• 001.jpg

S’ju flet Tirana!-Bisedë me Joni Shanaj

in Biseda/Kinema by

Bisedë me regjisorin Joni Shanaj.

Në të vërtetë unë kisha përgatitur disa pyetje për të, por u duk se pyetja ime e parë e shënjestroi në ca pika që i dhimbnin, kështu ai u përgjigj gjatë dhe me nerv në lidhje me të. Përgjigjia e tij mund të qëndrojë më vete edhe si një formë eséje.

I shoh si mjaft të vlefshme këto biseda, pasi tharmi mbi të cilin ato formëzohen, nuk është ai i “glamour-it” të suksesit të artistit, por ai i shqetësimeve, parehative dhe mosmarrëveshjeve të tij si individ i lirë me realitetin ku jeton dhe krijon.

Shanaj është i drejtpërdrejtë dhe therës kur thotë se në filmat e sotëm shqiptarë personazhi trajtohet si një i vonuar mendor, ndërsa sjell në vëmendje një anektodë foklorike, ku një dhëndri të ri i cili viziton shtëpinë e nuses për herë të parë i duhet të thotë diçka të madhe për të bërë përshtypje, dhe ai gjen pikërisht fjalën “buall”… Një paralelizëm i trishtё me kinemanë shqiptare të pas 90-ës, e cila kërkon të impresionojë botën me atë që nuk është.

Bisedoi Arlinda Guma

Arlinda Guma: Në filmat pas viteve 90-të ka një prirje vetëviktimizuese për të impresionuar shikuesin e huaj me tragjeditë shqiptare, të hiperbolizuara e të patetizuara. Për ta joshur këtë publik drejt ekzotikës (paraqitur pa dinjitet, në një atmosferë mbytëse) dhe pa e bërë të thellohet në dramën e vërtetë të saj. Aq sa, kur këtij shikuesi do t’i qëllojë të vizitojë Shqipërinë, ai me siguri do të pyesë veten: – Pse nuk shoh rrugëve asnjë kriminel, asnjë prostitutë dhe mbi të gjitha; asnjë burrneshë? Ku i kanë fshehur burrneshat? Madje them se i gjithë normaliteti që ai do të gjejë nëpër rrugë do t’i duket dëshpërues. E ndoshta, një ditë, për ta impresionuar edhe më, do arrijmë të ndërtojmë dhe ndonjë rezervat natyral për “kultivimin e burrneshave”, të ngjashëm me atë të arushave Panda, ku i dihet… Në punët tuaja unë nuk e shoh këtë. Ju nuk merreni me tema ekzotike. Ju i shkoni drejt e në zemër realitetit. A është e vështirë ta interpretosh realitetin në kinematografi, në mënyre kaq të drejpërdrejtë, pa akumuluar më parë?

Joni Shanaj: Shqipëria është në luftë. Lufta kryesore është ajo mes njeriut normal, që kërkon të jetojë jetën e tij/saj, të bëjë punën e tij/saj, të dojë e të krijojë atë që di e mundet, të rregullojë ambientin që e rrethon, dhe maskarallëkut makut, intrigave, abuzimit me çdo vlerë e simbol, gënjeshtrës dhe korruptimit të gjithçkaje, konvertimin e gjithçkaje në tallje dhe mohim, të punuarit vetëm në interes të ngushtë personal, papërgjegjshmërisë për çfarë ndodh dhe lihet pas, pra llogjikës të banditit ordiner.

Jemi ndoshta një nga popujt më luftarakë që mund të ketë mbi dhé.

Nga ana tjetër, arti dramatik i cili në çdo shoqëri ka funksion të evidentojë konflikte, tek ne ka marrë funksion të kundërt. Është plotësisht i pacifizuar, i kthyer në dekor dhe kështu ndihmon, me apo pa dashje, gjithmonë palët agresore.

Shqiptari di të jetë i vërtetë pothuaj vetëm në dy momente, në luftë dhe në valle. Fatkeqësisht filmi shqiptar nuk ka arritur t’i përafrohet dot kësaj të fundit, e aq më pak të parës. Filmi është thjesht i plakur.

