Kampioni i shqiptarizmit/At Artur Liolin

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

   At Artur Liolin

Për Shqipërinë dhe shqiptarët Faik Konica s’është vetëm Faik Konica, ai është një traditë, një ideal, një shembull për t’u imituar dhe adhuruar njëkohësisht.
Në qoftë se për Nolin themi “ikona e kombit”, për Faikun pa frikë mund të themi se është një “kampion i shqiptarizmit”. I përmend jo pa qëllim të dy bashkë, pasi ata jetuan, punuan e luftuan si dy binjakë në luftën e madhe dhe të mundimshme të çështjes sonë kombëtare.
Gjatë jetë së tyre, kjo miqësi e ndershme, reciproke dhe e zjarrtë, kishte periudha bashkëpunimi dhe periudha largimi. Por, që nga fillimi e deri në mbarim, kishin një aspekt dhe admirim të thellë për njëri- tjetrin, se përmbi të gjitha, si gjithë rilindasit tanë, i bashkonte dashuria e pakufishme për kombin dhe atdheun.


Të dy bashkë në luftën për njohjen, lartësimin dhe mbrojtjen e ndërgjegjes kombëtare, si një shprehje e individualitetit kombëtar. Njëri kërkoi dhe zbuloi flamurin me stemën kombëtare, tjetri hodhi themelet e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Njëri hapi kishën e parë në Boston dhe ishte tjetri që i vë emrin “Shën Gjergji” për kujtimin e patriotit të shenjtë të saj – Gjergj Kastriotit. Po atë vit, kur Noli përkthen nga greqishtja në shqip “Librin e Meshës”, ishte Faiku që e botoi atë në Bruksel, duke vendosur brenda tij pikturën reale dhe jo të idealizuar të Shën Gojartit, autorit të kësaj meshe.
Faik Konica, tha imzot Noli, kishte një kujdes të jashtëzakonshëm për KOASH-in që nga fillimet e saj në Boston më 1908. Ai e kishte kuptuar se ekzistenca e një KOASH-i real do të thoshte garanci për pavarësi politike, zhvillim dhe përparim të kombit.
Në këtë periudhë, Faiku do të shkruante: “Tani Peshkop Noli ka dalë përpara me flamurin e një bashkimi të shenjtëruar për shpëtimin e Shqipërisë. Ata që e kundërshtojnë janë njerëz të vegjël nga shpirti dhe prishanikë që kanë qenë të njohur si vazhdues të interesave vetjake.”
Bashkëpunimi dhe miqësia e Faikut musliman me Nolin ortodoks qëndron vërtet si një rast unikal bashkëpunimi, i rrallë për botën, por jo i rrallë për karakterin kreshnik të traditës shqiptare.
Kontrasti njerëzor midis tyre ngre akoma më lart vlerat e figurave të të dyve.
Faiku ishte aristokrat me një pamje fisnike; Noli ishte fshatar me prejardhje fermere. Faiku parapëlqente Bethovenin. Si një bujar anglez ishte enciklipedist dhe mjeshtër i letrave dhe i gjuhës. Noli, si një studiues i Akademisë Franceze, ishte mjeshtër i elokuencës. Stili letrar i Konicës ishte i rrjedhshëm dhe krijues, ai i Noli direkt, i qartë dhe ironik. Që të dy kishin në shkrimet e tyre referenca klasike apo literaturë franceze dhe angleze, si dhe nga gurra popullore.
Në emër të komunitetit dhe të Kishês Shqiptare të Amerikës, përcjellim nga Bostoni eshtrat e të denjit dhe të vyerit Faik Konica. Them me gëzim dhe kryelartësi, pasi kështu plotësojmë amanetin e tij, i cili këtu në Boston të Amerikës punoi dhe luftoi aq shumë për Shqipërinë.
Ia dorëzojmë Shqipërisë, ta kujdesin fort mirë, me shpresë se kështu do të lidhen sa më mirë marrëdhëniet midis dy vendeve. Dy vendeve që mbajnë shqiponjën si simbol dhe që Faiku e zbuloi.
Le të jetë një bashkim i shenjtë përgjithmonë.

1995

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top