Author

Admin - page 155

Admin has 1899 articles published.

Ti do të ecësh në diell-Requiem për Jamarbër Markon/Luan Rama

in Letërsi by

Ti erdhe

Me vdekjen karficë në gjoksin e frymëmarrjes

Dhe u largove

Me sy jeshilë

Që gëlltitën luftën time të humbur… Jamarbër Marko

    Luan Rama

Sapo mora vesh ikjen tënde, m’u kujtuan menjëherë fjalët e fundit të Rimbaud, (Rembosë), kur në shtratin e vdekjes i kishte thënë të motrës: “Unë do të shkoj nën dhé, ndërsa ti do të ecësh në diell…”

Kishte ditë që ti kishe ikur në terrin e një nate pafund dhe ky lajm më dhëmbi shumë. Isha larg, tre mijë kilometra. Dhe çuditërisht, të nesërmen, unë të pashë të ecësh në diell, jo nën dhé. Pse kështu, miku im i adoleshencës, banorë të një pallati, miku im i rinisë? Ishte rinia jonë që kaloi në pikëtakime që ndjellin gjithnjë mall, trisht. Vite studentore dhe flokët e gjata e mustaqet që na prenë, ty, mua, kontrollet puntore vigjëlonin të frymëzuar nga “gardistët e kuq” shqiptarë. Atëherë ne këndonim së bashku Lucio Battisti-n… “Mi ritorno in mente…” Ishin këngët e lirisë, këngët e erës që vinte përtej Adriatikut, nga Perëndimi.

Më kujtohet si tani një natë e bukur, ndoshta fillim vjeshte, kur një mbrëmje të vitit 1974 ne u mblodhëm te ty. Petro dhe Safo kishin ikur të na linin në botën tonë. Atë natë, e fundit, te ti kishte shumë miq … të gjithë të rinj: Brikena, Lubonja, Theodhosi, që endej nëpër dhoma me kitarrë, Ndroqi… ulur në shesh, mbushur ballkoni… dhe muzika e “huaj” që nderej në habinë e njerëzve që kalonin dhe pyesnin me vete: «Po këta? Nuk e dinë se ç’kohë po jetojmë?! Nuk e shohin se ka filluar linçimi?»… Të tjerë, “besnikë të Partisë”, e shikonin këtë si një sfidë ndaj pushtetit… Ishte nga ato netët e rralla që nuk harrohen, pasi sapo kishin filluar proceset e para politike, bastisjet, burgimet, hetuesitë, kohë pas një “pranvere” të shkurtër, lulet e së cilës u thanë që ditët e para, ashtu si këngët e një Festivali. Nuk kaloi shumë kohë dhe ti, një ditë, nuk u ktheve më në shtëpi. Të kishin marrë. Kishe përfunduar në qelitë e errëta dhe më pas, një ditë, kur ne morrëm vesh për gjykimin tënd, u turrëm drejt rrugës së Durrësit, gjykatës… Një furgon policie të solli me duart e lidhura. Ishte një kalim i shkurtër pas oborrit të gjykatës… Ti u ngjite paqësisht dhe ne ngjiteshim pas jush, nëpër shkallë, një turmë të rinjsh të gjimnazit “Sami Frashëri”, miqtë e tu, dhe e dashura jote krahë nesh, me sytë e skuqur nga dhimbja dhe lotët, ndërkohë që policët na largonin. Ishte dita e linçimit tënd. Dashuri e thyer, e shkelmuar, e vrarë. Ti nuk do ta gëzoje atë, jetën siç mund të ishte… “bella comme sei”, siç këndonte Battisti.

Dielli atë ditë vritej për ty. Dhe hëna ishte e zbehtë, me një fytyrë të vdekuri. Dhe që atë ditë, në bulevardin para shtëpisë, bulevardi «Stalin», në mbrëmje, deri vonë, shihja hapat e atit tënd, Petros, që shkonte e vinte, vetëm, duke ndezur njërën pas tjetrës cigaret dhe duke tretur dhimbjen e tij në errësirë. Edhe ai e kishte provuar burgun që në vitet e para të çlirimit. Ai e dinte se goditja mund të të thyente, përgjithnjë. Po, miku im i dashur ! Ti na dhimbseshe, pasi ti ishte një njeri i ëmbël, doje artin, çmoje lirinë, lëvdoje miqësitë. Kështu kishte qënë gjithnjë. Sa e sa herë shkonim bashkë në universitet duke përshkuar në këmbë bulevardin e madh me dy statujat e mëdha anash: Stalin dhe Lenin. Partia na përgatiste si gazetarë. Shkonim të dëgjonim teorinë revolucionare të Diktaturës së Proletariatit… Ti në burg, ndërsa unë jepja diplomën. Bëhesha gazetar! Kuadër i Partisë! E megjithatë dëgjoja përsëri Battisti-n. Kjo më kujtonte aksionet tona, Jonufrën ku ishim bashkë, taracat, detin. Një ditë unë doja të shkoja në det, tek anija e mbytur. Ishte larg. Dhe ti më the se do të vije me mua. U nisëm. Më së fundi arritëm atje. Ishte një pamje e llahtarshme, pasi hija e direkut, e përthyer, në atë ujë të pisët përreth, krijonte një pamje llahtari. Donim të vinim një flamur në majë të direkut, por luspat e hekurta të direkut na prenë në gjoks. U kthyem. Duke notuar, ty të zuri ngërçi dhe më the të shkoja, pasi ti nuk mundje më. Por unë nuk mund të kthehesha pa ty. Dhe ashtu, me dorën tënde mbi supin tim, arritëm më së fundi deri në breg. Ti dridheshe. Nuk mundëm të ngriheshim. Ishim kallkan. Zvarriteshim për të arritur në breg. I shtrirë në kapanon, ti dridheshe tmerrësisht. Dhe kjo ngjante gjithnjë me një shaka rinore. Gjithë jeta jote ishte një «Shaka». Akoma nuk e kisha lexuar Shakanë e Kunderës, por ne qeshnim në kohën më tragjike, klithnim në kohën e natës së errët. Dashuronim në kohën e kolerës. Pastaj lexuam Orwellin dhe pamë se ç’ishte ajo perde e hekurt që na rrethonte. Ti e shikoje brenda, në gjirin e asaj popullate të ndaluar, ndërsa ne, ne e sodisnim nga jashtë… Imazhe të rënda që do t’i përshkruaje:

