DHE JETA ISHTE DRITA E NJERËZVE/Joni Shanaj

in A(rt)ktivizëm/Esé by

Joni Shanaj

Ungjilli sipas Gjonit
Mishërimi i Fjalës
1:1 Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë dhe Fjala ishte Perëndi.
1:2 Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë.
1:3 Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.
1:4 Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve.
1:5 Dhe drita shkëlqen në errësirë, dhe errësira nuk e kuptoi.

Pak ditë më parë, disa institucione në botë përfshi UNESCO-n, festuan 80-vjetorin e ‘Princit të Vogël’, shkruar në vitin 1943 nga Antoine de Saint-Exupery.

Një nga veprat më të dashura dhe më të lexuara për fëmijë, e përkthyer në 265 versione, me 1300 botime dhe 145 milionë kopje të shitura. Në njoftimin e UNESCO-s theksohej se ‘Princi i Vogël’ mbetet teksti më i përkthyer mes librave jo religjiozë në botë.

Mes mijëra komenteve të njerëzve që përshëndesnin këtë 80 vjetor, mësova se në SHBA, si pjesë e spastrimeve në kuadër të ‘cancel culture‘, edhe ky tekst ishte futur në listën e librave të hequr nga kurrikulat e teksteve për fëmijë në disa shkolla.

Arsyeja: Mungesa e diversitetit.

Në Shqipëri, vitet e fundit është shfaqur një version origjinal i ‘cancel culture‘. Si shumëçka në këtë vend, edhe spastrimi kulturor ka ardhur, si gjithçka tjetër, shpesh herë së mbrapthi.

Në qoftë se në perëndim vitet e fundit ‘cancel culture‘ ka patur për nismëtare dhe flamurtare të majtën ultra progresiste, shpesh herë ekstreme, në Shqipëri ky trend përfaqësohet nga e djathta anti-komuniste, gjithnjë e më tepër ultra konservatore, herë-herë fundamentaliste, jo rrallë nacionaliste, shpesh herë fashiste, ndonjëherë apologjente e Hitlerit, zakonisht mohuese ose tifoze e Holokaustit si dhe vazhdimisht insistuese në mohimin e kontributit të popullit shqiptar dhe sakrificave të tij në shporrjen e fashizmit nga faqja e dheut, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Ultra konservatorët janë kthyer tek ne në flamurtarët e spastrimit të kulturës shqiptare, si gjithmonë edhe në këtë rast, të dalë kundër gjithë dynjasë në një front regresi, keqkuptuar dhe konvertuar tjetër-për-tjetër, si gjithmonë të vonuar dhe anapulla nga e gjithë bota.

Po këto ditë të fundit, papritur në horizontin virtual shqiptar, u shfaq një shembull i ‘cancel culture‘, version shqiptar, i cili nuk e di se sa i përgjegjshëm dhe koshient është për çfarë përfaqëson, me apo pa dashje.

Fjala është për dy shkrime të përkthyesit dhe arkivistit Sokol Çunga mbi një botim letrar antologjik, nën përzgjedhjen dhe editimin e Rudolf Markut, të titulluar “Veshun me diell mbathun me hënë”, ku Çunga shfaq kundërshti me përzgjedhjen e titullit të botimit nga poeti editor i librit, i cili huazon titullin nga një tekst i Pjetër Bogdanit, që në vetvete ka ripërshtatur një pasazh nga Libri i Zbulesës, pjesë e Dhiatës së Re.

Shkrimet titullohen: ‘Poezia shqipe, vajza mri e kohës sonë, https://peizazhe.com/2023/04 si dhe Antologji e poezisë apo antologji e apologjisë’https://peizazhe.com/2023/04/ , botuar ne 3 prill 2023 dhe 9 prill 2023, në Peizazhe të Fjalës.

Kemi të bëjmë këtu me një deklarim kundërshtie të hapur të përkthyesit dhe arkivistit Çunga, ndaj përzgjedhjes së titullit të librit nga poeti. Për këtë Çunga kërkon një shpjegim:

“(…) në kornizën e një antologjie, aq më tepër me një titull të tillë, lypet, më e pakta, një shpjegim teorik dhe një mbrojtje teorike e përdorimit të këtij vargu të Pjetër Bogdanit. Përndryshe, ç’kuptim ka një grumbullim poetësh e poezish të sjellë përmes një ngatërrimi epokash, periudhash, shkollash?”, shkruan ai.