Nuk përjashtohet këtu kultura në tërësi e as njerëzit që i kanë hyrë këtyre punëve, të cilët rrallëherë bëjnë diçka të qenësishme përveç ‘eventeve’ efemere.

Vitet e fundit më ka bërë përshtypje se edhe të huajt që vijnë në Shqipëri për të qenë pjesë në ndonjë festival filmi, të ftuar nga ndonjë institucion vendas apo i huaj, pasi kanë qëndruar e janë shoqëruar nga shqiptarë për ndonjë javë apo disa, nuk kanë parë asnjë film shqiptar, për me tej as që kanë që dëgjuar të flitet nga ndokush për ndonjë autor shqiptar.

Pra ne jemi në luftë dhe lufta jonë kryesore është gjithnjë me veten.

Në vijim do të doja të fokusoja bisedën jo në diskutim se si filmi ynë ndikon tek të huajt, sepse këtë as mund ta di, por më shumë se si filmi ynë shfaq imazhin tonë për veten dhe arsyet pse publiku e ka braktisur filmin e sotëm shqiptar.

Filmi nuk riprodhon por prodhon ndoshta realitet, ndoshta diçka që është vështirë t’i vihet emër, dhe është pikërisht kjo diçka që filmi krijon, që e kornizon atë si një formë arti autonome dhe përjetësisht të re. Ky realitet, le ta quajmë virtual, është pasqyra më e vërtetë e shoqërisë, sado false, përgjithësuese apo e shtrembëruar të perceptohet nga syri i sotëm.

Mirë është të kemi në mendje, se sado i stisur, i sajuar, pa besueshmëri dhe i realizuar dobët të duket edhe produkti më i keq i kohëve të sotme, filmi në natyrën e tij është polivalent. Ai përsëri reflekton diçka ndoshta shumë më të vërtetë se sa jemi të aftë të kuptojmë ne bashkëkohësi.

Kam bindjen se filmi shqiptar i këtyre viteve do të shihet me shumë kuriozitet në një të ardhme jo shumë të largët, pasi pavarësisht kualitetit të punëve të veçanta, ai arrin të ekspozojë të vërteta si për autorin ashtu edhe për shoqërinë.

Krijuesi shqiptar është pjesë e stofit njerëzor të habitusit të vet. Me apo pa dashje shoqëria shfaq veten. Këtë publiku e ndjen, ndoshta kësaj edhe i ikën, i fshihet ose më keq akoma në gjendje mohimi, i mohon ekzistencën.

Humbja e publikut natyrisht ekspozon dobësi profesionale. Ka mangësi të thella në ndjekjen e proçedurave të proçesit krijues. Baza e kësaj humbjeje është rënia shkurt e proçeseve të shtresëzuara të punës. Lidhet kjo drejtpërdrejt edhe me autoritetin e rënë të autorit shqiptar.

Nuk ka gjë më tragjike se të shohësh kalorës të konfliktit dramatik të rënë nga vakti me dorën e shtrirë ndaj kujtdo që i del përpara. Varfëria absolute e kineastit apo intelektualit shqiptar bën që ai të bjerë vullnetarisht viktimë e çdo lloj agjensie apo hegjemonie pushteti sado banal që shfaqet në horizont. Viktima e parë është vërtetësia.

Konkluzioni që unë si shikues nxjerr nga filmi shqiptar është se jetoj në një shoqëri ku mungon liria individuale, mbizotëron stisja dhe sundon artifica.

Ndërkohë në jetën tonë të përditshme, të gjithë e dimë që njeriu i vërtetë nuk është dorëzuar, por lufton dhe nuk janë të paktë njerëzit që në përditshmëri i kanë shpallur luftë shtirjes. Çfarë mungon në filmin shqiptar është dëshmia e artikuluar e kësaj lufte.

Filmi ka marrë anën e palës tjetër. Është kthyer në kolaboracionist të genocidit të gjithçkaje njerëzore, në koflikte të përditshme që ndodhin tashmë jo vetëm jashtë por edhe brenda vetes. Fatkeqësisht, tashmë vrima të zeza që përpijnë çdo energji të lirë dhe të pastër të jetës qytetare shqiptare, nuk janë vetëm ekranet e televizioneve.

