Demokraci pa kujtesë/Spartak Lalaj

in Esé by

Spartak Lalaj

Këto kohë po dixhitalizoj arkivën filmike të babait, nga kaseta VHS në format dixhital. Nga materiale të ndryshme për çdo ngjarje të rëndësishme që ka ndodhur në qytetin e Laçit për pothuajse 15 vite, befas u përballa me një surprizë. Në vitin 1994, anëtarët e një familjeje të zonës, që kishin patur kullën e tyre në një fshat pranë Laçit, në Dilbnisht, ishin mbledhur pas 42 vitesh emigrimi, internimi e burgimi, tek kulla e vjetër ku dikur kishin banuar. Të përmalluar, të prekur, ata shkuan te shtëpia e vjetër, tashmë e braktisur, mbuluar nga bari dhe ferrat.

Njëri prej familjarëve, i kthyer nga Amerika pas 42 vitesh, flet i prekur për lumturinë e tij që mundi ta kryente këtë kthim në të gjallë të tij. Ndërsa po shihte dhomat e kullës së braktisur, duke dhënë shpjegimet përkatëse, befas thotë: Ja, kjo dhomë ka qënë burgu i shtëpisë.

Në portën e kullës ishin gdhendur dy kryqe. Familjarët shpjeguan se këto kryqe tregojnë për gjaqet e falura nga kjo shtëpi dhe të falura nga të tjerë për ta. “Ne kemi falur një gjak dhe na kanë falur një gjak.” – tha burri.

Por ky rikthim nuk ishte rikthim vetëm për arsye nostalgjie. Familjarët mbanin në duar arkivole bosh. Ata ishin kthyer për të kryer ritin e lashtë sa vetë jeta, varrosjen me nder të familjarëve të tyre. Ishte një cermoni rivarrosjeje për burrat e vrarë nga komunistët, të damkosur si “tradhëtarë”. U zhvarrosen nga varret anonime të gjetura nga familjarët, për t’u dhënë një varrim të denjë, siç e kërkon riti i lashtë civilizues.
Tmerri nuk ndalonte thjesht te vrasja e tyre dhe varrosja anonime për t’iu humbur gjurmët nëpër kodra. Asnjë prej trupave, gjithsej pesë, nuk e kishte kokën. U gjetën nëpër varre vetëm eshtrat trupit. As familjarët ende nuk e dinin pse pas vrasjes së tyre, komunistët kishin ndier nevojën që t’u prisnin kokat burrave dhe djemve fare të rinj. Duke marrë parasysh kodin e rreptë të shqiptarëve për ruajtjen e trupit të të vrarit, kjo ngjarje duhet të ketë qënë dyfish lemeritëse për familjarët. Kjo familje kishte humbur dhjetë burra. Pesë trupat e tjerë ishin ende të zhdukur.

Ndërsa po shihja këtë video sa makabre, po aq të dhimbshme dhe njerëzore, m’u theksua dhe njëherë se sa traumatik ka qënë zhvillimi i komunizmit në Shqipëri, se si e ka ndërprerë në mënyrë të pamëshirshme mënyrën e jetesës së shqiptarëve, se si e ka shkatërruar deri në themele identitetin shqiptar, duke imponuar një sistem tjetër të huaj, si një kancer terminal në trupin e jetës shqiptare. Me këtë nuk dua të them se jeta ishte idilike para komunistëve, aspak. Por ky kapërcim “revolucionar” ishte i gjithi i themeluar me gjak dhe makabritet, e me gjak e makabritet jetoi deri në fund.
Shqipëria e kohës së Zogut, autoritariste dhe e varfër siç ishte, ruante një balancë me shqiptarinë. Mjafton të shohësh dasmën e Zogut dhe ta krahasosh me festat e komunistëve për të vënë në dukje kontrastin e madh. Salloni, veshjet, kërcimet, vallet e burrave me fustanella, gjithçka mbante vulë shqiptare në një balancë delikate me mondanitetin europian. Të ftuarit qëndrojnë me dinjitet si individë me karakter. Nga ana tjetër festat e komunistëve ngjajnë të varfra dhe shterpë, të pangjashme me asgjë, pa gjurmë të një identiteti, si në veshje, si në kërcime, si në simbole. Njerëzit ngjajnë fare të hutuar, me buzëqeshje naive në kufi me budallallëkun. Gjurmët e simboleve shqiptare janë të një forme fare banale. Ç’është më e keqja, në shkëlqimin e tyre të mjerë fshihen trupat e ftohtë pa koka të burrave shqiptarë që e donin Shqipërinë me më shumë dashuri sa të gjithë komunistët bashkë.

Për më tepër komunizmi erdhi në një moment fatal në histori. Të rinjtë e familjeve të pasura çifligare shqiptare, të edukuar në Perëndim, të kulturuar dhe shumë të vetëdijshëm e të qartë në kauzën kombëtare për moshën e tyre të re, ndienin se duhej të bënin diçka për vendin e tyre. Nuk ishin bijë të zakonshëm pasanikësh apo karikatura borgjeze siç thanë më vonë komunistët. Orientimi i tyre ishte perëndimor, mund të dallohen në mendimet e tyre filizat e demokracisë, maturia, balanca, prirja për të krijuar. Ishte vazhdimi i Rilindjes, fillimi i inteligjencës shqiptare në pavarësi. Këto filiza nuk u rritën kurrë.

Nga ana tjetër, ndjeva keqardhje që ndonëse kam jetuar një pjesë të jetës në Laç, nuk kam dëgjuar dhe nuk e kam ditur që ka kulla të vjetra aq pranë qytetit, ku janë zhvilluar ngjarje kaq tragjike. Vakumi kulturor vazhdon të jetë i qëllimtë.

Është domosdoshmëri që këto kulla të kthehen në monumente kulture, si një dëshmi e gjallë e jetës shqiptare ndër shekuj, të kthehen në kulla të kujtesës historike, si një dëshmi e krimeve të shtetit shqiptar. Fakti që kjo nuk ka ndodhur, rrëfen për zhvillimin monstruoz të një shoqërie dhe politike që po i gërryen me themel të gjitha shenjat që e identifikojnë një komb.

Demokraci pa kujtesë. Kjo duket se është çmenduria jonë e radhës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top