Diku më tej, më lart a më poshtë nëpër tekst, ai ngre një pyetje retorike pa kërkuar shpjegim, pasi pyetjes retorike që parashtron publikisht, pak më tej, i jep gjykim vetë duke parashtruar:

“Nuk pres përgjigje për cilëndo nga pyetjet e mia, mirëpo, kur diskutojmë, e udhës është të mos i referohemi vetëm asaj pjese të cilën mundemi të mbrojmë nga e tëra, por t’u përgjigjemi problematikave në tërësi dhe me sinqeritet, ose, më mirë të heshtim, kur nuk kemi ç’themi.”

Diku tjetër në tekst vazhdon:

“Gjithkush ka lirinë të zgjedhë cilindo titull për antologjinë a librin e tij, askush s’mund të detyrojë askënd, në këtë pikë. Assesi, nga ana tjetër, nuk po fajëson kush R. Markun pse titulloi antologjinë me një varg, qoftë ky i Bogdanit, qoftë i Zbulesës së Joanit. Mirëpo, në rastin tonë, teksti i kthyer në titull përbën edhe metaforë për zënien e panjollë (shtatzëninë e Marisë, që të mos kemi keqkuptime), lindjen e Shpëtimtarit dhe përmbushjen e planit hyjnor për shëlbimin e botës. Vazhdoj të kërkoj lidhjen e arsyeshme, qoftë logjike, qoftë letrare, mes kësaj përmase, dhe letërsisë së realizmit socialist.”

Shfaqet më në fund togfjalëshi magjik ‘realizëm socialist’, përmbajtjen dhe kuptimin e të cilit është e sigurt se vetëm instruktorët e komitetit qëndror dhe anti-komunistët e sotëm e kanë përvetësuar si duhet në historinë e Shqipërisë letrare.

“Pa lënë mënjanë respektin për kontributin e gjithkujt, atë ndaj njeriut dhe ndaj krijuesit njëkohësisht, nuk mund të anashkalojmë faktin se autorët e letërsisë së realizmit socialist, me gjithçka nënkupton etiketimi, levat e ndërgjegjshme të diktaturës së proletariatit, janë përngjasimi më i pavend i vajzës Mri (lexo: virgjëresha Mari), më të papërshtatshmit për t’u veshun me diell e mbathun me hanë.”

Befas në horizont virtual është shfaqur si dragua Sokoli, i cili me formulën helmuese të konotacionit të togfjalëshit ‘realizëm socialist’, ndoshta për lojë, luan despotin, me një rrëshkitje konceptuale monumentale në raport me traditën që evokon dhe mendon se përdor (biblën) kur shpik problemin e paqenë në cilindo fluturim mendor, sado delirues, për të dhënë gjykimin suprem, se asnjë poet shqiptar, i lindur gjatë apo pas luftës së dytë botërore, nuk meriton të asociohet apo renditet në brendësi të një libri me titull të huazuar nga një pasazh biblik.

Mbetem i shtangur nga ky insistim i qëllimtë ngatërrestar, me logjikën e vet shpesh herë vetëkundërshtues. A i ka lexuar Çunga poetët shqiptarë të cilët gjysmën e jetës e kaluan në diktaturë dhe gjysmën në liri? Një kaskadë urrejtjeje që mbështjell tërësisht cilindo, del në dritë në mes të shekullit të 21-të, dhe hidhet si shatrivan kodra mbas bregut, pohim pas pohimi e gjykim pas gjykimi, përgjigje pas përgjigjeje e pyetje pas pytjeje, në rrëmujën e nxitimit të përsëritjes së të njëjtës gjëje.

Çfarë e ngatërron akoma më shumë autorin në gjykimin prej inkuizitori, është një qëndrim apo qasje fundamentaliste ndaj tekstit biblik, duke u zhytur qorrazi në ndryshimet apo parafrazimet e tekstit origjinal të ‘Zbulesës’ nga pena e Bogdanit deri tek titulli i përshtatur i Rudolf Markut, në përsiatje për të saktësuar ndryshime shumë me rëndësi për t’u evidentuar sipas Çungës, në rolin e gjykatësit kulturor:

“Në fillim duhet thënë se vargu i cituar në titull të antologjisë ka një ndryshim nga ai i origjinalit”, evidenton. “Shohim në ballinë: “Veshun me diell, mbathun me hanë”, kurse në vargun 12 të poezisë kushtuar Sibilës kemi: “Me dielli veshun’, e mbathunë me hanë”. Qartazi, rendi dhe drejtshkrimi ndryshojnë, por në parathënie, në tekstin shoqërues të poezisë së Bogdanit dhe në pasthënie nuk jepet ndonjë shpjegim për këtë ndryshim.”

