Faik bej Konica/Guillaume Apollinaire

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Guillaume Apollinaire

Ndër njerëzit që kam njohur, që më kujtohen me kënaqësi të madhe, Faik Konica është patjetër ndër më të veçantët.
Ai lindi në Shqipëri, 40 vjet më parë, në një familje që e ka ruajtur besimin katolik. Ky shqiptar (Ce Chkipe), mësoi në Francë; rreth moshës 20-vjeçare pati një çast të bëhej fetar në Grabd Chartreuse, por megjithatë ai s’e bëri aspak këtë gjë; pak nga pak besimi i tij do të shpërblehej, do të kthehej në indiferencë, madje në kuptimin e antiklerikalizmit të vendosur, që të kujton atë të Merimesë.
Ai vazhdoi studimet, por pasi posedonte një shkallë të lartë të atdhedashurisë për vendin e vet, u kthye dhe në Shqipëri, ku, sipas thënieve të tij, u dënua dy herë me vdekje në mungesë për komplot ndaj pushtetit otoman.
Ai u rikthye në Francë ku njohu shkëlqyeshëm gjuhën dhe literaturën franceze dhe u lidh me të gjithë ata që e admironin Shqipërinë.
Megjithatë liria që gëzonte në Francë i dukej e pamjaftueshme dhe shkoi dhe u rregullua në Bruksel, në rrugën “Albania” për të themeluar revistën erudite “Albania”, ku u mor me politikë e akoma më tepër me letërsi, histori, filiologji, etj.
Ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës lëvizjes kombëtare shqiptare, duke e pastruar gjuhën shqipe prej termave të pasaktë ose parazitarë që ishin futur. Ai bëri, në pak vite, me pathos, një gjuhë të bukur, të pasur, të zhdërvjelltë.
Megjithatë, edhe në Bruksel, liria nuk i pëlqeu tanam si në Paris. Njëherë ai pati një ngjarje në rrugë me një polic.
Polici e pyeti:
– Kombësia juaj?
– Unë jam shqiptar (albanes).
– Ku banoni?
– Në rrugën “Shqipëria” (Albania).
– Cili është profesioni juaj?
– Drejtoj “Shqipërinë” (“Albanian”).
– A e dini se unë besoj se po talleni me mua, – tha atëherë polici dhe atdhetari shqiptar e kaloi natën në postën e policisë.
I zvjerdhur nga Brukseli, Faik Konica shkoi në Londër. E braktisi shtypshkronjën e vet të bukur, të bërë vetëm për veten, ku ai krijoi vepra të vogla, shumë të rralla sot. Kjo veprimtari e shtypshkronjës nuk zgjati shumë, se punëtori i vetëm që ai vuri në punë në të, do ta bënte të panevojshme.
Në Londër unë e njoha Faik Konicën në vitin 1903.
Ai banonte në Oakley Cseacent, City Road E.C.
Më kish ftuar të kaloja disa ditë te ai, si mik. Ai vetë do të vinte të më merrte në stacion. Duhej një shenjë që unë ta njihja.
Ai kishte vendosur që të mbante një orkide në thilenë e xhaketës. Treni im arriti me shumë vonesë dhe në stacionin “Viktoria” vura re se shumë njerëz mbanin nga një orkide në thilenë e xhaketës. Si do ta njihja shqiptarin tim? Mora një karrocë e arrita tek ai, sipas adresës, në çastin që ai po dilte nga shtëpia për të blerë orkidenë.
Qëndrimi im në Londër qe i këndshëm. Faik Konica kishte pasion klarinetën, oboen, si dhe kornenë angleze. Ai kishte në sallonin e tij një koleksion të vjetër të instrumenteve muzikore prej druri. Në mëngjes, duke pritur për të ngrënë, gjithmonë me vonesë, miku im luante arie të vjetra me hundë e qëndronte në këmbë me pamje serioze përballë tavolinës. Hanim mëngjes sipas mënyrës shqiptare, domethënë pa mbarim. Një herë në dy ditë ai përdorte ëmbëlsirë, kek, që unë nuk e shijoja aspak.
Ditën tjetër kishte ushqim të mirë, të cilin unë e pëlqeja, por ai nuk e shijonte. Mëngjeset zgjatnin aq shumë, saqë unë nuk kisha kohë të vizitoja muzetë e Londrës, sepse arrija në portat e tyre kur ato mbylleshin. Megjithatë ne bënim shëtitje të gjata, dhe gjatë tyre unë mësova se çfarë shpirti fin e të kulturuar kishte Faik Konica. Gati si të gjithē shqiptarët e racës së mirë, ai ishte pak tekanjoz, por unë isha kaq i prekur nga miqësia e tij, saqë kjo gjë nuk binte në sy si diçka e tepërt.
Tekat e tij manifestoheshin në mënyrë të çuditshme. P.sh., nëse hynte në një magazinë për të blerë diçka, dilte me shpejtësi prej andej se mos e ndiqte tregtari, duke dyshuar se kishte vjedhur dicka. – Me të vërtetë, – më shpjegohej ai, – kjo më ndodh, ndonëse unë kurrë s’kam vjedhur gjë. Kur e takova në Londër Faik Konicën, më tregoi boblotekën e tij. Ai i kishte shitur të tërë librat e tij të mëparshëm për të blerë edicione angleze, ku tekstet qenë shtypur me germa të vogla. Duhej lente zmadhuese për t’i lexuar. Ai kishte formuar kështu një biblotekë të re të konsiderueshme, që përmblidhej në një dollap të vogël dhe kishte ruajtur prej librave të vjetër vetëm fjalorin e Darmasterit.
