam unë.

 

Edhe burrat  çuditen

Pse vetiu mahniten…

Rreken e rreken më kot

Por s’arrijnë ta shpjegojnë dot

Misterin që ndryj

Dhe pse ua shfaq përherë

Për ta mbetet mister

U them
Shihni shpinën që harkohet

Buzëqeshjen e shndritshme

Gjoksin që gufohet

Gjestet e hijshme

 

Jam grua

Di të jem e hatashme 
Femër  e hatshme
Kjo jam unë.

 

Tani e morët vesh

Pse kokën s’e mbaj ulur

S’bërtas as bëj rrëmujë

S’ngre zërin t’i flas ndokujt

Në udhë kaloj përherë

Magjepsuni nga ky mister

Ju them,

Ja takat si kërcasin

Si flokët hapen n’ajrí

Pëllëmbët e dy duarve

Kësaj bote i jap magji

 

Se jam grua

Grua e hatashme

Kjo jam unë

 

Përktheu: Granit Zela

 

Për poezinë e Fatos Arapit (Pjesa e dytë)-Erlind Sulko

in Tirana Review by

Erlind Sulko

Në pjesën e parë të këtij shkrimi kushtuar poezisë së Fatos Arapit, u mundova të tregoja se vepra poetike e Fatos Arapit mund të shikohet në tërësi si një udhëtim bashkëbisedimesh me gjithësinë. Veprën poetike të Fatos Arapit e kam ndarë në gjashtë bashkëbisedime kryesore; bashkëbisedimi me dashurinë, bashkëbisedimi me detin, bashkëbisedimi me vdekjen, bashkëbisedimi me vetveten, bashkëbisedimi me Tiranën dhe bashkëbisedimi me Zotin.
Në pjesën e parë të shkrimit shqyrtova bashkëbisedimin me dashurinë në veprën poetike të Fatos Arapit. Në pjesën e dytë të këtij shkrimit do të merrem me bashkëbisedimin me detin. Në veprën e Fatos Arapit, bashkëbisedimi me detin Jon është i vazhdueshëm. Ky bashkëbisedim fillon që me librin e tij të hershëm: “Poema dhe Vjersha”, botuar në vitin 1966.

Çast buzë detit

Dhe vargjet erdhën me ritme të kaltra.
Ndër degë të tyre figurat e gjelbra
çelin, – si gjethet nëpër portokalla.
Ndër degëza vargjesh fëshfërijnë figurat,
si mbrëmjes Jonit fletëzat e ullinjve.
E mbusha gojën me erëra të Jonit,
ndiej nëpër dhëmbë kokrrizat e jodit.
Shoh si thyhen mirazhet mes valësh
se si thërrmohen përflakjet mes gurësh…
Dhe jam i tëri
grimca dritash e ngjyrash.

Kjo është një poezi tepër e ndërlikuar, nëse e lexon me kujdes dhe e shqyrton. Kemi një përshfaqje buzë detit Jon rrethuar nga pemë ullinjsh e cila njëjtësohet tërësisht me vetë vargjet dhe poezinë. Ajo pamje që ka rrëmbyer rrëfyesin në të njëjtën kohë bëhet edhe vetë poezia; vetë vargjet erdhën me ritme të kaltra si deti dhe vetë fjalët çelën si gjethe portokalli. Këtu kemi të bëjmë me një ng ato çastet e rralla në poezi kur rrëfimtari nuk e merr përvojën dhe e shndërron atë më pas në poezi, por kur përvoja dhe poezia çelin së bashku në të njëjtën kohë. Imazhi ndërlidhet në një mënyrë të pazgjidhshme me vetë poezinë dhe kemi një njëjtësim të plotë të rrëfimtarit me atë që ai kundron. Ky njëjtësim i rrëfimtarit me pamjen e kundruar fillon që me vargjet:

E mbusha gojën me erëra të Jonit,
ndiej nëpër dhëmbë kokrizat e jodit.