Ky “saktësim” më lart, përveç se bëhet dukshëm si tentativë të legjitimojë autoritetin e shkruesit duke nxjerrë në pah njohuritë mbi lëndën, kalon nga një digresion në tjetrin që përpiqet të errësojë thelbin e çështjes, madje edhe duke evokuar indirekt vetë Bogdanin si “kopjac” të biblës, në kohën kur në traditën e krishterë ri-përdorimi, ri-interpretimi dhe ri-kontekstualizimi i lëndës biblike, është i pandarë nga historiku i të gjithë zhvillimit të letërsisë dhe artit botëror.

Me një të rënë të tastierës, Sokoli zhbën një traditë të vjetër sa vetë jeta intelektuale dhe shpirtërore e njerëzimit, e cila ka qenë, është dhe do të mbetet referenciale, autoreferenciale dhe në rikontekstualizim të përhershëm.

Problemi i vetëm, i pakapercyeshëm, qëndron se vetë autori vazhdon qartë të mos ketë arritur dot “të kapë” apo interpretojë përdorimin e pasazhit titull.

“Mbyll shtjellimin e argumenteve dhe i kthehem çështjes kryesore së këtij shkrimi, titullit “Veshun me diell, mbathun me hanë”. Si shërben ky titull për të lidhur poetët e periudhës së shek. XVI-XX me ata të pasluftës, sa organike është lidhja mes tyre dhe çfarë funksionaliteti ka?”

Këtu fillon belaja absolute. Pra, nga një anë Sokoli nuk “e kap” kuptimin e vendosjes së titullit, siç edhe pohon më lart, nga ana tjetër vërtitet me mendjen e tij të kuptojë ç’mundet me sa duket me mekanizmat e njohjes që ka arritur të asimilojë, apo të vërë në përdorim literal deri më sot, shtrembër.

Pse shtrembër?

Në këtë rast kemi shembullin më karikaturë të mos pajtimit të qasjes literale fundamentaliste me atë poetike, gjë që rrjedhimisht e nxjerr interpretuesin e ngecur në pakuptim jashtë kuptimit të fjalës, drejt kërkimit të justifikimit të të mos kuptuarit të tij.

Këtu egoja e dalë nga orbita e mendjes, katapulton dhe qorrolleps mendimin në ç’shkruan për hir të inatit, ndoshta me veten, për mos të kuptuarit ndaj të cilit lufton dhe nuk përballon dot, drejt një problematizimi të papritur që të shtang.

Të shtang abisi mendor që hapet nga vorbulla e fjalëve të hedhura me shpejtësi marramendëse moskuptimi, edhe pse veçanërisht kjo vjen nga një prej përkthyesëve të biblës në shqip.

Humnerë mendore që kërkon të përpijë trutë, sepse nuk do mundë t’i përkasë as fundamentalistit më të verbuar në planet, kur me një të hedhur guri tenton të spastrojë, me ekon e zhurmës që krijon në lumin e fjalëve, kolektivisht disa emra njerëzorë nga e drejta për t’u asociuar me një libër që përmban si titull një pasazh biblik.

Problemi historik i kësaj bote, jo rrallë herë qëndron te fakti se qasja fundamentaliste nuk mund të afrohet dot me atë poetike, por këtu po flitet për një pasazh të traditës së krishterë.

Dhe këtu duhet të ndalem për të sqaruar diçka më të madhe se një shkrim apo dy të dikujt.

Tradita e krishterë, është ndryshe nga ç’evokohet në këtë katarakt moskuptimi; në respekt të plotë të të gjitha traditave fetare, të sivëllezërve dhe simotrave të së gjithë botës së iluminuar, qoftë drita e tyre islame, bektashiane, hebreje, hinduiste, budiste, taosite, agnostike, ateiste apo skeptike, apo të çfarëdo besimi dhe kredoje tjetër, të çdo përkatësie etnike, apo kombëtare.

Është për të thënë se: 

Besa e krishterë nuk është e huaj për ne.

Është e vjetër për disa mes nesh sa vetë historia e qytetërimit botëror, pjesë e të cilit kemi qenë, jemi, dhe do të mbetemi në të gjallë e në të vdekur.