Faik Konica, si një bej i dytë, ka patur përherë maninë e pseudonimeve. Ai i ndryshonte ata shpesh. Në periudhën kur e njoha, ai nënshkruante Thrank-Spiro beg. Sipas emrit të një personazhi të një romani historik të Leon Kahynit, njëfarë kryevepre, më e mira vepër e frymëzuar prej historisë shoqërore të shqiptarëve.
Por duke parë që tipografët e ortografisnin përherë pseudonimin e tij Thrank-Spirobeg, Faik Konica vendosi ta shënonte pikërisht kështu. Kjo nuk zgjati më shumë se dy ose tre vjet dhe ai mori atëherë një tjetër pseudonim, me të cilin do të nënshkruante një vepër mjaft të pasur, të shkruar mjaft mirë, të titulluar “Ese mbi gjuhët artificiale” prej Pyrrhus Bardylit.
Unë kalova edhe njëherë tjetër pak kohë në Londër te Faik Konica, që ishte martuar dhe banonte në Shing Ford. Ishte pranverë, ne shëtisnim, në fusha kalonim orët duke parë lojërat e golfit. Pak para shkuarjes sime, Faiku kishte blerë pula për të patur prej tyre vezë të freskëta.
Kur pulat i bënin vezët, për të qe e pamundur që t’i hante. Në të vërtetë, si mund t’i hante vezët e pulave që i njihte dhe i ushqente me dorën e vet? Pulat s’vonuan që t’i hanin vetë vezët e tyre. Ky fakt e tmerroi Faik Konicën, saqë ai i shihte me tmerr tani e tutje shpendët e varfra, duke mos i lënë të dilnin nga kafazi, gjersa ato nisën të hanë njëra-tjetrën, me përjashtim të njërës që mbeti fitimtare e jetoi pak kohë në vetminë e saj. Ishte pikërisht kjo pulë që unë pashë. Ajo qe bërë e egër dhe e çmendur, ishte e dobët dhe e zezë e ngjau së shpejti me një korb dhe pak para ikjes sime qe shndërruar në një lloj miu.
Faik Komica botonte atëherë revistën “Albania” me shumë kujdes. Mbi kopertinën e saj ai kishte vendosur një shenjë: armët (stemën) e shtetit të ardhshëm shqiptar, pikturuar nga një skulptor i talentuar francez. Gjithashtu Faik Konica i kishtonte vëmendje përpilimit të artikujve, por ngadalësia bëhej shkak që revista e tij të dilte në dritë me shumë vonesë.
Në vitin 1904 u botuan numrat e vitit 1902 dhe në vitin 1907 u dukën rregullisht numrat e vitit 1904.
Vetëm revista franceze: “L’Occident” mund të rivalizonte në këtë pikë me “Albaninë”.
Kur u bë revolucioni xhonturk, Faik Konica mendoi të kthehej në atdheun e vet. Por ngjarjet nuk ndodhën aspak ashtu siç donte ai. Ai u nis me shpejtësi për në Amerikë ku sapo po merrte hov kryengritja shqiptare. Ai më shkroi për herë të fundit para se të nisej në Amerikë, pastaj nuk mora më vesh për të. Dija se ishte në Amerikë, në një koloni shqiptare të rëndësishme dhe të pasur. Unë mendoja se ajo do ta kishte pritur me dëshirë restauratorin e madh të gjuhës shqipe. Më vinte keq që ai nuk më vinte në dijeni të aventurave të veta, por vitin e fundit gjeta rastësisht, te një librari, numrin e parë të një reviste të titulluar: “Trumpeta e Krujës”, sipas emrit të kryeqytetit të Skënderbeut. Aty mësova se Faik Konica banonte në Sent Luis, në Misuri dhe që kishte hequr dorë së shkruari në frëngjisht, që ai e njihte aq mirë, për të shkruar në anglishten, që e fliste mjaft keq. Unë i shkrova në adresën e Sent Luisit, por nuk mora përgjigje prej tij, kur, ja, ditën e fundit një letër nga Çikagoja ma kujtoi prapë shqiptarin tim. Letra qe dërguar e nënshkruar nga një Beniamin Decaseres. Por shkrimi i zarfit nuk më la asnjë dyshim se qe tamam shkrimi i Faik Konicës, shkrim i vogël, i formuar mirë, që u ngjante atyre të shtypshkronjës dhe që kanë qenë kopjuar nga shkrimi i Petriarkës.
Hapa letrën. Ajo përmbante një lloj prospekti të shtypur në dy faqe, në anglisht, të titulluar: “Prelude” dhe u ishte kushtuar të gjithë atyre që e kishin ndihmuar egoizmin e tij militant. Ishte në fakt një lloj poeme në prozë, plot fraza filozofike e imazhe biblike, ku përmendej edhe Bethoveni, Gëtja, etj. Kjo lamtumirë e veçantë, e lëshuar prej Faik Konicës, për ata që i kishte njohur, me të cilët i ishin këputur lidhjet e miqësisë, nuk më la asnjë shpresë se do ta rishihja prapë. Ai tani ka hequr dorë nga Evropa, nuk e boton më “Trumpetën e Krujës”, ndoshta tani as vetë Shqipëria nuk bën pjesë në preokupacionet e tij dhe mbi të gjitha llojet e punëve të Miçiganit, ky stërnip i shokëve të Gjergj Kastëriotit shfaq tani melankolinë e evropiamit mjaft të kultivuar, të poetit të zhgënjyer, po në hypokondrinë e tij nuk mund të ekzistojë, padyshim, pa katër vëllimet e fjalorit të Beylit (Bejlit).

Tags:

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top