“Ti erdhe

Me xhelatët rruaza në qafën e përkëdhelur

Ti erdhe

Me kriminelët vathë në hapësirën e dashurisë

Ti erdhe

Me vdekjen karficë në gjoksin e frymëmarrjes

Dhe u largove

Me sy jeshilë

Që gëlltitën luftën time të humbur…”

Pastaj gjithçka u tret. Dinim vetëm se mund të liroheshe, por kur? Vitet shkonin dhe ja një ditë, mora vesh se sapo kishe mbërritur në shtëpi. Erdha me një frymë te ty. Ishte pasdite. Trokita dhe nëna jote u habit kur më pa. – Nuk ke frikë? – më tha me ata sy të bukur… Tutje, në dhomë, ti ishe i hutuar, por qeshje me atë që kishe kaluar. Ishte i lumtur. Dolëm në ballkon dhe pamë bulevardin, njerëzit, vajzat që kalonin. Jeta shtrihej para teje. Sërish. Edhe pse ajo rrjedhje njerëzore të ishte disi armiqësore.

Dhe në ditët e mëpasme, në muajt që shkonin, qenia jote endej si në mjegull. Ti, me diplomën e “gazetarit”, ç’mund të bëje?… Takoheshim në bulevard dhe tek shkonim, përsëri gjuha jote ishte po ajo, e simbolit, e sarkazmës, e talljes, kotësisë së botës që të rrethonte. E pashë që ëndrra jote ishte thyer. Një përhumbje e madhe, e trishtë, që të thante gojën. Ashtu siç e pashë në fytyrën e mikut tonë Ali Oseku, kur sapo doli nga burgu. Ishit “të padëshirueshmit”… Por ne ju donim, ju çmonim, pasi “krimi” juaj ishte veç poezia, arti, e bukura, dashuria njerëzore. Sa e sa herë thoshim bashkë poezi. Krijonim strofa, improvizonim aty për aty me fjalë që na vinin, që binin në kadencë, fjalë të përkora, për të krijuar një gjendje poetike. Nga ty pëlqeva Lorkën, Ricos, Witman… Ndoshta ishte Lorca, ai që të futi në rrugën e poezisë. Poezisë së pashkruar. Jo ndoshta, por me siguri që po, pasi Lorka ishte i preferuari i Petros, vullnetarit të Brigadave Internacionale në Spanjën republikane. Lorka, poeti i Spanjës së dashur, vrarë nga frankistët. Lorka i vrarë me një karafil në gjoks. Një plagë ngjyrë karafili. Aromë karafili. Dhe ti, po ashtu, hidhje fjalë në ajër, njëlloj siç një piktor të hidhte penelata në qiell për të pikturuar në telajon e madhe qiellore. “Çarçafët e qiellit”, – thoshe ti. Poezia në gojën tënde ishte inkoherente, por harmonike. Vite më vonë, duke lexuar Paul Valery-në, pikasa se ai thoshte të njëjtën gjë kur shkruante për Rimbaud: ”inkoherenca harmonike”. E kuptova se ti kishe pararendësit e tu. Ishte pinjoll i “poetëve të mallkuar” siç i quante Verlaine ; “les poètes maudits”, të cilët shoqëria i flakte… Dhe jeta për ty u bë si një lojë, një e qeshur e hidhur. Ishte cirku tragjik shqiptar që në vend të çadrës së cirkut, kishte një kubé betoni. Ishte një bunker. Zbutësit që dilnin në arenë duhej t’i duartrokisnim… Duartrokitjet kapërcenin kubenë e betonit. Dhe ti qeshje hidhur, duke thurur nëpër dhëmbë vargje… duke shkruar nëpër copra letrash me vargje, të cilat pastaj i grisje, sepse gjithçka të pështiroste nga ajo jetë. – Shkruaj! të thosha ndonjë herë. – Ç’vlerë ka! – më përgjigjeshe ti. E megjithatë, poetika pulsonte gjithnjë te ti, brenda teje. Ishte një magmë që ziente. Paul Valery kishte vdekur, që mund t’u thoshte të tjerëve diçka për ty. Ti ishe poeti që nuk këndonte. Ishe poeti që shkruante një varg dhe pastaj e digjte, jo për frikë, por për kotësinë e gjithçkaje nën kubenë e betontë.

Ishte Fjala ; «le Verbe»… Dhe atëherë, ti fillove të pije. Pije alkool nga trishti i madh. Hyre në “Akademinë e Absintit” të një Verlaine dhe Rimbaud, që të dy poetë të mëdhenj. Andej kishte kaluar dhe Baudelaire. Pastaj, miqtë e atit tënd të sollën në Kinostudio. Ç’gëzim që ishim bashkë, por unë isha në katin lart, ti ishe poshtë… Mjerisht, thjesht si një punëtor skene. Dhe «Shakaja» e madhe vazhdonte në bisedat tona nëpër oborrin e Kinostudios. Madje shpesh e dashura jote vinte në kodrinat që fillonin pas Kinostudios… dhe ne gëzonim natyrën e virgjër, qiejt, diellin e papërlyer.