Vetë Krishtërimi, i përfaqësuar në Shqipëri nga disa kisha, nuk njeh në asnjë rast ndonjë shembull në të cilin dera e kishës të jetë e mbyllur për të lënë jashtë çdo njeri të kësaj botë.

Krishtërimi si fe e themeluar nga Shën Pali (Sauli) është dhe do të mbetet një nga besët më të lira në raport me tekstet e saj të shenjta.

Krishtërimi është besëlidhja më e hapur për ripërdorimin dhe përshtatje e teksteve të veta në çdo kohë, ashtu si edhe është provuar në të gjithë trashëgiminë e artit dhe kulturës botërore të të gjitha gjinive. Kjo është historia universale e besës kristiane dhe gjithashtu e trashëgimisë sonë kulturore.

Vëth në vesh të mos e ngatërroni me ndonjë traditë tjetër.

Asnjë sekt provincial, sado mesjetar, nuk mund t’i veshë krishtërimit atë që nuk e ka; blasfeminë e vetme që mund t’i bëhet traditës së krishterë dhe asaj tonës, ku tinëz gjoja në respekt të saj për hir argumenti sofist, të tentohet të implantohet mendimi se krishtërimi mund të manipulohet politikisht nga qasje ultra fundamentaliste dhe konservatore, të mbushura me urrejtje, drejt një tradite përjashtuese. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë as në Shqipëri as ndokund tjetër në botë.

Në histori dhe në kontekstet e ndryshme të saj, mund të ketë patur akte ekspulsioni apo shkishërimi, mallkimesh apo auto da fé, në të kaluarën, por çdo kishë e shekullit 21-të, për më tepër, ka një qasje shumë më të ndryshme se ajo e mendjeve të mesjetës, në qenien e hapur dhe gjithëpërfshirëse, duke e lënë gjykimin e njerëzve të kësaj bote në dorë jo të vdekëtarëve.

E theksoj që të kuptohet kjo edhe nga katundari më i paditur, se diçka e tillë nuk mund të pritet apo kërkohet në emër te teksteve të shenjta të krishtërimit, për më tepër në një shoqëri laike, në një botim laik gjithëpërfshirës.

Feja jonë universale e të parëve, nuk është e as do të jetë ndonjëherë përjashtuese.

Për më tepër ndaj gjuhës shqipe, si një nga kontribueset më të shenjta të fjalës së Perëndisë, Birit të Njeriut apo të Zotit dhe shfaqjes së Shpirtit të Shenjtë, në copëzën tonë të botës kulturore, kudo ku ajo këndohet.

Kisha më e vjetër dhe më e lashtë e shqiptarëve, ajo Ortodokse, si një nga kishat më të vjetra të njerëzimit, ka dhe do të ketë në nderin e saj të tejkalojë me vëmendje dhe kujdes perden e rreme dhe akuzën e pavërtetë të pozicionimit gjoja të kishës sonë, si një institucion anti kulturës dhe gjuhës shqipe, gjë për të cilën është akuzuar dhe anatemuar pa të drejtë dhe shtrembër nga forca kundër lirisë së shpirtit.

Ne të krishterëve të Shqipërisë na takon të flasim, sepse nuk jemi shuar.

Në mungesë të seriozitetit të shtetit, në ruajtje të interesave të kulturës shqiptare dhe asaj universale, kisha ortodokse e mbijetuar në shekuj do të mbetet ruajtësja më e vërtetë dhe e sinqertë e lirisë së brendshme njerëzore. Askush nuk mund të aludojë se libri i shenjtë i të krishterëve, dhe asnjë fjalë e tij, do të mund të përdoret apo përbëjë arsye për të përjashtuar njerëz që “krimin” e vetëm bënë se i mbijetuan një diktature.

Të heshtësh apo të flasësh? Por si mund të shohësh në heshtje që një shoqëri vazhdon të tolerojë verbër dënimin e njerëzve në grup.

Në të sotmen, di me bindje, se vendi ku bashkohet liria shpirtërore individuale me atë shoqërore, si dhe me traditën tonë më të bukur të bashkësisë, të historisë sonë personale, individuale, në shumë raste edhe familjare të respektit dhe dashurisë njerëzore, mbetet jeta jonë e përbashkët, kujtesa e jetës dhe kisha jonë, i dashur Çunga. Të luash me aludime qasjesh fundamentaliste, përjashtuese dhe në shërbim rrymash politike ultra fundamentaliste, i bën dëm funksionit të saj.