Pamja e detit Jon nuk është kundruall rrëfimtarit. Ai nuk e vëzhgon atë nga larg dhe me ftohtësi. Përkundrazi, ajo pamje e detit Jon futet brenda tij; goja e tij është e mbushur me erërat e Jonit dhe nëpër dhembë ai ndien kokrrizat e jodit. Dhe në dy vargjet e fundit kemi pikërisht atë njëjtësim të rrokakrejtshëm:

Dhe jam i tëri
grimca dritash e ngjyrash.

Vetë rrëfimtari është shndërruar në pamjen që ai kundron; në grimca ngjyrash dhe dritash të asaj pamje mbërthyese.

Ky bashkëbisedim me detin rikthehet në veprën “Ritme të Hekurta”, botuar në vitin 1968. Në poezinë “Deti,” deti kthehet në një tufë kuajsh të bardhë e të egër që suleshin për të ardhur tek vetë rrëfyesi e për t’u përplasur tek këmbët e tij. Pamja e egërsuar e detit, e cila e ndjek gjithmonë rrëfyesin, mund të cilësohet si një përvojë e asaj që quhet përvoja e së madhërishmes. Përvoja e së madhërishmes, e cila në anglisht quhet “the sublime” është një përvojë edhe e frikshme – edhe e bukur, që njeriu zakonisht ka kur ndodhet përballë natyrës së egër. Përvoja e së madhërishmes u bë një nga çështjet kryesore të bashkëbisedimeve filozofike gjatë periudhës së romantizmit në Europë. Pa u zgjatur më në bashkëbisedimet e shumta mbi përvojën e së madhërishmes, dua të them se në këtë poezi të Arapit shfaqet pikërisht kjo përvojë në lidhje me detin. Kjo gjë edhe shqiptohet në vetë poezinë, kur ajo thotë se rrëfimtari e kundron detin e shndërruar në tufë kuajsh të bardhë “me gëzim e frikë.” Nuk duhet lënë pa përmendur se në këtë poezi kemi sërish një njëjtësim me pamjen e detit. Por, ky nuk është më një njëjtësim i përkohshëm, por i përjetshëm. Deti i egërsuar sulet drejt rrëfyesit, por edhe rrëfyesi në fund thotë se kjo pamje e detit do ta ndjekë kudo që shkon.

Deti

I vogël, me pantallona të shkurtra,
me këmbë të zbathura e një këmishë hamaie,
që e qepte vetë gjyshja…
Ashtu darkë për darkë dilja në breg.
Ndër gishtërinjtë e këmbës së ftohtë më rridhte rëra.
Unë prisja me orë të tëra,
gjersa përnjëherësh, tutje nëpër fushat e gjera të natës
ngriheshin kope të cuditshme, të panumërta, kuajsh të bardhë.
Nëpër hapësirat e pafundme suleshin aradhe – aradhe

Turfullonin.
Binin me këmbë të thyera,
rrokulliseshin duke gulçuar nëpër të zezat humnera.
Mbi ta fluturonin të tjerë.
Jelet e akëruara dallgë – dallgë fushën e diellit fshihnin.
Hingëllima të frikshme para tyre bridhnin.
Ata vinin, afroheshin drejt meje.
Gjokset e mëdhenj e të bardhë kreshpëronin përpjetë
këmbët e para rrihnin në erë …
Sytë u flakëronin .
Një çast… dhe nën thundrat e tyre do të më coptonin.
Kur ja, me poterë
si një gjëmim i madhërishëm përplaseshin tek këmbët e mia.
Nga flegrat gjigande
miljarda grimcëza të kristalta shfrynin për të fundit herë
Të tjerë hingëllinin nëpër fushat e gjera të natës
Me gëzim e frikë, orë të tëra unë shihja kuajt e bardhë
të suleshin nëpër furtunë.
Thyenin këmbët, rrokulliseshin,
që të vinin sa më parë tek unë
shkelnin, fluturonin njëri mbi tjetrin…
Dhe tani, kudo që jam,
ashtu fantastik e i madhërishëm, më ndjek pas deti…
Mund të thuhet se ky bashkëbisedim me detin në veprën poetike të Arapit përfundon me poezinë:”Duke u larguar prej Vlore”, në librin: “Më jepni një emër”, botuar në vitin 1972.