Shqipëria ndryshoi vonë. Por Petro ishte i lodhur, edhe pse me zemër më të lehtë. Ishin ditët e para të vitit 1991. Kishte një ngazëllim të përmbajtur, sepse zemra e tij ishte thyer tashmë, që kur ti përjetove burgun, linçimin. Ishte Porta e rëndë e jetës që hapej përpara, Porta që i mbyllej sërish, gjithnjë me zhurmë, edhe pse ai i kishte parë të gjitha, luftërat brënda dhe jashtë Shqipërisë, britmat e lirisë, burgjet, vajin e shokut të vrarë në krah në brigjet e Ebros, dashurinë e bukur dhe të çmendur në rrugët e Tiranës së vitit 1945, ngjizmën e poetit, lavdinë e shkrimtarit, rënien, mallkimin totalitar. Një Hasta La Vista! Por ti, ti miku im, ti ishe guri i rëndë i kalvarit që ai do të mbante gjithnjë në shpinë: ai, Safo, Anita. Dhe me atë gur, shkrimtari e kishte të pamundur të shkruante. Duhej një forcë titanike. Gjithçka ishte bërë dhe ishte zhbërë. Bëhej e zhbëhej. Mbetej vetëm tymi i duhanit të parreshtur, meditimi pas dritares, izolimi, ballkoni dhe tutje lumi njerëzor, shëtitja në buzëmbrëmje ose natën vonë, “Bulevardi Stalin”… Ndërsa ti, banori i “Bulevardit Stalin” shpresoje se mund të ndryshonte diçka.

Më kujtohet një ditë e fundit të Shkurtit të vitit 1991. Unë shkoja për jashtë, drejt Parisit. U takuam si gjithnjë, në bulevard. Të tregova një copëz mermer nga bazamenti i monumentit të Kaligulës. Statuja kishte ditë që kishte rënë. Dhe kur e pe, ti shpërtheve në një gaz të shfrenuar! T’u duk si një lojë fëmijësh. E ç’vlerë kishte gjithë kjo, kur të gjithë ne kishim qenë të detyruar të duartrokisnim, të parakalonim me parrullat e mëdha në festat e 1 Majit? Pothuaj gjithë një popull.Tragji-komedia kishte mbaruar. Por për banorin e “Bulevardit Stalin”, asgjë nuk kishte ndryshuar, asgjë nuk do të ndryshonte dhe pse shpresa e Demokracisë shndriste në diell. Asnjë lloj interesimi për ty, integrimi shoqëror, thua se i kishe venë vizë një jete. Pushtetarët kishin halle të mëdha! Demokracia duhej ndërtuar!… Dhe ti, o i harruar, u bëre banori i bulevardit Zogu i I… Përsëri fjalime, premtime, fjalë “demokratike” që ty të lodhnin dhe ti doje veç të preheshe në meditimin e gjatë gjer në fund të mbrëmjes dhe përhumbjen e alkoolit.

Kohërat ishin përmbysur, por njerëzit ishin po ata. Orët e kohës kishin ndalur, si në tablotë e Salvador Dalisë, si në kopertinën e librit tënd “Rastësisht me dashje”. Dhe ti vazhdove të bëje të njëjtën jetë si më parë. Euforia e njerëzve të habiste, pasi era që frynte të përplaste shumë baltë në fytyrë. Kështu ndodhte në kohëra rrapëllimash. Por për ty pak rëndësi kishte, sepse për ty nuk ndodhi asgjë.

“Sot është e shtunë

dhe për vendet bosh në sallat e lavdisë…

Kështu shkruaje ti. Dukej se poeti ishte vrarë brenda teje. Por jo. Tek kthehesha në Tiranë nga mesi i viteve 90’ mora vesh për poezitë e tua. U gëzova së tepërmi. E dija se ti mund të shkruaje poezi të mrekullueshme, por duhej dikush të të bindë se ia vlente të shkruaje! Poeti filloi të shfaqet… nisi të dashurohet pas Fjalës, të rikujtojë linçimin, kohën:

“Dielli plumb mbi qytet

Më bën të çohem për të parë

Perden që mbulon ngricën

Perden që përvëlon errësirë dhe jetë

Perden që shkund mornica

Dhe më mbulon sa herë

Harroj të fle.”

Në ato vargje ishe ti dhe askush tjetër, ti dhe vetëm ti, me gjumin tënd të shprishur. Ishte kontucioni yt cerebral i dhimbjes dhe i goditjes, i inkuizicionit dhe britmës së lirisë, ishte alkooli, avujt e të cilit nuk të lëshonin. Një poet i vrarë, i gjallë. Dhe ti endeshe në erë si në balladën e François Villon, “Ballada e të varurve». Kur takoheshim në Tiranë ti më thoshe : “Më jep një gotë!” Dhe unë vija me ty. Më vinte keq. Unë e doja poetin. Ti ishe i varfër. Petro kishte vite që kishte vdekur. Safo e sëmurë. Anita përplasej me «mullinjtë e erës», që vepra e Petros dhe jotja të gjente vendin që meritonte. Por ti ishe i varfër, ti pinjoll i të pasurve të artit. Më fal miku im që s’bëra asgjë për ty. Edhe unë isha një i varfër, edhe pse i pasur në shpirt. Herën e fundit që isha në Tiranë, doja të kaloja nga ty, por u ktheva. Nuk doja ta shihja gjendjen tënde të trishtë, sytë e tu të vrarë. Nuk doja të të kujtoja të humbur! “Mi ritorno in mente… Kënga e jonë e përbashkët më vinte ndër mend dhe më mbyste në nostalgji. Lucio Battisti ka vite që ka vdekur. Megjithatë, ti më çon tek ajo këngë dhe kënga më risjell te ti. Ti vërtet shkove nën dhé, siç i thoshte motrës së tij Arthur Rimbaud, por çuditërisht ka ndodhur habija. Ti po ecën në diell. Hapat e tua shkelin dhe ecin mbi kujtimet dhe dashuritë tona, edhe pse lëkundesh ende si një Anije e Dehur e Rimbaud-së

Kur dëgjova se një burrë shteti i madh qenka sëmurë-Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Kur dëgjova se një burrë shteti i madh qenka sëmurë-Bertolt Brecht

Nëse njeriu i pazëvendësueshëm mrrolet

Dy perandori dridhen.

Nëse njeriu i pazëvendësueshëm vdes

Bota sheh rreth e qark si një nënë që ka mbetur pa qumësht për fëmijën e saj.

