Flet Faik Konica-Fan Noli

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Fan Noli

Në një silan të Vienës, duke pirë nga një kupë të tretë “Gumbold Skirchnor”, po bisedonim me Faik Konicën mbi Partinë Politike të Inglisë, në prill të motit 1915.
Nga Inglia ishim hedhur në Shqipëri, kur servitori na solli kupën e katërt dhe atëherë unë e pyeta Faikun, a duhet të kopjojmë në Shqipëri sistemin e qeverimit me anë të dy Partive, një konservatore dhe tjetra liberale, të cilat hipin në fuqi njëra pas tjetrës sipas votës së popullit.
“Jo”, – tha Faiku, – s’është punë që bëhet. S’mund të kemi një Parti Konservatore në Shqipëri, se konservator do me thënë ay që konservon një trashëgimi të vyer politike. Për shembull: inglizi është konservator se dëshiron të konservojë Perandorinë Inglize, pasurinë inglize dhe institutet inglize që krijuan këtë perandori. Po ne shqiptarët ç’kemi trashëguar dhe ç’të konservojmë? Feudalizmin e Bejlerëve, Patriakalizmin e Malësorëve apo Banditizmin e Fshatarëve?
Këtu erdhi servitori dhe solli kupën e pestë, Faiku e zbrazi dhe vazhdoi:
“Nga ana tjetër s’mund të kemi as parti liberale, se liberalizmi ingliz i bëri reformat me ngadalë, e zë lepurin me araba, me urt’ e butë e plot tigani dhe gjerësa t’i bëjmë ne reformat si inglizët na piu morri, na hëngri greku e serbi dhe italiani.
Servitori, i cili na përgjonte na solli menjëherë kupën e gjashtë:
“Jo or jo, – konkludoi Faiku, – nuk duhet të kemi as Parti Konservatore, as Liberale pas mënyrës inglize, se as njëra as tjetra nuk na hyjnë në punë në Shqipëri. Neve nuk na duhen dy partira, por vetëm një, njëzë dhe njëçikë Parti revolucionare. Shqipëria është si një shtëpi e vjetër që duhet rrëxuar dhe rindërtuar nga themelet”.
Kur ua tregoj miqëve këtë bashkëfjalim, të gjithë më shikojnë me dyshim, duke kujtuar se tallem me ta, se të gjithë e dinë Faikun si konservator edhe pak a shumë si reaksionar. Por kjo nuk është e vërtetë. Faiku në djalëri kishte kaluar nëpër të gjitha ideologjitë reaksionare dhe jo përcipë a shkel e shko, por kishte hyrë thellë dhe e kishte studiuar me zjarr e pasion Karl Marksin, e dinte në majë të gishtërinjve dhe gjithnjë fliste për të me respekt si për ndonjë dhaskal të vjetër të djalërisë, nga i cili kishte mësuar dhe gjëra mohuese, nuk i besonte që të gjitha. Jo, Faiku nuk ka qenë kurrë konservator a reaksionar. Po ta kruanje pak, menjëherë çfaqej revolucionari i vjetër.

1945

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top