Në filmin shqiptar të viteve 80-të, ka një fenomen që mund ta sjell si shembull. Ishte kthyer në modë në ato vite që në filmin e ashtuquajtur me ‘temë të ditës’, apartamentet, njerëzit, veshjet, pjesë të shfaqura të fshatrave apo qyteteve të pasqyroheshin në mënyrë sa më ”të hijshme”.

Mjetet karakteristike të kinematografisë janë manipulimi i kohës dhe hapësirës. Është në natyrën e kinematografisë të luajë me to për qëllim përforcimin e rrëfimit. Kështu që ka disa filma ku psh dialogu mes dy personazhesh zhvillohet në ecje në një të supozuar të Tiranës. Biseda nis psh diku tek ‘Postiqet’, vazhdon në një rrugë tjetër të sapo ndriçuar mirë të qytetit, evolon më tej diku buzë një trotuari të ri të sapo shtruar në Lushnje dhe një copë tjetër bisede që supozohet të jetë po në vazhdimësi kohë-hapësirë mund të jetë xhiruar pranë luleborave apo trëndafilave të Fierit për t’u përmbyllur pranë ndonjë shatërvani të sapo inauguruar të Kavajës apo Elbasanit.

Krijohet kështu nga “filmi i temës të ditës” një gjeografi totalisht inekzistente e një “qyteti” të supozuar, që ekziston si qytet imagjinar vetëm në atë X film.

Këto teknika përdoren normalisht në reklama, ku qëllimi është të shiten produkte. Janë përdorur në filmin western dhe janë pjesë integrale e kinematografisë para neorealizmit, por kjo bëhet vetëm kur është e domosdoshme, ta zemë në një film për luftën e Vietnamit që xhirohet në lokacione të ndryshme në xhunglën e Indonezisë.

Por të shpiket një qytet i paqenë e të shitet për një qytet të qenë, të ribëhet një qytet ekzistent duke arnuar një gjeografi të pa qena, kjo mund të ndodhë vetëm në shije estetike njerëzish që jetojnë në dikatura bizare.

Ku dua të ndalem është se n.q.s. kinemaja e atëhershme transformonte qytetin për ta nxjerrë sa më ‘të bukur’, sot kemi një fenomen të ri. Them fenomen sepse nuk po flas për një rast apo dy ku mund të kemi zgjedhje individuale të autorëve.

Në shumicën e filmave tanë të sotëm ngjarja nuk ka adresë. Zhvillohet diku në një fshat. Diku në një qytet. Rëndësi ka që ngjarja është në “Shqipëri”. Asnjë fshat nuk ka emër. Nuk merret vesh ku është. Asnjë personazh nuk merret vesh nga vjen. Nga cili qytet. Nga cila krahinë. Rëndësi ka që personazhi është “një shqiptar” diku në Shqipëri.

Manipulimi i hapësirës tashmë ka evoluar në një katrahurë shtresore, spaciale, socio-linguistike me të gjithë vendin si arenë të njësuar, duke shndërruar Shqipërinë në një melting pot absurd të “unifikuar” pa kolorit real dhe që ekziston vetëm në virtualitet.

Tashmë që jemi të gjithë një, edhe personazhet tanë janë të tillë, të njëtrajtshëm, hapësira pushtohet nga uniformitet gri me njerëz që të zhveshur nga koloriti lokal nuk janë më askush dhe nuk rezonojnë dot me asnjë shikues.

Ylli i shuar i kinematografisë shqiptare po përpin kështu në gravitacionin e errësirës së konfuzionit gjithçka, përfshi edhe vetë nocionin e kohës dhe hapësirës.

Ky është për mua fenomeni më i ri që po prodhon kultura e sotme shqiptare. Ajo po vërvit jetët tona në drejtime të panjohura identitare.

Kultura drejtohet nga të verbër, ku verbëria më e madhe duke qenë njohësja më e mirë e errësirës, kthehet në drejtuese të karvanit.