Nëse njeriu i pazëvendësueshëm do të kthehej sërish një javë pas vdekjes së tij

Në gjithë këtë vend nuk do të kishte më qoftë dhe një vend pune për të, as si roje i derës.

Përktheu: Arbër Zaimi

Të huajt-Rose Ausländer/Përkthyer nga Hans-Joachim Lanksch

in Letërsi/Në kujtim të Hans-Joachim Lanksch/Përkthim/Tharm by

Të huajt-Rose Ausländer

 

Anija jonë

pa flamur

nuk i përket asnjë vendi

e s’mbërrin gjëkundi

 

Qytetarë ujërash

ne lundrojmë

drejt ditës

drejt natës

 

dhenë e vegojmë

në lëpeth

fata-morganën tonë

dhé valësh

 

Ngahera shohim ëndrra

një anije lëviz

në drejtim

të kundërt

 

e zgjohemi

fillikat

vetëm

me erë

 

Përktheu: Hans-Joachim Lanksch

Vaclav Havel dhe Letrat e Olgës

in Letërsi by

Vaclav Havel (1936-2011) është ndër shkrimtarët më të rëndësishëm evropianë të kohës sonë. Ai lindi në Çekosllovaki në vitin 1936. Është autor i shumë eseve mbi natyrën e disidencës dhe natyrën e totalitarizmit. Në vitin 1979 ai u dënua me katër e gjysmë vjet burg për përfshirjen në lëvizjen e të drejtave të njeriut “Karta 77”. Në burg u lejua t’i shkruante bashkëshortes, Olgës, një herë në javë. Ai e shfrytëzoi këtë mundësi për refleksione të thella, mbi teatrin, shoqërinë dhe filozofinë. Këto letra përbëjnë një dokument të rëndësishëm, një vepër me vlera të përhershme. Nga letrat e burgut lindi libri “Letra Olgës” (1981), përmbledhje e letrave të shkruara gjatë periudhës 1979 -1982 si i burgosur politik. Këto shkrime shpërfaqin shpiritn e Havelit në një pikë kritike të zhvillimit të disidentit më të famshëm të Çekosllovakisë dhe udhëheqësit të ardhshëm politik, i cili do të zgjidhej si presidenti i parë jokomunist pas dyzetë vjetësh në Dhjetor 1989, pas rrëzimit të regjimit komunist me anë “Revolucionit të kadifenjtë”, protestave të pandalshme paqësore.

Në parathënien e “Letra Olgës”, Haveli rrëfen se ato ishin arratia e e vetme krijuese gjatë kohës në burg. Letrat janë me interes në dritën e rrethanave në të cilën u shkruan. Haveli iu nënshtrua punës së detyruar fizike me normë të përcaktuar qëllimisht, në mënyrë që të ishte e vështirë të realizohej. I lejohej të shkruante katër faqe në javë që mund t’ia drejtonte një personi, dhe ai zgjodhi t’ia drejtonte Olga Havelit, gruas së tij, nga viti 1964 deri kur vdiq në vitin 1996. Censura ishte jashtëzakonisht e rreptë dhe e paparishikueshme. Letrat duhet t’u përmbaheshin specifikave të sakta: Duhej të ishin të lexueshme dhe pa korrigjime, pa citime ose fjalë të huaja. Censorët kishin ndaluar humorin dhe çdo mendim që shkonte përtej asaj që ata e klasifikonin si çështje familjare. Të burgosurit nuk mund të shkruanin dorëshkrime apo të bënin shënime. Nën kushte të tilla të vështira, shkrimi i letrave çdo javë u kthye në një lojë të ankthshme hamendësimesh për interpretime arbitrare të censorëve, të cilët konfiskonin pa mëshirë letrat që nuk përputheshin me kriteret e tyre. Haveli e ushtroi parreshtur këtë mënyrë të vetme të shprehjes intelektuale që i ishte lejuar. Shpesh i fshihte refleksionet e veta mes paragrafëve më abstraktë dhe të pakuptueshëm, si mënyra më e mirë për të kaluar censorët. Pavarësisht nga këto kufizime, letrat e tij shërbejnë gjithmonë për të reflektuar mbi trashëgimin e jetës, letërsisë, luftës për të drejtat e njeriut dhe trashëgimine politike të Vaclav Havelit. Në fluturimet filozofike, komentet befasuese për individin si molekulë anonime, dinamikën e fanatizmit, për besimin, lirinë, fushën e shahut të fuqive politike, natyrën shoqërore të teatrit, shpirti i Havelit jehon nëpër këtë rrugëtim nëpër ferr.

Përktheu: Granit Zela

 

PSE BËRTASIN NJERËZIT-MEHER BABA

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

MEHER BABA

(Indi, 1894 – 1969)

Një ditë, gurú-i (mjeshtër shpirtëror) indian Meher Baba pyet ithtarët e tij:
– Pse bërtasin njerëzit, kur janë të inatosur?
Pasi ata u menduan për pak çaste, njëri prej tyre përgjigjet:
– Sepse njeriu, kur është i inatosur, humbet qetësinë.
– Po pse duhet të bërtasë? – pyet përsëri Meher Baba, i pakënaqur nga përgjigja. – Kur tjetri është aq pranë tij, mund ta dëgjoj fare mirë, edhe sikur t’i flasë me zë të ulët. A e dini pse bërtet një njeri që është i inatosur?
Ithtarët dhanë edhe disa përgjigje të tjera, por asnjëra prej tyre nuk e kënaqi Meher Babanë.
Më në fund, Meher Baba shpjegon:
– Kur dy persona janë të inatosur me njëri-tjetrin, zemrat e tyre largohen shumë. Pra, duke qenë se tashmë janë larg njëri-tjetrit, duhet ngritur zëri, ndryshe nuk e dëgjojnë dot njëri-tjetrin. Sa më të inatosur të jenë njerëzit aq më e madhe është distanca midis tyre.
Dhe Meher Baba vazhdon më tej:
– A e kini vënë re se ç’ndodh midis dy personave që janë të dashuruar? Ata nuk bërtasin, veç flasin me zë të ulët, të butë e të ëmbël. A e dini pse? Sepse zemrat e tyre janë afër njëra-tjetrës. Distanca midis tyre është tejet e vogël. Madje, e dini ç’ndodh, kur dashuria për njëri-tjetrin është e zjarrtë? Ata nuk i flasin, por i pëshpëritin njëri-tjetrit. Por, ka edhe më. Nëse ata e duan njëri-tjetrin sa s’ka ku shkon më, atëherë as për fjalë nuk është më nevoja. Ata vetëm e shikojnë njëri-tjetrin në sy, dhe kaq mjafton të merren vesh me njëri-tjetrin. Ata, edhe kur diskutojnë, nuk lejojnë që zemrat e tyre të largohen sado pak, nuk thonë fjalë distanca midis tyre të zmadhohet. Ndryshe, edhe te këta, vjen një ditë që kjo distancë kaq e papërfillshme, bëhet aq e madhe sa ata nuk arrijnë të takohen më.