Duke u larguar prej Vlore

Po nisem pa u përshëndetur me detin.

Kësaj radhe
nuk dola në brigjet e njohura të përfalesha
me pulëbardhat e mia… Nuk e durokam dot më
ndarjen prej tyre.
Ndofta po plakem.
Po fillon lodhja e qelizave, ndofta…
Zemra po zbutet
dhe s’mund të mbajë më dot
shkëputjen e trupit prej trupit.

Më duhet të nisem?
Pa kthyer kryet pas!

Vetëm nëpër të plasurat e buzëve
më djeg jodi dhe kripa e detit.

Rrëfimtari po largohet nga Vlora, por ky largim nga Vlora, siç shihet edhe në poezi, është në të vërtetë një largim nga deti. Ai jo vetëm që e braktis detin, por e braktis atë pa e përshëndetur. Ai është i lodhur, ndien se po plaket dhe zemra e tij nuk mund t‘i durojë dot më braktisjet. Marrëdhënia e rrëfimtarit me detin në këtë poezi shndërrohet në një braktisje të një marrdhënieje erotike. Shkëputja e tij nga deti përshkruhet si një shkuputje e trupit nga trupi. Apo, siç edhe e përshkruan në dy vargjet e fundit; atij i djegin të plasurat e buzëve, kur e braktis detin. Kjo ndarje e tij nga marrdhënia erotike me detin është një braktisje e dhimbshme që e do, e ndjek gjithnjë atë; por jo më si një përjetim njëjtësues, por si një kujtim therës. Që nga kjo ndarje, ai ka frikë t’i afrohet më detit; siç shprehet edhe qartë në poezinë e tij:”Përse kam frikë t’i afrohem detit?” në librin “Duke dalë prej ëndrrës”, botuar në vitin 1989. Kështu përfundon edhe marrëdhënia e rrëfimtarit me detit në veprën poetike të Arapit.

Pjesën e parë të shkrimit e gjeni këtu: http://defekt-teknik.com/per-poezine-e-fatos-arapit-pjesa-i-erlind-sulko/

FOTOGRAFIA E PARË E HITLERIT-Wislawa Szymborska-Nobel 1996

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

FOTOGRAFIA E PARË E HITLERIT-Wislawa Szymborska-Nobel 1996

 

Ç’është ky bebe i veshur me këmishkë?
Është Adolfi i vogël, pinjolli i familjes Hitler!
Ndoshta do të bëhet doktor në drejtësi?
A ndoshta tenor në Operan e Vjenës?
E kujt është kjo doçkë, ky vesh i lezetshëm?
I kujt ky bark i vogël plot qumësht, ende nuk dihet:
i një tipografi, një mjeku, një tregtari, një prifti?
Deri ku do të shkojnë këto këmbka, deri ku?
Në kopsht, në shkollë, në zyrë, në martesën
ndoshta me vajzën e kryebashkiakut?

Oh bebja im, engjëlli im, gjëçka ime, rrezja e diellit.
Kur erdhi në këtë botë para një viti,
shenjat nuk munguan në qiell e në tokë:
dielli pranveror, barbarozët në dritare,
organoja në oborr,
një profeci ogurmirë në një letër ngjyrë rozë,
pak para lindjes, ëndrra profetike e së ëmës:
një pëllumb në ëndërr – lajm i gëzuar
ta kapësh – bujtësi i pritur prej kohësh do të vijë.
Tak, tak, ç’është, është zemra e vogël e Adolfit që rreh.

