Urbane-Guillevic
Të gjithë ata
Që jetojnë në qytet
Nuk e kanë gjithmonë
Ritmin e tij,
Dhe lodhen,
Por shpeshherë nuk mund
Të shkulen.
*
Në qytet,
Një tjetër qytet,
I bërë për njerëz
Që nuk janë
Këta të sotmit.
Njerëz
Si shkëndija jetëgjata.
*
Nëse heshtja
Do t’i humbiste rezervuarët e fushës,
Nëse pyjet s’do ishin më
Veçse arkeologji,
Nëse era e qyteteve
S’do njihte më
Tokën e lëvruar,
Thirrjen e qyqes,
Si do putheshin
Dashnorët
Në hijen e godinave?
*
Në një cep të oborrit,
Këndet e drejtë, brinjët,
Muret,
Përfshirë dhe hijen
Formojnë një kishëz rastësore,
Të shpuar prej një syri
Përmes të cilit qielli
Kërkon të hulumtojë.
*
Çka i kërkonte
Sot qytetit,
Ishte thjesht
Që të mund të shtrihej në të,
Por si jashtë tij
Në qendër të një heshtjeje
Të pajisur me një shtrat.
*
Në rrugët e ngushta
Britma e një fëmije
Çjerr muret
Nga të dyja anët.
*
Fizarmonika
Në një rrugicë të afërt.
Varfëria.
Shekujt.
*
Po prehej një pëllumb i zbehtë,
Me gjysmën e trupit mbi trotuar
Dhe gjysmën tjetër në qyng,
Duke mos e mbartur me vete
Zinë përreth
Siç do kish bërë
Pëllumbi i egër i fushës.
Rruga,
Ura, qielli,
Kishin më shumë nevojë
Për t’u larë.
*
Nuk ishte vendi
I një filli kashte.
Gjen kudo nga pak,
Përgjatë udhës,
Nga ato fije kashte
Që ikin apo harrohen.
Ato vijnë
Siç vinin engjëjt
Në tablotë e vjetra.
*
Të zbulosh rastësisht
Një kopsht krejt të vogël
Plot barëra të këqinj,
Pa dritare përreth,
Pa zhurmë e madje
Pa rreth e pa kukull.
Kurrgjë tjetër veç kohës
Që është tërhequr aty
Dhe s’pret kurrgjë.
*
Një qytet çeltinash.
Mjafton ta vështrosh
Ngadalë
Siç hëna
Vështron.
*
S’ka më sahatë
Në rrugët.
Të mos e dish kohën
Për ta harruar.
Të besosh se je vënë
Në koordinata
Ku projektet ëndërrohen
E ndeshen
Jashtë rrjedhës së kohës.
Ndryshku
S’është më i kësaj bote.
Hekuri
Fshehet.
*
Mbi re
Të stivosh re,
Të bësh me to kulla,
Korpuse qendrore,
Të organizosh
Rrugët, plazhet,
Sheshet
Ku thith kaltërsinë.
Dhe kur gjithçka
Të ketë zënë vendin e vet,
Ta ngulitësh
Për ta kundruar,
Ta korrigjosh
Nëse ka vend për korrigjime.
Përkthyer nga Alket Çani
PËRBALLË DËBORËS-Du Fu
PËRBALLË DËBORËS-Du Fu 712-770) Për luftën kanë zënë të qahen Të vdekurit e vonë në