 Përktheu: Bajram Karabolli

«Porta e Ferrit», kjo katedrale e Roden-Luan Rama

in Pikturë by

Luan Rama

Artur Rembo i pëlqente katedralet… Ai fliste për katedralet që ndereshin në qiell. Bodler i pëlqente gjithashtu… Monet pikturonte në dhjetëra variante e tone ngjyrash katedralet e përhumbura të Reims apo të Milanos… Ёshtë dehëse një katedrale, është magjiplotë. Hygo do të shkruante për jetën, vdekjen dhe rilindjen katedraleve; Ogyst Roden (Auguste Rodin) do të ndërtonte një tjetër lloj katedraleje; ai krijoi «Porta e Ferrit», një lloj katedraleje për nga madhështia e veprës, ndërtuar për një kohë të gjatë siç krijoheshin katedralet në shekujt XII-XIII, një «katedrale» e ndërtuar vetëm nga dy duar, një daltë dhe një zemër e sfilitur, pasi ishte vuajtja e tij që e shtyu ta ndërtonte këtë «katedrale» njerëzore, këtë katedrale fatesh, tragjedish, këtë asfresk skulptural, atë që ai do ta quante «Porta e Ferrit» e që, i vetëm, në atelier, e ndërtoi në allçi, pasi ajo do të derdhej në bronx veç pas vdekjes së tij.

Po, një «katedrale» frymëzuar nga Dante Aligeri, një katedrale për «Komedinë Hyjnore», por veç për udhëtimin e tij në ferr, atë udhëtim drejt dritës së bardhë për të zbritur në terrin e madh njerëzor, e ngjitur pastaj në kërkim të Beatriçes së tij dhe zemrës së njeriut. E vështroj sot përsëri këtë «Portë të Ferrit» dhe mahnitja për forcën e artit është po ajo. Gjithçka është aty, dhe kërleshja e trupave të Botiçelit kur ilustronte «Ferrin» e Dantes dhe që pjesës më të madhe të vizatimeve nuk arriti t’u jepte ngjyrë. E pra, dhe Botiçeli kishte përshkuar të njëjtën udhë të Dantes për të dhënë të vërtetën e «Ferrit». Përse vallë kishte vendosur «Mendimtarin» e tij sipër Portës, në krye të asaj «katedraleje? Për të gjetur një rrugëdalje të njerëzimit të përgjakur mes urrejtjesh, luftrash, zaptimesh, dëbimesh, ekzilesh, dënimesh e zilish meskine?…

«Mendimtari» qëndron atje, si një dishepull, si një Zot, në një atmosferë vagneriane, si një Zot për të zgjidhur enigmën e madhe të ekzistencës… Ёshtë një imazh vërtet tronditës, veçanërisht kur shiu e ka lagur dhe kur dielli bën të vezullojnë gjithë nuancat e dorës së mjeshtrit, gjithë hiret e personazheve, ata trupa në konvulsion, siç i kishte menduar Dante, pasi dhe Dantja vetë ishte një njeri i dënuar, i detyruar të largohej fshehurazi nga qyteti i tij, nga Firence e dashur, dhe të mërgonte nëpër Italinë e  Veriut, i dënuar gjithnjë me vdekje. Portrete, krahë, gjymtyra, ngërçe të trupit njerëzor, sy që të trondisin kur i shikon, po ajo klithmë dëshpëruese në ato gojë të hapura. Po, aty është «Porta e Ferrit», aty është hija e Dantes reflektuar në atelierin e skulptorit në Meudon, në periferi Parisit, aty ku krijoheshin figurat, të cilat, shumë prej tyre, do të qëndronin më pas më vete si, «Mendimtari» («Le Penseur») apo «Puthja», («Le Baiser»), etj. E përsëri ata do të jenë aty, në atë portë të madhe, me atë turmë mëkatarësh që shpreh vetë gjendjen njerëzore. Një fëmijë ka mbetur në një cep muri, ashtu vetmitar, mëshironjës, i pafajshëm, me atë pikëpytje naive se përse ndodhej aty, se ku vallë ndodheshin prindërit e tij. Ja, më tej koka që zgjaten dhe që herë-herë ata u ngjasojnë gargujve. Jo, ato nuk janë shimera, janë fytyra njerëzore që dalta e Roden i krijonte në mesnatë, në ethe, në netë të pagjumta, i kapur e i pushtuar nga ajo ethe e Ferrit dhe e fytyrës së mëkatit; gra që u duken vithet lakuriqe, erotizmi dhe tragjedia, njerëz që kërkojnë rrugën e shpëtimit për t’i shpëtuar ndëshkimit. Edhe Roden ishte një mëkatar. A nuk ishte një ferr ajo çka fshihte dhe ai në vetvete, ajo dhimbje për të dashurën e ëmbël Kamij Klodel, e cila u çmend dhe jetoi për më shumë se 40 vjet në një çmendinë, e dënuar nga shoqëria, jo nga trupi dhe arti i saj. Dhe Roden e përjetoi gjithnjë këtë mëkat ndaj asaj vajze të dashuruar me të, që i shkruante se «natën fle e zhveshur që të mund të flë në ëndërr me ty…» Dhe ai, padashur, i detyruar të qëndronte me gruan e tij, me një premtim të vjetër, papritmas u shndërua në një inkuizitor të saj. Dhe kjo artistin e trishtoi shumë, ai e vuajti mëkatin, e mbajti brenda vetes, e fshehu thellë dhe shpejt e vendosi veten në radhën e atyre mëkatarëve që ishin mbledhur në «Portën e Ferrit»…