Konkretisht në filmat tanë mund të shfaqen ide dhe qëndrime nga më të papriturat, por gjithnjë e më tepër në sejcilin film mungon personazhi, njeriu, karakteri, në specifiken, veçantinë e tij. Kemi personazhe stereotipë të pabesueshëm, të ekzagjëruar, të keqvendosur vend e pa vend, të padepërtueshëm, hermetikë, të palexueshëm, që përgjithësisht trajtohen si mendërisht të vonuar.

Personazhet duken si fotomontazhe letre të psonisur me kilogramë nga pirgjet e gazetave të pashitura.

Mungon çfarë na bën të ndryshëm, specifikë dhe unikë. Mungon thelbi dhe themeli i trashëgimnisë të artit. Kështu rrjedhimisht filmi dhe letërsia e sotme shqipe kanë eleminuar përkohësisht njeriun.

Pra jemi në luftë dhe kemi humbje të rënda. Paratë që futen në xhep janë kthyer në gijotinë, ndërsa njeriu i ndrydhur brenda kostumit të kastrimit artistik, kënaqet duke i marrë erë vetes nouveau riche.

Gjuha e drunjtë letrare e personazheve që nuk është përdorur në këtë masë as në kohën e Kinostudios është kthyer në konvencionin më anti-kinematografik të mundshëm dhe evokon vetëm spikerët e lajmeve.

Në kapardisjen e vetkrijuar dhe të mbajtur veshur si kostum mortor ajo merr rolin e dhëndrit në vizitë tek krushqit, që për të thënë gjëra të mëdha që zenë vend në një botë ku mbetet gjithnjë e më i papërfillur, di të thote betem ”Buall”.

Çfarë mbetet pas dhe çfarë ai gjen në kthimin në shtëpi, është ikja e vazhdueshme nga vetja që unë e shoh si kapitullimin e plotë të njeriut. Hipur mbi këtë “Buall” pa fre dhe pa drejtim, filmi shqiptar po tenton të zhvendos Tiranën nga Europa për diku tjetër.

Po ndodh e kundërta e çfarë thuhet dhe propagandohet. Filmi shqiptar po vetë izolohet.

Nuk mohoj se qasja e vazhdueshme ndaj njeriut në filmin shqiptar reflekton marrëdhëniet në jetën reale ku tjetri trajtohet në forma monstruoze me mekanizmat instiktivë të species të kopesë, ku jetike është mbijetesa dhe marrëdhënia hierarkike e dominuesit ndaj të dominuarit.

Rëndësi të vetme ka kush ecën i pari, i dyti, i treti dhe kush kandiset i fundit i kavallit.

E them këtë sepse kur filmi nuk arrin dot të shfaqet në esencën e tij, si art për të rrëfyer dhe lënë dëshmi të hapësirave private, personale, njerëzore, vetjake, të thjeshta apo të ndërlikuara, kjo është shenja numër një e shkëputjes me vetëdije nga qytetërimi.

Kur flasim për filmin e sotëm ftoj pra të observojmë se si njeriu sheh tjetrin që ka përkrah, përpara, pas, sipër apo poshtë dhe reciprocikisht si ai sheh veten, tjetër për tjetër. Kështu, tjetër për tjetër, na konfigurohet edhe e ardhmja bashkë me hyrjen e saj servile në domainin e medias që tashmë ka trajtën e një balene që përpin gjithçka që i avitet.

Mjafton një vizitë në panairin e të fundit të librit dhe gjendesh i përpirë në domenin e një hapësire ku bëhesh deshmitar i një katastrofe që mbi të gjitha është kataklizmë etike.

Vihet re se shqiptarët përkthejnë tmerrësisht keq. Gjithçka është tjetër për tjetër.

Mbase shqiptari i letrave apo intelekti shqiptar ka vërtet vështirësi të kuptojë, të njësohet me mendimin, “të vrasë mendjen”, e më tej të thotë pothuaj të njëjtën gjë, si autori.

Ndoshta thjesht anskush nuk arrin dot të njësohet me mendimin e botës përtej, as në përkthim.

Për t’u lidhur me pyetjen tuaj dua të theksoj se kur shqiptari e ka kaq të vështirë të përkthejë tekstin e shkruar, qoftë edhe të interpretojë saktë deklarata nga përfaqësuesë diplomatikë apo kancelari të huaja, si mund të konvertojë kineasti, e aq më tepër producenti gjysmë analfabet shqiptar se çfarë do apo kërkon mendja dhe shija e një audience të huaj?

