Poezia e Martin Camajt u bë proteza apo paterica vendimtare jetike e dytë për poezinë shqipe, që ajo të ecte, me këmbët e dala, thyer nga komunizmi/Joni Shanaj

in A(rt)ktivizëm/Esé/Letërsi by

Joni Shanaj

Emrin e Martin Camajt mund ta kem dëgjuar me siguri mjaftueshëm për të m’u ngulitur fort në kokë në “Refleksionet II” (ose III), në Akademinë e Arteve, viti 1991, nga Ardian Klosi; njeriu që i dedikoi jo pak prej vetes përhapjes së veprës së Camajt në Shqipëri. Sikur vetëm për kaq Klosi do të mbetet i paharruar.
Për mua dhe mendoj se me siguri edhe për të gjithë ne që vitet e para të 90-ës na kapën në moshë formimi 14-17 vjeç dhe kishim ndonjë lidhje me shpirtin, njohja me poezinë e Martin Camajt na erdhi si e dërguar nga një fuqi enigmatike në kohën më të duhur.
Më duket sikur e gjithë energjia e akumuluar e poezisë së tij, jashtë syrit dhe mendjes së lexuesit post 90′ në Shqipëri, depërtoi në brendësitë tona si forcë madhore nxitëse, frymëzuese, ndikuese nëndheshëm. Poezia e Martin Camajt u bë proteza apo paterica vendimtare jetike e dytë për poezinë shqipe, që ajo të ecte me këmbët e dala, thyer nga komunizmi. Paterica tjetë, që ndoshta lëkundej edhe nga mosbesimi ynë, ishte krijuar nga brezi i brendshëm i poetëve të vargut të thyer, ku Fatos Arapi mund të ketë qenë i pari në radhë, ndjekur nga të tjerë, të cilët i kam përmendur këto ditë. Fjala është për poetë që e kishin tejkaluar traditën e bejteve, hedhur guximshëm, si nxënës të Migjenit, drejt vargut të lirë në Shqipëri.
Por, ishte përhapja dhe leximi me kënaqësinë e zbulimit të një të ndaluare, të panjohure, shtyse, që vetvetiu tërhoqi interesin për poezinë e Camajt në një kohë ngjarjesh aq të vrullshme, sa më duket se vetëm forma mjaftoi që të depërtonte mistershëm brenda, pa patur rëndësi në zhurmën e kohës se sa u kuptua përmbajtja.
Kur mendoj se çfarë ndodhi fare pak me vonë me poezinë e brezit tim, e shoh vendimtare, në atë rrëmujë vitesh, hyrjen subversive të Martin Camajt në vendin që i takonte në ndërdije dhe më pas si gur themeli në thellësinë e poezisë që po vinte.
Nuk e di a është thënë ndonjëherë hapur rëndësia që pati Martin Camaj për brezin tonë, mes atyre që më pas ose iu dedikuan poezisë në plan të parë, ose të tjerëve që gjetën mënyrën për ta konvertuar poetikën në forma të tjera jete.
Di se asnjë poezi në nisjet e kulmeve të poezisë shqipe, që ishin vitet 90′, nuk do ishte shkruar siç u shkrua, pa Martin Camajn në Tiranë. Është gjithashtu koha kur hyrja e tij në skenë kishte edhe një ndihmës “të vogël” në botimet e para në shqip; quhej Nietzsche.
Klosi, njohësi më i afërt i Camajt mes tiranasve, në një shkrim/intervistë te “Perpjekja” e vitit 1996, shkruan:
Martin Camaj nuk mbijetoi si shkrimtar në Perëndim, por si gjuhëtar dhe studiues. Komunikimi i tij me lexuesin ose me botuesit dhe rrethet letrare ishte një katastrofë. Librat luksozë që i kishte nxjerrë me shpenzimet e veta, më tepër i fali sesa i shiti. Në arkivat e “Vatrës“ në Boston kam ndeshur në vitin 1992 edhe dhjetëra arka me libra të pashitur e të pashpërndarë të Camajt.”
Pak më tej Klosi thotë: “do ta ketë mërzitur shumë injoranca e emigrantëve shqiptarë që asnjë poezi nuk e kuptonin dhe nuk e blinin...”
Dua të veçoj se paradoksalisht, pikërisht ky vetmitar i madh që quhej Martin Camaj, etalon ekzemplar monumental i vetmisë së përjetshme të poetit shqiptar, pikërisht, poezia e këtij njeriu, shkrimtarit më të vetmuar, pa lexues në të gjallë, pikërisht kjo poezi, më pas u kthye në farën dhe lëndën më të fuqishme të poezisë së frymës së të ardhmes.
Më kujtohet një koment, i bërë i famshëm në underground, i muzikantit gjenial Brian Eno, për albumin e parë legjendar të bendit më me influencë në rrokun alternativ në botë, “Velvet Underground“. Dihet që albumi i parë i tyre ishte aq i çuditshëm dhe i veçantë sa shiti vetëm 10 mijë kopje në planet. Shifër tërësisht e pakonsiderueshme komercialisht në botën e muzikës. “Albumi i parë i “Velvet Underground” shiti vetëm 10 mijë kopje”, thotë Eno, “por ama të 10 mijë njerëzit që blenë albumin, krijuan më pas një bend”. Brian Eno një nga ata.
Kush e lexoi Camajn në atë kohë, në një formë apo tjetër është shndërrruar edhe vetë poet.
Botimet më të mira të Camajt do të mbeten ato të përgatitura nga Ardian Klosi, botuar në vitin 1996, nga një shtëpi botuese e quajtur me emrin pikant, “Apollonia”, me kopertinë nga disa piktura të Gjelosh Gjokajt.
Më poshtë një nga kopertinat ku gjenden disa vêllime poetike të tij. Po shkëpus një dorë poezish nga “NËMA”, që është vëllimi i parë që kam lexuar prej Camajt në ato vite dhe ndonjë nga “Palimpsest”, vëllimi më i rëndësishem, pas Milosaos së De Radës, për poezinë unike të këtyre anëve dhe të kësaj gjuhe të madhe.
Martin Camaj magjistar:

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top