Ferri i Dantes është një meditim për gjendjen njerëzore. Dhe «Porta e Ferrit», gjithashtu, pasi ajo është një refleks dantesk. Dhe Roden shkruante: «Dante ishte jo vetëm një vizionar dhe shkrimtar por dhe skulptor. Shprehia e tij artistike është lapidare. Kur përshkruan një personazh ai mbështetet në gjestin e tij… Një vit të tërë kam jetuar me Danten, duke jetuar veç për të, dhe me të, unë vizatoja tetë rrathët e ferrit»… Ç‘jetë titanësh!
Si mund të hapet kjo portë për të shkuar drejt Purgatorit, dhe së fundi drejt Parajsës? Si? Vështirë ta shtyje atë portë të rëndë që mbartte gjithë mëkatet e botës. Por udha e purifikimit shpirtëror duhej bërë, duhej guxuar, duhej shtyrë me të gjitha forcat e trupit, edhe pse mund të vdisje nga lodhja apo dëshpërimi. E sigurisht, Roden, në moshën e tij të mbrame, mendonte për «Gjykimin e Fundit», «Le dernier Jugement»… atë që kishin riprodhuar në veprat e tyre të mëdha gjigandët e Rilindjes Italiane nga Leonardo, Giotto e të tjerët me radhë. Ashtu si Dante, dhe Roden donte t’i tregonte shoqërisë gjendjen tronditëse të shoqërisë njerëzore, atë gjendje që s’kishte ndryshuar që nga koha e Dantes apo më parë, ajo gjendje e krimit njerëzor, e mashtrimit, vjedhjes, shpifjes, hakmarrjes, cinizmit, etjes për pará e lavdi, ku dobësia e shpirtit të shtyn drejt krimit. Roden donte të fliste ashtu si dhe Dante, por jo përmes fjalës, por përmes daltës së tij, figurave, trupit njerëzor, kërleshjeve trupore, siç i shohim në grupin e figurave të Ugolinit (sipas Dantes), tiranit të Pizës, i cili kishte shqyer bijtë e tij dhe tashmë ishte dënuar para asaj porte.

Para se të largohesh, nuk mund të mos prekesh nga figurat e Paolos e Françeskas të trajtuara tek «Ferri» i Dantes, dy të rinjtë e dashuruar, të vrarë nga burri i tradhëtuar, ku Roden ka vendosur dy çifte të dashuruarish, njëri i quajtur «Fugit amor», ashtu, të flakur në rrethin e erërave dhe të ndarë përgjithmonë, duke mishëruar kështu fatkeqësinë që sjell pasioni i ndaluar… Këtë përjetonte vetë Roden, i vetmuar, pa të dashurën e tij, Kamij, të çmendur dhe të mbajtur fshehur, s’dihej ku, vallë jetonte ende apo kishte vdekur me kohë? Shekulli kishte kapërcyer, Roden vdiq në Nëntor të vitit 1917… Dhe unë më së fundi largohem me imazhin e atyre dy portreteve që puthin njëri-tjetrin, një puthje e ngrirë, e trishtë, si një lamtumirë, si një puthje e fundit, me buzë të ftohta, para se të shkosh të vdesësh. Sepse kjo portë, ashtu si vetë katedralet, i përngjan një libri të madh historik.

Sot kjo katedrale e krijuar nga ato duar arti ndodhet aty, në «Muzeun Roden» pranë Invalides, pranë figurës legjendare të «Mendimtarit», pranë erotikave maramendëse të Ogyst Roden. Po, Roden e ngriti një katedrale të tij në përkushtim të Dantes dhe dramës njerëzore njëkohësisht. Le ta shohim gjatë dhe le ta shtyjmë këtë portë të rëndë, duke lënë pas mëkatet, gjithnjë në kërkim të dritës, paqes, dashurisë… Në vitin 1887, atëherë kur fillonte të punonte për «katedralen» e tij, fotografi William Elborne do ta fotografonte Rodenin para veprës që niste të ngjizej. Një fotografi e jashtëzakonshme, mahnitëse, sepse fotografi e ka fotografuar përmes një pasqyre, ku duket portreti i një Rodeni «illuminé», që besonte shumë në artin e tij, që siç thoshte ai, «Të bësh me këto duar atë që shikon, ky është ligji i artit». Po, në atë fotografi, dukej se Rodeni po udhëtonte tashmë në botën e ferrit, se shkonte të takonte Danten, ashtu si dikur Dante takonte gjatë udhës Virgjilin e madh. Dhe me ata sy të hapur që na vështrojnë, ai na thotë se kjo është «Divina Comedia»… «Ёshtë fare e thjeshtë, – duhej të kishte thënë Roden, – ne vazhdojmë të jetojmë «Komedinë Hyjnore», ne vazhdojmë të ecim në rrugët e mëkatit, në rrugët ku ka shumë baltë e gjak, shumë dhimbje, shumë këngë e jetë të thyera. Më së fundi le ta hapim atë portë që të shohim agun e një dite të re!»

Epokat e reja-Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Epokat e reja-Bertolt Brecht

 

Një epokë e re nuk fillon befasisht

Gjyshi im tashmë jetonte në epokën e re

Nipi im ndoshta ende do të jetojë në të vjetrën.

 

Mishi i ri hahet me pirunjtë e vjetër.

 

Nuk ishin makinat e para

As tanket

As aeroplanët përmbi çati

As bombarduesit

 

Teknologjia e re transmetoi idiotësitë e vjetra.

Dija vazhdoi të përcillej gojarisht.