Gjiri, pelenat, grykashka, stringla,
Foshnja, lavdi Zotit, luaj vendit, qenka mirë,
u ngjan prindërve, maçokut në kanistër,
fëmijëve të gjithë albumeve të tjerë familjarë.
Jo, jo, nuk do zëmë të qajmë tani,
zoti fotograf nën çarçafin e zi do bëjë klik-klak.
Atelieri Klinger, Grabenstrasse Braunau,
Braunau është qytet i vogël por i denjë për respekt,
me ndërmarrje serioze, komshij të ndershëm,
me aromë brumi të ardhur dhe sapuni të zi.
Nuk dëgjohen lehjet e qenve dhe as hapat e fatit.
Mësuesi i historisë liron jakën
dhe gogësin i përkulur mbi fletore.

 

Përktheu: Alket Çani

Në foto: Adolf Hitler

“Game of Thrones” preku thelbin e frikërave nga revolucioni dhe gratë në politikë, por nuk na la më mirë se ç’ishim më pare/Slavoj Zizek

in A(rt)ktivizëm/Kinema by

Në këtë pikë, duhet të kujtojmë se skenari është shkruar nga dy burra. Daenerys-i si Mad Queen është fund e krye fantazi mashkullore, kështu që kritikët kishin të drejtë kur theksuan se katandisja në çmenduri nuk u arsyetua psikologjikisht. Pamja e tërbuar dhe çmendurake e Daenerys-it që fluturonte mbi dragua duke djegur shtëpi dhe njerëz, shpreh ideologjinë patriarkale, e cila mbart frikën e një gruaje të fortë politike.

     Slavoj Zizek

Sezoni i fundit i serialit televiziv “Game of Thrones” (Froni i shpatave) nxiti protestë publike dhe kulmoi me një peticion të nënshkruar nga pothuajse 1 milion shikues të zemëruar për ta anuluar të gjithë sezonin dhe për të xhiruar nga fillimi një seri të re. Ashpërsia e madhe e debatit është në vetvete provë se rreziqet ideologjike duhet të jenë të mëdha.

Pakënaqësia kishte të bënte me disa pika; skenar i keq nën presionin për ta përfunduar shpejt serialin,  thjeshtëzimi i rrëfimit tejet të ndërlikuar, motivim i dobët psikologjik e i keq, kthimi i Daenerys-it  në “Mad Queen”  nuk përligjej nga mënyra si u zhvillua ky personazh), etj.

Një nga pak zërat inteligjentë në debat ishte ai i autorit Stephen King, i cili vuri në dukje se pakënaqësia nuk u krijua nga fundi i keq, por nga përfundimi i serialit. Në epokën tonë të serialieve që në parim mund të vazhdojnë pafundësisht, ideja e përfundimit të rrëfimit bëhet e patolerueshme.

Është e vërtetë se në zgjidhjen e shpejtë të serialit ka logjikë të çuditshme në zhvillimin e ngjarjeve, logjikë që nuk cenon psikologjinë e personazheve, por më tepër pritshmëritë e hamendësuara rrëfimore që krijohen për një serial televiziv. Në sezonin e fundit, thjesht përgatitja për një betejë, zija dhe shkatërrimi pas betejës dhe vetë beteja në të gjitha kuptimet e saj, për mua është shumë më realiste sesa subjektet e zakonshme gotike melodramatike.

Sezoni i tetë paraqet tri luftëra të njëpasnjëshme. E para është midis njerëzimit dhe “Të tjerëve” “çnjerëzorë” (Ushtria e Natës nga veriu i udhëhequr nga Mbreti i Natës); e dyta midis dy grupeve kryesore njerëzorë (Lannisters i keq dhe koalicioni kundër tyre i udhëhequr nga Daenerys dhe Starks); dhe i treti, konflikti i brendshëm midis Daenerys dhe Starks.

Kjo është arsyeja pse betejat në sezonin e tetë ndjekin një vijimësi logjike nga konflikti i jashtëm në konfliktin e brendshëm; mposhtjen e Ushtrisë çnjerëzore të Natës, mposhtjen e Lannisters dhe shkatërrimin e Kings Landing; lufta e fundit midis Starks dhe Daenerys-it, në të vërtetë midis fisnikërisë tradicionale “të mirë” (Starks), i cili mbron besnikërisht njerëzit e tyre nga tiranët e këqinj, dhe Daenerys-it, tipi i ri i udhëheqësit të fortë, një lloj Bonapartisti përparimtar që vepron në emër të të paprivilegjuarve.