Hapja, përfshirja dhe paqja që Kisha i jep njerëzisë, është mburoja më e shtrenjtë ndaj errësimit të mendjes që sjell cmira, xhelozia, sulmi pa arsye dhe pa mend, i kudondodhur ndaj shpirtit të lirë.

Pikërisht, zëdhënëse e një tradite të madhe, kisha e vogël shqiptare mund të provojë gjithnjë e më shumë në kohë, gjithëpërshirjen e besës së dashurisë. Këtu poezia dhe gjuha shqipe janë e do të mbeten pjesë e dashurisë së kësaj bote, pavarësisht përkatësisë personale të secilit.

Poetët shqiptarë të çdo kohe, besimi, përkatësie fetare, periudhe apo bindjeje, do të jenë zëdhënës të fjalës, që del nga frymëzimi i brendshëm i forcave të përtejme, të cilën asnjë i gjallë nuk ka punë ta gjykojë në emër të askujt e asgjëje, e aq më pak të ndoçkaje që mund të lidhet me traditën e krishterë.

Në kritikën që i bëhet kësaj antologjie, përpiqet të krijohet gjithashtu një ndasi lokale krahinore ndaj zgjedhjeve personale të një poeti. Por i kujtoj Çungës, se çdo tekst i hartuar apo i përmbledhur me emër autorësie mbi kopertinën e tij, mbetet subjektiv dhe në përgjegjësi të integritetit personal të individit që merr përsipër përzgjedhjen.

Asnjë komision, këshill, bord apo entitet, nuk mund të ketë tagër e as të drejtë të ndërhyjë në këtë aspekt të lirisë individuale krijuese të autorit që boton në emër. Pikërisht pse Rudolf Marku, në përgjegjësinë e tij, në emër të tij, merr përsipër të hartojë një antologji të poezisë, kjo i rrit vlerat e tij individuale dhe i çon më tej ato si kontribut publik shoqëror. Çdokush është i lirë të bëjë antologjinë e tij.

Në përfundim të shkrimit të tij të dytë, Çunga veçon:

“Në këtë diskutim nuk i drejtohem personalisht Rudolf Markut apo botuesit të tij, por institucionit të Poetit Laureat dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe të Leximit, që ka mbështetur botimin, jurisë që zgjodhi Poetin Laureat, si dhe komisionit / komisioneve që shqyrtuan programet e Poetit Laureat gjatë “mandatit” të tij, bashkë me antologjinë në fjalë. A ka, vallë, ndonjë kriter i gjithë procesi? Dhe mbi çfarë arsyetimi gjykohet dhe vendoset?”

Kërkesa më lart do të mbetet shembulli karakteristik i hetuesit stalinist, ndaj të cilit dihet se autorët shqiptarë mbijetuan gjysmën e jetë së tyre dhe kush ka jetuar dikaturën shqiptare edhe më gjerë e njeh fatkeqësisht mirë.

Komisione mund dhe duhet të ngrihen për përkthime klasike ose profesionale, patjetër edhe mbi kontrollin e përgjegjshmërisë së tyre, sidomos për tekste me vlera historike, përfshi ato të shkrimeve të shenjta përtej intepretimeve dhe aftësive individuale të përkthyesëve, por kurrë për çështje autorësie individuale, siç janë veprat artistike përfshi dhe antologjitë.

Konceptualisht mbrapsht edhe këtu ‘cancel culture‘ shqiptare.

Pikërisht dhe veçanërisht moda e futur në qarkullim total këtyre anëve, me borde, këshilla, komisione të panumërta, që supozohet të aprovojnë akte përpiluese ose krijuese të njerëzve me kurikulum dhe integritet të njohur, është skleroza më e dëmshme e shpikur deri më sot, që barazon djallëzisht të gjithë në hiç dhe i mëshon pikërisht adetit të vjetër të shmangies së përgjegjësive; plagë kjo konstante e shoqërisë shqiptare, fenomen që në mënyre të drejtpërdrejtë stimulon padijen e kudondodhur të shejtan budallallëkut që fsheh papërgjegjshmërinë personale.

Në një vend ku përveç klerikëve, për pesëdhjetë vjet, janë persekutuar përfshi edhe vrarë njerëzit e fjalës, të artit, dijes; sulme të tilla ndaj autorëve të këtij vendi, sidomos ndaj atyre që u kanë mbijetuar një prej diktaturave më të egra të planetit, pikërisht mes një populli që ende vuan pasojat e gjykimit barbar kolektiv dhe jeton probleme të thella koncepti mbi drejtësinë, përgjegjësinë personale dhe lirinë e vullnetit të lirë dhe zgjedhjeve të njeriut, për cilindo që rikthen në diskutim dënimet kolektive, na mbetet vetëm të lutemi, madje të ndezim edhe një qiri, në kishë.