Përktheu: Arbër Zaimi

 

Me poetin Erlind Sulko-Çdo filozofi e parakupton poezinë dhe çdo poezi është farë e një sistemi të ndërlikuar filozofik.

in Letërsi by

Një njeri i lumtur nuk shpëton dot as veten-Erlind Sulko

Arlinda Guma: Ju keni botuar në mënyrë disi të pazakontë një përmbledhje me poezi me titull “Kam etje”. A është një subjekt më vete për t’u shkruar në një libër kjo parodia e sorollatjeve nëpër botues e autorëve të rinj? Di që disa prej krijimeve tuaja i keni hedhur. Si shpëtoi pa u asgjesuar kjo përmbledhje? A e ka një shpjegim kjo dëshira “e errët” (le ta quajmë kështu) e shumicës së autorëve për të shkatërruar një pjesë të mirë të veprës së tyre?

Erlind Sulko: “Kam Etje” është një përmbledhje poezish shpirtërore kushtuar Zotit. Vepra është frymëzuar nga fjalët e fundit të Krishtit para se të vdiste: Kam Etje.

Kam shumë vite që shkruaj poezi, por nuk kam botuar asgjë në letër. U jam drejtuar shumë shtëpive botuese, por përherë kam marr të njëjtën përgjigje: një heshtje të frikshme dhe një pritje të pafund. Por nuk pres asgjë më shumë nga një grup njerëzish të paaftë që nuk kanë asnjë lidhje me kulturën, por vetëm me biznesin. Shtëpitë botuese shqiptare janë si një tregtar dështak që mundohet të shesë patate të vjetra e të kalbura. Përkohësisht, mendoj se duhet të hapet një shtëpi botuese që mbështet dhe boton shkrimtarë të padëgjuar më parë, shkrimtarë që nuk janë pjesë e zhurmës mediatike. Ndërkohë, qëllimi përfundimtar i shtëpive botuese është që të shndërrohen sa më shumë në manastire ku lulëzon e Bukura.

Dikur, kur shkruaja poezi për njerëzit kjo mospërfillje e shtëpive botuese më jepte ankth dhe dëshpërim. Por, tani gjithçka ka ndryshuar, pasi e kam kuptuar që poezia e dobët përherë bashkëbisedon me veten dhe është tepër njerëzore. E ngërthyer në drama qesharake, synime të cekta dhe dashuriçka. Poezia e mirëfilltë nuk ka asgjë të bëjë me dramat shekspiriane; ajo është një trajtëzim i së hyjnishmes në fjalë. Qëllimi i poezisë së përkryer është të bashkëbisedojë me Zotin. Prandaj, jam i lumtur që u ballafaqova me mospërfilljen njerëzore, pasi më mësoi se çfarë është poezia në vetvete. Veprat e përjetshme duan durim.

Arlinda Guma: Ç’mendim keni për revistat dhe emisionet kulturore në Shqipëri? Nuk shoh që ato t’u japin dhe aq zë të rinjve. Të ftuarit e këtyre emisioneve (të mërzitshme) janë përherë një grusht njerëzish, miq të drejtuesve, të cilët ftohen e ftohen pafund gjithandej, edhe kur nuk kanë asgjë për të thënë, gati si një formë e kamufluar genocidi ndaj shkrimtarit të panjohur dhe të talentuar…

Erlind Sulko: Nuk kam më durim t’i ndjek, pasi më japin dhimbje koke. Janë harxhim i kotë kohe.

Arlinda Guma: Lexoni letërsi shqipe të pas90-ës? Mendoni se ajo e ka marrë vendin që i takon? Perceptoj ende shumë babëzi te kiorifenjtë e djeshëm letrarë për të uzurpuar çdo hapësirë…

Erlind Sulko: Lexoj letërsi shqipe të pas90-s, në veçanti poezi. Do veçoja dy poetë: Fatos Arapin, i cili ka shkruar poezi të shkëlqyera pas 90-s, dhe Frederik Rreshpjen. Jam marr me poezinë e tyre nëpër shkrime të mëparshme.

Prapseprapë, nuk jam duke lexuar aq sa do të desha. Të qenit përherë larg Shqipërisë e bënë të vështirë ndjekjen e letërsisë vendase.

E vërteta është që gati askush nuk lexon. Edhe ata që mendojnë që lexojnë një vepër, lexojnë vetveten. Prandaj, është gjetur një zgjidhje më e thjeshtë; përsërit të njëjtët emra si jehona e mbytur e një zhurme të mëparshme.

Gjithashtu, brezi i vjetër letrar ka çdo fuqi mediatike në duart e tij dhe, fatkeqësisht, ne nuk kemi hequr ende dorë nga kryerja e punëve me miqësi.

Arlinda Guma: Ju keni përkthyer në anglisht disa poezi te poetit Frederik Rreshpja. Kur e keni hasur këtë poet dhe ç’ndjesi ju kanë lënë poezitë e para që keni lexuar prej tij?

Erlind Sulko: Po, kam përkthyer disa poezi të Rreshpjes dhe kam shkruar dhe një shqyrtim filozofik kushtuar poezisë së tij. Poezinë e Rreshpjes e kam cilësuar në tërësi si një udhëtim braktisjesh të vazhdueshme, një kërkim shpirtëror për atë që nuk ka për t’u përmbushur ndonjëherë.

Poezia shqiptare e pas 90-s është kaos. Mbase, më vonë do të marrë një trajtë të caktuar. Por që, tani për tani, shikoj dy rryma kryesore. Nga një anë kemi një llojë poezie të mërzitshme akademike, një përsëritje të mërzitshme të Borhezit, mbushur me referanca ndaj shkrimtarëve të tjerë. Në anën tjetër, kemi një rrymë tjetër; poezinë e cekët melodramatike, mbushur me dashuriçka. Që të dy këto rryma janë dy anë të ndryshme të së njëjtës monedhë. Poet i madh është ai që shkon përtej këtyre dy rrymave. Për mendimin tim, vetëm poezia e Frederik Rreshpes, Fatos Arapit dhe Alket Çanit e kanë arritur këtë gjë.