Rreziqet në konfliktin përfundimtar janë të kësaj natyre; a duhet që revolta kundër tiranisë të jetë vetëm një luftë për kthimin e versionit të vjetër të të njëjtit rend hierarkik, apo  duhet të shndërrohet në kërkim të një rendi të ri të nevojshëm?

Përfundimi kombinon refuzimin e ndryshimit rrënjësor me një motiv të vjetër anti-feminist të cilin e përdor kineasti Fabian Wagner. Për Wagner-in, nuk ka gjë më të neveritshme se një grua që ndërhyn në jetën politike, e nxitur nga dëshira për pushtet. Në dallim nga ambicia e meshkujve, një grua dëshiron fuqi për të nxitur interesat e saj të ngushta familjare ose, edhe më keq, kapriçion e saj personale, sepse është e paaftë për të perceptuar dimensionin universal të politikës shtetërore.

I njëjti feminitet, i cili brenda rrethit të ngushtë të jetës familjare është fuqia mbrojtëse e dashurisë, kthehet në sjellje të tërbuar, arrogante, kur shfaqet në nivelin e veprimeve publike dhe shtetërore. Kujtoni pikën më të ulët në dialogun e “Game of Thrones”, kur Daenerys i thotë Jon-it se nëse ai nuk mund ta dashurojë atë si mbretëreshë atëherë frika duhet të sundojë – motivi i skiletshëm, vulgar, i një gruaje të pakënaqur seksualisht që shpërthen në tërbim shkatërrues.

Por, le të vijmë tek thelbi tani, ç’të themi për shpërthimet vrastare të Daenerys? A mund të justifikohen vrasjet e pamëshirshme të mijëra njerëzve të zakonshëm në Kings’ Landing si veprim i domosdoshëm për lirinë universale? Në këtë pikë, duhet të kujtojmë se skenari është shkruar nga dy burra.

Daenerys-i si Mad Queen është fund e krye fantazi mashkullore, kështu që kritikët kishin të drejtë kur theksuan se katandisja në çmenduri nuk u arsyetua psikologjikisht. Pamja e tërbuar dhe çmendurake e Daenerys-it që fluturonte mbi dragua duke djegur shtëpi dhe njerëz, shpreh ideologjinë patriarkale, e cila mbart frikën e një gruaje të fortë politike.

Fati përfundimtar i grave udhëheqëse në “Game of Thrones” i përshtatet këtyre koordinatave. Edhe nëse Daenerys-i i mirë fiton dhe shkatërron Cersei-n e keq, pushteti e korrupton atë. Arya (e cila i shpëtoi të gjithë duke vrarë me një dorë Mbretin e Natës) zhduket gjithashtu duke lundruar në Perëndim të Perëndimit (sikur po kolonizonte Amerikën).

Ajo që mbetet (si mbretëresha e mbretërisë autonome të Veriut) është Sansa, lloji i grave që e do kapitalizmi i sotëm; ajo  kombinon butësinë dhe mirëkuptimin femëror me një dozë të mirë intrigash duke iu përshtatur plotësisht marrëdhënieve të reja të pushtetit. Ky margjinalizim i grave është një moment i rëndësishëm i mësimit të përgjithshëm liberal-konservator të mbylljes së serialit; revolucionet duhet të përfundojnë keq, ato sjellin tirani, ose, ashtu siç Jon i tha Daenerys-it: “Njerëzit që të ndjekin ty e dinë se ke bërë të ndodhë diçka të pamundur. Ndoshta kjo i ndihmon ata të besojnë se mund të bëni gjëra të tjera të pamundura; të ndërtojë një botë që është ndryshe nga kjo botë e kotë që e dinë mirë si është. Por nëse ti përdor dragonjtë për të shkrirë kështjellat dhe për të djegur qytetet, ti nuk je ndryshe nga ata.”