Gjuha filmike i përket universales. Kjo bën që krijuesi shqiptar rend të kapë audienca jashtë vendit shpesh herë duke u denatyralizuar. Ndoshta sepse flet këtë gjuhë, filmi pritet naivisht nga një publik mesatar të marrë rolin ceremonial së të qenit përfaqësues zyrtar i atdheut. Por kjo nuk është detyrë e kineastit. Detyrë e kineastit është të jetë i vërtetë me veten, qoftë kjo vete brenda arealit të traditës botërore të kinematografisë.

Fatkeqësisht, Tirana gjithnjë e më shumë po hesht dhe nuk po guxon të shfaqë veten.
Festivalin TIFF të këtij viti e vizitova vetëm për të parë programin me filma të shkurtër shqip. Me përjashtim të një filmi ndër rreth 20 të tillë, përveç shëmtisë estetike, çfarë më bëri shumë përshtypje se mungonte dhe bërtiste me mungesën e saj ishte vetë Tirana. Mund të them se nuk pashë asnjë film me jetën e Tiranës. Filmat ishin kryesisht nga autorë të rinj që jetojnë dhe punojnë në qytet, por asnjë film nuk trajtonte njeriun që jeton, punon dhe frymon këtu. Qyteti vetë nuk ekzistonte. Imagjinoni për një sekondë që New York-u të mos shëmbëllente apo shfaqej në asnjë film të New York Film Festival. Të mos ketë asnjë film të prodhuar nga një kineast njujorkez ku shfaqet jeta, mendësia, stili, përditshmëria e atij qyteti. Të mos ketë asnjë kineast që të përcjellë, dëshmojë, shfaqë, rrëfejë jetën e tij, të njerëzve me të cilët jeton apo të shprehë ajrin dhe atmosferën e qytetit ku ndodhet dhe ka lindur. Nuk besoj se ka njeri që nuk e di se çdo qytet në botë është pothuaj edhe një trademark. Kjo në sensin e asocimit të emrit të qytetit me një frymë të caktuar që çdo qytet përfaqëson.

Filmi shqiptar, i shkurtër, i gjatë a i mesëm, ka marrë arratinë nga të katër anët në kohë dhe hapësirë në të gjithë periferitë e mundshme spaciale, kohore dhe mendore, duke mos i bërë asgjëje drejtësi.

Duket sikur ka marrë dhenë barra e përgjegjësisë për të përfaqësuar dhe zgjidhur dhimbjet e të gjithë skajeve anembanë historisë dhe hapësirës së jetuar të kombit.

Provincë pas province, katund pas katundi, sekuenca e vazhdueshme e gjendur në çdo film të prodhuar nga kineasti kryeqytetas është skena kur personazhi kryesor i avitet një shtëpie të zgjedhur me shumë kujdes, pak më të mirë se të tjerat, në një fshat të braktisur, dhe shtyn një derë që gërvisht veshin dhe kërcet me një sokëllimë monstruoze.

Ndërkohë në të kundërt me këtë hapje të shtirur gjysmë aliene, çfarë filmi shqiptar nuk po arrin është hapja e vetes me shqetësimet dhe frymëzimet e jetës të drejtpërdrejtë për atë që njeh, jeton, do, kërkon, kupton, nuk kupton apo ëndërron.

Jemi në luftë, por nuk kemi të bëjmë me fatalitete. Liria personale edhe në këto kushte arrin të shprehet. Ajo përpiqet të japë dëshmi të ekzistencës edhe pse kjo ekzistencë shpesh herë pluskon në ujëra ahumanë.

Sa herë të shihni në një film shqiptar një derë të vjetër katundi që mezi hapet, mendoni se ndoshta kur të kthehet në vete, qyteti do të ringrihet në autoritetin e humbur në respekt për jetët që mbart. Ndoshta kur të arrijmë këtë gjë kaq të thjeshtë, kinemaja e filmit të qyteteve tona nuk do të jetë më bosh.

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Biseda

Go to Top