Arlinda Guma: Si lindi tek ju dëshira për të koleksionuar libra të vjetër?

Erlind Sulko: Dashuria për të mbledhur libra ka qenë një udhëtim Platonik nga përmbajtja e hyjnishme drejt trajtës së përkryer. Tani për tani, mendoj se nga ana e përmbajtjes, pak a shumë i kam të tërë librat që më duhen; tani mbledh libra vetëm për të arritur trajtën e librit të përsosur.

Rrethanat kanë pasur një vendosmëri të madhe. Përherë i kam dashur librat, por banimi në Toronto më dha më shumë mundësi që të njihesha më mirë me historinë e librit dhe librashitës nga e tërë bota. Libërmbledhja është për mua, menjëmend, një nga kënaqësitë më të mëdha në jetë. Mundohem që të paktën 1 herë në javë ti vizitoj tërë libraritë e qytetit ku jetoj.

Arlinda Guma: Ku pikëpriten poezia dhe filozofia?

Erlind Sulko: Janë dy gjëra të ndryshme, por që ushqejnë njëra tjetrën. Filozofia në tërësinë e saj ka dy trajta: në një anë kemi filozofinë si një sistem kritik pa përmbajtje, që kërkon të shkatërrojë gjendjen e shkuar ose të tashme. Në anën tjetër, kemi filozofinë si një projekt i ndërtuar mbi arsyen; si një ndërmarrje që bashkon pikat brenda një pikture të gjithësisë.

Poezia është diçka tjetër. Poezia ka të bëjë me shpalljen fillestare, me rrënjët e gjithësisë. Çdo filozofi e parakupton poezinë dhe çdo poezi është farë e një sistemi të ndërlikuar filozofik.

Arlinda Guma: A mund ta shpëtojë botën një njeri i lumtur?

Erlind Sulko: Një njeri i lumtur nuk shpëton dot as veten.

Arlinda Guma: Nëse do t’ju kishin thirrur në Samitin e famshëm të Diasforës për t’ju dhënë ndonjë dekoratë të llojit “Ambasador i Shqipërisë nëpër botë”, a do t’i ishit përgjigjur ftesës? Po ju sa shqyrtime letraro-filozofike do t’ju ishin dashur të bënit për të shuar imazhin negativ të Shqipërisë nëpër botë prej protestave me goma të djegura?

Erlind Sulko: Nuk më interesojnë mbledhje të tilla. Më mjafton poezia, vera dhe miqtë e paktë. Nuk është detyra ime të shuaj imazhin negativ të Shqipërisë.

Arlinda Guma: Nëse do të dilnit për darkë me ndonjë prej personaliteteve më të shquar botërorë të të gjitha kohërave, kë do të kishit zgjedhur dhe ç’pyetje do t’i kishit bërë?

Erlind Sulko: Do të desha ta pyesja Niçen se përse u përdhos i përlotur, para se të çmendej, kur pa dikë duke fshikulluar një kalë.

Arlinda Guma: Çfarë ju mungon dhe çfarë ju nervozon prej Shqipërisë?

Erlind Sulko: Më mungojnë miqtë, më mungon një bisedë e rastësishme me ndonjë në rrugë, më mungon baçja e fëmijërisë, më mungon deti, mali i Dajtit. Por më shumë se gjithçka, më mungon gjuha. Shpesh më merr malli thjesht të bisedoj në shqip.

Më nervozon pakufi burokracia e tmerrshme, e cila shfaqet edhe në marrdhëniet e përditshme. Burokracia e shtetit na është futur në gjak. Njerëzit nuk të kthejnë as përgjigje nëse nuk je mik me dikë.

Arlinda Guma: A keni ndonjë bar të preferuar në qytetin ku jetoni ku uleni dhe shkruani?

Erlind Sulko: Nuk kam shkruar e as nuk kam lexuar asnjëherë asgjë në bar. Gati çdo gjë që kam shkruar, e kam shkruar nëpër shëtitje të gjata, shumëorëshe. Përherë mbaj fletore nëpër xhepa të mbushura me shënime. Më pas shënimet i rishkruaj dhe përpunoj në qetësinë e shtëpisë.

MESDITË ISHULLI – Hilde Domin/Përkthyer nga Hans-Joachim Lanksch                                 

in Letërsi/Në kujtim të Hans-Joachim Lanksch/Përkthim/Tharm by

MESDITË ISHULLI-Hilde Domin                                  

 

Na jemi të huej

ishull

me ishull.

Por në mesditë kur deti na ngrihet

deri në shtrat

dhe e kaluemja na kullon

nëpër thembnat

si rava e ujit mbas kallumës

dhe bari i vdekun bregdeti

shndrrohet në lisa

s’na mban mâ rrjeta

e kujtimeve

dhe na shkasim

jashtë

e rrugët e caktueme deti

të peshkatarëve

dhe hartat e thellësive

nuk vlejnë

për ne.

 

Përktheu nga originali: Hans-Joachim Lanksch

© Copy right-i i përkthimit: Hans-Joachim Lanksch

E PAËNDËRRTA IME-Fatos Arapi

in Letërsi/Tharm by

E PAËNDËRRTA IME-Fatos Arapi

Më duhet një gjysëm ëndrre,

e paëndërrta ime.

 

Vë kokën në gjoksin tënd

e aty përplasem

te koka e një tjetri.

 

Më duhet një gjysëm ëndrre.

 

Shigjetat e orës së dorës

tutje i shtyjnë kalimtarët,

në ditë të rrëpirta tiranase.

Shpirtra joshpirtra që shkojnë…

Bri meje dikush flet me vete,

pa e kuptuar besoj në rrëfimin e tij.

Dikush, prej zhgënjimi të egër,

mbërthen kryqe të reja.

I hedh një gjysëm leku

dhe blej kryqin tim.

 

Tani që ta ngre

më duhet një gjysëm ëndrre,

e paëndërrta ime.

1 153 154 155 156 157 190
Go to Top