Rrjedhimisht, Jon vret për shkak të dashurisë (duke e shpëtuar gruan e mallkuar nga vetja, siç thotë formulari i vjetër mashkullor-shovinist), i vetmi agjent shoqëror në seritë që me të vërtetë luftojnë për diçka të re, për një botë të re që do t’i jepte fund padrejtësive të vjetra .

Kështu, drejtësia triumfoi, por çfarë drejtësie? Mbreti i ri është Bran; i gjymtuar, i gjithëdijshëm, i cili nuk dëshiron asgjë, duke i kujtuar mençurisë së zbrazët që sunduesit më të mirë janë ata që nuk duan pushtet. E qeshura përçmuese që ngjall propozimi i njërës nga elitat e reja për përzgjedhje më demokratike të mbretit i tregon të gjitha.

Dhe nuk mund të mos theksojmë se ata që janë besnikë ndaj Daenerys deri në fund, janë më të ndryshëm,  komandanti i saj ushtarak është i zi,  ndërsa sundimtarët e rinj janë dukshëm Nordikë të bardhë. Mbretëresha radikale që donte më shumë liri për të gjithë, pa marrë parasysh pikëpamjet dhe racën e tyre shoqërore, eliminohet dhe gjërat kthehen në normalitet.

Përktheu: Granit Zela

 

Krilla-Frederik Rreshpja

in Letërsi by

Krilla-Frederik Rreshpja

Në orën e magjive u rrëzua një krillë
Rrokullimë nëpër rrëmujën e reve.
Humbën gjurmët në ajrin tradhëtisht indiferent.

Do shkoj të rri pranë zjarrit të hënës
Me zogjtë e mardhur mbi kodër.
Një avion i vetmuar dhe i përgjumur
Ikën te shtëpia e mjegullave.

Eh, krillë e gjorë! U pikëllova
Se jam mik i avionëve dhe zogjve.
Shpesh bredh nëpër udhët e ajrit
Vë stapin tek një mjegull a syzet në një re.

Ti, mjellma e bardhë e Kosovës\Luan Rama-Kushtuar Vasfije Krasniqit

in Letërsi by

Ti, mjellma e bardhë e Kosovës-Luan Rama

Motra ime e vogël
syri ynë i bukur dhe i dlirë
ti u zgjove sërish të ecësh në udhët e botës
për të treguar plagët e shpirtit
plagët e plagëve të mëmës Kosovë
kohën e errët të poshtërimit
dhe të eklipsit të madh.
Ti nuk doje ta lije Vushtrinë
kulmin e vjetër të shtëpisë me trarët e rënë
lëndinën – Kosovë
ti qëndrove si lastari i bukur mes zjarrit
rrahur nga furtuna dhe rrufetë
stolisur me 16 lulëkuqet e jetës tënde
e bukur si Venusi në velur
aty ku toka qante e nxihej
aty ku Kosova dergjej në vdekjet e e saj të mëdha
trandur nga vargu i madh i eksodit biblik.
Populli shkonte
të vdekur e të gjallë
por ty motërz të tërhoqën zvarrë
kryqëzuar si Krishti
kryqi shtrirë në Babimovc
përzhitur në urrejtje dhe hekur të skuqur
ndërsa ti kërkojë veç një plumb
që jeta të humbte
që bota të shuhej
ti bozhur i bukur i Kosovës
ti doje të vdisje atje në katakombet e krimit
ata donin që preja të vuante gjer në frymën e fundit.
Më kot kërkoje diellin në qiejt e nxirë
atje ku zogjtë s’pipëtinin më
ku të gjitha këngët qenë shuar
ku gjethet nuk fëshfërinin më
dhe hëna mbytej në honet e mjegullta
me trishtin tënd të pafund
me lotin e ngrirë dhe gjinjtë e gjakosur
dhe ku shtëpia i ngjante një arkivoli të madh.
Ditë pa frymë në tokën djerrë
në rrokullisjen e zhurmëshme të bombave
kur muajt nxitonin të sillnin një tjetër ag
më të bukur se agimet e tjera
kur një dritë e bardhë papritur t‘u afrua dhe të tha:
– Eja bija ime etërit janë zgjuar
të vdekur dhe të gjallë
bijtë po kthehen nga udha e gjatë!
Koha kalonte
dhe ti shkele sërish pragun e jetës
me aureolën e dritës së bardhë
me diellin dhe hënën në sy
shtëpitë e vjetra u ringritën në udhët e gjelbërta
dhe jeta u mbars përsëri
aromë gruri dhe dashurie
por ti jetoje ende me hiret e tragjedisë
në ehot e britjeve
zhytur në greminën e heshtjes
në heshtjen që një ditë do klithte për shpagim.
Motra ime e vogël
syri ynë i bukur
më së fundi ti u zgjove
për të ecur sot në flladin e botës
ku mijëra e miliona duar të mbajnë lart
si një emblemë purpuri të kurajos
ti, mjellma e bardhë e Kosovës…