Për ta mbyllur, duke patur parasysh moshën jo edhe aq të re tanimë, si të Çungës ashtu edhe timen, më duhet t’i bëj një pyetje: Po ti Koli, dhe gjithë të tjerët gjyqtarë kolektivë njerëzish që keni marrë “pallën” kundër shkrimtarëve, poetëve, artistëve, kineastëve, artit dhe kulturës shqiptare të lëvruar në vitet 1945-1991, nga një brez i tërë që u gjend peng brenda një burgu kolektiv dhe që një moment u ngrit dhe e rrëzoi atë sistem, a keni shkruar ndonjëherë ndonjë hartim për partinë dhe shokun Enver? Mund të gjendet ndonjë nga ju inkuizitorë të paditur që ka marrë dëftesën e shkollës 8 vjeçare, apo atë të gjimnazit në Shqipërinë e para 1991-tës, dhe nuk e ka bërë këtë?

A ka patur ndonjë fushë tjetër të jetës, përveç artit dhe kulturës, që nga montatori dhe saldatori më i thjeshtë, tek mjeku, ushtaraku, gardiani i burgut, polici, inxhinieri, fatorinoja, brigadieri, axhustatori apo shitësi i djathit, që nuk ka mbajtur fjalime politike nëpër mbledhje kolektivi dhe forma politike me shkrim e me gojë në sistemin komunist në Shqipëri?

Të heshtësh apo të flasësh? Kjo sepse shembullin më “bizarr” të ‘cancel culture‘ të këtyre anëve, këtë herë e hasa nën emrin e një të njohuri tim në distancë, me të cilin kemi shkëmbyer fjalë e mesazhe apo edhe ndonjë takim shakaxhi në jetën e përditshme të Tiranës.

Dhe përsëri shfaqet ‘cancel culture‘ e udhëhequr nga anti-komunizma pas pilafi, në kohën kur në këtë vend nuk është mbajtur përgjegjësi nga asnjë hetues, ish-sigurims keqbërës, apo informator ordiner që ka masakruar jetë, veçanërisht gjithmonë, për të njëjtat arsye banale për të cilat goditen njërëzit ende kolektivisht sot.

Çfarë nderi ka kjo shoqëri, që nuk guxon të prekë asnjë kriminel, por rend të kënaqet fshehur kur goditen njerëzit e artit dhe të kulturës, të cilët këto vite tentohen të poshtërohen nga ligësia humane, duke i veshur me përgjegjësi që nuk i kanë më keq se në komunizëm?

Por jo, ky version i ‘cancel culture‘ në Shqipërinë e kësaj kohe, me gjithë petkun surreal dhe tragjikomik të përfaqësimit të tij nga foltorë të gjithë spektërve të konservatorizmit, është koha të kuptohet se shfaqet si improvizim provincial i një toge të përhumburish “pushkatimi”, pa asnjë ide mbi të sotmen, zero njohuri dhe vizion mbi realitetet globale, rishikimin e së kaluarës, përgjegjësive individuale (aq të rëndësishme për t”u kuptuar në këtë vend) dhe që për më keq tenton të mbërthejë me rrëmujë në formë karagjoze, projeksionin e së ardhmes. 

Bjeri t’i biem, Çunga.

Saktësoj, se arsye për këtë reagim u bë “gjyqi kolektiv” që ndërmerret në dy shkrimet e përmendura.
Unë nuk jam polic sekret, të di se cili ishte kush, e çfarë skeletesh kanë njerëzit në dollape. Qofshin këta poetë. Nëse dikush ka diçka për të thënë mbi individë të caktuar, nuk është etike të sulmohen kolektivisht njerëzit e një brezi të tërë.
Shoqëria shqiptare vuan nga mos marrja e përgjegjësive personale, qoftë edhe e vlerësimeve individuale në proporcion me vlerat e gjithkujt, në rast se diku ka të tilla. Mentaliteti i fajit dhe dënimit kolektiv, i trashëguar nga barbaria kulmon në mos njohjen e asaj që në botën e lirë njihet me termin ‘agency’.
Google it, lexues.

     “It is only with the heart that one can see rightly; what is essential is invisible to the eye.”

Antoine de Saint-Exupéry

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top