____

Kushtuar Vasfije Krasniqit, që gjatë Luftës së Kosovës u grabit me forcën e armëve dhe u përdhunua. Sot ajo kërkon hapur dënimin e përdhunuesve të saj serbë.

Sterilizuan 230.000 njerëz në Suedi sepse “manipulonin pastërtinë e races”/Zbulimi tronditës për programin që aplikoi për 40 vite Suedia

in Në kohërat e kolerës by

Ngjarje nga Historia Botërore

Sterilizuan 230.000 njerëz në Suedi sepse “manipulonin pastërtinë e racës”. Zbulimi tronditës për programin që aplikoi për 40 vite Suedia.

Në vitin 1997 gazeta suedeze “Dagens Nyheter” bëri një zbulim drithërues që tronditi opinionin botëror. Nga viti 1935 deri në vitin 1976, suedezët zbatonin një program me qëllim ruajtjen e “pastërtisë së racës”. Në kuadër të programit më shumë se 60.000 njerëz, shumica e tyre gra, u sterilizuan, pasi konsideroheshin “inferiorë”, për shkak se kishin të meta mendore ose sepse ishin ciganë, kishin probleme psikologjike ose sjellje “devijuese”, si aktivitet intensiv seksual.

Në përgjithësi, programi u aplikua tek ata që u konsideruan se nuk përputheshin me modelin e racës ariane. Programi i sterilizimit nisi të zbatohet pas votimit të ligjit të posaçëm në vitin 1934. Autoritetet suedeze realizuan projektin me fshehtësi të madhe.

Hulumtimin e bëri gazetari Matsiech Zareba dhe në reportazhin e tij mirëpriti dëshminë e një gruaje. Maria Nordine, denoncoi se kur ishte nxënëse nuk shihte mirë tabelën sepse kishte miopi, por nuk mbante syze. Autoritetet e shkollës e klasifikuan tek “fëmijët e vonuar”, e futën në një shkollë speciale dhe në moshën 17 vjeçare, gjatë Luftës së Dytë Botërore, e thirrën të nëshkruajë “disa dokumenta”. Dëshmia e gruas 72-vjeçare në atë kohë është tronditëse. “Nënshkrova sepse e dija se duhej ta bëja për të dalë nga atje. Më çuan në një spital ku më hoqën tërësisht organet gjenitale. Një mjek më tha: – Nuk je shumë e zgjuar, nuk duhet të bësh fëmijë!” Sipas hulumtimit të gazetës, sterilizimet zyrtarisht ishin vullnetare. Por shumë viktima denoncuan, se u detyruan të nënshkruajnë, me kërcënimin se nëse nuk e bënin, do të humbisnin fëmijët e tyre, nëse do të kishin, dhe të gjitha përfitimet sociale.

Zbulimi krijoi zhurmë të madhe në opinionin publik suedez dhe provokoi ndërhyrjen e ministrit të atëhershëm të Çështjeve Sociale, Margot Wallström. Ai e quajti masën “akt barbar” dhe urdhëroi një kërkim për të sqaruar çështjen. Qeveria suedeze emëroi profesor Carl Gustav Antren të kryesojë një komitet për të ndriçuar rolin e luajtur nga mjekët dhe politikanët në çështjen dhe të mbledhin sa shumë të dhëna. Pas rreth tre vitesh, profesori ia dorëzoi raportin qeverisë suedeze me të gjitha informacionet që grumbulloi, të cilat ishin drithëruese. 230.000 njerëz iu nënshtruan sterilizimit në Suedi nga viti 1935 deri në vitin 1996. Madje, 63.000 sterilizime u bënë nga 1935 deri në vitin 1976, në bazë të ligjeve të miratuara nga parlamenti suedez në mënyrë unanime. Në vitin 1976, u miratua një ligj i ri që kërkonte pëlqimin paraprak të palëve të interesuara. Në vitet që pasuan deri në vitin 1996, rreth 166.000 njerëz u sterilizuan. Në vitete 50-të, u vu re një kthesë, me rezultat, ndërsa fillimisht sterilizimet më të shumta bëheshin nën presion, si përfundim arritën të bëhen me pëlqimin e personit në fjalë.

Hulumtimi gazetaresk i botuar në Dagens Nyheter për katër ditë rresht, pohoi se programi nuk aplikohej vetëm në Suedi. Danimarka dhe Norvegjia kishin zbatuar programe të njëjta të “spastrimit racor” pas Luftës së Parë Botërore.

Përktheu: Shpendi Shakaj

Përsëri ngrihem-Maya Angelou

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Përsëri ngrihem-Maya Angelou (1928 – 2014)

 

Mund të thuash ç’të duash kudo lart e poshtë

Gënjeshtra me bisht që nuk kapërdihen

Me këmbë mund t’më shkelësh mbi tokën e fortë

Por unë përsëri si pluhuri ngrihem

 

Kur kryet lart e mbaj pse të kap mërzia?

Të shoh si ngadalë mbytesh në trishtim

Mos vallë ngaqë jetoj sikur të kem tek shtëpia

Puse me naftë që janë pronat e mia?

 

Porsi rreze dielli, ashtu si shndrin hëna

Kur me detin në paqe më në fund bien

Porsi ajo shpresa që krahë merr nga ëndrra

Përsëri ngrihem

 

Mos doje të më shihje të ulur në gjunjë?

Me kryet mënjanë, sytë shkrehur në vaj?

Mos doje e ligështuar, e rrëzuar të mbesë unë

Grua që nuk ngrihet më kurrë dot pastaj?

 

Mos vallë të lëndoka krenaria ime

Se dukesh si ai që i janë mbytur gjemitë

Apo s’e duron të qeshurën buçitëse

Sikur e kam gjetur qypin me flori?

 

Fjalët mund t’i kthesh në plumba kundër meje

Vështrimin tënd të sertë në thikën ku unë pritem

Jetën mund t’ma marrësh me gjithë atë urrejtje

Por unë përsëri mu si ajri ngrihem

 

Mos vallë ti mërzitesh se jam e lakmuar

Madje të kaplon pa masë habia

Kur vallzoj sikur kam perlën e çmuar

Aty ku takohen kofshët e mia

 

Mbi ato kasolle turp i historisë

Unë ngrihem

Me rrënjë në të shkuarën e zisë

Unë ngrihem

Oqean i errët që vërshon me rrëmbim

Jam ujnajë e pamatë që s’ndalet n’vërshim

 

Pas meje unë lë net frikësuese e tmerruese

Unë ngrihem

Për të dalë në agimin me rreze verbuese

Unë ngrihem

Përmbush unë amanetin e të parëve të mi

Jam ëndrra dhe shpresa e skllaves për liri

Unë ngrihem

Unë ngrihem

 

Përktheu: Granit Zela

1 151 152 153 154 155 191
Go to Top